ISUF KURTAJ: AVENTURAT NË PYLLIN E COVDI-19 DHE DY MBRETËR PËR NJË KËSHTJELLË!

Zhur, 14 Maj 2020: Gripin, (nuk ma zë goja ta quaj COVID19 se e kanë shndërruar në përbindësh ndërkohë që është më pak se një grip i zakonshëm) e provova vetë, dhe nisur nga eksperienca personale dhe sidomos nga ajo që pashë gjatë dy javëve në klinikën infektive në Prishtinë, kam konstatuar se nga ky grip, përveç atyre që janë me njërën këmbë në këtë botë dhe me tjetrën te ajo tjetra, kurrëkujt s’i ka bërë send.
Pra ky grip nuk është përbindësh dhe ata që e kanë bërë të duket si diçka i tmerrshëm, duke i trembur e larguar njerëzit nga çdo aktivitet, ia kanë dalë që duke lëshuar në qarkullim këtë truk, këtë rrenë të themi, të mbyllin në shtëpitë e tyre gati të gjithë botën dhe të paralizojnë çdo aktivitet. Vetëm se kjo rrenë është nga ato që u përdor me ustallëk nga ai që e nxori në sipërfaqe. Ka ditur kaq bukur ti fus’ krupën miletit, mjekëve, qeverive… të gjithë planetit.
Tani ndonjë prej jush dhe mund te thotë “po ky Cufi mirë ishte, ç’pati që po flet në tym, ne e dinim për djalë serioz”. Ajo që dua të dëftoj nuk ka lidhje me ndonjë pretendim timin për të zbuluar ujin e ftohtë duke ngritur dyshime të tipit: gripi është stisur nga dikush. Nuk jam aq rëndë. Pra, s’e kam ndërmend të qëndroj gjatë në hullinë ku është përfshirë bota: e krijuan kinezët, jo po Trampi, jo po Dhoma e Romës, Sorosi, “Çadra”… e më the të thashë. Unë vetëm doja të tregoja, nisur nga ajo që kam parë dhe përjetuar, se ky “mort” është keqmenaxhuar prej dy kryeministrave…

Isuf Kurtaj

Prej paaftësisë së tyre, mua por dhe shumë prej nesh, na kanë ndodhur disa “gjëma”. Kam 2 muaj pa shkuar në Tiranë për të parë Glaukun dhe Ninën, dhe kjo vetëm për shkak të tekave të kryeministrit të Shqipërisë londineze Edi Rama dhe kryeministrit të Shqipërisë Verilindore Albin Kurti.
Ulja e traut në Vërmicë për shqiptarët e dy anëve me preteksin që të ruhemi, është një axhamillëk i madh që treguan të dy kryeministrat. Por para se të ndalem te papjekuria që dy mbretërit e një kështjelle dëshmuan, më parë dua t’iu rrëfej për gjëmën tjetër.
Siç e thashë më lart, unë u infektova nga ky grip.
Pas tre ditësh me temperaturë, por jo kushedi sa të lartë, e bëra testin në klinikën infektive në Prishtinë, ku dola pozitiv. Nuk isha përgatitur për t’u shtruar në spital. Unë shkova për të hequr merakun se nuk e besoja se isha pozitiv. Asnjë rrobë nuk kisha me vete dhe as ushqim. Dy javë kam fjetur në spital pa batanije, pa çarçaf. Jastëkun në ditën e pestë ma solli një shok. Prishtina u fut në karantinë dhe nuk vinin dot familjarët nga Prizreni. Batanija që me solli një infermiere, 3 ditë para se të dilja nga spitali, edhe po të nxirren nga ndonjë kosh plehrash nuk do të qelbte me shumë. Nuk na krijuan asnjë mundësi të blinim ujë, leng, kos, djath, ilaçe për diare… Kështu i kalova dy javë në klinikën infektive. Pa ujë, ilaçe…
Le të ndalemi pak te “përbindëshi”.
A është vërtet COVID 19 kaq i rrëzikshëm, a merr jetë njerëzish?
Jua them unë. Perjashto rastet me probleme të rënda shëndetësore, pra ata që lengonin nga sëmundje të rënda prej kohësh, dhe që numëroheshin në klinikë me gishtat e njerës dorë, pjesën tjetër të prekurve, gripi, apo siç po e quajnë COVID 19 as nuk i ka gudulisur. Pra, “përbindëshi” që ka paralizuar një botë të tërë, pacientët e klinikës infektive, i guduliste nja dy ditë, disave i jepte ndonjë kollë dhe ndonjë tjetrit temperaturë. Por vetëm dy ditë ama. Më pas pacientët nuk kishin as dhimbje koke, dhe këtë ta thonin dhe mjekët gjatë vizitave që vinin që në ditën e tretë: të gjitha parametrat mjekësore i keni në rregull.
Ndërkohë që kalonin ditët, javët… pacientët vazhdonin të dëgjonin të njëjtin refren, dhe domosdo një ditë do të pyesnin mjekun, shefin e infektivit, drejtorin: pse duhet të qëndrojmë akoma në spital kur prej ditësh nuk kemi asnjë shqetesim, dhe se të “vegjetuarit” pa asnjë sintomë në këtë vend ku mungojnë ilaçet bazë, ku verdalloset turlilloj virusi, ku ushqimi është larg asaj që rekomandohet për një të prekur nga gripi, ku kushtet janë lemeri, ku shërbimi mjekësor është larg asaj që është trumbetuar: mjeku hero…, pra pjesa më madhe e stafit janë jo profesionalë, arrogantë dhe të papërgjegshëm…
Dhe kur ia ke numëruar para syve 1000 arsyet pse duhet të largohesh nga spitali, përballesh me një gjuhë rruge të mjekut, me një ngritje supesh të shefit të repartit, ndërrim bisede dhe në rastin më ekstrem, ikje nga dhoma. Dhe kjo është një histori e dëgjuar gati nga secili pacient i shtruar në klinikë infektive.
Pasi ia numëron të gjitha dhe dakordohet se “nuk keni asnjë simptomë”, dhe për më tepër i jep dhe garanci se në shtëpi i ke të gjitha kushtet e kërkuara për t’u vetëizoluar, sërish nuk të lënë të dalësh, pa u rebeluar. Kjo sa i përket mjekëve heronj të vendit tonë, gripit që shteti, mediat, mjekët… e kanë bërë gogol, por që në fakt është flama më pak e rrezikshme që ka kaluar këtej pari. Pra kush ka thënë se ky grip është monstër ia ka fut kot! Kaq për gripin.
***
Tani, dua të merrem me ata që e kanë menaxhuar gripin.
Si kanë reaguar kryeministrat tanë?
Të dy kanë dështuar. Në të gjitha aspektet. Atë shëndetësor e dimë të gjithë. Është përtokë. Ndoshta te kjo si i Kosovës nuk ka dhe shumë faj sepse nuk ka pasur kohë të tregojë veten. Por dua të flas për “specialistët” e shëndetësisë që nxirrnin në media për të lexuar deklarata dhe për të na treguar sa mirë janë duke e luftuar, se vendet tona janë ku e ku larg me atë që ndodh në vendet tona. Por gjendja reale në spitale ishte për hibret. Ujë nuk i ofrohet pacientëve në klinikën infektive. Ata nuk dalin dot të blejnë.
Janë të izoluar.
E imagjinoni dot?
Për çfarë suksesi të ministrit Arben Vitia mund të flasim?
Jeni në terezi?!
Tjetra. E mbyllën vendin pa bërë më parë një analizë të hollësishme me ekspertë të shëndetësisë, ekonomisë, arsimit. Mbyllën shkollat, detyruan qytetarët të linin punën, mbyllën bizneset… falimentuan një pjesë e mirë e bizneseve të mëdha, të mesme dhe sidomos të vogla, të cilët ashtu kështu edhe pa këtë “peshqesh” mezi mbaheshin në këmbë. Nga kjo paralizë qytetarë që punonin në privat janë mjeruar. Kushedi si janë duke mbijetuar.
Asnjë kokëçarje serioze nga dy kryeministrat tanë pë të gjithë këto kategori, që përbëjnë për qindjen më të madhe të shoqërisë. Nga ana tjetër arsimi është në kolaps. Mësim online bëhet për sy e faqe. Dhe pas dy muajsh larg auditorëve dhe kur gjendja sipas tyre me gripin është vënë nën kontroll nuk ka asnjë plan se ç’do të bëhet me nxënësit. Është e paqartë se si do t’i bëjnë maturantët provimin e maturës dhe nxënësit e klasave të nënta testin e arritshmërisë?
Çfarë duhet të bënin Rama dhe Kurti?
Këto pra duhet të bënin. Që para se të fusnin në karantinë dy Shqipëritë tona, atëherë kur në Itali u shfaq me të madhe, duhej të mendonin për të gjitha këto. Duhet të ishin takuar dhe të vendosnin pika mbi për çdo çështje me një plan të përbashkët dhe jo të eglendiseshin secili në hesap të vet. Të shtroheshin me ekspertët e çdo fushe dhe të vepronin si një vend i vetëm.
Sa shumë që kërkoj dhe unë. Të them të drejtën nga Rama nuk është se prisja ta bënte këtë hap, por nga Albini po. Ai duhej ta kishte bërë. Por as ai nuk e vuri ujin në zjarr. Ndoshta ngaqë kishte gajle të tjera, dhe gajlet e tij janë ku e ku më të rëndësishme se këto gajlet e tona. Ndoshta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura