ING.AHMET ҪOLLAKU: DY PIKA NAFTЁ PЁR NJЁ EPITAF!

Tiranë, 10 tetor 2017: (Në memorje të shokut tonë, Ing.Topograf Petro Lena) – Një muaj më parë gjeologu Vangjel Kici, që nga Kanadaja më shkroi se shoku ynë Petro Lena, Inxh. topograf, që punoi shumë vite në Ndërmarrjen Sizmike të Fierit, na la, se iku në një rrugë pa kthim, se ai nuk ka për t’i marrë Oksigjenin e paktë kësaj Shqipërie të vogël, që mblidhet dhe të shpon si një iriq.
Kanë kaluar ditë, që kur mora atë e-mail, por dhe më shumë vazhdoj ta kem në mëndje, sepse e njihja shumë mirë Petron, atë njëri me shpirt si uji… Të dy këta Lushnjarë u kthyen nga jashtë, njëri nga Polonia dhe tjetri nga Çekia. I shikoja në Qytetin e Studentëve. Qëndronin pranë njëri tjetrit dhe bënin shaka, sa Vangjeli rrëzohej nga biçikleta, tek kalonte nga rruga pas godinave të studentëve.
Gjithashtu, sjell ndërmend kohën e përbashkët mes ujqërve komunistë dhe agjentëve, që shtireshin herë si koministë e herë demokratë, herë bjellogardistë e herë evangjelistë… Kishte me dhjetra surrugatë të tillë. I ndjeri Petro, ishte shumë shoqëror, adoptohej me të gjithë shokët, sepse ishte i ndershëm dhe shumë i thjeshtë, ndërsa me shefat ishte në luftë. Gjithmonë luftoi për drejtësi, por Feneri i Sokratit nuk e nxorri në rrugë të drejtë, sepse vargu i maskarenjve ishte shumë i gjatë. E sjell atë ndër mend dhe bie në mendime të trishtuara…
Eh, sa herë thyhemi kështu ne të moshuarit, ne brezi i tretë, ne të papërfillshmit e të dy sistemeve, ne që nuk na numërojnë as të gjallë dhe as të vdekur. Ikin shokët, kolegët, miqtë, ndërsa ne rrudhemi së bashku me ‘ta, pak nga pak ikim edhe ne të tjerët. Ne jemi antenat, që presim këto dhembje, ndërkohë që qeveritarët tanë amorf, nuk marrin mundimin të ngjyejnë penën dhe me dy pika nafte të shkruajnë dy fjalë të vetme, një epitaf të thjeshtë për një naftëtar.

Inxhinjeri topograf Petro Lena e pa Shqipërinë me teodolite dhe e mati me pëllëmbë, sepse kudo trasoi profile sizmike dhe gravimetrike për të zbuluar naftë. Qeveritarët tanë, ata të ALBPETROLIT, AKHK, AKBN, së bashku me METE-en dhe me parlamentarët nuk merren me këto lajme mortore, sepse janë të zënë me pazaret e grabitjes së naftës tonë. Por sado që të vjedhin, nuk mbaron nafta jonë.
Të ndjerit Petro Lena, pensioni që merrte nuk i mjaftonte as për ilaçe. Pra, ai ka hisen e tij të naftës edhe pas vdekjes. Këto pensione qesharake kemi ne të naftës, më pak se 200 dollarë në muaj. I ndjeri punoi 30 vite në naftë, herë pa ilaçe, herë jashtë në qiell të hapur, shumë vite larg shtëpisë.
Pra, siç e shikoni, vdekjen e tij nuk ma përcolli ALBPETROLI (Kali i Trojës), as METE, por një gjeolog larg Shqipërisë. Kështu ne përcjellim dhembjet dhe trishtimet tek njëri-tjetri, bash si në kohët e lashta, sepse ne nuk ekzistojmë. Shteti shqiptar nuk ka detyrime dhe dhembje për ne naftëtarët. Ai nuk harxhon dy pika naftë të shkruajë një epitaf. Palo shtet, që ne e votojmë përditë me sy mbyllur. Shtet i korruptuar me sekserë herë demokratë dhe herë socialistë, të cilët z. Rama tha se do t’i lëvizë(!!). Gjithë ky shtet nuk gjen një copë letër dhe dy pika naftë të shkruajë një epitaf të shkurtër për naftëtarët, vetëm dy gisht letër. Përkundrazi, shteti ynë di të bëjë jubilare pompoze si puna e Metës, ndërkohë që ai duhej të ishte në burg… Kjo qeveri e pa skrupullt, mbytur me korrupsion, nuk gjeti dot një biçim sekretari të shkruante dy fjalë për të ndjerin Beqir Alia, i cili vdiq i plakur dhe i vetmuar. Kështu thjesht kanë vdekur edhe shumë naftëtarë të tjerë, të thjeshtë, specialistë apo super të kualifikuar.
Në shuarje të tilla ato pak kurora thuren me dhembje. Kanë ikur pa kthim me dhjetra naftëtarë, por asnjë qeveri apo dikaster nuk ka mbajtur një meshë të vogël, të thotë dy fjalë dhe të shkruajë ca rreshta në gazetat shqiptare. Gazetat shqiptare preferojnë të mbushen me porno dhe seks, me lloj-lloj reklamash, por nuk rezervojnë një copë vend për një memorial nafte. Gazetat tona e çensurojnë nafën tonë, në vend që ta kishin simbol. Ato botojnë sensacione, se gruaja e Ramës ka mbetur shtatzënë (oh, sa vështirë e ka një grua të mbetet shtatzënë!), se Berisha ka bërë këto hartime në facebook, se foto modeles X i duket zogu, por asnjëherë gazetat tona shqiptare nuk janë të ndjeshme ndaj naftës tonë, ndaj kësaj pasurie, që ngre në luftë shtete dhe sisteme të ndryshme. Kujtoni Krimenë këtu afër, ku gjithçka bëhet për naftën.
Në Shqipëri ka tendera funeralesh socialiste dhe demokratike. Në kortezhe ka kapardisje. Pjesëmarrësit tregojnë fuqinë e parave. Në këto evenimente këta Ku Kluks Klanë derdhen si lumë, kurse tek soji dhe brezi im i varfër, ku pikojnë vetëm lot, ata nuk hedhin as sytë. Ju e dini mirë se drejtorat e mi kanë pushtuar varrezat më të mira, që të duken së largu edhe pas vdekjes. Ka shumë qeveritarë dhe specialistë zyrtarë, që bëjnë gjithçka që të kenë një vdekje të bukur. Ata kopjojnë fjalime, ngjyejnë medalje, marrin banda, shkrepin topa… Qeveritarët tanë janë në garë kush të varroset më mirë, kush t’i fsheh paratë sa më thellë, kurse për gjeologët dhe për naftëtarët tanë nuk gjenden as dy pika naftë për të shkruar një epitaf… Shokët dhe kolëgët e mi po vdesin të gjallë, të vetmuar, pa fjalime dhe pa epitafe…
Nafta ka edhe pas shikim të dhimbshëm… Ah, më kujtohet i ndjeri Nikolin Leka, shkodrani i dhembshëm, fizikanti që punoi në sizmikë pak vite, por që do të mbahet mend shumë kohë për humorin, të qeshurën e tij, për ato aftësi të mëdha, për dashamirësinë, të gjitha këto kanë mbetur në Ndërmarrje apo në ekspeditat fushore. Humori tij interferonte me atë të të ndjerit Henrik Veizi dhe Koço Plakut. Ai humor e mban ende gjallë Inxh. Novruz Kodhelin…
Me naftën tonë serbët mbushën armët kundër nesh. Me naftën tonë ata të ALBPETROLIT blejnë parfume të shtrenjta, por nuk mprehin një laps për të shkruar një memorje për ne naftëtarët, opozitarë të të gjitha sistemeve. Industria e naftës ishte një “shtet” me mbi 30.000 punonjës. Kanë kaluar gati 30 vite. Cilët jetojnë dhe cilët kanë vdekur? A kujtohet dikush për të moshuarit? Para ca vitesh iu luta për një intervistë Prof. Ziver Mekos, profesorit tim të gjeologjisë së naftës. E dini çfarë më tha?! “Ah, miku im, dua por nuk mundem. Më ka mbytur pleqëria. Eci me paterica, nuk kam më fuqi…”. Në ç’moshë është tani profesori im? Cili jubile na jep emocion, ai Metës apo ai i Prof. Ziverit? A kujtohet dikush ta pyes Profesorin, si është me shëndet? Prof. Ziveri, me punë dhe me ndershmëri, betonoi një institut dhe krisi tektonikisht një radhë partiakësh… Po për gjeolog Gjeneralin në Amerikë, kujtohet dikush? Asnjë! Ka shumë të tillë, burgosur në burgje të lira kudo nëpër botë, për të cilët kjo qeveri nuk ka asnjë bllok komunaleje. Ka specialistë, që kalojnë një pleqëri të rëndë nëpër azile shtëpiake. Janë specialistë me sqimë, me shumë vlera, por tani ecin shatra-patra, ndërkohë që shteti i mendon të groposur, ose të groposen një orë e më parë.
Ç’bëhet me Ramadan Perhatin atje në Shkodër?
Ç’bëhet me Bahri Jupin, i cili u bë copa-copa nga shpërthimi i gazit në Divjakë?
Ç’bëhet me specialistin Ali Mema, i cili u shemb si një meteor përtokë, që nga një platformë vinçi?
U bë thërrime, por nuk u shua, sepse ka zemër të madhe. A e di këtë qeveria Shqiptare?! Po për Prof. Alfred Frashërin, konsulentin tim, antena më e ndjeshme e vlerave të pasurive kombëtarë, që duhej të ishte në krah të Ramës, sepse falet për ditë për këtë Shqipëri, a mendon kjo qeveri t’i festojë një jubile? Oh, ka shumë, nuk di kë të përmend më parë… Kështu ne të moshuarit, evenimentet i kalojmë pa ceremonira, jo si qeveritarët tanë, që dinë të lëshojnë fishekëzjarre dhe balona për gostira dhe për jubilera. Ne naftëtarët, fshihemi në ditëlindjet tona, sikur kemi bërë faj.
Tani e mora vesh se qenka edhe një art tjetër, arti për të vdekur sa më mirë, sa më bukur, sa më i pasur, me bumerange, me sa më shumë njerëz, me llogari bankare të dukëshme dhe të padukëshme, me dashnore të fshehura përskaj kortezhit, që i përdredh cmiri nën palltot e trasha, por jo dhembja e vdekjes së një miku apo shoku… Disa nga kolegët dhe shokët e mi janë pleq të urtë, fonde që nuk u hapën nga asnjë sistem blu, i kuq apo rozë. Me dy pika naftë shkruhen dhjetë fjalë, bëhet një rrëfim apo mallkim. Po me këto miliona tonë naftë, çfarë mund të bëhet?
Kolegët dhe shokët e mi duan vdekje të thjeshta, të ndershme. Ata kanë ruajtur ca para për funerale, sepse nuk duan të lenë pas asnjë borxh, asnjërit, asnjë qindarkë. Kurse qeveritarët tanë, pa dyshim do të varrosen me pompozitet, me borxhe marramendëse ndaj popullit tim të varfër dhe të urtë. Ky borxh ka për t’i ndjekur ata brez pas brezi. Brezi im, sado që ka lëshuar lumenj me naftë, nuk po merr as dy pika naftë për një epitaf. Epitaf për ‘të është vetë nafta, që ai ka zbuluar. Vetëm me dy pika naftë mund të shkruhen qindra epitafe, kurse me lekët e vjedhura ka vetëm funerale turpi.
Për të ndjerin Petro Lena nuk u derdhën as dy pika naftë. Ai u varros atje në fshatin e tij të lindjes, në Bishqethëm të Lushnjës. Vendprehja e tij, aty pranë rrugës automobilistike, është lapidari i një naftëtari. Udhëtarë, nëse do të kaloni aty pranë, vini një lule në atë lapidar të naftës Shqiptare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura