Mynih, 11 mars 2020: Libër interesant nga Fetah Berisha
Është libër mbi themelimin, veprimtarinë, synimet dhe të arriturat e LDK-së në Rahovec dhe rrethinë.
Biblioteka „Rrapi“
Libri u botua në Shtëpinë Botuese „ FIDANI“, në vitin 2014, shtypshkronja
„SIPRINT“, në Prizren.
Libri, gjithësejt i ka 334 faqe, të formatit 14cm.X21cm., që prej faqes 33 e deri te faqja 48, mungojnë gjithsejt 18 faqe!
STRUKTURA E LIBRIT
– Literatura
– Shtypi
– Përmbajtja
– Pjesa e parë ( e përmbajtjes, vër. ime, IB)
– Kapitulli i parë
– Kapitulli i dytë
– Kapitulli i tretë
– Kapitulli i katërt
– Kapitulli i Pestë
– Kapitulli i gjashtë
– Kapitulli i shtatë
PJESA E DYTË
Sponzor:
Kopertina
Libri është mjaft interesant, ku autori e përfshinë gjithë veprimtarinë e LDK-së, në Komunën e Rahovecit dhe, në kuadër të gjithë kësaj veprimtarie, në qendër të vëmendjes së autorit, natyrisht, që vetë autori është si rrëfyes i ngjarjeve dhe personazh i tyre!
Që në fillim të librit, autori i shkruan, këto vargje patetike, me të cilat paraqet lutjen e zotit të tij personal e ideal, presidentit të ndjerë z. Dr. Ibrahim Rugova:
„Dr. IBRAHIM RUGOVA MË 12 QERSHOR 1999“
(Këtu, qëndron stema e flamurit të Dardanisë, vër. ime: IB)
« Lutje Zotit »
Të lutemi o Zot
Për lirinë që na fale
Të lutemi o Zot
Për kthimin tonë
Në Kosovën tonë
Në tokën tonë
Të falemi Ty
Për këtë mrekulli
O Zot
« Lutje e Presidentit të Republikës së Kosovës
Dr. Ibrahim Rugova“
12 Qershor 1999“
Fetah Berisha, u lind në fshatin Drenoc të komunës së Rahovecit. Është magjistër për Gjuhë e Letërsi Shqipe dhe ka punuar si arsimtar në shkollën fillore në Drenoc, në Gjimnazin e Rahovecit dhe në shkollën tetëvjeçare „Pjetër Bogdani“, në Prishtinë, ndërsa tani është në pension.
Aktivitetet politike të Fetah Berishës (sipas autorit të librit) :
Ishte pjesëtar i demostratave të viteve 1968 dhe 1981 dhe, për këtë shkak u denua disa herë nga regjimi serbo-jugosllav. Ndërsa në vitin 1990 u kyç në LDK dhe është njëri ndër themeluesit e LDK-së, në Rahovec dhe themelimin e institucioneve tjera të pavarura. Mori pjesë në pajtimin e gjaqeve dhe në vitin 1992 edhe 2004 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës.
Herë pas here është marrë me shkrime e, në dorëshkrim i ka edhe dy vepra, duke i përgatitur për shkrim, që ndoshta deri më tani, janë botuar.
Libri, përveç shkrimit që ka, në te, ka edhe fotografi të ndryshme, që e bëjnë librin më interesatë!
Libri „ LDK E RUGOVËS NË RAHOVEC“ Monografi, është libër publicistik dhe, me kujdes, autori i radhitë, pothuaj se të gjitha takimet, që nga kuvendi i parë e, deri në takimet e Fetah Berishës me disa miq, natyrisht, që të partisë, nëpër oda e familje të Rahovecit, me rrethinë.
Me kujdes, autori e paraqet gjendjen e rëndë ekonomike, shoqërore, politike dhe shtypjen, që ushtronte Sllobodan Millosheviqi me regjimin e tij fashist, në bashkëpunim me Akademinë e shkencave të Serbisë dhe Kishën ortodokse serbe, mbi shqiptarët e Kosovës, por edhe në të gjitha trojet e ish-Jugosllavisë!
Në librin publicistik të Fetah Berishës, që lirisht mund të themi se ky është një procesverbal partiak! Mbi të gjitha, paraqitet shtypja e shqiptarëve, në aspektin politik, shoqëror dhe njerëzor, nga regjimi serb! Ai e trajton edhe gjendjen; ekonomike të shqiptarëve, gjendjen sociale, kulturore e sistemin shkollor, në Kosovë! Pra, të gjitha masat e dhunshme, që i ushtronte regjimi okupues serb, mbi popullin shumicë të shqiptarëve të Kosovës!
Aq sa është libër intersant, për ta lexuar, poaq edhe monoton bëhet, për shkak të paraqitjes së atyre mbledhjeve dhe procesverbaleve të tyre, në mënyrë të përsëritshme dhe monotone!
Këtu, paraqiten edhe organizimet e kontakteve me personalitete shqiptare të rrethinës së Rahovecit, persona joshqiptarë, glorifikimi i tyre e, sidomos i figurës së Dr. Ibrahim Rugovës e, herë pas here figurën e vet, autori e ngrit, pavetëdije, më lart se të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova!
Ndërsa, bashkëpunimin, komunikimin dhe pozitën në raport me Mr. Ukshin Hotin, duket se e vlerëson, në këtë libër, në mënyrë të njëanshme! Por, jo vetëm kaq! Figurën e Ukshin Hotit e minimizon deri në skajshmëri, gjoja se ai ishte i mirë e patriot, por nuk ishte i aftë, s’kishte vizion dhe se nuk merrte vota, aq sa Fetahu i „Madh“ i berishëve të Drenocit të Zatriçit!
Shih se çka shkruan Fetahu, për figurën e Ukshin Hotit:
„ Një ditë më erdhi në zyrë të LDK-së. Më tregoi se Partia e UNIKOMB-it i kishte ofruar aderim dhe udhëheqje të kësaj partie. Unë nuk ia miratova këtë ofertë. Pse nuk më mbështet?- më pyeti. Sepse të çmoj sinqerisht. Të kisha sugjeruar, i thashë, të kaloni nga Krusha në Prishtinë, të ligjërosh në fakultet“ Fq. 102.
Përveç se është cinik, për figurën e Ukshin Hotit, Paraqitja, bëhet në mënyrë konfuze dhe me sintaksë të thjeshtë e me emocione! Autori, me djallëzi e paraqet personalitetin e Ukshin Hotit, inferior e të denigruar! Që, jo se nuk besohet se e ka lutur Fetahun e berishajve të Drenocit të Zatriçit, por Ukshin Hoti, me karakterin e tij të fortë dhe qëndrimin e tij të prerë, që kishte, as tanksave pushtuese serbe nuk ua ka lëshuar rrugën e, lere, t’i përkulej Fetahut të vogël të Berishës!
Përveç këtyre, autori, përshkrimin e mbajtjes së zgjedhjeve, në nivel komunal, shumë herë nuk e definon se kur dhe ku u mbajtën!
Ndërsa, kur bije fjala e zgjedhjeve dhe kandidatit për kryetar të LDK-së, për Rahoves, vërtet se ishte Avdi Kastrati, kandidat për kryetar, që deri në ato ditë ishte anëtar i kryesisë së Komitetit komunal! Që, kur u fut në garë për kryetar, përballë Ukshin Hotit, që data nuk më kujtohet, por do të duhej të ishte më qartë e shkruar në ato faqe, të cilat i mungojnë librit, nga fq. 33 deri 48. Që ky kuvend zgjedhor u mbajt në Krushe.
Por, një gjë e them me përgjegjësi, se në fillim të paraqitjes së kandidaturave nga Ukshin Hoti e Avdi Kastrati, kryesisht shumica e udhëheqësisë së partisë, treguan interes për mbështetje të kandidaturës së Avdi Kastratit, i ardhur nga radhët e LKJ-së! Por, unë duke e kuptuar se shumica e kuvendit, ishin pro kandidaturës së Ukshin Hotit, që kishin dilemë dhe se ata, që tregonin simpati për Avdi Kastratin, nuk ishte një simpati e vërtetë, por qëllimi ishte nga disa udhëheqës të LDK-së, që ta eliminonin kandidaturën e Ukshinit, për shkak se LDK-ja, nuk e donte Ukën për dy arsye:
1) sepse Ukshin Hoti, dukshëm ishte më i ngritur se gjithë të tjerët dhe se
2) ai ishte, për atë se nëse nuk arrihet çlirimi i Kosovës me „durim“, ta bëjmë edhe me luftë, gjë që edhe ndodhi lufta!
Por, çka bëra unë, e kërkova fjalën, dola dhe shpreha mendimin tim të hapur e të sinqertë dhe sugjerues, duke thënë: „të nderuar pjesëmarrës të kuvendit, kini kujdes ju lutem, se kë po e propozojme e kë po e votojmë për kryetar partie të komunës! Ta kemi parasysh se cili kandidat i plotëson kushtet në aspektin profesional e kombëtar! Dhe, ta kini parasysh se këtu kemi kandidatë për kryetar, që është i lidhur ngusht me regjimin pushtues dhe mund të kemi pasoja nga lajthitja, që mund ta bëjmë, tani!“
Aty e kisha, pranë edhe një profesor timin nga gjimnazi, që nuk do t’ia përmend emrin e, që kam shumë respekt për te, që tani jeton në Zvicër.
Pas reagimit tim, vijnë edhe shumë reagime dhe, Mr. Ukshin Hoti fitoi me vota, që të jetë kryetar i LDK-së, për Komunën e Rahovecit!
Pas këtij rasti, edhe një herë tjetër, kanë shkuar kryesia e LDK-së, për Rahovec, në Krushe dhe aty ishte përfaqësues, vëllai im Sali Bytyçi, i cili më informoi se kishte qenë një konflikt me tensione, kryesia e LDK-së së Rahovecit kundër Ukshin Hotit! Saliu ishte delegat në atë kohë dhe unë isha në pozitën e kryetarit të fshatit. Madje, si shkas për përkrahje, që i kishte dhënë Sali Bytyçi, Ukshin Hotit, gjatë udhëtimit e kishte ndalur kerrin Dërvish Thaçi ( tash i ndjerë), nga Çifllaku dhe e ka marrë për ta sjellur deri në shtëpi! Pra, këto intriga, të cilat iu bënë herë pas here Ukshin Hotit, nuk i lexova në libër, edhepse mund të ndodhë që, t’i ketë shkruar autori, në faqet, të cilat mungojnë.
Në librin e Fetah Berishës, paraqitet situata e atëherëshme e gjendjes së rëndë politike në Kosovë, në mënyrë sistematike dhe ngjarjet, poashtu paraqiten në gjendje kronike, por të njëanshme! Përshkrimi i themelimit dhe organizimit të organizatës, shumëherë del si një procesmbajtje, sidomos, nëpër fshatrat e komunës së Rahovecit, me emra e mbiemra të pjesëmarrësve! Paraqitja e rendit të ditës nëpër mbledhje dhe fjala e pjesëtarëve të mbledhjeve të LDK-së, me të vërtetë e rëndojnë librin dhe e bëjnë të mundimshëm për lexuesin!
Pastaj, autori, paraqet themelimin e shoqatave të të rinjëve, të gruas dhe të pajtimit të gjaqeve, takime me personalitete e deri te njerëz të thjeshtë, që ndoshta nuk do të duheh të paraqiteshin brenda këtij libri monografik të Fetah Berishës!
Pastaj, vizita e Ibrahim Rugovës me delegacionin e tij në Amerikë, me emra e mbiemra, ndoshta nuk do të duhej të kenë vend në këtë libër, pasiqë, libri ka për mision paraqitjen e themelimit dhe organizimit të LDK-së, në nivel komunal të Rahovecit, duke u bazuar në titullin e librit!
Poashtu, në libër, autori e paraqet Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, e 2 Korrikut 1990 dhe bashkëpunimin e këtij këshilli me AKSHAK, hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës, që ndodhi më 7 shtator 1990, në Kaçanik. Poashtu, në libër paraqitet edhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës, i mbështetur në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 2 Korrikut 1990 dhe në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut, të 7 shtatorit të viti 1990, për „ Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur“. Që referendumi u mbajt më 26 – 30 shtator të viti 1991 e, në Komunën e Rahovecit u mbajt më 30 shtator 1991.
Poashtu, në libër, autori paraqet organizimin e mësimit paralel, mbledhjen e të hollave për pagesat e arsimtarëve dhe renovimin e shkollave.
Përveç tjerash, Fetah Berisha i paraqet edhe masakrat, në librin e tij, që i kanë shkaktuar forcat serbe, në Komunën e Rahovecit! Që, autori fillon me përshkrimin e masakrës së Pastaselit dhe listën e gjatë me emrat e mbiemrat e të masakruarëve, që në te janë 88, të masakruar në mënyrë barbare, nga forcat serbe. Fq.: 179.
Poashtu, autori e paraqet dhunën serbe mbi mësimdhënësit dhe aktivistët politikë të komunës së Rahovecit.
Përveç paraqitjes së bastisjeve të ndryshme nga ana e forcave okupuese serbe, autori, paraqet edhe presionin mbi të rinjtë shqiptarë për t’i dërguar në ushtrinë Serbe e deri te konfliktet e grupeve të vogla, nëpër fshatra, si rasti i Afrim Ali Krasniqit dhe Mark Luz Gashit!
Shih „ Dhuna serbe kundër mësimdhënësve dhe veprimtarëve të komunës së Rahovecit 1990 – 95“.
Këtu shihet hapur qëndrimi tendencioz i autorit, sepse më tepër rëndësi i jep rastit të ngatërrimit të Afrim Ali Krasniqit e Mark Luz Gashit, sikur se punës shumëvjeçare të të gjithë bashkëpunëtorëve të të dya fshatrave, nga vijnë Afrimi e Marku; Dejni e Dobidoli! Fq.: 197.
Poashtu, autori, nuk harron ta përmendë fjalën „ Paqësore“, pra; partia paqësore, veprimtaria paqësore, parolla paqësore, urrejtje paqësore, dashuri paqësore, ëndërra paqësore, vijat e hamamxhikëve paqësorë e, shumë gjëra tjera paqësore, që kanë ndodhur në Republikën e atëhershme të okupuar të Kosovës!
Poashtu, autori, nuk e lë pa i përmendur disa takime, protesta, peticione, apele e kërkesa! Që, shumë interesante e poaq qesharake, është paraqitja e takimit të autorit të librit, Fetah Berisha me «znj. Erika, anëtare e Parlamentit Paneuropian»! fq. 218!
Që në realitet, znj. Erika Nerad, nuk ishte asnjëherë anëtare e Parlamentit Paneuropian, por se ajo ishte dhe është anëtare e Unionit Paneuropian, për Munih! Sepse, anëtarja e Parlamentit Paneuropian, do të thotë se ajo ishte deputete e Parlamentit Paneuropian, gjë që as zonja Nerad dhe askush tjetër nuk ka pohuar se ajo ishte anëtare e Parlamentit Paneuropian! Eshtë e vërtetë se zonja Erika Nerad, ishte dhe është anëtare e Aktivit Paneuropian për Munih, sikur që është e vërtetë që daja Ramadan Berisha dhe nipi, Istref Berisha nga Kramoviku kishin kontakte të vazhdueshme me zonjën e lartëpërmendur dhe, se nuk duhet t’ia humbim përpjekjet dhe mundin, znj Nerad, e cila ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me shqiptarët e Kosovës dhe i ka ndihmuar ata! Dhe, se zonja Erika Nerad, kishte kontakt dhe ndikim të mirë te z.Bernd Posselt dhe se zëri i saj s’ka pushuar në përkrahjen e qenies shqiptare!
Djallëzia e tjetër e Fetahut të berishajve të Drenocit, është përsëritja e frazës : „Ta marrim kalanë nga brenda“, fq. 277.
Nuk është rastësi, paraqitja e këtij slloganit:
„Ta marrim „kalanë nga brenda“, është një qëllim djallëzor që për ta ruajtur qenien ideologjike partiake, paraqet frikë te bashkëpunëtorët, se PDK si pasardhëse të LPK-së! Dhe se „ Të konvertuarit e LSJ-së në LDK, ishin të shqetësuar se mos vallë, nga LPK-ja, paskan bërë përpjekje ta marrin „ Kalanë nga brenda“, duke imponuar majtizmin, siç kanë deklaruar vetë!“ fq. Fq. 278.
„Tentimi i dytë, për ta marrë kalanë nga brenda, ishte kur Rexhep Qosja, kundërshtar i përbetuar i presidentit histerik, Ibrahim Rugova dhe i LDK-së, me ca fraksionist(ë) – vër ime IB, (që e harron autori një ë fundore, për shkak të numrit shumës, që duhet vu) majtistë, formoi partinë „ Lidhja Demokratike e Re“. Shih, fq. 279.
Ç’lidhje ka rasti i Rexhep Qosjes dhe themelimi i partisë së re dhe „Marrja e kalasë nga brenda“ me „LDK-në e Ibrahim Rugovës, në Rahovec“?
Unë mendoj se asgjë s’kanë të përbashkët këto dy arsye, të cilat i ka paraqitur autori „i madh“ i mëhallës së berishajve të Drenocit të Zatriçit, Fetah Berisha! Dhe, se sikur t’i kishte hequr 200 faqe nga librit e, ta ishte botuar me vetëm 134 faqe, do të ishte më atraktiv ky libër, më i lexueshëm dhe vlerat publicistike, do ta kishin zënë vendin e tyre dhe do ta kishin plotësuar zbrazëtinë informative, të aktiviteteve të LDK-së së Rahovecit, në veçanti dhe, të shqiptarëve të Komunës së Rahovecit në përgjithësi.
Pra, përveç tjerash, libri është i angazhuar edhe me disa gjëra, të cilat me të vërtetë e rëndojnë, atë! Si paraqitja detajizuar e protestave për lirimin e objekteve shkollore, përshkruarja e datave të festave kombëtare e ndërkombëtare, tribunat, simpoziumet e tubimet të ndryshme, që me të vërtetë e ngarkojnë librin dhe shumëherë e bëjnë monoton, megjithë evokimin e shumë datave e ngjarjeve, të cilat i evokon, autori!
Në të ardhmen, i dëshiroj Fetah Berishës, që të na sjellë edhe shumë vepra, të cilat, besoj, se me përvojën e tij dhe vërejtjet që do t’i pranojë nga kritikët dhe lexuesit, do t’i krehë shumë më tepër e më mirë, në mënyrë, që në të ardhmen, lexuesi të kënaqet, me leximin e veprave të tij publicistike.
Postime të Lidhura
ADNAN ABRASHI: PRESIDENTËT SERB GJITHNJË GATUHEN NGA NJË BRUMË!
Prizren, 22. 05. 2012 – Shikuar nga një këndvështrim krejtësisht paradoksal dhe jashtë dukjes oficiale të politikave ditore,…
BEDRI TAHIRI: GJAKU I TYRE – DRITË LIRIE
(Pashtriku, 19. 11. 2012) – Tё nderuar pinjollё tё familjeve atdhetare qё para 100 vjetёsh sakrifikuan mё tё…
PROF.AS.DR.VANGLEL KICI: ILAÇI I GRIPIT, I PËRDORUR NË JAPONI, TREGON PREMTIME NË TRAJTIMIN E COVID-19
Toronto (Kanada), 27 Mars 2020: (Ekskluzivisht për portalin, Pashtriku.org) I nderuar Sheradin, Në këtë kohë pandemie të COVID-19…
BAJRAM HOTI: ANADRINIA DHE BIODIVERSITETI I SAJ DREJT SHKATËRRIMIT TOTAL!
Gjermani, 22 prill 2018: (Për nderë të ditës ndërkombëtare të tokës) E kuptuam që dimë të ndërtojmë rrugë…