Tiranë, 18. 12. 2016: Në Shqipëri, kontratat dhe liçensat për konçesionet e naftës dhe të minierave nuk janë bërë të njohura në publik. Bërja publike, nëpërmjet regjistrit të kontratave dhe liçensave të naftës dhe të minierave, do të zbulonte kushtet (termat) e tyre, të cilat janë, pa dyshim, plotësisht në dëm të Shqipërisë. Publikimi i saktë, nga ana e qeverisë, i të gjitha kontratave dhe liçensave, do të zbulonte grabitjen e pasurive tona kombëtare nga kompanitë e huaja, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar, prandaj ato nuk publikohen. Pronari përfitues është një person përfitues në lidhje me një kompani. Ai nënkupton personin (personat) fizikë, të cilët direkt ose indirekt zotrojnë ose kontrollojnë njësinë ekonomike të korporatës. Në shumë raste njohja e pronarëve të vërtetë, e “pronarëve përfitues” të kompanive, shpesh është e fshehur pas një zinxhiri të korporatave. Kjo perde mund të kontribuojë për korrupsion, për pastrim parash, dhe evazion fiskal (shmangie taksash). Tek ne, si shembull për këtë mund të shërbejë perdja e marrëveshjes konçesionare, për gjoja kërkim nafte në Bllokun 8 (Shqipëria veriore), e lidhur me kompaninë misterioze “Albanides Energy”, e cila nga ana e saj lidhet me një zinxhir prej katër kompanish dhe korporatash të tjera. Pronari i saj është i panjohur (i fshehur). Ajo përfaqësohet në Shqipëri nga avokatja Arta Danaj. Në fakt, asnjë kërkim nafte nuk bëhet në Bllokun 8! Kjo është perdja, prapa së cilës qeveritarët tanë zhvillojnë korrupsionin, pastrimin e parave etj.
Pas vitit 1990, në Shqipëri janë bërë shumë marrëveshje konçesionare për naftën dhe minierat. Të gjitha kontratat dhe liçensat e nënshkruara sipas këtyre marrëveshjeve, të kryera gjatë 25 vjetve, nuk janë bërë të njohura për publikun (nuk janë botuar), megjithëse është premtuar qysh në fillim nga qeveria “Rama”, se do të publikohen së shpejti në një regjistër elektronik (regjistri i licensave, në faqen e kushtuar për këtë qellim në internet). Tani kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga koha e këtij premtimi, dhe ky publikim, me anë të regjistrit, akoma nuk është bërë. Në fakt, tek ne në Shqipëri çdo gjë mund të bëjë vaki, por bërja publike e kontratave dhe liçensave të nënshkruara pas marrëveshjeve konçesionare të naftës dhe të minierave, nëpërmjet regjistrit, nuk mund të ndodhë kurrë. Pse? Sepse publikimi i saktë, nga ana e qeverisë, i të gjitha kontratave dhe liçensave, do të zbulonte në dritën e diellit grabitjen e pasurive tona kombëtare nga kompanitë e huaja, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar. Regjistri do të zbulonte kushtet (termat) e kontratave, që janë, pa dyshim, plotësisht në disfavor të Shqipërisë. Prandaj, kontratat dhe liçensat e firmosura, në bazë të marrëveshjeve konçesionare, janë dhe do të mbeten tepër sekret ndaj popullit.
Ja kompanitë e huaja, që kanë marrë liçensat dhe shfrytëzojnë fushat e naftës dhe të gazit në Shqipëri:
Bankers Petroleum (tani Geo-Jade Corporation), Stream Oil (tani Transatlantic), Sherwood IEC Visoka, Delvina Gas (tani Ionian Gas). Të gjitha këto kompani janë të regjistruara në “parajsat fiskale” offshore (në det), me pronarë të panjohur, me evazion fiskal (shmangie taksash). Të gjitha marrëveshjet me këto kompani mafioze janë të dëmshme për Shqipërinë. Ato janë marrëveshje grabitqarësh, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. Deri tani, gjoja asnjë nga këto kompani nuk ka rezultuar me fitime, dhe Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë pothuajse asgjë, megjithëse është shfrytëzuar egërsisht gjatë 12 vjetve! Këto janë rezultatet katastrofike të dhënies me konçesion të vendburimeve të naftës në Shqipëri. Grabitje më të madhe në botë nuk ka! Këto kontrata dhe liçensa duhen prishur sa më parë. Nafta shqiptare të shtetëzohet, t’i shërbejë popullit.
Ja kompanitë e huaja, që kanë marrë liçensat për kërkimin e naftës dhe të gazit, në disa blloqe tokësore në Shqipëri:
Delek Group (Izrael)- Blloku Dumrea. Marrëveshja ështe firmosur më 3 gusht 2015.
Royal Duch Shell- Blloku 4. Marrëveshja është firmosur më 7 gusht 2015.
“Kompania” Sky Petroleum (flitej se ishte vetëm një person), para kompanisë Royal Duch Shell, kishte marrë liçensën për gjoja kërkim nafte në Bllokun 4. Kjo “kompani” e mbajti të bllokuar për shumë vite kërkimin e naftës në këtë bllok, duke mos kryer asnjë kërkim nafte dhe, më në fund, u largua. Askush nuk kërkon llogari se çfarë ishte kjo “kompani” fantazmë. Sipas Ligjit të Naftës në Shqipëri, liçensa për kërkim nafte dhe gazi u jepet vetëm kompanive të specializuara. Nuk lejohet dhënia e liçensës një personi, për kërkim nafte, por tek ne mungon shteti ligjor. Ligjet shkelen me të dyja këmbët, pa pasur asnjë pasojë….
Pennine Corporation- Blloku Velça. Marrëveshja është firmosur më 7 dhjetor 2015.
Albanides Energy- Blloku 8. Marrëveshja është firmosur më 15 korrik 2015 (ka dalë në Fletoren Zyrtare më 7 prill 2016).
Petromanas Energy- Kishte marrë liçensat për kërkim nafte dhe gazi në disa blloqe tokësore, përfshir Bllokun 3, ku ndodhet Shpiragu. Bëri shumë pak punime kërkimi dhe nuk zbuloi asgjë. Bashkëpunoi me kompanin Shell për shpimin në Shpirag. Pas shumë vitesh bllokim të kërkimit, duke ndërruar disa herë emrin (dhe kjo jo pa qellim!), u largua nga Shqipëria, duke ia shitur pasuritë shqiptare kompanisë Shell.
Të gjitha këto kompani janë të regjistruara në “parajsat fiskale” offshore (në det), me përjashtim të kompanisë Shell, e cila në rastin tonë ka pikëpyetje. Të gjitha janë në dëm të Shqipërisë. Ka kaluar afërsisht 1 vit e gjysmë nga data e marrjes së licensave, dhe këto kompani akoma nuk kanë filluar punimet e kërkimit të naftës. Ato nuk kanë bërë asnjë investim. Kjo është shkelje shumë e rëndë e Ligjit të Naftës në Shqipëri, i cili përcakton se, menjëherë pas marrjes së licensës, duhet të fillojnë punimet e kërkimit. Vetëm për këtë shkelje të rëndë atyre u duhen hequr liçensat, por qeveria këtë nuk e bënë, sepse është bashkëpunëtore me këto kompani mafioze. Pra, qellimi i vërtet, i dhënies së këtyre liçensave, nuk ka qenë kërkimi i naftës dhe i gazit, por fshehja e korrupsionit qeveritar, pastrimi i parave, evazioni fiskal….
Kështu është bllokuar qellimisht kërkimi i naftës dhe i gazit në Shqipëri, pas vitit 1990. Prandaj, gjatë këtyre 26 vjetve nuk janë zbuluar vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri. Sikurse shihet, është maní e qeverive të njëpasnjëshme shqiptare, për të dhënë pasuritë natyrore me konçesione jo tek kompanitë e mëdha, të specializuara dhe prestigjioze të naftës, të njohura në botë, por tek kompani të panjohura, mafioze offshore, të cilave nuk u dihet as origjina e parave, as pronari (pronarët) e vërtetë, dhe që fshehin korrupsionin, lejojnë pastrimin e parave dhe fshehin taksat….Kjo maní tregon qartë se qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare janë bashkëpunëtore me kompanitë mafioze offshore, për grabitjen e naftës shqiptare. Për këtë nuk ka asnjë dyshim! UNCTAR (Programi i Vlerësimit të Investimeve të Huaja nga Kombet e Bashkuara), në një raport të fundit konstaton se, sa më shumë investime nga kompanitë e “parajsave fiskale”offshore, që shmangin taksat, aq më pak fitime merr shteti, që ka dhënë liçensën. Qeveritë shqiptare pikërisht këtë po bëjnë. MONITOR e ka trajtuar më parë gjerësisht ndikimin e ulët në ekonomi të pasurive të dhëna me konçesion (Gazeta Mapo, 16 prill 2016). Pra, qeveritë shqiptare i japin pasuritë natyrore me konçesione tek kompanitë offshore, për përfitim të vet qeveritarve, në dëm të popullit.
Më poshtë do të jepen disa të dhëna mbi kontratat dhe liçensat e dhëna për industrinë nxjerrëse (naftë dhe gaz, minerale, pyje, toka bujqësore etj.). Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar se në çfarë niveli ndodhet Shqipëria. Burimi: Marrë nga punimi i publikuar në internet me titull: “Contracts and licenses / EITI guide.” Ky punim është pregatitur nga Sekretariati Ndërkombëtar i Iniciativës Transparente mbi Industrinë Nxjerrëse (EITI – Extractive Industries Transparency Initiative). Edhe Shqipëria është pjesëmarrëse në EITI. Drejtoresha e EITI Albania është zonja Dorina Çinari. Drejtoreshën e kemi, dhe e paguajmë jo pak, por transparencë publike të kontratave dhe liçensave nuk kemi. Me sa duket, ajo është për t’i mbajtur sekret ndaj popullit këto kontrata dhe liçensa, dhe jo për t’i publikuar.
Populli ynë nuk ka fare dijeni mbi kontratat dhe liçensat e arritura nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare, të bëra për naftën dhe minierat (data kur fillon dhe kur mbaron kontrata, kushtet e kontratës, sa marrim ne dhe sa marrin kompanitë e huaja etj.). Publiku i nderuar shqiptar, pas leximit të vëmendshëm të këtij shkrimi, do ta kuptojë qartë, pse nuk publikohen në Shqipëri kontratat dhe liçensat për naftën dhe minierat. Sikurse do të shihet më poshtë, edhe ish vendet koloniale të Afrikës i kanë publikuar kontratat dhe liçensat e nënshkruara në bazë të marrëveshjeve konçesionare të naftës dhe të minierave, bile edhe Afganistani, që ka një jetë të tërë në luftë…Në këtë drejtim, Shqipëria nuk mund të krahasohet as me këto vende më të prapambetura të botës.
Çfarë janë kontratat dhe liçensat?
Termi kontratë do të thotë: “Tekstin e plotë të çdo kontrate, konçesioni, marrëveshje me ndarje prodhimi, ose marrëveshje tjetër të dhënë nga qeveria, ose të hyrë në fuqi nga qeveria, i cili parashikon kushtet lidhur me shfrytëzimin e naftës, gazit dhe burimeve minerale. Tekstin e plotë të çdo aneksi ose shtojce, i cili përcakton hollësitë përkatëse për të drejtat e shfrytëzimit ose ekzekutimit të tij, dhe tekstin e plotë të ndonjë ndryshimi ose rregullimi në dokument.”
Termi liçensë do të thotë: “Tekstin e plotë të çdo liçense, lënie me qira, të drejte ose leje, me të cilin qeveria i jep kompanisë (kompanive), individit (individve) të drejtat për të shfrytëzuar naftën dhe burimet minerale. Tekstin e plotë të çdo aneksi, shtojce apo rregullimi, që përcakton hollësitë përkatëse të të drejtave të shfrytëzimit apo ekzekutimit të tij, dhe tekstin e plotë të ndonjë ndryshimi ose rregullimi në dokument.”
Pse është e rëndësishme transparenca mbi kontratat dhe liçensat?
Kontratat dhe liçensat janë formuluar brenda kornizës ligjore, që qeveris industrinë nxjerrëse. Kontratat, liçensat dhe marrëveshjet shoqëruese vendosin shumë nga angazhimet ndërmjet qeverisë dhe kompanive në industrinë nxjerrëse. Ato përcaktojnë se në çfarë kushtesh dhe konditash kompanitë nxjerrin burimet natyrore. Për të kuptuar kushtet dhe konditat, njohja e përmbajtjes mbi kontratat ndihmon shumë. Në te njëjtën kohë, kompanitë veprojnë në një mjedis konkurues dhe nuk duan që të zbulohen të gjitha hollësitë e marrëveshjeve, pasi që mund të japin shumë informacion për konkurentët.
Iniciativa e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse (EITI) pranon se arritja e transparencës më të madhe duhet të vendoset në kuadër të respektimit të kontratave dhe ligjeve. Standardi EITI kërkon që Raporti EITI të dokumentojë politikën e qeverisë për dhënien e kontratave dhe liçensave, që qeverisin zbulimin dhe shfrytëzimin e naftës, gazit dhe mineraleve.
Vendet inkurajohen të bëjnë publike të gjitha kontratat dhe liçensat, që ofrojnë kushtet bashkangjitur për zbulimin e naftës, gazit dhe mineraleve.
Kjo është një kërkesë që Raporti EITI dokumenton politikën e qeverisë për dhënien e kontratave dhe liçensave, që qeverisin zbulimin dhe shfrytëzimin e naftës, gazit dhe mineraleve. Kjo duhet të përfshijë dispozitat përkatëse ligjore, praktikat aktuale për dhënien e informacionit dhe çdo reformë, që është planifikuar ose është duke u zhvilluar. Atje ku aplikohet, Raporti EITI duhet të ofrojë një pasqyrë të kontratave dhe liçensave, që janë në dispozicion të publikut, dhe të përfshijë një referencë për vendin ku ato janë publikuar. Më poshtë janë dhënë vetëm disa nga shembujt e shumtë të vendeve, që kanë pasqyruar publikisht kontratat dhe liçensat.
Guinea- Portal internet, që përmban kontratat e minierave dhe marrëveshjet e lidhura. Qeveria e Guinesë ka publikuar, në një faqe të posaçme interneti, të gjitha kontratat e minierave dhe marrëveshjet e lidhura, të nënshkruara qysh nga viti 1958. Kjo lejon aftësi të plotë kontrolli brenda dokumentave, dhe përfshin përmbledhjet e marrëveshjeve. Ka Komision Teknik për Rishikimin e Kontratave të Minierave.
Liberia- Kontratat e portalit të internetit dhe biblioteka e konçesionit.
Në Liberi, LEITI (Iniciativa e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse të Liberisë) ka të lidhur në qark një bibliotekë të kontratave dhe konçesionit, që përmban të gjitha kontratat nxjerrëse, të nënshkruara nga qeveria. Akti LEITI (2009) mandaton LEITI “Për të promovuar zbulimin publik të kontratave dhe konçesioneve, që kanë lidhje me shfrytëzimin e pyllit dhe të burimeve minerale. Prandaj, Sekretariati i LEITI në vitin 2012 siguroi dhe ngarkoi në faqen e tij të internetit, për konsum publik, më shumë se 100 marrëveshje konçesionare, kontrata, leje dhe liçensa në lidhje me sektorët e naftës, të minierave, pylltarisë dhe bujqësisë. Kopjet e shtypura, të këtyre të drejtave të caktuara, janë në dispozicion në zyrën e Sekretaritit. LEITI ka siguruar ekspertë të shërbimeve ligjore, për të prodhuar mënyra të lehta paraqitjesh për të lexuar të gjitha marrëveshjet e konçesioneve në kuadër sektorësh të naftës, minierave, bujqësisë dhe pylltarisë. Këto do të përmbledhin kushtet financiare, daten e fillimit dhe të mbarimit të kontratës, përfitimet e komunitetit dhe dispozita të tjera të rëndësishme mbi marrëveshjet.
Afganistan- Portal interneti. Qeveria e Afganistanit ka publikuar disa kontrata në faqen e internetit të Ministrisë së Minierave dhe Naftës. Më 26 korrik, Presidenti Hamid Karzai lëshoi një dekret, që ngarkon qeverinë të “publikojë të gjitha kontratat me detaje” me kompanitë vendore dhe ndërkombëtare për tre vitet e fundit, dhe për të përfunduar një plan të transparencës së kontratave, bazuar në “parimet ndërkombëtare të miratuara dhe me marrjen parasysh të ardhmërisë së vendit”. Mbi 200 kontrata janë publikuar deri tani. Ka diskutime të vazhdueshme Brenda Sekretariatit të AEITI (Iniciativa e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse të Afganistanit) për dhënien e informacioneve shpjeguese të mëtejshme.
Regjistri i licensës- Një regjistër license është një vend qendror (shpesh një bazë të dhënash), ku qeveritë dokumentojnë dhe menaxhojnë sistemin e tyre të liçensimit të industrisë nxjerrëse. Këta regjistra mbajnë të dhëna mbi çfarë ka marrë kompania, çfarë license dhe nën çfarë konditash. Regjistrat e liçensave përmbajnë informacion mbi të drejtat që kompanitë kanë fituar, dhe çfarë ato nga ana e tyre kanë për të dhënë për qeverinë.
Pse janë të rëndësishëm regjistrat?
Një regjistër license, i kuptueshëm publikisht, përmban botimin e liçensave dhe informacionin në lidhje me të drejtat e nxjerrjes, u mundëson qytetarve për të parë se cilave kompani u janë dhënë të drejtat për të shfrytëzuar burimet e tyre natyrore. Mbajtja e një sistemi të saktë regjistrimi është gjithashtu thelbësore për të inkurajuar investimet, për të bërë optimist kontributin e sektorit në vend, për të qartësuar të drejtat e pronësisë, dhe për të shmangur konfliktet mbi pronësinë.
Regjistri i licensës.
Termi licensë në përmbajtje i reflektohet çdo license, dhënie me qira, titulli, leje apo konçesioni, me anë të të cilave qeveria i jep një kompanie (kompanive) ose një individi (individve) të drejtat për të shfrytëzuar naftën, gazin dhe burimet minerare.
Vendet zbatuese duhet të mbajnë një regjistër në dispozicion të publikut, ose të sistemit (sistemeve) kadastral, me informacionin e duhur dhe të plotë në lidhje me çdo licensë, që ka të bëjë me kompanitë e përfshira në Raportin EITI:
Mbajtësi (mbajtësit) i licensës (patentës);
Koordinatat e zonës së licensës;
Data e aplikimit (zbatimit), data e dhënies dhe kohëzgjatja e licensës dhe,
Në rastin e liçensave të prodhimit, malli që është prodhuar.
Pritet që regjistri i liçensave apo kadastra të përfshijë informacion në lidhje me liçensat e mbajtura nga të gjitha subjektet, duke përfshirë kompanitë dhe individët apo grupet, që nuk janë të përfshira në Raportin EITI.
Shembuj për regjistrat e liçensave
Norvegjia- Regjistri i naftës së Norvegjisë është ruajtur nga Drejtoria e Naftës Norvegjeze. Të dhënat janë futur në Regjistrin e Naftës në një bazë të vazhdueshme, dhe janë kopjuar çdo ditë. Aty përmbahet informacion në lidhje me aktivitetet e naftës në shelfin kontinental Norvegjez. Informacioni është i sinkronizuar me bazën e të dhënave ditore.
Regjistrat e liçensave i mbajnë gjithashtu Tanzania, Togo etj.
Pronarët përfitues
Një pronar përfitues në lidhje me një kompani nënkupton personin (personat) fizikë, të cilët direkt ose indirekt në fund të fundit zotrojnë ose kontrollojnë njësinë ekonomike të korporatës. Pronari përfitues është gjithmonë një qënie reale e gjallë njerzore, jo një kompani tjetër, ose një avokat ose kandidat tjetër, që vepron në emër të dikujt tjetër. Një pronar përfitues i një kompanie nxjerrëse është një individ, që gëzon përfitimet ekonomike të aktiviteteve të kompanisë dhe ushtron kontroll të sajë. Një kompani mund të ketë një ose disa pronarë përfitimi. Standardi EITI vë nën kujdestari një grup shumëpalësh, për të përcaktuar më tej se çfarë është një pronar përfitues, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjet kombëtare.
Pse është e rëndësishme njohja e pronarve përfitues?
Në shumë raste, identiteti i pronarve të vërtetë-i “pronarve përfitues” të kompanive, që kanë fituar të drejtën për nxjerrjen e naftës, gazit dhe mineraleve, është i panjohur, shpesh i fshehur pas një zinxhiri të korporatave. Kjo perde mund të kontribuojë për korrupsion, pastrim parash dhe evazion fiskal (shmangie taksash) në sektorin e nxjerrjes. Pa transparencë rreth pronarve përfitues është e pamundur të dihet nëse kompania nxjerrëse është në pronësi nga dikush me emër të mirë në sektor, apo nëse kompania është, për shembull, në pronësi të një zyrtari të qeverisë apo të tjerë “persona të ekspozuar politikisht”, të cilët mund të kenë marrë liçensën nxjerrëse në rrethana të korruptuara ose me trajtim preferencial.
Identiteti i njohur i zyrtarit pronar-që ka të ngjarë të përfitojë në masë të madhe nga aktiviteti nxjerrës- është i rëndësishëm edhe për të luftuar korrupsionin edhe për të siguruar që kompania, që ka marrë liçensën nxjerrëse, ka qellime dhe ekspertizë të nevojshme financiare dhe teknike për të zhvilluar projektin nxjerrës.
EITI për pronarët përfitues
Iniciativa e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse (EITI) ka nisur një provë (pilot) mbi pronarët përfitues, e cila kërkon të sigurojë se informacioni mbi pronarët përfitues të kompanive nxjerrëse është në dispozicion të publikut. Objektivi është për të vlerësuar mundësinë e zbulimit të pronarve përfitues me anë të EITI. Në këtë provë (pilot) marrin pjesë më shumë se dhjetë vende.
Aksionerë “offshore” në naftë – Top Channel Albania – News – Lajme
__________
ING.AGIM BREGU: KUR BOTA PO E SHTETËZON NAFTËN, SHQIPËRIA PO E PRIVATIZON ATË!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=5831
***
ING.AGIM BREGU: NAFTA DHE GAZI NË SHQIPËRI, PRONË SHTETËRORE APO PRONË PRIVATE?!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=5228
***
ING. AGIM BREGU: GJEOLOGJIA MUND TA ZHDUK VARFËRINË EKONOMIKE NË SHQIPËRI. TA SHPËTOJMË NAFTËN NGA KTHETRAT E GRABITQARËVE!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=5164