JUSUFI QE INTELEKTUAL I GUXIMSHËM DHE FIGURË POLIEDRIKE

JUSUFI QE INTELEKTUAL I GUXIMSHËM DHE FIGURË POLIEDRIKE

Nga Kadri Rexhaj

Epoka e re: Jusuf Gërvalla, intelektual i shquar dhe figurë poliedrike e viteve ’70, talentin dhe aftësitë e tij i shfaqi në gazetari, në kompozim dhe interpretim, në poezi, prozë, dramë etj. Çfarë e dallon atë në plejadën e krijuesve kosovarë të kulturës sonë kombëtare?

Kadri Rexha: Vërtet Jusuf Gërvalla qe intelektual i shquar dhe figurë shumëdimensionale e kohës. Jusuf Gërvallën natyra e kishte pajisur me një shpirt hipërsensibël dhe me një talent të rrallë artistik, por mbi të gjitha, natyra, atij ia kishte dhuruar një guximin të pashoq. Qysh në bankat e gjimnazit aftësitë e tij do të shpërthejnë në fusha të ndryshme: loja me kitarë, kënga, aktrimi, poezia, piktura. Më vonë dhuntitë dhe kërshëritë e gjëra të tij do të orientohen në interpretim, në kompozim, në gazetari, në letërsi dhe përkthim. Dhe në secilën gjini ai do të japë rezultate të dorës së parë. Nuk është e rastit që Jusufi asokohe mbante epitetin: Styliani ynë, Lorka ynë, Neruda ynë. Jusufi punonte pandërprerë, punonte shumë, jo vetëm nga parandjenja, por sepse ishte më se i sigurt se puna e tij, herët apo më vonë, do të ndërpritej me dhunë: ose me burg ose me plumb. Prandaj, ai shpejtonte ta bënte edhe natën ditë. Të mos harrojmë, ai njëherë për pak kohë e kishte provuar burgun, ndërsa që nga viti 1975 bëhet anëtar i organizatës ilegale LNÇKVSHJ, si ideolog i të cilës, më vonë, do ta gjejë edhe vrasja tragjike. Jusufi kishte dije të thellë të arteve, sidomos të filozofisë së arteve, të shkencave natyrore, shoqërore dhe historike, duke filluar nga antika e deri tek rrymat dhe drejtimet e shumta të shekullit tonë. Por mbi të gjitha ai e njihte shkëlqyeshëm traditën historike, kulturën kombëtare dhe filozofinë e popullit të vet në të gjitha aspektet. Këtë pohim timin e ilustron më së miri vepra e tij: këngët, poezia, tregimet, romani dhe publicistika e Jusufit. Të theksojmë se vepra e Jusufit doli në dritë në kohën më të thirrur, kur një pjesë e poezisë sonë, sidomos ajo e krijuesve të rinj, po vritej nga hermetizmi, nga steriliteti i figurave, nga pagjakësia dhe nga monotonia, ndërsa publicistika e kohës, me përjashtime të rralla, po ecte hullisë së trasuar të bashkëjetesës dhe vëllazërim-bashkimit jugosllav. Vepra e Jusufit, asokohe, nga kritika letrare cilësohej se po sillte “një kthesë dhe një ton të ri në rrjedhat e poezisë së sotme te ne”. Natyrisht, Jusufi i kishte premtuar lexuesit dhe në mbarë veprën e tij letrare do ta mbante fjalën:

ndërmend s’e pata të bëhem poet i çmendur

urtësi qartësi do t’i kem fjalë të para

në ngushticë do të jem me ju

për ju në festë do të këndoj

Sepse atdheu i tij i robëruar, ku: “kahdo ka tokë nën këmbë por askund qiell mbi kokë”, kërkonte zë të ri dhe angazhim tjetër. Dhe, duke u përpjekur, që me fjalë ta krijojë këtë “qiell mbi kokë” ai me poezinë e tij sillte: “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Lexojeni një herë me përkushtim veprën letrare të Jusufit dhe do të bindeni! Jo vetëm tema për njeriun dhe për ambientin, jo vetëm refleksionet e brendshme, jo vetëm imazhet plot ngjyra të gjalla, jo vetëm malli për një botë të largët dhe për frymën që zgjon, por kënga dhe vepra letrare e Jusufit, në qenësinë dhe në bërthamën e saj, e tëra është jetë, e tëra është dashuri, e tëra është liri, e tëra është shqiptare, e tëra është njerëzore. Pastaj, Jusufi la të përkthyera në shqip pjesë apo vepra të plota të Xhojsit, Kafkës, Heminguejit, Asturiasit, Kishit, Po-es, Nesinit, Zllobecit, Marinkoviqit, Selimoviqit, etj. Ndërsa në gjuhën serbokroate me përkushtim të veçantë përktheu poezi dhe prozë të Teki Dërvishit, Rexhep Qosjes, Beqir Musliut dhe të autorëve tjerë. Prandaj, sipas mendimit tim, Jusuf Gërvallën nga plejada e krijuesve shqiptarë të Kosovës e dallojnë cilësi të theksuara, si: talenti i jashtëzakonshëm artistik, pajisja thelbësore me dituri të “leme” dhe të “bleme”, dashuria dhe serioziteti për secilën punë që do ta fillojë, guximi intelektual dhe në fund qëllimi i caktuar i secilës punë të nisur. Jusufi nga plejada e krijuesve shqiptarë të Kosovës dallon edhe për një cilësi të veçantë dhe të rrallë: gatishmërinë supreme për flijim në themelin e aspiratave të larta të popullit dhe të atdheut të tij: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme…”. Ky betim i Jusufit nuk ishte një deklaratë e thatë e as pozë e personit që atdhetarizmin e ka tregti, por ishte ideal i shenjtë që u bë realitet në fushën e nderit. “Pa ideal s’ka fitore në asnjë luftë”, ishte besimi i patundur i Jusuf Gërvallës. Bëjeni, ju lutem, vetëm këtë krahasim: Jusufi gjithçka që pati, edhe atë më të shtrenjtën, jetën, ia fali idealit të tij, popullit dhe atdheut, ndërsa prijësit tanë, intelektualë dhe krijues, sot, me një revan të shfrenuar, po të njëjtin atdhe, po përpiqen ta shndërrojnë në para xhepi apo në pasuri të patundur personale.

(Pjesë nga intervista “Jusufi ishte në ballë të forcave të progresit historik” e zhvilluar nga shkrimtari Lulëzim Etemaj, botuar në “Epoka e re”, tetor 2005)

© Pashtriku.org

KADRI REXHAJ: RRUGA LETRARE E SHKRIMTARIT JUSUF GËRVALLA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura