Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – Në muajin shkurt 1997 shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, u ka shkruar një letër proteste: Amnesty International’it, Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës si dhe ministrave të jashtëm të vendeve kryesore Perëndimit, për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit.
Zotëri (Zonjë)
E ndjej për detyrë njerëzore të shpreh protestën time kundër mbajtjes në burg të intelektualit të njohur të Kosovës, Ukshin Hotit. Është e papranueshme që ky personalitet i shkolluar në Zagreb, ku ka kryer fakultetin e shkencave politike, në Beograd, studimet post-diplomike dhe ekonomike ndërkombëtare, pas të cilave u specializua në universitetet amerikane të Ҫikagos, të Harvardit në Kembrixh – Boston dhe në Washington D.C. të mbahet edhe sot e kësaj dite në burgjet e Serbisë vetëm se ka shprehur mendimin dhe bindjen e vet në mënyrë të lirë e demokratike, ashtu siç e pati mësuar shkenca e politikës.
Është turp për njerëzit me ndërgjegje të lirë të mbahet në burg ky njeri i shquar, që është ndër politikanët e parë të ish-vendeve socialiste që inicoi teorikisht dhe praktikisht lindjen e demokracisë, kërkoi zhvillim më të shpejtuar të Kosovës, vendi më i prapambetur i ish-Jugosllavisë, e arsyetoi shkencërisht statusin e saj në Republikë dhe i mbrojti me këmbëngulje marrëdhëniet e jashtme të Kosovës me SHBA.
Është një fakt i njohur se këto marrëdhënie panë dritë nga angazhimi personal i tij sepse ishte Ministri i Parë i Jashtëm i Kosovës. Pas suprimimit mizorë të autonomisë së Kosovës më 1981, ky personalitet i shquar i jetës politike u dënua me 9 vjet burg nga organet e atëhershme shtetërore të Jugosllavisë. Serbia e sotme po mban në zingjirë njeriun që ishte anëtar pothuaj i të gjitha forumeve federale të ish-Jugosllavisë, që merreshin me politikë ndërkombëtare, e që për tërë veprimtarinë e tij kurrë e askund nuk është dëshmuar ndonjë veprimtari e dëmshme që do të arsyetonte dënimin e tij të parë (9 vjet), të dytë (disa muaj) dhe dënimi i tretë (5 vjet), dënim të cilin ende është duke e vuajtur sot në burg.
Është e papranueshme për moralin njerëzor të mbahet në burg personaliteti i parë në Kosovë që kontribuoi praktikisht në jetësimin e demokracisë dhe të drejtave njerëzore atje dhe që pas masakrës së 27 janarit 1990 (një nga masakrat e shumta kundër shqiptarëve, pati forcën të thotë: “Rruga për në Evropë s’mund të jetë rruga e shtruar me plumba, por liria e shprehjes së lirë të mendimit, të këmbimit të mallërave dhe ideve”.
S’më habit realiteti i Serbisë, ashtu siç është sot, që përpiqet edhe në këtë mënyrë t’i mbysë kokat e mendimit të lirë, por më brengos thellë heshtja e institucioneve përkatëse ndërkombëtare, që kalojnë çdo ditë skaj krimit që po bëhet sot në Kosovë. Numri i të burgosurve politikë në Kosovë sot po shtohet gjithnjë e më tepër e unë nuk dua dhe nuk mund ta besoj se Evropa, SHBA-të dhe institucionet e tjera ndërkombëtare si Amnesty Internacional do ta lejojnë edhe më tej krimin e egër të Serbisë mu në mesin e Evropës, në këtë prag miëvjeçari të tretë.
Me respekt,
Ismail Kadare
Shkrimtar dhe akademik,
Anëtar i institutit të Francës
Paris, shkurt 1997