PARIM OLLURI: VËLLAI I KRYEMINISTRIT THAҪI – NDËRTON KOMPLEKS BANESOR NË PRISHTINË

Pashtriku.org, 06. 06. 2013 – Blerim Thaçi është hisedar në kompaninë “Iliria Building” që po ngret një kompleks banesor në Prishtinë, ndërtimi i së cilës mund të kushtojë rreth 4 milionë euro. Thaçi dhe ortaku i tij Milaim Cakiqi, i cili është fqinj i Kryeministrit dhe bashkëpronar i “Liria FC” që kishte qenë e përfshirë në një privatizim të manipuluar, nuk kanë pranuar të tregojnë prejardhjen e fondeve që po i investojnë. Kompania e tyre ishte regjistruar në janar 2009 dhe në faqen e saj në internet nuk figuron se ka kryer ndonjë projekt tjetër.
Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Kryeministrit Hashim Thaçi, është bërë pjesë e tregut të shitjes së patundshmërive. Ai është hisedar në një kompleks milionësh që është duke u ndërtuar në lagjen “Mati-1” në Prishtinë.
“Iliria Building”, një kompani e përbashkët e Blerim Thaçit e Milaim Cakiqit, planifikon të ndërtojë 102 banesa në dy objektet e kompleksit “Blloku A 21”, bazamentet e së cilave tashmë janë ngritur.
Blerim Thaçi nuk ka pranuar të japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi edhe pse kjo i është kërkuar për dy javë rresht. Ai nuk figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që ka pasur ndonjë biznes me qarkullim të madh financiar.
Edhe Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, i cili është pyetur nëse e di që i vëllai është i përfshirë në biznesin e patundshmërive, nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë.

( Foto: Bujar Aruqaj )

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Abelard Tahiri, fillimisht ka premtuar se do të njoftonte kreun e ekzekutivit për pyetjet, por më vonë nuk ka pranuar të komentonte për këtë çështje.
Milaim Cakiqi, ortaku i vëllait të Kryeministrit, ka thënë se aksionarët nuk janë të obliguar të flasin për “Iliria Building”.
“Ne jemi privatë dhe nuk japim llogari për punën tonë. Është çështje e jona se çka bëjmë dhe si investojmë”, ka thënë Cakiqi.
“Blerimi është vëlla i Kryeministrit por kjo nuk do të thotë që obligohemi të përgjigjemi për biznesin tonë”.
Milaim Cakiqi është fqinj i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi në lagjen “Prishtina e Re-Perëndimi” afër Veternikut. Ai gjendet edhe në listën e banorëve të kësaj lagje që kanë marrë pëlqimin urbanistik për të ndërtuar në këtë zonë.
Parcela me numër 28/7, ku është duke u ndërtuar kompleksi “Iliria Building”, ka një hapësirë prej 3 mijë e 729 metra katrorë. Sipërfaqja për ndërtim në këtë hapësirë, sipas shënimeve në faqen zyrtare të kësaj kompanie është mbi 23 mijë e 390 metra katrorë.
“Blloku A 21” është i ndarë në dy objekte në të cilët do të ndërtohen 102 banesa sipërfaqja totale e të cilave është mbi 9 mijë e 700 metra katrorë. Hapësira për ndërtimin e lokaleve afariste ka një sipërfaqe prej 1593 metra katrorë ndërsa sipërfaqja e parkingut ka një hapësirë prej 5 mijë e 269 metra katrorë.
Trotuaret, pllatotë dhe rrugët brenda kompleksit kanë një hapësirë prej 1298 metra katrorë, korridoret kanë 1606 metra katrorë, etazhet teknike kanë një hapësirë prej 836 metrash katrorë ndërsa sipërfaqja e gjelbëruar ka një hapësirë prej 768 metrash katrorë.
Veç banesat e lokalet afariste kanë një hapësirë prej 11 mijë e 200 metrash katrorë.
Kompanitë e ndërtimit – Kompanitë “Al Trade” dhe “Standard” kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë – se mesatarja e kostos për ndërtimin e një metri katror në Prishtinë sillet prej 350 deri në 400 euro.
Në bazë të kësaj mesatareje, ndërtimi i banesave e lokaleve afariste me sipërfaqe prej mbi 11 mijë e 200 metrash katrorë mund të kushtojë afro 4 milionë euro. Ndërsa mesatarja e shumës që sigurohet nga shitja e tyre mund të shkojë deri në 7-8 milionë euro, që i bie 3-4 milionë euro profit.
Ndërkohë kompania “Iliria Building”, sipas Gazmend Mejzinit, kryeshef në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, është regjistruar më 14 janar të vitit 2009. Në regjistrin e biznesit figuron se ka statusin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar ku kapitali themelues për regjistrim është 10 mijë euro. Kjo kompani, siç figuron në certifikatën e biznesit, ka vetëm dy punëtorë.
Adresa e saj shënohet se është Çagllavica. Blerim Thaçi është person i autorizuar për Çagllavicë ndërsa Milaim Cakiqi është përgjegjës për Prishtinë.

( Foto: Bujar Aruqaj )

“Iliria Building” ka për aktivitet kryesor Tregtinë me Pakicë të Karburanteve dhe Lubrifikanteve ndërsa është e regjistruar edhe për aktivitete tjera si ndërtimi i lartë dhe ndërtimi i ulët si dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me ndërmjetësim në tregtinë e lëndëve djegëse, xeheve, metaleve dhe produkteve industriale kimike.
Aktivitetet Afariste të Milaim Cakiqit
Ndryshe nga Blerim Thaçi, Milaim Cakiqi figuron të jetë i përfshirë në një numër kompanish. Ai është pronar i N.T.P “Almakos” që për aktivitet kryesor ka tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuara ku kryesisht shitet ushqimi, pijet dhe duhani. Kompania ka vetëm tre punëtorë të regjistruar dhe figuron se ka për datë të konstituimit 20 shkurtin e vitit 2007.
“Liria F.C-2” Sh.p.k ka për pronarë Fazli Cakiqin, Blerim Cakajn, Milaim Cakiqin dhe Viktor Cakiqin. Ajo ka vetëm katër punëtorë të regjistruar dhe aktivitet kryesor tregtinë me shumicë të drurit, materialit ndërtimor dhe pajisjeve sanitare.
Po ashtu, “Ndërmarrja e re Metamb” Sh.p.k ka për pronarë Fazli Cakiqin, Blerim Cakajn, Milaim Cakiqin e Viktor Cakiqin. Kompania ka tre punëtorë dhe ka për datë të konstituimit 7 dhjetorin e vitit 2010. Aktiviteti kryesor i saj është prodhimi i konstruksioneve metalike dhe pjesëve të tyre.
Kërkimi i bizneseve në faqen e ARBK-së përmes numrit të letërnjoftimit të Milaim Cakiqit shfaq edhe kompaninë OVE GROUP. Pronarë i saj figuron të jetë Visar Banjica i cili është person përgjegjës i kompanisë për Gostivar ndërsa Njomza Rrecaj është përgjegjëse për Prishtinë.
Liria FC ishte e përfshirë në privatizim të manipuluar
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm pati konstatuar se ka pasur manipulime në një proces privatizimi të ndërmarrjes Kosova Elektro ku fitues ishte shpallur më 19 nëntor 2008 kompania Liria FC pronë e Fazli Cakiqit, i afërm i Milaim Cakiqit.
“Në kontratën Kosova Elektro, ne kemi vërejtur se gjatë procesit të privatizimit AKP-ja ka manipuluar me sipërfaqen e lokalit të privatizuar. Ne kemi vërejtur parregullsi dhe transparencë të pamjaftueshme në procesin e privatizimit, si rezultat i një konkurrence të padrejtë ndërmjet ofertuesve,”, pati konstatuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Kjo kompani pati blerë këtë ndërmarrje për 1 milionë e 50 mijë euro. “Kemi konstatuar se ka pasur manipulime në një proces privatizimi të ndërmarrjes Kosova Elektro ku fitues ishte shpallur kompania “Liria FC” Zyra e Auditorit Gjeneral
“Prishtina Insight” pati zbuluar se AKP-ja fillimisht kishte njoftuar për ankandin e lokacionit në nëntor të vitit 2008, përmes një shpalljeje në gazetë, ku 550 metra katrorë ishin ofruar për t’u shfrytëzuar për zyra në kuadër të 7,646 metra katror tokë.
Në broshurat e dhëna ofertuesve, në atë kohë, AKP-ja ka cekur se lokacioni, më herët pronë e kompanisë shoqërore “Kosova Elektro”, ka përfshirë 1,460 metra sipërfaqe për zyrë.
Por, kontrata përfundimtare nxori në fakt se sipërfaqja për hapësirën për zyra ka qenë 2,583 metra katrorë, pesë herë më shumë sesa ajo e cekur në ofertën origjinale.
AKP-ja saktësisht e ka cekur totalin e tokës për shitje në secilin pikë të 7,646 metrave katrorë. Në bazë të korrespondencës të brendshme të AKP-së, të cilën Prishtina Insight e kishte siguruar, agjencia ka qenë në dijeni për mospërputhjen e kushtueshme, por e ka vazhduar më tej me marrëveshje origjinale me Liria FC për pak më shumë se 1 milion euro.
“Duhet të ceket se sipërfaqja totale e kateve të ndërtesës e prezantuar në MI [Memorandumin Informativ] (1,460m2) ka qenë e llogaritur keq, që është vërejtur gjatë procesit të përmbylljes së kontratës, dhe Zyra Rajonale në Prishtinë e AKP-së e ka korrigjuar atë në total prej 2,583m2,” një nëpunës i AKP-së ka shkruar në letër drejtuar kryesuesit të tij, Dino Asanaj, në dhjetor të 2009-ës. Ndërkohë Fazli Cakiqi, pronar i Liria FC, pati deklaruar për Prishtina Insight se nuk ka qenë asnjëherë i informuar nga AKP-ja se ka pasur ndonjë problem me sipërfaqet e zyrës së cekura në kontratë. Nuk ka pasur sugjerime se Lira FC ishte fajtore për manipulimin në këtë privatizim.
ATK mban sekret të dhënat për biznesin e Thaçit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në mars të këtij viti, ka pranuar të bëjë publike të dhënat për tatimet e paguara nga kompania “FK Computers” , por nuk e ka bërë të njëjtën edhe për kompaninë “Iliria Building”. Për kompaninë nga Peja kjo Administratë kishte kallëzuar se është marrë me tregtinë e kompjuterëve të përdorur dhe se ka operuar prej vitit 2007 deri në vitin 2009. Po ashtu ka pranuar të bëjë publike shumën e Tatimit në të Ardhurat Inviduale që ka paguar kompania gjatë kësaj periudhe si dhe shumën e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar që ka paguar nga viti 2009 deri në tetor të vitit 2010.
Kur është pyetur për Iliria Building, zyrtarët e ATK-së kanë deklaruar se publikimi i të dhënave për tatimpaguesit nuk është i ligjshëm.
“Bazuar në Legjislacionin Tatimore, në nenin 84, paragrafi i parë (I) i Ligjit 03 L/222 për Administratën Tatimore dhe Proceduarat, për Konfidencialitetin e informatave tatimore, ATK-ja nuk mund t’ju japë informacione për çështjen në fjalë për raste individuale”, ka deklaruar Valentina Bytyçi, zyrtare për media në ATK.
Vetëm në dy raste sipas Administratës Tatimore mund të bëhen publike të dhënat për tatimore të një biznesi. Nëse kërkohet nga gjykatat për përdorim në rastet e lidhura me tatimet si dhe në rastet kur kjo kërkohet nga prokuroritë ose agjencitë kompetente për zbatimin e ligjit për rastet që kanë të bëjnë me ndjekjen penale ose hetimin e rasteve të dyshuara për shpëlarje parash a financim të terrorizimit.
Rasti i “Iliria Building” dhe “FK Computers”, sipas zyrtarëve të ATK-së, nuk është i ngjashëm. “Në këtë rast po bëhet fjalë për një natyrë krejt tjetër”, ka deklaruar Bytyçi, pa sqaruar dallimet në mes të këtyre dy rasteve ku flitet për tatimpagues. (gazetajnk.com – Prishtinë – Prill 23, 2012)

……………………………………

Reklamat e Iliria&Building

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura