INXH.LULZIM PIRRAKU: KRIZË INSTITUCIONALE NË KOHË PANDEMIE

Prishtinë, 11 prill 2020: Jemi në situatë të një qeverie të shkarkuar e kur kërkesa e Presidentit drejtuar LVV-së për të caktuar emrin për mandatarin e ri jo që e ka qartësuar rrugën për të dalur më shpejtë e më lehtë nga kjo gjendje, por përkundrazi, kam frikë se Presidenti na drejtoi në një rrugë që nuk i shihet fundi, apo së paku do të humbim shumë kohë dhe energji duke u marrë me Gjykatën Kushtetuese. Sikur Presidenti, mos t’i dërgonte kërkesën me shkrim Kryeministrit në detyrë atëhërë do të kishim supozuar se ky është duke ndjekur rrugën tashmë të trasuar pas mocionit të mosbesimit të Qeverisë Mustafa në vitin 2017, dhe e pret një moment më të përshtatshëm për shprëndarje të parlamentit, e që automatikisht do ta kishte dërguar vendin në zgjedhje. Mirëpo, kërkesa e dërguar është thirrur në nenin 95 të kushtetutës i cili flet për mundësinë e rikrijimit të qeverisë nga përbërja egzistuese e parlamentit. Duke u nisur edhe nga tendenca e shprehur e presidentit për një qeveri të re, ka shumë pak gjasa që ky të kthehet prap në nenin 82.2 të Kushtetutës edhe duke e ditur faktin se LVV nuk do t’i dërgojë emër për mandatar. Duke e përjashtuar këtë mundësi, Presidenti ka vetëm dy rrugë tjera sipas nenit me të cilin e ka nisur kërkesën.
Rruga e parë: Do të presë të kalojë afati pesëmbëdhjetë ditor e pastaj do të kërkojë nga LDK-ja si parti e dytë e që ka shprehur interes për formim të qeverisë, që ajo t’i jap një emër për mandatar për formimin e një qeverie me partitë e PAN-it.
-Kjo do të nxiste LVV-në që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Rruga e dytë: Presidenti do të priste më shumë se pesëmbëdhjetë ditë, dhe në mungesë të një emri për mandatar, vet do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Do të thotë, në të dy rastet do të kërkohet ndihma e Gjykatës Kushtetuese për të dalur nga situata bllokuese e krijuar në këtë kohë pandemie.
Kjo nevojë për përballje të paevitueshme me Gjykatën Kushtetuese më shqetëson, sepse edhe sot ende e kam në mendje vendimin e saj të vitit 2014. Vendimi i asaj kohe e ndryshoi metodën e grupimit të deputetëve për formimin e qeverisë.
Vendimi i vitit 2014 quhej lexim apo interpretim, e në të vërtetë ishte devijim apo ndryshim i Kushtetutës. Ishte vendim nga një Gjykatë me Gjykatës të emëruar në mënyrë të dyshimtë e që quhej Gjykatë e kapur. Edhe sot nuk ka ndryshuar metoda e emërimit të gjykatësve dhe as rekrutuesit e tyre. Madje disa plotësime janë bërë me një vonesë të madhe duke i lënë vendet e zbrazëta dhe Gjykatën jofunksionale për një kohë të gjatë, mbase deri sa janë zgjedhur “adekuatët”.
Athua, çfarë do të ndryshoj një vendim potencial i Gjykatës Kushtetuese në ditët në vijim?
Duke qenë i dëshpëruar me leximin ose interpretimin e kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2014, pas kërkesës së bërë nga Presidentja Atifete Jahjaga, edhe duke pasur kohë të lirë në këtë periudhë të pandemisë, fillova ta lexoj edhe njëherë Kushtetutën gjithmonë i koncentruar në kapitujt dhe nenet që lidhen me formimin dhe prishjen e qeverisë, si dhe Aktgjykimin e vitit 2014.
Aktgjykimi erdhi në kohën e pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur Partia Demomratike kishte fituar më së shumti deputetë, ndërsa në anën tjetër LDK, LVV, AAK dhe Nisma kishin formuar një koalicion shumë të fuqishëm me emrin VLAN dhe synonin qeverinë. VLAN-i mbështetej në nenin 95 të Kushtetutës dhe në logjikën tashmë të formuar rreth njohurive të demokracisë, se shumica fiton të drejtën të formojë Qeverinë.
PDK mbeti e veçur, por jo edhe pa ide. Dikujt iu “kujtua” ideja se ai subjekt që ka dalur i pari në zgjedhje madje edhe për një deputet më shumë (siç thonin atëherë), ai subjekt e fiton të drejtën për ta formuar qeverinë. Me këtë ide “brilante” iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese e cila pas shqyrtimit doli me vendim final apo Aktgjykim. Ky Aktgjykim (i vitit 2014) duhet të lexohet me kujdes të shtuar sepse i mbivendoset Kushtetutës dhe në mënyrë të çuditëshme ia ndërron krejt logjikën e nenit 95 rrjedhimisht edhe të gjitha neneve tjera që lidhen me këtë nen.
Në Kushtetutën e para leximit (para Aktgjykimit), neni 95 paragrafi 1 thotë:
“Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e
nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Nga ky tekst secili nxënës që e ka përfunduar shkollën e mesme në gjuhën shqipe do ta ketë shumë të lehtë të kuptojë dhe të komentojë kuptimin e këtyre rreshtave. Thjesht nga ky tekst kuptojmë që secila parti ose grup partish (koalicion) që arrijnë ta formojnë shumicën e nevojshme (50%+1) e në rastin tonë janë 61 deputetë, e fiton të drejtën për ta propozuar mandatarin. Kjo edhe praktikisht, edhe logjikisht është korrekte, e për mendimin tim edhe demokratike. Sepse vetëm shumica vendosë në demokraci, e në të njejtën kohë nuk mund të formohen dy shumica me nga 61 deputetë (në rastin tonë kuvendi ka 120 deputetë), ose gjithsesi pjesa opozitare nuk do të mund të kishte më shumë se 59 deputetë.
Mirëpo në atë kohë, pra në vitin 2014 kjo ia mundësonte koalicionit në mes të LDK, LVV, AAK dhe Nisma (VLAN) ta caktonte mandatarin për formimin e qeverisë, e me atë rast PDK-ja do të mbetej në opozitë edhe pse PDK-ja kishte fituar më shumë deputetë se secila parti tjetër. Pas pengesave që bënte PDK-ja ndaj formimit të qeverisë së re me pretendimin se ajo kishte fituar më shumë deputetë se partitë e tjera, se kishte dalë e para dhe sipas saj ajo ishte fituese, rrjedhimisht e kërkonte mundësinë për ta formuar qeverinë, reagon Presidentja, Atifete Jahjaga, me kërkesën për shpjegim shtesë nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e shqyrton kërkesën dhe me datën 01.07.2014 del me Aktgjykim përfundimtar. Në materialin që i është bashkëngjitur Vendimit gjenden të dhënat të cilat janë shqyrtuar gjegjësisht që kanë qenë problem i këtij shqyrtimi.
Nga ky material vërehet se problem i vetëm që është dashur të zgjidhet ka qenë përcaktimi se kush është fitues i zgjedhjeve, rrjedhimisht kush ka të drejtë ta bëjë qeverinë. Ose në mënyrë edhe më të qartë, si duhet të interpretohet Kushtetuta në mënyrë që PDK-së t’i ipet e drejta për ta formuar qeverinë. Kjo nuk ishte e pamundur kur tashmë edhe rrugët flisnin se si ishin emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Për ta arritur këtë Gjykata e trajton nenin 95 paragrafi 1 duke e ndarë me sopatë në copa të vogla deri në vendin ku e nxjerrë një kuptim të deformuar. Po e jap në formë të shkurtuar.
Fjalia e plotë në nenin 95.1 gjatë shqyrtimit ndahet në këtë formë;
“Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend”
dhe pjesën tjetër e ndarë nga kjo; “për të formuar Qeverinë”.
Nga fjalia e parë Gjykata nxjerrë interpretimin e çuditshëm se partia e parë është ajo që ka fituar më së shumti ulëse në parlament dhe është parti fituese e që i bie të jetë PDK. Rrjedhimisht sipas Gjykatës vetëm kjo (partia e parë) ka të drejtë të dërgojë emrin për mandatar si parti fituese.
Fjalisë se dytë Gjykata ia bashkëngjitë edhe njëherë fjalën “e nevojshme” (sepse fjalia e cunguar ka ngelur pa kuptim logjik) dhe e interpreton se: Partia fituese është ajo që ka numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvend për ta furmuar shumicën, e këtë shumicë e verifikon kuvendi me votim ose mosvotim.
Këtu Gjykata e zëvendëson “pa qëllim” fjalën “nevojshëm”, me fjalën “mjaftueshëm”.
Gjykata shpjegon se partia ose koalicioni fitues është ai që ka fituar shumicën absolute ose relative të vendeve në Kuvend. Gjykata urdhëron se në cilin do vend të Kushtetutës ku është shënuar togfjalëshi; partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, të zëvendësohet me togfjalëshin e ri; partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën absolute ose relative në Kuvend.
Poashtu, Gjykata na këshillon se kuptimi i fjalisë së parë është krejt i njëjtë me kuptimin e fjalisë së dytë. Ndoshta ndonjë nxënës i PISA-s mund të besojë këtë.
Ky ishte një vendim i shëmtuar i Gjykatës Kushtetuese, në fakt ishte desant ndaj Kushtetutës të cilën është e thirrur ta mbrojë. Ishte akt mashtrimi sepse Gjykata tha se e ka interpretuar Kushtetutën e në fakt ka ndërhyrë brutalisht me ndryshime. Tani sipas këtij vendimi mjafton që një parti ose koalicion parazgjedhor të delë i pari që ta fitojë të drejtën për të filluar negociata, pazare e shantazhe me parti tjera, derisa t’i bindë për t’ia siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.
Në bazë të këtij vendimi PDK-së iu dha e drejta të formojë qeverinë. Ajo arriti të nxjerrë LDK-në nga VLAN-i me joshjen që i bëri Isa Mustafës me postin e kryeministrit. Kësisoj LDK-ja e pranoi pa asnjë kundërshtim vendimin e Gjykatës. Vendimin e pranuan edhe LVV, AAK dhe Nisma.
LVV e kishte të pamundur të kundërshtojë këtë vendim, sepse deri në atë kohë LVV kishte deponuar kundërshtime për korrupcion, kriminalitet e nepotizëm gati për të gjitha organet shtetërore përfshirë: qeverinë, ministritë, agjensionet, gjykatat e prokurorinë etj., dhe disi u tregua e durueshme ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë ky pranim ndodhte vetëm në rrafshin zyrtar, përndryshe individualisht, unë kam takuar shumë pak njerëz që pajtoheshin me këte vendim, ose, të gjithë ata që pajtoheshin ishin anëtarë partie ose sipatizantë të PDK-së apo LDK-së.

Në këto ditë të sotme ka zëra të rinjë që tani na tregojnë se edhe atëherë “nuk u pat pëlqyer” vendimi. Disa eksponentë të partive të sotme këtë e thanë edhe në emisione televizive.
A s’është kjo një përgatitje terreni, mbase për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta riparojë “gabimin” e bërë në vitin 2014?
Ndoshta, por sidoqoftë duke qenë të pranuara këto ndryshime Kushtetuese u mbajtën zgjedhjet e vitit 2017. Atëbotë koalicioni PAN kishte më shumë vende në Kuvend se sa partia më e madhe LVV, dhe pa asnjë kundërshtim PAN-i bashkë me Listën Serbska dhe minoritetet jo serbe e formoi qeverinë.
Zgjedhjet pasuese të vitit 2019 e nxorrën LVV-ën me më së shumti vende në kuvend, ose sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, LVV ishte parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe vetëm ajo kishte të drejtën për ta formuar qeverinë. Kjo u bë pas shumë diskutimeve me partinë LDK dhe pas pak ditëve qeveria u shkarkua me Mocion Mosbesimi, me datë, 25.03.2020.
***
E shkruaj tërë këtë histori me qëllim që të qartësohet dyshimi dhe frika ime që kam me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
LDK-ja si duket e ka përgatitur terrenin me partitë tjera para votimit të mocionit të mosbesimit edhe me idenë e të shkuarit në Gjykatë Kushtetuese. Nuk e kishin problem as shembullin e keq që u dhanë qytetarëve të Kosovës duke i shpërfillur këshillat e IKSHPK-së, për mbajtje të distancës dhe për mos grumbullim të shumë njerëzve në kohën e rrezikut të infektimit me COVID-19. LDK me të gjitha partitë tjera e bashkë me Listën Serbska rrezikuan shëndetin e qytetarëve të Kosovës për ta rrëzuar qeverinë e vlerësuar si më e mira deri më tani, e për ta vazhduar idenë e planifikuar më herët për një qeveri me partitë e PAN’it.
Egzistencën e këtij plani për një qeveri tjetër tërthorazi e konfirmuan edhe disa përfaqësues të LDK-së, duke treguar sabotimet e tyre gjatë kohës së qeverisjes së përbashkët por edhe para saj. Edhe koha e stërzgjatur e bisedimeve për marrëveshje për koalicion tregonte se diçka nuk ishte në rregull. Sidomos insistimi i LDK-së për mos e treguar emrin e kandidatit të mundshëm për president edhe në mua e ngriti dyshimin se mbrenda grupit negociues të LDK-së ka ide që dalin jashta koalicionit me LVV-në e me të cilën negociohej. Në grupe shokësh u kam thënë si me shaka: se LDK-ja e ka të pa mundur të japë publikisht emrin e presidentit sepse ai mund të jetë Hashim Thaçi.
Tani kur prej kësaj perspektive i kujtoj negociatat për koalicion, në të cilat nga LDK-ja merrnin pjesë ata që nuk i kishin fituar votat në zgjedhje, por që ishin po ata që kishin insistuar në zgjedhjen e Thaçit president, ma përforcon mendimin se këta e kanë një obligim jopublik për t’ia siguruar Thaçit mandatin e dytë të presidentit. Në anën tjetër LDK i ka hequr të gjitha pengesat me AAK-në dhe Nisma-n, dhe bashkë me Listën Serbska dhe me minoritetet e tjera e mbërrijnë numrin e nevojshëm të deputetëve për ta formuar qeverinë.
Në tjetrën anë, kanë arritur një pajtueshmëri të heshtur me PDK-në për ta ndihmuar me vota funksionimin e kësaj qeverie sa herë që kjo të jetë e nevojshme. Për këtë “konstruktivitet” PDK-ja do të shpërblehej me votimin e Presidentit për mandatin e dytë në pranverën e vitit të ardhshëm.
Krejt këto duken pazare, por këta, të pazareve janë. Asgjë e çuditshme!
Deri tani LDK dhe Thaçi tërë kohën kanë funksionuar mirë, ndërsa gjatë përgatitjes për rrëzim të qeverisë sinkronizimi i tyre ishte në nivelin më të lartë. Ju ka ngelur ta presin me padurim vendimin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese për ta realizuar planin për një qeveri pa LVV- në.
Duke marrë parasyshë Aktgjykimin e vitit 2014 i cili vetëm partisë së parë ia njeh të drejtën për ta formuar qeverinë, kushtetuta nuk lë hapësirë për të dyshuar se opsioni i zgjedhjeve të reja është i vetmi opsion i mundur në këtë rast. Asnjë nen në Kushtetutë përveç nenit 82.2 nuk e permend mocionin e mosbesimit, e ky nen ia jep mundësinë Presidentit për ta shprëndarë parlamentin e për ta dërguar vendin në zgjedhje. Presidenti nuk është i obliguar të shprëndajë tani parlamentin! Ai mund të presë deri sa të kalojë periudha e kufizimeve për shkak të koronavirusit. Edhe Qeveria në Detyrë duhet të kryejë detyrat e saj deri sa të krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas periudhës së pandemisë.
Kjo, për mendimin tim do të ishte zgjidhja më e mirë e problemit që e kemi tani, e i cili mund të rritet pas ndonjë vendimi potencial e kontravers si ai i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese.
Në atë kohë, unë nuk kam reaguar publikisht, por vetëm kam sharë vetmevete. Kështu kanë vepruar edhe shumë e shumë qytetarë tjerë të këtij vendì. Dashurinë e tyre për këtë vend qytetarët e kanë shprehur qetësisht duke e respektuar këtë vendim të papritur të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata nuk mund të llogaritë në qetësinë dhe respektin e përhershëm të qytetarëve të urtë të Kosovës edhe pas ndonjë vendimi kontravers të përsëritur e në interes të sekserëve të njëjtë.
Pas gjithë këtyre pazareve e amoraliteteve politike, pas thyerjes së shpresës së lindur për ndryshim, pas heçjes së maskave të shumë deputetëve të vjetër e të zgjedhur rishtas, pas rigrupimeve të partive në kundërshtim me premtimet paraelektorale, vendi duhet të shkojë në zgjedhje për ta marrë besimin e ri nga sovrani. Kështu sigurojmë paqe për të gjithë dhe qeveri te re me legjitimitet të pa kontestuar.
– Autori është Inxh. i makinerisë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura