ADNAN ABRASHI: PENEROLOGJIA POLITIKE

(Prizren, 17. 01. 2012) – “E keqja më e madhe që mund të bëhet, është t’i japësh vetë të keqes përmasat e një rëndësie të jashtëzakonshme”. – O. Uajlldi. 14 janari ishte tmerr! Katrahurë! Për shumë kë, diçka e pabesueshme se kështu mund të veproj një pushtet që vetes i thotë demokratik. Por jo të gjithë mendojnë ashtu. Së paku, jo edhe ata që e kanë ditur dhe parathënë me kohë një gjë të tillë. Unë, ta zëmë, me këtë rast, mund t’i besoj gjithë atyre arsyetimeve shabllone dhe shterpe të qeveritarëve tanë se, shteti ligjor në këto raste, me të gjitha instrumentet e veta disponuese e mbron me çdo mjet qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në vendkalimet e veta doganore, parime këto që konsiderohen si vlera esenciale të botës së përparuar demokratike, por, para gjithë atyre skenave trishtuese të aplikimit më çnjerëzor të kësaj dhune që pamë në të cilën nuk janë kursyer as pleq, gra, fëmijë dhe invalid në karroca invalidore, si ta bindi veten se vërtetë ishte i tillë ky intervenim?!! Përgjithësisht, gjatë gjithë kohës së zhvillimit të shoqërive të ndryshme gjatë historisë nëpër botë, në shumë strukturat e saja organizative, përveç atyre njerëzve profesionist, të mençur, të urtë dhe të përkushtuar, përherë kemi hasur edhe në injorantë, mediokër dhe jo/inteligjentë, andaj, varësisht nga niveli i përfaqësimit të tyre në këto struktura përgjegjëse shoqërore, zakonisht dukurinë në fjalë e kemi konsideruar si diçka normale. Por kur kjo kategori njerëzish arin të futet në nivelin e aparatit të fuqishëm organizativ shtetëror, atëherë, ardhmëria e asaj shoqërie, gjithmonë rrezikohet dhe dikur patjetër përfundon në diktaturë.
Penerologjia politike
Për ta kuptuar edhe më afër se sa mund të jetë i rrezikshëm një pushtet në dorë të disa njerëzve të çakorduar nga paniku i ndjeshmërisë paranoide të ofrimit të humbjes së saj, mu deshtë që t’i rikthehem edhe një herë së lexuari librit: “PENEROLOGJIA POLITIKE – studim shkencor mbi natyrën e “SË KEQES”, e adaptuar për qëllime politike”, të autorit, Andrew M. Lobaczewski. Për ata që nuk e dinë, Penerologjia është emri për një dege të re të shkencës së psikologjisë që merret me studimin e fenomenit të së KEQES në përgjithësi. Ndërsa, libri konkret ka të bej me trajtimin e kësaj dukurie të shprehur në kuptimin edhe më të ngushtë: analizës psiko-etike të mentalitetit të elitës politike të një shoqërie. Lavdi përjashtimeve, kuptohet, por gjatë tërë kohës sa e lexoja këtë vepër interesante shkencore të shembujve të përshkrimit psiko – analitik të tipareve të personaliteteve politike nga autori në atë libër, në parafytyrimet e mija gjithnjë në mendje më shkonte krahasimi tek politikanët tanë kosovar. I nxitur nga ndjeshmëria e situatës dhe korrektësia e mos keqkuptimit eventual nga disa të kësaj teme nga ky libër, atë do ta lëmë që më gjerësisht ta trajtojmë ndonjëherë tjetër. A thua, me këtë mendësi kështu, kah po na shkon kjo shoqëri e jona? Sa kemi në të udhëheqës dhe vendimmarrës të mençur, e sa të urtë?! Ndoshta në mençurinë e disave mund të hasësh aty, por sinqerisht dyshoj se edhe në urtësinë e tyre… Këtë e kam thënë disa herë dhe mbase duhet ta përsërisë ende: Urtësia dallon shumë prej mençurisë! MENÇURIA është intelekti, ndërsa URTËSIA- inteligjenca, dy vlera këto të kundërta në mes vete që mundet t’i posedoj një njeri! E para në vete ngërthen dijen dhe mendjen, ndërsa e dyta e pasuron një personalitet me një nivel të lartë të ngritjes shpirtërore.
Mençuria dhe urtësia
Nga të gjitha vlerat e njeriut, thuhet se mendja është më së miri e shpërndarë në botë, sepse askush nuk ankohet se i mungon. Por, sado që të jemi të kënaqur me mendjen dhe inteligjencën tonë, realiteti i përditshëm na dëshmon të kundërtën: mbi pamundësitë, kufizimet intelektuale dhe marrëzinë tonë, e mos të flasim për urtësinë, e cila ndoshta edhe nuk ekziston fare. Por, në këtë kohë që gjendemi ne sot, edhe sikur të kishim shumë mend, nuk do të na mjaftonte. Sepse, përveç mendjes dhe mençurisë, na duhet edhe urtësia. Po, po! Edhe URTËSIA! Sepse këto të dyja në mes veti janë tejet të kundërta. Me dijeni nënkuptojmë, që nga njohja dhe mbajtja në mend e shumë të dhënave e shënimeve që na ofrohen në çdo çast, e gjeri tek intelekti që na formon si intelektual. Fatmirësisht, këso “dijetar” kemi mjaft dhe në çdo vend, e më së shumti aty ku vendoset nga lartë – Në PUSHTET. Mos vallë mu për këtë shkak sot e kemi gjendjen ashtu siç e kemi? Si shoqëri jemi aty ku jemi?!
E, urtësia? Çka është urtësia?
Urtësia është shumë më e lartë se vetë intelekti dhe tërë mençuria së bashku. Ajo vendos shpejtë dhe drejtë. S’ka gabime dhe nuk frikësohet nga askush, e më së paku nga vetja. është aftësia e Zotit e ndërtuar gjatë dhe me vrojtim të qartë në rrjedhën e gjërave. Ajo i gjen shkaktarët në pasoja, dallon realitetin nga iluzionet, vlerëson saktë ç’është patjetër për momentin, është e panënshtrueshme para emocioneve dhe instinkteve momentale. Nuk është egocentrike dhe në gjykime është tejet e shpejtë dhe e qartë. Në të s’ka kokëfortësi, por vendosmëri, nuk është imponuese dhe zëdhënëse, por është e patjetërsueshme, sepse në vete përmban forcën e madhe të realitetit. Urtësia sot na nevojitet shumë dhe më së tepërmi, por ku ta gjejmë atë? A ekziston? E k z i s t o n! Por, jo në vendet ku vendoset. Fatëkeqësisht ajo nuk gjendet aty, sepse nuk di të vardiset, nuk imponohet dhe as lajkaton, prandaj edhe me arsye të plotë nuk është në pushtet ku ne jemi mësuar ta kërkojmë. Fare nuk është çudi pse ajo nuk është në pushtet, por duhet të jetë çudi pse pushteti nuk i këshillon ata që e kanë këtë aftësi, së paku për të pasur edhe me se të lavdërohen si zakonisht, se urtësia e dikujt është e tyre.
Për këtë veprim të urtë kurr nuk është vonë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura