ILUMINIZMI DHE INTERPRETIMI  SOCIAL DHE KULTUROR …

ILUMINIZMI DHE INTERPRETIMI  SOCIAL DHE KULTUROR …

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 22 Maj 2022

Interpretimi social dhe kulturor – Në kundërshti me qasjen historiografike intelektuale iluminizmit, që i analizon rrymat ose diskurse e ndryshme të mendimit intelektual brenda kontekstit evropian në shekullin XVII dhe XVIII, qasja kulturore-sociale i studion ndryshimet që kanë ndodhur në kulturën dhe në shoqërinë evropiane. Sipas kësaj qasjeje, iluminizmi më  tepër është proces ndryshimesh në shoqëri dhe në kulturë, dhe më pak është një grumbull koherent idesh. Përmbajtja dhe procesi me të cilin kjo përmbajtje është përcjellë, njësoj janë të rëndësishme. Historiani dhe historiografi francez, i cili ligjëron në Universitetin e Pensilvanisë, Rzhe Shartie (Roger Chartier) këtë e sqaron në këtë mënyrë: “Kjo lëvizje prej qasjes intelektuale në qasje kulturore-sociale, implikon hedhjen e dyshimit ndaj dy ideve: e para, praktikat mund të dedukohen  (të nxirren si përfundim) prej diskurseve që i autorizon ose i arsyeton; e dyta, është e mundur që domethënia latente e mekanizmave socialë të shndërrohet në terma të ideologjisë eksplicite”.

Një prej elementeve parësore të interpretimit kulturor të iluminizmit është ngritja e sferës publike në Evropë. Filozofi dhe sociologu gjerman Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, 1932-) ka ndikuar në idenë mbi sferën publike si asnjë tjetër, edhe pse modeli i tij, gjithnjë më tepër vihet në dyshim. Çështja kyçe të cilës u përpoq t’i përgjigjet Habermasi, ka të bëjë me kushtet “e diskutimit të hapur racional, kritik dhe të sinqertë për sferat publike, apo me kushtet shoqërore që nevojiteshin për përhapjen e iluminizmit dhe për shqyrtimin e tyre”. Sipas Habermasit, kah fundi i shekullit XVII dhe gjatë shekullit XVIII janë formuar “sferat publike borgjeze”, ndërsa “mbretëria e komunikimit karakterizohet nga arenat e reja të debateve, nga format e hapura dhe më të arritshme të hapësirës publike urbane dhe të  socializimit si dhe nga eksplozioni i përmbajtjeve të botuara”. Habermas thotë se janë tri karakteristika të sferës publike: ka qenë egalitare; ka debatuar “për brenga të përbashkëta”; argumentet janë bazuar në arsye.

Gjeografi, natyralisti, hulumtuesi gjerman, ithtar i filozofisë dhe i shkencës romantike, Aleksandër fon Humbold (Friedrich Wilhelm Heinrich Alexander von Humboldt, 1769-1859) shfaqte neveri ndaj bujkrobërisë dhe shpesh e kritikonte politikën koloniale. Gjithmonë vepronte me bindje të thella humane, të lindura nga idetë e iluminizmit.

Profesori i historisë në Emory University, Atlanta, Xhejms Van Horn Melton (James Van Horn Melton, 1952-) jep një pasqyrë të mirë të vlerave të sferë publike borgjeze: anëtarët e saj, arsyen e kanë vendosur në kulm; çdo gjë i nënshtrohej kritikës (sfera publike është kritike); pjesëmarrësit e saj i janë kundërvënë çfarëdo lloj sekreti. Kjo mundëson që të sqarohet më lehtë se ç’ka nënkuptuar Habermasi me “sferat publike kanë debatuar për brengën e përbashkët”. Habermasi e përdor këtë term për t’i përshkruar ata lëmenj të diturisë politike e shoqërore dhe të debatit i cili më parë ka qenë fushë ekskluzive e shtetit dhe e autoritetit religjioz, kurse tani hapet për kërkime kritike nga sfera publike. Habermasi thotë se në zhvillimin e sferës publike kanë ndikuar dy tendenca historike afatgjata: paraqitja e shtetit kombëtar modern dhe paraqitja e kapitalizmit. Shteti kombëtar modern dhe konsolidimi i forcës publike të saj, krijoi si kundërpeshë një rreth privat shoqërie, të pavarur nga shteti, duke mundësuar kësisoj lindjen e sferës publike. Kapitalizmi ndërkaq, e rriti autonominë dhe vetëdijen e shoqërisë. E rriti edhe nevojën për shkëmbimin e informatave. Shtrirja e sferës publike, mundësoi përhapjen e saj edhe institucione të ndryshme. Ajo përfshiu kafenetë, sallonet e debateve si dhe sferën publike letrare, që të gjitha të vendosura në Res publica letteraria.

Forcimin e sferës publike e përshkruan edhe historiania angleze Dorinda Outram (1949-). Doktori filozofinë në Kembrixh. Ligjëruese në University of Cambrdige. Në vitin 1998 vajti në ShBA. Sipas saj, sfera publike u forcua si rezultat i ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore të ndërlidhura me revolucionin industrial: “Ekspansioni ekonomik, rritja e urbanizimit, rritja e numrit të popullsisë dhe përmirësimi i komunikimeve përballë ngecjes në shekullin paraprak”. Rritja e efikasitetit të teknologjisë së prodhimit e uli çmimin e produkteve të konsumit të gjerë, duke rritur njëherazi edhe asortimentin e produkteve që qenë në dispozicion të konsumatorëve, përfshi edhe literaturën, të domosdoshme për zhvillimin e sferës publike. Në të njëjtën kohë, interaksioni apo ndërveprimi me kolonitë bëri që shoqëria evropiane t’u ekspozohet kulturave, skajshmërisht heterogjene. Në shekulli XVIII, shumica e shteteve të Evropës kishin perandori koloniale. Outrami thotë se rezultati ka qenë shembja “e barrierave midis sistemeve kulturore, ndarjeve religjioze, dallimeve gjinore dhe rajoneve gjeografike”.

Pikëpamja deduksioniste apo përfundimi logjik i modelit të Habermasit u shfrytëzua si nxitjen e kërkimeve historike të zhvillimit të sferës publike. Ka shumë shembuj të pjesëmarrjes, si të fisnikërisë, ashtu edhe të klasave të ulëta, në rrethet siç janë kafenetë apo lozhat e masonëve, që tregon se sfera publike e epokës borgjeze, ka qenë e pasuruar me ndikimet ndër-klasore.

Përshkrimit grosso modo të sferës publike si të pavarur dhe kritik ndaj shtetit, i kundërvihen raste të ndryshme të institucioneve publike të sponsoruara nga shteti dhe pjesëmarrja e qeverisë në debat, si dhe rastet e shfrytëzimit të njëkohshëm të hapësirave publike nga personat privatë për promovimin e status quo-s.

Ekskluziviteti i sferës publike – Fjala “publike” implikon nivelin më të lartë të inkluzivitetit (të përfshirjes) – për nga përkufizimi, sfera publike do të duhej të ishte e hapur për të gjithë. Mirëpo, analiza e shumë institucioneve “publike” të iluminizmit, tregon se sfera publike ka qenë publike vetëm deri në një masë të caktuar. Sikundër thekson Rozhe Shartie (Roger Chartier), koncepti i mendimtarëve të iluminizmit, për atë që është cilësuar “publik”, shpesh ka qenë në kundërshti me konceptin e njerëzve të thjeshtë. Rozhe Shartie (Chartier) e citon polihistorin (të gjithëdijshmin) francez, teoricien i progresit, Kondorse (Marie jean Antoine Condorcet, 1743-1794), i cili “mendimin” ia kundërvë populace-s (vegjëlisë, popullit të thjeshtë). Shkrimtari, historiani dhe esteti francez, bashkëpunëtor i Enciklopedisë,  Zhan Fransua Marmontel (Jean François Marmontel, 1723-1799), “mendimin e njerëzve të ditur” e ballafaqon me “mendimin e shumicës”, ndërsa filozofi, fizikani dhe matematikani francez d’Alamber* (Jean le Rond d’Alembert, 1717-1783), “opinionin mirëfilli të ndritur” e nxjerr kundër “shumicës së verbët dhe të zhurmshëm”. Aristokracia në Francë ka luajtur rol vendimtar në sferën publike, kur në vitin 1720 është zhvendosur nga Versaja (Versailles) në Paris. Harxhimi i parave e ka nxitur tregtinë me produkte të shtrenjta dhe luksoze, si dhe me vepra arti, sidomos me vepra të artit figurativ, që kanë pasur vlerë artistike të madhe. 

Historiania dhe filozofja franceze Mona Ozouf (e lindur Mona Annig Sohier, 1931-), thotë se mendimi publik ka qenë në opozitë ndaj masave të gjera. Natyra e mendimit publik në kohën e iluminizmit vështirë është të përkufizohet, siç është ajo sot. Megjithëkëtë, është më se e qartë se mbartësit e sferë publike të asaj kohe, kanë qenë më tepër ekskluzivë (përjashtues) se inkluzivë (përfshirës). Ky konstatim bëhet akoma më e shprehur kur përshkruhen institucionet e sferës publike, shumica e të cilave i përjashton femrat dhe klasën e ulët.

Shënim: d’Alamberi kishte prirje të rrallë për matematikë. Për këtë arsye në moshën 23-vjeçare u pranua për anëtar të Akademisë Franceze të Shkencave. Ishte shpirt i pavarur. U dha pas shkencës dhe u bë – siç thotë vetë – rob i lirisë së vet. 

Implikimet sociale dhe kulturore në muzikë – Iluminizmi e theksonte arsyen dhe jo besëtytninë, ndaj e kultivonte artin. Theksi mbi mësimin, artin dhe muzikën filloi të përhapet gjithnjë më tepër, sidomos në mesin e klasës së mesme, që sa vente, rritej. Lëmenjtë e mësimit siç janë letërsia, filozofia, shkenca, arti figurativ dhe arti muzikor gjithnjë më tepër i kanë shtjelluar apo i kanë hulumtuar temat, që kishin të bënin me interesin e përgjithshëm të publikut dhe jo vetëm fushat e profesioneve të të diturve të izoluar apo të mecenëve. Muzikantët gjithnjë më tepër bëheshin të varur nga publiku i përgjithshëm, ndaj koncertet publike bëheshin gjithnjë më të popullarizuar. Kjo u sillte muzikantëve dhe kompozitorëve të hyra shtesë. Koncertet u mundësonin të arrinin te publiku i gjerë. Kompozitori i lindur në Gjermani, i cili prej viti 1712 banoi në Angli, Xhorxh Fredrik Hendel (emri i lindjes George Friedrich Händel, 1685-1759) këtë e arrinte në veprimtarinë e vet muzikore në Londër. Atje u bë mjaft i famshëm me operat dhe oratoriumet e veta. Muzika e kompozitorit austriak, mësues i Mocartit dhe i kompozitorit gjerman, Betoven (Ludwig van Beethoven, 1770-1827) – Xhozef Hajdën (Franz Joseph Haydn, 1732-1809) si dhe muzika e kompozitorit austriak Volfgang Amadeus Mocart (Johann Chrysostom / Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791), me stilin klasik vjenez, konsideroheshin se janë në përputhje me idealet e iluminizmit.

Një vepër e rëndësishme që lindi si rezultat i studimit të idealeve të iluminizmit, ishte “Historia e përgjithshme e muzikës: nga periudha më e hershme deri në ditët tona” (A General History of Music: From the Earliest Ages to the Present Period) e historianit të muzikës, kompozitorit dhe muzikantit anglez Çarls Byrnej (Charles Burney, 1726-1814), e botuar në origjinal në vitin 1776. Është një pasqyrë historike e muzikës dhe një përpjekje e racionalizimit sistematik të elementeve të muzikës nëpër kohë. Me rritjen e pasurisë së klasës së mesme, u shtua edhe numri i muzikantëve amatorë. Një prej këtyre manifestimeve përfshinte edhe femrat, të cilat u përfshinë në botën e muzikës, në rrafsh publik. Femrat edhe më parë kanë qenë të angazhuara në rolin e këngëtareve profesionale, por tani e shtuan praninë e vet në skenën e ekzekutimit amator, sidomos në ekzekutimin në klaviaturë (instrument me tastierë).

Dëshira për kërkime, për shënimin dhe për sistematizimin e diturive ka pasur efekt të dukshëm në botimin e veprave muzikore. “Fjalori i muzikës” (Dictionnaire de musique) i filozofit dhe shkrimtarit francez Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseau, 1712-1778), i botuar më 1767 në Gjenevë dhe më 1768 në Paris, kah fundi i shekullit XVIII ka qenë vepër kryesore e lëmit të muzikës. Ky fjalor i përhapur gjerësisht, jepte përkufizimet e shkurtra të fjalëve si gjeniu ose shije dhe në të ka ndikuar qartas lëvizja e iluminizmit. Përpos kësaj, ekzekutuesit muzikorë filluan t’u ofrojnë shërbime edhe muzikantëve amatorë, duke botuar muzikë që mund ta kuptonin dhe ta luanin amatorët. Pjesa më e madhe e punimeve të botuara ka qenë për klaviatura, për këndim dhe klaviatura apo për orkestër dhome.

Nga mesi i shekullit XVIII e më pas, këto zhanre fillestare u popullarizuan. Tani, grupet amatore nisin të këndojnë në kor gjë që çoi në një tendencë të re ku botuesit mund të realizonin fitime. Shtimi i studimit të arteve të bukura, si dhe mundësia më e lehtë e amatorëve për të depërtuar te botuesit muzikorë, ndikoi në rritjen e numrit të njerëzve që nisën të interesohen për muzikë dhe të debatojnë për të. Filloi botimi i revistave muzikore, i recensioneve muzikore  dhe i veprave të kritikës muzikore, të përshtatura si për amatorët ashtu edhe për njohësit e muzikës. Edhe pse në postmodernizëm idealet e iluminizmit u hedhën poshtë, në modernizëm ato fuqishëm ishin të pranishme dhe me të madhe vazhduan të qëndrojnë edhe pas shekullit XVIII, madje deri në ditët tona.

Para do kohe muzikologët rishfaqën një interesim për idetë dhe për pasojat e iluminizmit.

Për shembull, muzikologia e njohur amerikane Rouz Rozengard Subotnik (Rose Rosengard Subotnik, 1942-) në veprën e saj “Variacione dekonstruktive” (Deconstructive Variations), me nëntitullin „Muzika dhe arsyeja në shoqërinë perëndimore“ (Music and Reason in Western Society), e krahason „Die Zauberflote“ (1791) të Mocarit, duke shfrytëzuar perspektivën e iluminizmit dhe të romantizmit dhe vjen në përfundim se kjo vepër është një „pasqyrë muzikore ideale e iluminizmit“.        

Xhelal Zejneli

ILUMINIZMI DHE “REVOLUCIONI I LEXIMIT” (READING REVOLUTION)

Ndarja e kishës nga shteti – Sipas shkrimtarit dhe akademikut britanik Xhanatan Izrael (Jonathan Irvin Israel, 1946-), kjo periudhë përjetoi projektimin e “iluminizmit radikal”, që e promovoi konceptin e ndarjes së kishës nga shteti.. Ky koncept shpesh u ngjishej punimeve të filozofit anglez Xhon Lok (John Locke, 1632-1704). Sipas parimit të vet të marrëveshjes shoqërore, Loku thotë se qeveria nuk ka autoritet në lëmin e ndërgjegjes individuale dhe kjo është diçka, kontrollin e së cilës, personi i arsyeshëm nuk duhet t’ia lë qeverisë apo dikujt tjetër. Për Lokun, kjo gjeneron të drejtën e natyrshme në bazë të lirisë së ndërgjegjes, e cila sipas mendimit të tij duhet të mbetet e mbrojtur nga autoriteti i pushtetit. 

Këto pikëpamje mbi tolerancën fetare dhe rëndësia e ndërgjegjes së individit, me marrëveshjen shoqërore ndikojnë sidomos në kolonitë amerikane dhe me rastin e hartimit të Kushtetutës së ShBA-së. Në të, shtetari amerikan, president i tretë, hartues kryesor i Deklaratës së pavarësisë (1776), Tomas Xheferson (Thomas Jefferson, 1743-1826) thërret për krijimin e murit ndarës ndërmjet kishës dhe shtetit, në nivel federal. Ai paraprakisht i mbështeti përpjekjet e suksesshme për ndarjen e Kishës anglikane* nga pushteti në Virgjini dhe në vitin 1779 e shkroi “Statutin e lirive fetare në Virgjini”, i cili në vitin 1786 u miratua nga Asambleja e përgjithshme e Virgjinisë. Në idealet politike të Zhefersonit ndikuan me të madhe punimet e filozofit anglez Xhon Lok (John Locke) të filozofit anglez, studioi në Kembrixh, Frensis Bekonit (Francis Bacon, 1561-1626) dhe të fizikanit, matematikanit dhe astronomit anglez Isak Njutën (Isaac Newton, 1642-1727) të cilët i konsideronte si tre njerëzit më të rëndësishëm që kishin ekzistuar ndonjëherë. 

Shënim: Kisha anglikane – Kisha protestante shtetërore angleze.

Përhapja e ideve – Mendimtarët e iluminizmit (philosophes) derdhën energji të madhe për përhapjen e ideve të veta ndër meshkujt dhe femrat e arsimuara në mjediset urbane kozmopolite. Përdornin vendtakime të shumta.  

            Res publica literaria – Nocionin „Res publica literaria“ e sajoi filozofi dhe iluminsti francez Pjerë Bejl (Pierre Bayle, 1647-1706) dhe në vitin 1664 e botoi në revistën e vet “Risi të Republikës së Letrave” (Nouvelles de la République des Lettres). Kah fundi i shekullit XVIII, botuesi i revistës letrare “Historia e Republikës së Letrave në Francë” (Histoire de la République des Lettres en France), nocionin Res publica literaria e përshkruan kësisoj:

„Në qendër të të gjitha pushteteve që vendosin për fatin e njeriut; në gjrin e gjithë atyre shteteve, shumë prej të cilëve janë despotike… është një perandori që sundon vetëm mbi arsyen… të cilën ne e festojmë me emrin Republikë, ngase ajo e ruan masën e pavarësisë dhe ngase liria është pothuajse thelbi i saj. Kjo është mbretëria e talentit dhe e diturisë”.

Ideali i Res publica literaria është përmbledhje e një numri të madh idealesh të iluminizmit: mbretëri egalitare, e udhëhequr nga dituria, e cila mund të veprojë përtej kufijve të forcës rivale të shtetit. Ka qenë vend i shkëmbimit të ideve që e mbështeste “rishqyrtimin publik të lirë të çështjeve që kishin të bënin me religjionin dhe me legjislacionin”. Filozofi gjerman, fëmija i katërt i prindërve që kishin nëntë fëmijë, Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804), komunikimin e shkruar e konsideronte themelor për konceptin e tij të sferës publike. Kur një ditë, çdonjëri të jetë pjesë “e publikut lexues”, shoqëria do të mund të quhet e ndritur. Personat që kanë marrë pjesë në lëvizjen Res publica literaria, si filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784) dhe shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volter (François Marie Arouet Voltaire, 1694-1778), sot më së shpeshti njihen si personalitete të rëndësishme të iluminizmit. S’ka dyshim se mikrokozmosin e “republikës” së gjerë e përbënin edhe personat që shkruanin për Enciklopedinë (Encyclopédie) e Didëroit,

Historiania amerikane e kulturës, Dena Gudman (Dena Goodman, 1952-) thotë se femrat kanë luajtur rol të rëndësishëm në sallonet franceze – salonnières (salloniere), duke qenë komplementare me philosophes (filozofët) meshkuj. Në aspektin diskursiv (arsyetues), Res publica literaria-n ato e bazonin në një komunikim korrekt dhe në shkrimin e letrave, ndërsa institucioni shoqëror themelor i tyre ka qenë salloni. Dena Gudman, “Republika e letrave: historia kulturore e iluminizmit francez” (The republic of letters: a cultural history of the French enlightenment, 1994). 

Vepra e historianit amerikan të kulturës, Robert Çoet Darnton (Robert Choate Darnton, 1939-) “Nëntoka letrare e Regjimit të Vjetër” (The Literary Underground of the Old Regime, 1982), Harvard University press edition, f. 258, është i pari punim i rëndësishëm që shfaq mendim kritik për këtë model ideal. Ai thotë se njerëzit e ditur (gens de lettres) të mesit të shekullit XVIII kanë qenë të fokusuar në elitën e shoqërisë franceze, d.m.th. te të mëdhenjtë  (les grands). Kjo bie në sy te përkufizimi i nocionit “goût” (shije), që e ka përfshirë Volteri në veprën e vet “Fjalori filozofik” (Dictionnaire philosophique, 1764):

„Shija është si filozofia. Ajo i takon një numri tejet të vogël të shpirtrave të privilegjuar… Është e panjohur në familjet borgjeze, anëtarët e të cilave vazhdimisht janë të preokupuar për t’u kujdesur për pasuritë e veta”.

Këtë përkufizim të shijes, Darntoni e ka marrë nga Volteri. Bazuar te fjalët e Volterit, Darntoni vjen në idenë se iluminizmin duhet të ketë filluar me elitën, d.m.th. me të mëdhenjtë  (les grands). Qëndrime të ngjashme, historianët hasin edhe te filozofi, fizikani dhe matematikani francez, d’Alamber (Jean le Rond d’Alembert, 1717-1783)  si dhe te dramaturgu dhe shkrimtari francez Lui Sebastian Mersier (Louis Sébastien Mercier, 1740-1814).

Darnton thotë se rezultat “i fuzionit të gens de letres dhe grands” (i bashkimit të njerëzve të ditur dhe i të mëdhenjve) ka qenë lindja e sferës letrare opozitare: Grub Street, domen “i shumë vargëzuesve dhe i pseudoshkrimtarëve”. Këta njerëz, të tërhequr nga fama e Res publica literaria, vijnë në Londër për t’u bërë shkrimtarë, vetëm për të zbuluar se ëndrrat e tyre të famës letrare janë diç më tepër se iluzione. Por, tregu i letërsisë nuk ka mundur të përballojë atë numër të madh shkrimtarësh. Gildet e botuesve dhe të shitësve të librave i kanë paguar lirë. Shkrimtarët e Grub Street*, të Grub Street Hacks*, shfaqnin zemërim ndaj suksesit relativ të fisit letrar të tyre, të njerëzve të ditur (men of letteres). Ky hidhërim dhe urrejtje u shfaq në literaturën e prodhuar në Grub Street, të cilësuar si libele (libelle – (shkrime poshtëruese, fyese, shpifëse). Të shkruara kryesisht si pamflete, libelet “kanë shpifur ndaj oborrit mbretëror, kishës, aristokracisë, akademisë, salloneve dhe çdo gjëje të lartësuar (fisnike, sublime) dhe të shquar, përfshi edhe vetë monarkinë. Si prototip të këtij zhanri, Darntoni e emëron Le Gazetier cuirassé (Gazetari e armatosur) të gazetarit, botuesit të shtypit bulevardesk, polemistit, pamfletistit francez Sharlë Tevëno dë Morand (Charles Théveneau de Morande, 1741-1805).

Në kohën e iluminizmit, literaturën e Grub Street-it më së shumti e lexonin masat që dinin shkrim-lexim. Përpos kësaj, Darnton thotë se shkrimtarët e Grub Street-it trashëgonin shpirtin revolucionar që kishin manifestuar dikur philosophes (filozofët), të cilët duke desakralizuar* figurat e autoritetit politik, moral dhe religjioz në Francë, ia kishin hapur rrugën Revolucionit francez.

Shënim: Lat. sakral – që ka të bëjë me veprime të shenjta, me ritualet kishtare; sakralizoj – i jap karakter të shenjtë dikujt apo një gjëje; desakralizoj – e zhvesh dikë apo një send nga karakteri i shenjtë.

*   *   *

Prodhimi i librave – Një prej karakteristikave kryesore të iluminizmit “shoqëror” ka qenë rritja e kërkesës për materiale të shkruara të të gjitha llojeve. Zhvillimi teknologjik në revolucionin industrial bëri të mundur rritjen e prodhimit të mallrave të konsumit të gjerë dhe me çmime më të ulëta. Kjo e lehtësoi blerjen e librave, të pamfleteve, të gazetave dhe të revistave – “të mediumeve për përhapjen e ideve dhe të qëndrimeve”. Shtimi i popullsisë dhe intensifikimi i urbanizmit, u shoqërua nga rritja e tregtisë dhe e kërkesës për informata. Mirëpo, kërkesa për material të shkruar u përhap jashtë domenit të tregtisë dhe jashtë klasës së lartë dhe të mesme, gjë që shihet qartë në përmbledhjen Bibliothèque Bleue (Bibliotekë e Kaltër). Shkalla e mësimit të shkrim-leximit, vështirë mund të përcaktohet, por Robert Darntoni thotë se gjatë shekullit XVIII, të paktën në Francë, shkalla e mësimit të shkrim-leximit u dyfishua.

Gjatë shekullit XVIII, leximi pësoi ndryshime rrënjësore. Historiani gjerman Rolf Engelsing (1930-1986) thotë se leximi ka përjetuar një revolucion të vërtetë (“revolucioni i leximit” – reading revolution). Deri në vitin 1750, është lexuar me të madhe. Lexuesit kryesisht kanë poseduar një numër të vogël librash, që i kanë lexuar nga disa herë, shpeshherë edhe me zë, para një publiku të vogël. Pas viti 1750, njerëzit kanë filluar të lexojnë në mënyrë ekstensive, gjenin më shumë libra dhe gjithnjë më tepër i lexonin vetë. Këtë e bëri të mundur rritja e shkallës së mësimit të shkrim-leximit, sidomos në radhët e femrave. Natyrisht, pjesa më e madhe e njerëzve që dinin shkrim-lexim, nuk ka mundur ta ketë bibliotekën e vet private. Ndonëse shumica e bibliotekave universale, të themeluara në shekujt XVII dhe XVIII kanë qenë të hapura për publikun, kjo nuk ka qenë i vetmi burim i materialit të shkruar. Në njërin skaj të spektrit është Bibliothèque Bleue (Bibliotekë e Kaltër), përmbledhje e librave të prodhuar me çmim të lirë dhe të botuar në Truaje (Troyes) në Francë. Kjo përmbledhje ishte parashikuar kryesisht për publikun fshatarake dhe gjysmanalfabete. Midis tjerash, ajo përmbante almanakë, romane mesjetare të ritreguara dhe versione të thukëta  novelash të popullarizuara.

Historianët, si Rozhe Shartie (Roger Chartier) dhe Robert Darnton thonë se iluminizmi vështirë depërtonte te klasa e ulët. Sidoqoftë, Bibliothèque Bleue (Bibliotekë e Kaltër) synonte të marrë pjesë në ndryshimet shoqërore të iluminizmit, pavarësisht nga fakti në e arriti këtë. Duke lëvizur drejt klasave të larta, shumë institucione u mundësonin lexuesve që të jenë pranë librit, pa pagesë. U paraqitën biblioteka që jepnin material të shkruar me çmim të ulët. Ndonjëherë, tregjet e librave u jepnin klientëve me qira, tërë një bibliotekë të vogël. Kafenetë, myshterinjve të vet shpesh u ofronin libra, gazeta, e ndonjëherë edhe novela të popullarizuara. The Tatler dhe The Spectator, dy revista me ndikim që ishin në shitje prej vitit 1709 deri në vitin 1714, ishin të lidhura ngushtë me kulturën e kafeneve në Londër. Ato lexoheshin dhe prodhoheshin nëpër institucione të ndryshme të qytetit. Kjo flet për funksionin e trefishtë dhe të katërfishtë të kafeneve të asaj kohe: materiali i shkruar shpesh blihej, lexohej, diskutohej, madje edhe shtypej – në të njëjtat hapësira.

Në veprën e vet “Nëntoka letrare dhe Regjimi i Vjetër” (The Literary Underground of the Old Regime, 1982), Darnton thotë se është tejet vështirë të konstatohet se ç’kanë lexuar në të vërtetë njerëzit, në epokën e iluminizmit. Nga hulumtimi i katalogëve të bibliotekave private të asaj kohe, do të fitohej një pasqyrë vetëm për atë se ç’kanë lexuar shtresat shoqërore të kamura që kanë pasur qasje në biblioteka dhe s’do të merreshin parasysh veprat e censuruara. Për këtë arsye, Darntoni thotë se për t’i njohur më mirë shprehitë e leximit, do të duhej të hulumtohej veprimtaria botuese e asaj kohe. Në mbarë kontinentin e Evropës, e sidomos në Francë, tregtarët e librave dhe botuesit duhej të flisnin për ashpërsinë e ligjeve të censurës. Për shembull, “Enciklopedia” (Encyclopédie) sa s’u dënua për shkelje të censurës. I doli në ndihmë njeriu kryesor i censurës në Francë, ministër francez i Ancien Régime (Regjimit të Vjetër) Gijom-Kretijen Malësherbe (Guillaume-Chrétien de Lamoignon de Malesherbes, 1721-1794). Shumë shtëpi botuese, për t’u ikur censorëve francezë, në mënyrë oportune i zhvendosën selitë e veta jashtë Francës. Mallrat e veta, kopjet pirateske dhe veprat e censuruara i kanë kontrabanduar nëpër kufi, ku i kanë shitur nëpër tregtizat ilegale të librave ose trafikantëve të imët.

Darntoni e jep evidencën e hollësishme të veprimtarive të shitësve ilegalë të librave. Një prej tyre është edhe shitësi klandestin i librave, i literaturës radikale, skandaloze dhe vulgare, francezi Bryzard dë Movëlen (Brusard de Mauvelain) në qytetin Truaje (Troyes). Në atë kohë qyteti ka pasur 22.000 banorë. Ka pasur një lozhë masonësh dhe një bibliotekë të rëndësishme, edhe pse shkalla e shkrim-leximit ka qenë më e ulët se 50%. (Bruzard de Mauvelain, “Tregtia në Tabu: Jeta e një shitësi klandestin librash…” (Trade in the Taboo: The Life of a Clandestine Book Dealer in…”, 1784, 493 f.).

Evidenca e Movëlenit (Mauvelain) jep një pasqyrë të mirë nga ku mund të shihet se ç’kanë lexuar në të vërtetë francezët e asaj kohe, për arsye se natyra e fshehtë e punës së tij, ka bërë të mundur zgjedhje jo aq restriktiv. Më të popullarizuar kanë qenë librat e kategorisë politike. Nga ky lëmë janë porositur 319 kopje. Evidenca ka përfshirë edhe pesë kopje të ”Sistemit shoqëror” (Système social, 1773) të filozofit francez me prejardhje gjermane, Holbah (Paul Heinrich Dietrich, Freiherr von Holbach, 1723-1789), por edhe 300 padi dhe pamflete. Lexuesit shumë më tepër kanë qenë të interesuar për kriminelët dhe korrupsionin politik sesa për teorinë politike. Kategori tjetër më e popullarizuar kanë qenë “punimet e përgjithshme”. Këta libra nuk kanë pasur ndonjë motiv dominues, por kanë përmbajtur diçka që e ofendon çdokënd që është në pushtet. Kërkesa e lexuesve për këtë lloj literature, përgjithësisht subversive të nivelit të ulët, po ashtu ka qenë e madhe. Darntoni thotë se këto punime, si dhe pjesa më e madhe e punimeve të prodhuara nga “Grub street hacks”,  kurrë nuk janë bërë pjesë e kanonit letrar, kështu që sot, kryesisht janë harruar.

Në kohën e iluminizmit nuk ka pasur vetëm literaturë apo veprimtari botuese ilegale.  Në gjithë Evropën ka pasur një veprimtari botuese të shëndoshë dhe pjesa më e madhe ka qenë legale. Por duhet shtuar se me veprimtari të paligjshme, herë-herë janë marrë edhe botuesit dhe shitësit e afirmuar të librave. “Enciklopedinë” (Encyclopédie) e dënonte jo vetëm mbreti, por edhe papa Klementi XII (i lindur si Lorenzo Corsini, 1652-1740). Megjithëkëtë, me ndihmën e krye-censorit dhe ministrit Malësherb (Malesherbes) si dhe interpretimit kreativ të ligjit francez mbi censurën, ajo e kishte gjetur rrugën e botimit.

Në anën tjetër, shumë punime shiteshin pa kurrfarë problemi me ligjin. Nga evidencat e huazimit të librave, të bibliotekave në Londër, në Gjermani dhe në Amerikën Veriore, shihet se mbi 70% e librave të huazuar kanë qenë romane, ndërsa më pak se 16% e librave kanë qenë me tematikë fetare, gjë që flet për tendencën e përgjithshme të rënies së religjiozitetit. 

Shënim: Papa Klementi XII, në vitin 1738 për herë të parë e dënoi organizatën e fshehtë të masonëve.

Grub Street – Deri në shekullin XIX, Grub Street ka qenë një rrugë në afërsi të lagjes së varfër Moorfields të Londrës. Shoqëria e bohemëve ka qenë e vendosur në mes të lagjeve të varfra, bordeleve dhe kafeneve me çmim të ulët qiraje. Në Grub Street ka qenë të përqendruar “shkrimtarët hak” si dhe poetët e botuesve dhe të shitësve të lirë të librave. Rruga Grub (Grub Street) ka qenë në margjinat e skenës gazetareske dhe letrare të Londrës. Sipas fjalorit të shkrimtarit anglez, Semjuel Xhonson (Samuel Johnson, 1709-1784), në fillim kjo shprehje ka qenë “emërtim rruge në të cilën kanë jetuar shkrimtarë historish të vogla, fjalorësh dhe poezish pa vlerë. Që këndej, çdo krijim mediokër apo mesatar quhet grubstreet”. Në fillim të karrierës, edhe vetë Xhonsoni (Jonson) jetonte dhe punonte në Grub Street. Pasqyrën bashkëkohore të Grub Street e ka popullarizuar poeti dhe kritiku anglez Aleksandër Poup (Alexander Pope, 1688-1744) në poemën e vet satirike të shkruar në stilin pseudo-epik “Marrëzia” (The Dunciad, 1728-42), në të cilën flet për efektet shkatërruese të shtypit për unitetin shpirtëror dhe kulturor, përdorimin e gjuhës për banalizimin e letërsisë. Rruga me emërtimin Grub Street, sot nuk ekziston. Por, prej atëherë Grub Street u bë shprehje pezhorative (përçmuese) për “shkrimtarët hak” (Hack writer) të varfëruar dhe mediokër, si dhe për shkrimet me vlera letrare të ulëta. Kjo shprehje përçmuese përdoret për shkrimtarin që është i paguar të shkruajë artikuj jocilësorë apo libra me porosi, shpeshherë brenda një afati të shkurtër. Për të shkruar një shkrim me tematikë fantastike, “shkrimtari hak” (Hack writer) paguhet për të shkruar brenda një kohe të shkurtër fantastikë sensacionale “pulp”, siç janë romanet kriminalistike etj. Në gazetari konsiderohet se Shkrimtari hak” (Hack writer) vepron si mercenar apo si kalemxhi, penë me qira, duke i paraqitur në pamflete apo në artikujt gazetareskë, mendimet politike të klientit të vet. “Shkrimtarët hak” (Hack writer) rëndom paguhen sipas numrit të fjalëve në librin apo në artikullin e tyre. Për këtë arsye, në shkrimin “hak”, sasia ka përparësi ndaj cilësisë.

Xhelal Zejneli

 ILUMINIZMI – UNIVERSITETE DHE AKADEMITË

Natyralizmi apo studimi i natyrës  – Natyralisti francez Zhorzh Byfon (Georges Louis Leclerc, Cont Buffon, 1707-1788) është autor i veprës “Historia e natyrës” (Histoire naturelle), enciklopedisë në 44 vëllime ku përshkruhen të gjitha njohuritë mbi botën natyrore. Kjo vepër u hartua në periudhën e viteve 1749-1804 dhe u përfundua prej bashkëkohësve pas vdekjes së tij. Kjo vepër dhe në veçanti vëllimet për mbretërinë e kafshëve, luajtën rol të madh në studimin e historisë së natyrës. Zhanri të cilit dukshëm iu rrit vlera është literatura shkencore. Natyralizmi apo studimi i natyrës bëhej gjithnjë më i popullarizuar ndër pjesëtarët e klasës së lartë. Disa prej punimeve të rëndësishme nga lëmi i studimeve të natyrës ishin “Historia natyrore e insekteve” (Histoire naturelle des insectes) e natyralistit, entomologut*  dhe shkrimtarit francez të epokës së iluminizmit, Rene-Antuan Fersho dë Reomur (René-Antoine Ferchault de Réaumur, 1683-1757) dhe “Miologjia* komplete, ose përshkrimi i të gjithë muskujve të trupit të njeriut, 1746) e anatomistit, piktorit dhe grafikut francez Zhak Gotje d’Agoti (Jacques Fabien Gautier d’Agoty, 1716-1785).

Por, studiuesi francez i gjenealogjisë, Fransua-Aleksandër Ober dë La Shesnej (François-Alexandre Aubert de La Chesnaye, Desbois, 1699-1784) në veprën „Fjalori i fisnikërisë” (Dictionnaire de la noblesse, 1770), thotë se studimi i natyrës shpeshherë ka qenë çështje politike. Studiuesja amerikane E. C. Spary (1965-) thotë se klasifikimi që e kanë bërë natyralistët “rrëshqet midis botës natyrore dhe mjedisit shoqëror, me qëllim që të vendoset jo vetëm epërsia e profesionalizmit të studiuesve të natyrës, por edhe epërsia e natyrores ndaj shoqërores”. Nisur nga kjo, studiuesit e natyrës mund t’i ndërtojnë idealet shoqërore të veta, të bazuara në veprat shkencore të veta.

Publiku i synuar i studiuesve të natyrës (natyralistëve) ka qenë shoqëria e lartë franceze. Kjo, më tepër flet për diskursin specifik të zhanrit, sesa për çmimet përgjithësisht të larta të veprave për të. Me punimet e veta, natyralistët i plotësonin dëshirat e shoqërisë së lartë për erudicion. Duhet shtuar se shumë tekste kishin qëllim edukues eksplicit (të shprehur qartë). Por, ideja e shijes (le goût) ishte tregues shoqëror i vërtetë: Për të qenë vërtet i aftë për ta kategorizuar natyrën, duhet pasur shije të vërtetë, aftësi diskrecioni (takti, mase) që e kanë poseduar pjesëtarët e shoqërisë së lartë. Kësisoj, natyralistët apo studiuesit e natyrës përhapën shumë arritje shkencore të asaj kohe, por klasës dominonte i mundësuan një burim të ri legjitimiteti.

Jashtë ancien régime (regjimit të vjetër) të Francës, natyralizmi ishte një pjesë e rëndësishme e mjekësisë dhe e industrisë, duke përfshirë lëmenjtë si botanika, zoologjia, meteorologjia, hidrologjia dhe mineralogjia. M. D. Eddy thotë se në këtë kontekst, natyralizmi ka qenë synim i vërtetë i klasës së mesme dhe ka funksionuar si një fushë interdisiplinare e shkëmbimit të ideve shkencore të ndryshme.  

 Shënim:

1. Entomolog – person që merret me studimin e insekteve; entomologji – degë e zoologjisë me merret me studimin e insekteve; 

2. Miologji (myologie) – pjesë e anatomisë që studion muskujt.         

3. Vepra „Fjalori i fisnikërisë” (Dictionnaire de la noblesse, 1770) jep pasqyrën e gjenealogjisë, të historisë dhe të kronologjisë së familjeve fisnike të Francës.      

*   *   *

Revistat shkencore dhe letrare – Shumë revista shkencore dhe letrare (kryesisht recensione librash) të botuara në këtë periudhë, po ashtu janë provë e frymës intelektuale të iluminizmit. Shkrimtari dhe akademiku britanik Xhonata Izrael (Jonathan Irvin Israel, 1946-) sqaron se revistat profesionale, prej viti 1680 e këndej, kanë ndikuar në kulturën intelektuale të Evropës, më shumë se cilido inovacion kulturor tjetër. Revista e parë paraqitet në Paris në vitin 1665 dhe kjo është Journal des Sçavans (Revistë diturish). Por revistat nuk kanë mundur të prodhohen në mënyrë të konsiderueshme deri në vitin 1682. Gjuhët dominuese të revistave kanë qenë frëngjishtja dhe latinishtja, por vazhdimisht ka pasur kërkesa për materiale në gjuhën gjerman dhe holandeze. Në pjesën kontinentale të Evropës, kërkesa për tekste në gjuhën angleze ka qenë tejet e vogël. Por, edhe në Angli, kërkesa për revista në gjuhën frënge ka qenë e vogël. Për përhapjen e revistave, tregtia ndërkombëtare ka qenë më e rëndësishme se vetë gjuha. Për shembull, publikimet në gjuhët daneze, spanjolle apo portugeze kanë pasur sukses më të vogël. Kryesisht janë shfrytëzuar gjuhët që kanë qenë më të përhapura në tregti. Edhe pse në gjuhën gjermane janë botuar shumë publikime cilësore, megjithëkëtë, gjuha frënge dalëngadalë e zëvendësonte statusin e latinishtes si lingua franca e qarqeve intelektuale. Kjo e nxiti zhvillimin e industrisë së publikimeve në Holandë, ku shtypej pjesa më e madhe e këtyre revistave në gjuhën frënge.

Rëndësinë intelektuale të këtyre revistave, Xhonatan Izraeli (Jonathan Israel) e ndan në katër elemente. E para, roli i tyre për t’ia tërhequr vëmendjen publikut të kultivuar, larg autoriteteve zyrtare, kah ajo që është e re, inovacion dhe sfiduese. E dyta, ata kanë bërë shumë në nxitjen e idealeve iluministe të tolerancës dhe të objektiviteti intelektual. E treta, revistat kanë qenë kritikë implicite (e vetëkuptueshme) e ideve ekzistuese për të vërtetën universale, të monopolizuar nga monarkitë, nga parlamentet dhe nga autoritetet fetare. Këto revista, burimin e ri të diturisë e kanë nxitur nëpërmjet dijes (shkencës) dhe arsyes, gjë që i rrënonte burimet e vjetra të autoritetit. E katërta, ata e kanë paraqitur iluminizmin e krishterë që e vërteton legjitimitetin e autoritetit, të ardhur  nga Zoti – Biblës – sipas së cilës, ndërmjet teorive biblike dhe teorive natyrore, duhet të ketë harmoni.

Shkollat dhe universitetet – Pjesa më e madhe e veprave të iluminizmit kanë qenë të prirë të theksojnë se ç’mendojnë intelektualët për arsimin dhe jo si ka qenë arsimi në shekujt XVII dhe XVIII. Teoricienët kryesorë të arsimimit, si filozofi anglez Xhon Lok (John Lockes, 1632-1704) dhe filozofi e shkrimtari francez Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseau, 1712-1778) theksonin rëndësinë e formimit të hershëm të mendjeve të reja (të fëmijëve). Në fazën e vonshme të iluminizmit u rrit kërkesa për qasje universale arsimimit, sidomos pas Revolucionit amerikan dhe Revolucionit francez. Në iluminizëm i mësonin fëmijët që t’i mbajnë në mend faktet nëpërmjet metodave gojore dhe grafike, të përcaktuara gjatë renesancës. Që nga viti 1750 e këndej, psikologji  dominuese në arsim, sidomos në vendet e Evropës Veriore, ka qenë asociacionizmi, pikëpamje se mendja i asocion (i bashkon) dhe i disocion (i ndan) idetë nëpërmjet rutinës së përsëritjes. Përpos që i vinte në përdorim ideologjitë iluministe të lirisë, të vetëvendosjes dhe të përgjegjësisë personale, e jepte edhe teorinë praktike të mendjes, që u mundësonte mësuesve që format e kulturës së shtypit dhe të dorëshkrimeve t’i shndërrojnë në mjete grafike efektive të të mësuarit për klasën e ulët dhe të mesme. Shumë universitete me renome që i kishin prauar parimet përparimtare të iluminizmit, ndodheshin në Evropës Veriore. Midis tyre, më të njohura ishin universitetet në Leiden, Göttingen, Halle, Montpellier, Uppsalë dhe Edinburgh. Prej këtyre universiteteve, sidomos nga ai i Edinburgut, dolën profesorët, idetë e të cilëve kishin ndikim të theksuar në kolonitë britanike në Amerikën e veriut dhe më vonë, në Amerikë. Në shkencat natyrore, ekspertët e mjekësisë të Edinburgut, shquheshin në kimi, në anatomi dhe në farmakologji. Por, marrë në përgjithësi, universitetet dhe shkollat në Francë dhe në pjesën më të madhe të Evropës, kanë qenë bastione të tradicionalizmit dhe nuk kanë qenë të prira për iluminizmin. I vetmi përjashtim i madh në Francë ka qenë universiteti i mjekësisë në Monpelie (Montpellier).

Shënim: Universitetet më të vjetra në botë:

1. Universiteti i Bolonjës (Università di Bologna) në Itali – është themeluar në vitin 1088 nga një grup i organizuar studentësh. Kurrë s’e ka ndërprerë punën. Është më i vjetri në botë dhe i pari në kuptimin e institucionit të arsimit të lartë e që ka dhënë diploma. Ka 85.000 studentë.

2. Universiteti i Okfordit (University of Oxford) – Ndodhet në Oksford, Londër. Është themeluar në vitin 1096. Nga ky universitet kanë dalë 26 kryeministra të Britanisë, 20 kryepeshkopë në Kenterberi (Canterbury), 47 laureat të çmimit “Nobel”. Në vitin 2020 ka pasur të regjistruar 25.820 studentë.

3. Universiteti i Sorbonës (Université de Paris, Sorbonne) – Ndodhet në Paris. Sipas disa të dhënave, është themeluar në vitin 1150. Sipas të dhënave të tjera, e ka themeluar në vitin 1253 teologu francez Rober dë Sorbon (Robert de Sorbon, 1201-1274). 

4. Universiteti i Kembrixhit (University of Cambridge) – Ndodhet Kembrixh (Cambridge), Londër. Është themeluar në vitin 1209 prej një grupi shkencëtarësh të cilët, për shkaqe politike, u tërhoqën nga Universiteti i Oksfordit. Edhe pse janë rivalë të njëri-tjetrit, Oksfordi dhe Kembrixhi i ruajnë marrëdhëniet e mira. Çdo vit organizojnë bashkërisht gara kanotazhi (lundrimi). Në vitin 2016 ka pasur të regjistruar 21.656 studentë. 

5. Universiteti i Sienës (Università di Siena) – Është themeluar më 1240 në qytetin Siena, rajon i Toskanës/Toscana, në Itali. Sot ka të regjistruar mbi 20.000 studentë.

*   *   *

 Akademitë – Peter Barret (Peter Barret) thotë: “Gjerësisht është i pranuar mendimi se shkenca moderne është paraqitur në Evropë në shekullin XVII dhe ka bërë të mundur që bota e natyrës të kuptohet në një mënyrë të re.”

Historia e akademive në Francë fillon me themelimin akademisë së shkencave, në vitin 1635 në Paris. Ka qenë e lidhur fuqishëm për shtetin francez dhe për mungesë të shkencëtarëve të shtetit, ka vepruar si instrument i zgjatur i tij. Ka ndihmuar në motivimin dhe në organizimin e disiplinave të reja dhe ka arsimuar dijetarë të ri. Ka marrë pjesë në forcimin e statusit shoqëror të dijetarëve, duke i konsideruar “qytetarë më të dobishëm”. Akademia shfaqte interesim të madh për shkencën, me shekullarizim më të madh, gjë që shihet nga numri i vogël i anëtarëve nga radhët e klerikëve – rreth 13për qind.

Prania e akademive të Francës në sferën publike nuk mund të sqarohet me prejardhjen shoqërore të anëtarëve të tyre. Edhe pse pjesa më e madhe e anëtarëve i takonte borgjezisë, këto institucione ekskluzive kanë qenë të hapura vetëm për shkencëtarët elitarë të Parisit. Ata e kanë konsideruar veten “interpretues të shkencës për popullsinë”. Me një mendim të tillë, akademitë iu rrekën mohimit të teorisë pseudoshkencore të popullarizuar të mesmerizmit*.

Por, forma më e rëndësishme e pjesëmarrjes së akademive në sferën publike kanë qenë “garat akademike” (concours académiques) që i kanë sponsoruar ato në mbarë Francën. Në artikullin të botuar në Annales, “Vështrim mbi shekujt e iluminizmit; Gara akademike dhe kultura intelektuale në shekullin XVIII” (Prendre part au siècle des Lumières: Le concours académique et la culture intellectuelle au XVIIIe siècle), profesori i historisë në University of Alberta, Xheremi L. Karadona (Jeremy L. Caradonna) thotë se këto gara akademike kanë qenë mbase institucioni më i rëndësishëm gjatë iluminizmit. Karadona (Caradonna) është autor i veprës “Iluminizmi në praktikë” (Enlightenment in Practice) dhe “Qëndrueshmëri: Histori” (Sustainability: A History), 2014, Oxford University Press.         

Akademia Franceze* (L’Académie française) e gjallëroi këtë praktikë e cila daton që nga mesjeta, kur shpallte gara publike kah mesi i shekullit XVII. Në fillim, objekti i garës ka qenë kryesisht nga tematika e religjionit apo e monarkisë dhe përfshinte esetë, poezinë dhe artin figurativ. 

Shënim:

1. Mesmerizëm  – mjekim me magnetizëm, sipas mjekut austriak Franc Mesmer (Franz Anton Mesmer, 1734-1815). Ai pohonte se mund t’i mjekonte njerëzit duke i prekur me dorë, por mjekësia shkencore konstatoi se me këtë rast, në të vërtetë bëhej fjalë për hipnozë. Përdori për herë të parë hipnotizimin si një teknikë terapeutike, duke e quajtur magnetizëm shtazor ose mesmerizëm. Pas kritikave të një komisioni mbretëror, më 1784 Mesmeri u tërhoq.

2. Akademia Franceze – Institucion i themeluar në vitin 1635 nga Kardinali francez Rishelje (Armand Jean du Plessis Richelieu, 1585-1642), në fillim që të caktonte rregullat e gjuhës frënge. Për këtë, në vitin 1694 ajo hartoi një fjalor i cili në fillim përfshinte vetëm fjalët e pranueshme në shoqërinë e lartë. Edhe pas botimit të nëntë, ai vijon të jetë vepër me autoritet. Veçanërisht gjatë shekullit XVII, Akademia ka vepruar edhe si arbitër për normat letrare.         

*   *   *

Në vitin 1671, Akademinë Franceze të Shkencave e vizitoi mbreti Ligji XIV (Louis, 1638-1715), i mbiquajtur “Mbreti i Diellit”. Gjatë mbretërimit të tij, lulëzuan në Francë arti dhe letërsia. Mirëpo, rreth vitit 1725 temat e garave u zgjeruan rrënjësisht dhe u bënë të llojllojshme. Përfshinin edhe propagandën mbretërore, përplasjet filozofike dhe studimet kritike për institucionet shoqërore dhe politike të ancien régime (regjimit të vjetër). Nuk mbeteshin pa u përfshirë as temat kontradiktore. Si shembull, Karadona (Caradonna) citon teoritë e fizikanit, matematikanit dhe astronomit anglez, Isak Njutën (Isaac Newton, 1642-1727) dhe të filozofit, matematikanit dhe fizikanit francez Rene Dekart (Cartesius René Descartes, 1596-1650), tregtinë me robër, arsimimin e femrave dhe drejtësinë në Francë.

Duhet thënë se garat kanë qenë të hapura për të gjithë, ndërsa anonimiteti i detyrueshëm i çdo kontributi garantonte që gjinia apo statusi shoqëror të mos ndikojnë në vlerësim. Pjesëmarrësit në gara vinin nga shtresat shoqërore të pasura – piktorëve të lirë, klerit, pjesëtarëve të gjyqësisë, pjesëtarëve të profesioneve mjekësore. Por kishte raste kur publikoheshin edhe punime të pjesëmarrësve të klasave të ulëta, të cilët ndonjëherë dilnin edhe fitues të garave. Në gara merrnin pjesë dhe fitonin edhe një numër i konsiderueshëm i femrave. Prej gjithsej 2300 garave shpërblyese të mbajtura në Francë, në 49 prej tyre kanë fituar femrat. Sipas standardeve moderne, kjo mbase është numër i vogël, por tejet i rëndësishëm për një kohë kur femrat nuk kanë pasur arsimim akademik. Pjesa më e madhe e femrave fitonin në kategorinë e poezisë, për arsye se në arsimimin e emrave, kjo fushë stimulohej.

Në përhapjen e ideve të iluminizmit në sferën publike të Anglisë, rol të rëndësishëm ka luajtur Royal Society (Shoqata Mbretërore) e Londrës. Këtë shoqatë e themeloi një grup dijetarësh të pavarur në krye me fizikanin dhe kimistin, të lindur në Irlandë, Robert Bojli (Robert Boyle, 1627-1691), ndërsa në vitin 1662 mbreti i Anglisë u dha mirënjohje. Bojlit (Boyle) i takon në një pjesë të madhe merita e themelimit të kimisë si fushë shkencore serioze.         

 Royal Society ka luajtur rol të rëndësishëm në përhapjen e filozofisë eksperimentale të Robert Bojlit (Robert Boyle) nëpër Evropë dhe vepronte si qendër për përhapjen e korrespondencës intelektuale si dhe për shkëmbimin e informatave.

Historiani dhe sociologu amerikan, profesor në Universitetin e Harvardit, Stivën Shapin (Stiven Shapin, 1943-) dhe profesori i historisë dhe i filozofisë në Universitetin e Kembrixhit, Simon Shafer (Simon Schaffer, 1955-) thonë se fizikani dhe kimisti Robert Bojli (Robert Boyle) ka qenë “themelues i botës së eksperimentimit brenda së cilës jetojnë dhe veprojnë sot shkencëtarët”. Dituria e sistematizuar e Bojlit (Boyle) bazohet në eksperimentim, ku janë të pranishëm dëshmitarët e rezultateve të eksperimentit, gjë që bën të mundur legjitimitet empirik përkatës. Këtu Royal Society (Shoqata Mbretërore) luan një rol të rëndësishëm: Eksperimentimi para dëshmitarëve duhej të kishte qenë një akt kolektiv, ndërsa hapësirat e këshillit të Royal Society kanë qenë vend ideal për demonstrime pak a shumë publike. Mirëpo, jo çdo dëshmitar është konsideruar i sigurt. Profesorët e Oksfordit janë konsideruar më të sigurt se fshatarët e Oksfordshirit (Oxfordshire). Janë marrë parasysh dy faktorë: Njohuria paraprake e dëshmitarit nga ai lëmë si dhe integriteti moral i dëshmitarit. Me fjalë të tjera, publik për eksperimente ka mundur të jetë vetëm shoqëria civile.

Shënim: Përpos në Angli, eksperimente shkencore janë bërë edhe në Francë dhe gjetkë. Për shembull, shkencëtari francez, i quajtur baba i kimisë moderne, Antuan Lavuazje (Antoine Laurent Lavoisier, 1743-1794), bëri revolucion në kimi me përshkrimin e natyrës së vërtetë të djegies, me metodat e analizës. Një prej eksperimenteve të tij ishte edhe djegia e shkaktuar me intensifikimin e dritës së diellit. Përzierja e tij në grumbullimin e taksave jo të drejtpërdrejta, u bë shkas që gjatë Revolucionit francez të dënohej me vdekje me gijotinë.

*   *   *

Roli i salloneve dhe i kafeneve në epokën e iluminizmit – Në epokën e iluminizmit, kafenetë kanë qenë posaçërisht të rëndësishme për përhapjen e diturive. Ato ishin si një qerthull ku takoheshin dhe këmbenin ide njerëz mendimesh nga më të ndryshmet. Kultura e kafeneve haste në kritikën e fisnikërisë, e cila frikohej dhe neveritej nga një mjedis në ku shtresa dhe titulli me privilegjet e shoqëruara – shpërfilleshin. Një mjedis i këtillë, posaçërisht i frikësonte mbretërit, pjesa më e madhe e pushtetit të të cilëve buronte prej dallimeve apo konflikteve  midis klasave shoqërore. Po qe se nën ndikimin e mënyrës iluministe të të menduarit, klasat bashkohen, atëherë atë do të mundë të hetonin shtypjen she shfrytëzimin gjithëpërfshirës nga pushtetet e mbretërve dhe në saje të numrit të madh të tyre, do të mundë të organizonin edhe rebelime. Mbretërit po ashtu refuzonin idenë që shtetasit e tyre të paraqiten si një, për të debatuar për çështje politike, sidomos për çështje të politikës së jashtme. Me fjalë të tjera, monarkët konsideronin se çështjet politike janë në kompetencën ekskluzive të tyre, si rezultat i të drejtës hyjnore të tyre për pushtet.

Kafeneja e parë në Angli u hap në Oksford (Oxford ) në vitin 1650. Historiani, i lindur në Irlandë, Brajan Kouen (Brian Bernard Cowen, 1960-) thotë se kafenetë e Oksfordit u zhvilluan në “universitete penny”, duke u bërë vend i marrjes së njohurive që kanë qenë më pak formale se njohuritë e marra nga institucionet e strukturuara. Në jetën akademike të Oksfordit, universitetet penny kishin një pozitë të rëndësishme, për arsye se ato i vizitonin virtuozët. Sipas historianit Brajan Kouen (Brian Cowen), “kafenetë kanë qenë vendtakime të studiuesve tejet të fortë ku kanë mundur të lexojnë dhe të mësojnë nga debatet e njëri-tjetrit”. Por, ato nuk kanë qenë institucione universitare dhe diskursi i atjeshëm ka qenë i një niveli krejt tjetër nga mësimet universitare.       

Edhe pse shumë padronë kafenesh kanë qenë dijetarë, një pjesë e madhe e tyre, nuk kanë qenë. Kultura e kafeve tërhiqte lloje të ndryshme njerëzish, jo vetëm pjesëtarët e arsimuar dhe të kamur të borgjezisë, por edhe ata që nuk ishin aq të arsimuar apo aq të pasur. Madje edhe klasën e ulët. Edhe pse dukej pozitive se padronët e arsimuar siç ishin mjekët, avokatët apo tregtarët i përfaqësonin pothuajse të gjitha klasat, mjedisi i kafenesë ndillte frikë te njerëzit që kërkonin ruajtjen e dallimeve klasore.

Sipas mendimit të historianit anglez, specialist i historisë së kulturës të Britanisë së Madhe të shekullit XVIII, bashkëpunëtor i Kolexhit Emanuel, Universiteti i Kembrixhit, Lorens Elliët Klajn (Lawrence Eliot Klein, 1950-), një prej kritikave të popullarizuara të kafeneve pohonte se “kafeneja mundëson një bashkësi të përzier (promiskuiteti)*, midis njerëzve pengesash të ndryshme në hierarkinë shoqërore, që nga zanatçinjtë deri te aristokratët”. Prandaj i ka krahasuar me Arkën e Noes (Noah), “e cila i pranon të gjitha llojet e kafshëve, të pastra dhe të papastra”.

Shënim: Promiskuitet – marrëdhënie seksuale e lirë midis më shumë vetëve; përzierje, rrëmujë.                

*   *   *

Kjo kulturë unike ka shërbyer si katalizator për gazetarinë kur dramaturgu, eseisti dhe politikani anglez Zhozef Adison (Joseph Addison, 1672-1719) si dhe eseisti, dramaturgu, gazetari dhe politikani anglez Riçërd Stil (Richadr Steele, Dublin, 1672 – Carmathen, Wales, 1729) konstatuan potencialin që kishte ajo si publik lexuesish. Riçërd Stili (Steele) dhe Adisoni (Addison) botuan bashkërisht gazetën “Spektatori” (The Spectator), botim ditor që kishte për qëllim që nëpërmjet karakterit fiktiv të Mr. Spektatorit, të argëtojë dhe të shkaktojë diskutim për çështje filozofike serioze. Riçërd Stili (Steele) botoi në mënyrë të pavarur revistën britanike për letërsi dhe për çështje shoqërore “The Tatler”, që përfshinte në vetën e parë risitë dhe thashethemet (tratsch) e kafeneve të popullarizuara.

Kuzhinieri nga Sicilia Françesko Prokopio di Kolteli (Francesco Procopio dei Coltelli – François Procope ose Procopio Cuto, Palermo, Itali, 1651 – Paris, 1727), në vitin 1686 e themeloi në Paris të parën kafene, Café Procope. Ajo u bë e para kafene letrare në Paris. Deri në vitin 1720, në Paris kishte rreth 400 kafene.

Café Procope u bë qendër e iluminizmit ku vinin personalitete si Volteri dhe Rusoi. Café Procope është vendi ku Deni Didëro (Denis Diderot) dhe filozofi, fizikani dhe matematikani Zhan d’Alamber (Jean d’Alembert, 1717-1783) vendosën ta themelojnë “Enciklopedinë” (Encyclopédie). Me fjalë të tjera, shumë iluministë francezë, midis tyre edhe polihistori (i gjithëdijshmi) francez Kondorset (Marie Jean Antoine Condorcet, 1743-1749); lideri politik zviceran, shkrimtari dhe gazetari La Harp (Frédéric-César de La Harpe, 1754-1838); shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volter (François Marie Arouet Voltaire, 1694-1778); filozofi dhe iluministi francez, Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784) takoheshin në Café Procope.

Posaçërisht historiani amerikan i kulturës dhe akademiku Robert Çoet Darnton (Robert Choate Darnton, 1939-) bisedat e kafeneve të Parisit i ka studiuar hollësisht. Ai thotë se kafenetë kanë qenë një prej shumë “qendrave psikiatrike” për publikun e thashethemeve, të pëshpëritjeve ose të llomotitjeve. Ky publik i thashethemeve kinse paskësh qenë burim informatash, shumë më i mirë se gazetat e asaj kohe. Përpos kësaj, me kafenetë është bërë një kthesë historike gjatë së cilës njerëzit kanë mundur të kuptojnë se mund të kenë një jetë shoqërore të këndshme brenda bashkësive të veta. Kafenetë për herë të parë janë bërë shtëpi   jashtë shtëpive për shumë njerëz të cilët kanë dashur të marrin pjesë në debate me fqinjët e vet për të diskutuar për tema intriguese dhe ideore, posaçërisht për temat nga lëmi i filozofisë dhe i politikës. Ato kanë qenë tejet të rëndësishme për iluminizmin, ngase kanë qenë qendra të mendimit të lirë (të shpirtit liberal) dhe të zbulimit të vetvetes. 

Shoqëritë e debateve – Shoqëritë e debateve që u paraqitën në Londër rreth vitit 1780, janë një shembull pothuajse i përsosur i sferës publike të epokës së iluminizmit. Historiania Dona T. Endrju (Donna T. Andrew, 1944-) thotë se ato burojnë prej katër realiteteve të ndryshme:

– Klubet prej pesëdhjetë e më tepër vetëve të cilët në fillim të shekullit XVIII kanë ardhur në pube dhe kanë debatuar për çështje të religjionit dhe për punët e shtetit;

– Klubet e gjykimit të simuluar, të shpeshta midis studentëve të drejtësisë, me qëllim të ushtrimit të retorikës;

– Klubet e deklamimit, janë themeluar për t’u ndihmuar artistëve në ushtrimin e roleve teatrore;

– Oratoriumi “Orator Henley” i klerikut anglez Xhon Hanli (John Henley, 1692-1756), i cili narracionet e papërmbajtura  i përziente me pyetjet akoma më absurde, si “A do të kishte qenë Skocia, kudo në botë?”

S’ka dyshim se shoqëritë e popullarizuara të debateve, kaf fundi i vitit 1770 nisën të depërtojnë në “mjediset e fisnikëve apo në ato respektuese”. Kjo përbënte ndryshim që mundësonte përcaktimin e një standardi të ri me karakter shoqëror: “rend, mirësjellje, qëndrim liberal”, sipas fjalëve të Shoqërisë religjioze të Rrugës së vjetër portugeze.

Edhe të qenët i respektuar ka qenë i motivuar prej çmimeve të larta të pritjes dhe kjo ka ndikuar që institucionet e reja të jenë të përmbajtura. Dona T. Endrju (Donna T. Andrew) thotë se ana negative e këtij zhvillimi ka qenë “shpërthimi i interesimit për teorinë dhe praktikën e oratorisë publike”.

Shoqëritë e debateve kanë qenë ndërmarrje tregtare që i janë përgjigjur kësaj kërkese, ndonjëherë në mënyrë tejet të suksesshme. Disa shoqëri brenda një nate kanë pasur prej 800 deri në 1200 shikues. Këto shoqëri kanë debatuar për një spektër të gjerë temash. Një lëmë i gjerë kanë qenë femrat: shoqëritë kanë debatuar “për cilësitë e meshkujve dhe të femrave”, për vardisjen, për martesën dhe rolin e femrave në sferën publike. Është debatuar edhe për çështje politike, duke filluar prej ngjarjeve aktuale deri te natyra dhe kufizimet e autoritetit politik, deri te natyra e të drejtës për votë. Tematika është rrumbullakuar me debatet mbi religjionin.

Është me rëndësi të theksohet se kur gjatë shqyrtimit të temave janë shfaqur mendime kritike, por kjo nuk do të thotë se ato kanë qenë qëndrime opozitare ndaj pushtetit. Me fjalë të tjera, gjatë këtyre debateve shpeshherë është ruajtur status quo-ja.

Shoqëritë debutuese kanë qenë të hapura për publikun, kështu që shikuar nga perspektiva historike, kjo ka qenë një prej karakteristikave më të rëndësishme të tyre. Femrat kanë marrë pjesë, madje edhe e kanë marrë fjalën, pothuajse në çdo shoqëri debutuese, të cilat po ashtu kanë qenë të hapura për të gjitha shtresat e shoqërisë, me kusht që të paguanin biletën hyrëse. Në shoqëritë e këtilla, shikuesit kanë mundur të marrin pjesë në mënyrë tejet të barabartë, gjë që ka ndihmuar në përhapjen e ideve iluministe.       

ILUMINIZMI DHE FEJA SI DHE KONFUCIANIZMI

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 22 Maj 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

ZHAN-ZHAK RUSO

ZHAN-ZHAK RUSO Njeriu ka lindur i lirë, por kudo është në pranga – Ruso Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau,…