ISMAIL SYLA: ‘MASHTRIMI I MADH’ – NJË LIBËR QË ZHVESH ‘LIBRAT E BARDHË’ TE QEVERISË SERBE

Prishtinë, 07. 11. 2015: (Bardhyl Mahmuti, Mashtrimi i Madh, Çabej 2015) – Libri “Mashtrimi i Madh” i autorit Bardhyl Mahmuti është vepra më sistematike dhe më gjithëpërfshirëse në gjuhën shqipe përballë një mal librash “të bardhë” të qeverisë dhe administratës serbe që si objekt kanë stigmatizimin e luftës së organizatës më të suksesshme politiko-ushtarake shqiptare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur lexon dy pjesët e librit, prej të cilave mund të dalin tri vepra më vete, (Gjenocidi, Antiamerikanizimi dhe Shtetndërtimi) të dhënat, sistemimin e tyre, rrjedhën kohore të ngjarjeve, pikëvështrimin serb, çmontimin e këtij pikëvështrimi, zhveshjen dhe dekompozimin e tij, nuk ke si të mos ndjesh se je duke u ballafaquar me një aparat shtetëror të organizuar si në aspektin politik, ashtu edhe atë policor, ushtarak (në terren), por edhe propagandistik, brenda opinionit publik serb dhe me ndikimi në qarqet ndërkombëtare, me tendencë të gjithë pranisë dhe falsifikimit të ngjarjeve.
Autori me durim dhe kulturë akademike arrin t’i paraqes disa nga ngjarjet kyçe të viteve 1998-1999, me theks të veçantë, por edhe të plotë si: Kleçka, “Panda” dhe Reçaku. Duke nxjerrë të vërtetën, autori ndjek linjën kronologjike të këtyre tri ngjarjeve, versionin që përpiqet ta shes shteti serb, aktorët e këtij falsifikimi, ku hyjnë gjyqtarët, prokurorët, gazetarët, analistët ushtarakë dhe autoritetet e larta shtetërore serbe.
Me kalimin e kohës, si rezultat i kundërthënieve të brendshme, por mbi të gjitha si ngadhënjim i të vërtetës, zë fill zbardhja e ngjarjeve, duke e nxjerrë në pah inskenimin vetë burimet serbe, apo ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e cila në çdo kohë është racionale, e paanshme dhe realiste, si kryesuesi i OSBE-së ambasadori William Walker, (ky është krim kundër njerëzimit, për vrasjen e civilëve shqiptar në fshatin Reçak) ose shefja e ekipit mjekoligjor evropian finlandezja Helena Ranta, e cila thotë se “nuk bëhej fjalë për asgjë tjetër pos për fshatarë të paarmatosur, të cilët ishin vrarë në ato tesha që kishin pasur të veshura.” (f.110).

Duke lexuar, p.sh. rastin “Kleçka”, mënyrën se si e dizajnon gjyqtarja dhe gazetarët serb, detyrimin e pranimit të fajësisë para kamerave të “autorëve” të “krimit” nuk ke si të mos e përjetosh si një lexim dramatik ardhjen e momentit kur fillon zhveshja e versionit serb, pikërisht nga burimet serbe. Brenda logjikës falsifikatore, brenda kurdisjes nuk del vetëm dhuna fizike dhe psikologjike mbi viktimat që ta pranojnë fajin forcërisht, por mbi të gjitha del natyra e një shteti që mbi një shekull ka ushtruar dhunë sistematike kundër shqiptarëve të Kosovës.
Autori në këtë libër deri në fund arrin ta zbërthejë qëllimin përfundimtar të politikë antishqiptare të Beogradit: gjenocidin. Rrahjet, ndjekjet, shpërnguljet kulmojnë edhe me vrasjen e njerëzve me motive skajshmërisht kundërnjerëzore me gjenocid. Autori arrin ta argumentojë faktin se në thelbin e politikës shtetërore të Milosheviqit kundër Kosovës, por edhe në luftërat e mëparshme në Bosnjë dhe Kroaci, ishte gjenocidi, vrasja e paramenduar që ka për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm të një kombi, etnie, race apo feje si të tillë. Duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare autori arrin që ta dëshmojë se vrasjet, dëbimi i shqiptarëve dhe dhunimi i femrave në Kosovë u bë në funksion të shkatërrimit të shqiptarëve si të tillë. (Kapitulli i 5 dhe gjashtë i pjesës së parë të librit përbën argumentimin shkencor të gjenocidit serb në Kosovë).
Duke u bazuar në të dhëna të sakta, mbi qindra e qindra burime, autori arrin që të gjejë gjithë kundërthëniet e shënimeve qoftë brenda “Librit të Bardhë” qoftë në deklarimet e pjesës së zhgënjyer të aparatit të dhunës, qoftë edhe tek gazetarët e rrallë serbë që ishin zëra të vetmuar kundër regjimit të Milosheviqit.
Nuk ka si të mos mbesin në mendje gjatë rrëfimet kur policët serbë “vranë çobanët e paarmatosur, që nuk kishin as thikë për të prerë bukën.” (f. 48), nënën dhe fëmijën me të meta sepse “nuk kishim nevojë për dëshmitarë” (f.49), tregimi për kokën e zier dhe kafkën e shndërruar në llambë tavoline (f.49) deri tek vrasja e foshnjës në djep me arsyetimin se “më i mirë është shqiptari i vdekur se shqiptari i gjallë” (f.49). Argumentet e shumta që sjell autori dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se qëllimi i politikës serbe në Kosovë ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i shqiptarëve si të tillë.
Ne këtë kontekst duhet të shihet edhe strategjia serbe për mohimin e qëllimit të tillë. Autori mbështetet te nocioni “Negacionizëm” për të ndriçuar arsyet e mohimit të qëllimit të tillë, sepse ky nocion “nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës.” (f.265).
Kjo strategji sqaron arsyet pse “u vendos që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dh, në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…) (f.79).
Në çmontimin e kësaj strategjia Bardhyl Mahmuti aplikon një qasje origjinale: ai bazohet ekskluzivisht në burime të pakontestueshme serbe siç janë dëshmitë e Vuk Drashkoviqit, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe përgjegjësit për politikë të jashtme dhe në dëshmitë e Radomir Markoviqit, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i cili udhëhiqte eskadronet e vdekjes.
***
Në librin “Mashtrimi i Madh” janë evidentuar me pedanteri idetë dhe konceptet e lagjes së publicistëve, eseistëve, sociologëve, historianëve, gazetarëve, filozofëve dhe intelektualëve të fushave të ndryshme por që kishin emërues të përbashkët ANTIAMERIKANIZMIN si këndvështrim ideologjik. Verbimi ideologjik me antiamerikanizëm bëri që historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, politikanë dhe prokurorë, të orientimit të djathtë e të majtë u mobilizuan për ta “mbrojtur Evropën nga imperializmi amerikan”. Ky këndvështrim ideologjik shpjegon faktin pse u ndodhën në një front të përbashkët figura të shquara të skenës politike dhe intelektuale evropiane nga spektri i ekstremit të djathtë deri te spektri i ekstremit të majtë. Vetëm antiamerikanizmi mund t’i bashkonte në një front njerëz si Dick Marty, Carla Del Ponte, Christophe Châtelot-ja, Renaud Girard-i, Regis Debray-ja, Bo Adami, Jürgen Elsässer-i, Patrick Barriot-i, John Laughland-i, Serge Halimi, Jean-Marie Lepen-i, Dominique Vidal-i, Bernard Lugan-i, Dominique Venner-i, Philippe Conrad-i, Jean-Arnauld Derens-i, Pierre Péan-i, Xavier Raufer-i… (f.560).
Autorë të kësaj lagjeje injorojnë në tërësi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe atë e shohin vetëm në funksion të pretekstit që të intervenojë NATO, e cila për ta nuk është asgjë tjetër pos instrument për nënshtrimin ushtarak dhe politik të Evropës perëndimore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (513).
Edhe pas përfundimit të luftës kjo fushatë nuk u ndërpre. Fatkeqësisht, si rezultat i mobilizimit të tillë sot me miliona faqe interneti, libra, artikuj dhe analiza stigma¬tizojnë UÇK-në si organizatë “terroriste” që ka vrarë civilë të pafajshëm.(f.560) . Fushata u intensifikua sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Për intelektualët, politikanët dhe juristët e këndvështrimit ideologjik antiamerikan të cilët ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e shihnin si të paligjshme vazhduan ta konsiderojnë shpalljen e pavarësisë si të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Në analizën shkencore autori argumenton se as ndërhyrja ushtarake e NATO-s (Kapitulli i katërt) e as shpallja e pavarësisë së Kosovës (Kapitulli i shtatë) nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Analizat e këtyre çështjeve në raport me të drejtën ndërkombëtare janë të domosdoshme për të nxjerrë në shesh se mobilizimet e dikurshme kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe kundër pavarësisë së Kosovës nuk kanë asnjë bazë shkencore. Përkundrazi, në themelet e kësaj logjike qëndron antiamerikanizmi si këndvështrim ideologjik.
Kjo qasje na mundëson që të shohim motivet e vërteta të mobilizimeve që mohojnë të drejtën e pavarësisë së Kosovës.
Pjesa e dytë e librit i kushtohet çmontimit të nocioneve që ishin konstruktuar për të stigmatizuar shqiptarët në përgjithësi dhe UÇK-në në veçanti. Nga të gjitha nocionet që ishin krijuar për të njollosur shqiptarët autori ndalet në tri nocionet më të theksuara nga ata që kishin hyrë në procesin e kumbarisë së nocioneve të fabrikuara nga propaganda serbe: “fundamentalizëm islamik”, “marksizëm-leninizmi i tipit stalinist” dhe “mafia shqiptare”.
Bardhyl Mahmuti tërheqë vëmendjen se “sado paradoksale t’i duket dikujt që një grup i caktuar të stigmatizohet në të njëjtën kohë si “fundamentalist islamik” dhe si i majtë ekstrem i tipit stalinist të Enver Hoxhës, pra ekstremist fetar dhe ithtar i ideologjisë që kishte ndaluar besimin fetar në Shqipëri, teksti i përgatitur nga shërbimet sekrete jugosllave dhe serbe kundër UÇK-së” synonte që të gjejë sa më shumë ithtarë. Antimarksistët të shohin UÇK-në si strukturë marksiste ndërsa ata që janë të irrituar nga terrorizmi i fundamentalizmit islamik ta shohin UÇK-në si organizatë të tillë terroriste.
Autori ka arritur me mjeshtri të përmbysë kualifikimin e shoqërisë shqiptare si shoqëri klanore, të nxjerrë në shesh se prapa këtij kualifikimi qëndron përpjekja për të krijuar kontekstin shoqëror të funksionimit të mafies, si formë më e lartë e organizimit kriminal. Krijim i nocionit “mafia shqiptare” shërben si urë lidhëse në mes dy nocioneve të lartpërmendura.
Duke u mbështetur në faktet e pakontestueshme të botimeve zyrtare të shtetit serb Bardhyl Mahmuti argumentoi se nocioni “Mafia shqiptare” është nocion i konstruktuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe se asnjë kriter shkencor historik, antropologjik e as sociologjik nuk lejon që ky nocion të përdoret për hapësirën shoqërore shqiptare. “Mafia shqiptare” nuk ekziston siç nuk ekzistojnë as “kumbarët e mafies shqiptare”. Përkundrazi, autori duke u mbështetur në “kumbarinë” si nocion i marketingut, ku publiciteti bëhet me kosto shumë të vogël, (f.431) nxori në shesh motivet e vërteta të atyre që hynë në procesin e kumbarisë të promovojnë «produktet» e sajuara nga Shërbimet Sekrete Serbe.
Në këtë kontekst duhet të shihet ndër të tjera edhe libri i ish prokurores së Tribunalit të Hagës Carla Del Ponte “Përndjekja, unë dhe kriminelët e luftës” nga i cili mediet veçuan thënien se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një “ndërmarrje kriminale që kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u kishin hequr organet vitale për t’i shitur në klinika jashtë shtetit”! (f.388)
Ky libër, në kontekstin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shërbeu si cytës i mobilizimeve të reja të personaliteteve të moçme. Vetëm në raport me shpalljen e pavarësisë duhet të shihen edhe mobilizimet e qarqeve serbe dhe ruse në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe dorëzimin e Projekt rezolutës për hetimet lidhur me supozimet e Carla Del Pontes dhe iniciativa e Delegacioneve parlamentare zvicerane dhe suedeze, për të hapur debat në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me “pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
Akuza për trafikim organesh nga ana e UÇK-së është akuzë që është hedhur poshtë nga shumica e atyre që i njohin mirë zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit. Për dallim nga të gjithë ata të cilët e cilësojnë këtë akuzë si të motivuar ideologjikisht dhe politikisht Bardhyl Mahmuti në veprën e vet i nxjerr në shesh se cilat janë motivet ideologjike dhe politike të bartësve të kësaj akuze. Ai sjell prova të pakontestueshme se prapa kësaj akuze qëndron Shërbimi Sekret Serb (f.424), zbulon për publikun se kush ia dorëzoi Carla Del Pontes mbi 27000 faqe materiale të përgatitura nga ky shërbim (f. 448-449), cilët ishin faktorët që ndikuan që Komisioni për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës të emërojë Dick Marty-n në kryet të ekipit që do të raportonte për këtë çështje. (f.388-389)
Libri “Mashtrimi i madh” zhvesh arsyet e vërteta të kësaj fushate sidomos gjatë periudhës kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhej të jepte qëndrimet e veta lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për të hedhur poshtë këto akuza të pabaza mund t’u referohemi ekspertëve të ndryshëm botëror, specialist të transplantimeve të organeve njerëzore. Por, autori edhe në këtë rast gjen ekspertin më të njohur serb të kirurgjisë vaskulare, Goran Kronjan, i cili ka qenë shef i ekipit për transplantimin e organeve në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd. Secili lexues që do të lexojë Kapitullin e Dytë të Pjesës së dytë (f.445-499) do të bindet se Bardhyl Mahmuti ka gjetur mënyrën më të mirë për t’i çmontuar tërësisht akuzat e tilla.
Libri “Mashtrimi i Madh” ka një koherencë edhe në strukturimin e vet. Kapitulli i parë i librit fillon me akuzat që i visheshin UÇK-së për gjoja vrasjen e civilëve në Kosovë. Gjatë tërë librit argumentohet se kush qëndron prapa këtyre vrasjeve. Por, kapitulli i fundit i librit (f.499-550) çmonton listat e civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive tjera etnike të vrarë dhe të zhdukur që i visheshin UÇK-së.
Është rrëqethëse kur shohim në këto lista që i vishen UÇK-së emrat Fehmi Aganit, Gafurr Lokut, Agim Hajrizit, Latif Berishës, Bajram Kelmendit dhe veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare.
Të gjithë atyre që ende kanë dilemën më të vogël se kush qëndronte prapa këtyre vrasjeve libri i Bardhyl Mahmutit u sjell argumente të shumta të cilat nuk mund t’i kontestojë askush.
Ky shkrim meriton të mbyllet me fjalët sintetizuese të autorit Bardhyl Mahmuti:
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjarët e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe të rreth 10000 civilëve shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë presin ngadhënjimin e drejtësisë! Familjarët e 1657 personave të cilët ende konsiderohen të zhdukur jetojnë në ankthin e përditshëm të zbulimit të rrethanave të zhdukjes së tyre.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë 20.400 femra shqiptare, të përdhunuara në funksion të zbatimit të politikës së gjenocidit, presin dënimin e kriminelëve!
Plagët e hapura nga lufta gjenocidare e regjimit të Milošević-it nuk mund të shërohen pa ndriçimin e plotë të të gjitha krimeve. Mbeturinat e regjimit të vjetër dhe kumbarët e nocioneve që stigmatizonin UÇK-në si “organizatë terroriste” janë bërë pengesa kryesore që të dalë në shesh e vërteta e plotë. Ajo e vërtetë për “listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret Serb kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë që do ta rrëzonte në gjunjë Serbinë.”
Gjunjëzimi i Serbisë së Milošević-it, logjika e të cilit ende mbizotëron në institucionet shtetërore, është kusht i domosdo¬shëm për ngadhënjimin e demokracisë në Serbi dhe do të hapte rrugën e pajtimit mes popujve. (556)
“Kosova dhe gjithë rajoni kanë nevojë për DREJTËSI! Po e përsëris se vetëm ndriçimi i plotë i krimeve të kryera dhe dënimi i kriminelëve të vërtetë do të krijonte premisat e nevojshme për pajtimin mes popujve dhe mbylljen e kapitullit më tragjik të shekullit XX-të”. 557.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura