IN MEMORIAM PËR MËSUESEN KARANFILE SHEHU

In Memoriam!

Mësuesja Karanfile (Mehanja) Shehu – një jetë të tërë në shërbim të arsimit shqip

Nga Dr. Nusret Pllana

Në moshën 79 vjeçare, më 2 maj 2024, ndërroi jetë mësuesja ime e parë Karanfile Kati – Shehu.

Për mua dhe shumë gjenerata që patëm fatin ta kishim mësuese, ajo mbetet përjetësisht e pavdekshme.

Ishte shembull unikal, i një mësueseje të vërtetë shqiptare dhe i një nëne të mrekullueshme, me të cilën do të mburret përjetësisht populli ynë i shumëvuajtur e liridashës, por edhe familja e saj e mrekullushme dhe shumë e ngritur kombëtarisht, një familje tipike intelektuale dhe arsimdashëse: bashkëshorti Besimi, vajzat Shqipja e Arta, dhe djali Arbeni.

Kurrë në jetën time nuk i harroj mësimet e sajë të para, sa me dashuri e përkushtim na e mësonte alfabetin shqip, këngën e bukur shqipe, vjershat me karakter të thellë patriotik të rilindasve tanë të shquar dhe, prandaj popull i dashur, deshta ta ndaj me juve dhimbjen dhe krenarinë që e kisha aq të dashtun e të çmuar, sa që, e respektoja si Nënë të dytë mësuesen Karanfile, sepse mburresha tërë jetën me të, siç edhe ajo me mua, shpresoj.

Kjo ishte edhe arsyeja që, gati gjysmë shekulli të plotë nuk i kam shkëputur kontaktet me të dhe me bashkëshortin e saj shembullor, Ing. Besim Shehun. Ishte e fortë si “shkëmbi”, sa që, edhe sëmundjes së rëndë nga kanceri i përballoi vite me radhë.

Takimi im i fundit me të, siç po e shihni edhe në këtë foto, ka qenë vjet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Edhe pse e shkatërruar nga sëmundja, në asnjë rast nuk tregonte doza pesimizmi, përkundrazi, shumë e dashtun e shumë komunikative.

Mësuesja ime më e dashtuna dhe më e bukura në botë, mbretëresha ime, flij e qetë në tokën tënde arbërore që aq shumë e deshte dhe të deshti.

Përjetësisht do të mbetesh e ‘gjallë’ në zemrën time dhe të popullit tim.

Ishe dhe mbetesh mburrja dhe krenaria e familjes Shehu e Mehanja dhe e gjithë kombit tonë.

Lamtumirë mësuesja jonë, më e mira në botë!

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura