Pashtriku.org, 12. 02. 2014 – Në fondin epistoloar të Jusufi Gërvallës ekziston një letër e cila, ashtu si mbarë vepra e tij, demanton pohimet ogurzeza të shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi të shqiptuara kohë më parë gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” të KTV-së. Si shumica e letrave të J. Gërvallës as kjo letër nuk është e panjohur për opinionin lexues. Letra, së pari, është botuar nga Faridin Tafallari në portalin www.albaniapress.com/, ndërsa më vonë edhe nga Xhafer Durmishi në librin “Ilustrime” fq. 24-25, botuar në portalin www.xhaferdurmishi.blogspot.com/. Me këtë letër, të shkruar më 16 nëntor 1981, Jusuf Gërvalla (Sokoli), si rëndom, edhe kësaj radhe njoftonte veprimtarin Sabri Novosella (Mërgimi), udhëheqës të Komitetit të LNÇKVSHJ-së në Stamboll, lidhur me një aktivitet të zhvilluar nga veprimtarët e LNÇKVSHJ-së të rrethit të Shtutgartit.
Për të qenë më i qartë dhe më konkret, në këtë rast, për lexuesit e portalit Pashtriku.org, në fund të këtij reagimi të shkurtër, po e ribotoj të plotë letrën e cekur më sipër. E zgjodha pikërisht këtë letër sepse ajo aq sa dëshmon për njërin nga aksionet më violente (“terroriste”) të LNÇKVSHJ-së të zhvilluar në Evropën Perëndimore për të gjallë të Jusufi Gërvallës, po aq demanton etiketimet e gazetarit titist, Jusuf Buxhovi. Letra pos fakteve për ngjarjen e 14 nëntorit të vitit 1981 në vete mban atmosferën e kohës, ndjenjat dhe mendimin e Jusufit, programin e Lëvizjes si dhe entuziazmin, vendosmërinë dhe guximin e veprimtarëve tanë mërgimtarë.
Siç është e njohur tashmë për opinionin, në intervistën e paradokohëshme dhënë KTV-së, me rrëfimet e tij bajate dhe me konstatime ogurzeza Jusuf Buxhovi hapi kutinë e UDB-së dhe shpërndau mjegull kudo në trojet shqiptare. Për mbi një orë rresht ai etiketoi, trilloi dhe lëshoi gënjeshtra me bisht në adresë të shqiptarëve liridashës, të atyre që vepruan vetëdishëm, të atyre që u burgosën nga armiku serb dhe të atyre që u flijuan edhe me jetë për liri dhe bashkim kombëtar. Për mbi një orë rresht dalëzotësit e atdheut ai i akuzoi për stalinistë, udëbeistë, kagebeistë dhe terroristë. Për mbi një orë rresht ai hodhi fyerje mbi lëvizjen revolucionare të forcave më progresive shqiptare të gjysmës së fundit të shekullit të kaluar dhe hodhi baltë mbi luftën çlirimtare të UÇK-së nam madhe, forcës që solli NATO-n në Kosovë dhe përzuri përgjithmonë Serbinë nga trojet tona. Për mbi një orë rresht gjatë elaborimit të tij “historik” ai përmendi dokumente e dokumente por asnjëherë nuk iu referua qoftë edhe një fakti konkret… Apo ky historian i një tipi të veçantë mendon se liria e një populli të pushtuar fitohet me lutje, me përgjërime, me përulje, me spiunime kundër elementit çlirimtar, me thirrje NATO-s për ndaljen e bombardimeve kundër caqeve ushtarake të armikut… Dhe, për çudinë më të madhe, ky historian i LDK-së, çështjen e Flamurit Kombëtar si dhe çështjen e bashkimit të kombit shqiptar ende i sheh nga pozita e gazetarit të dikurshëm të Tanjugut dhe nga prizmi i politikës hegjemoniste antishqiptare të Jugosllavisë së shkatërruar…
Por, t’ia lëshojmë radhën letrës.
Lexuesi i vëmendshëm nga kjo letër mund ta kuptojë qartë në ishin terroristë, udbashë dhe kagebeistë ata që u mbrojtën dhe bojkotuan koncertin farsë, apo ata që provokuan spektatorët në sallën e koncertit duke e nxjerrë me dhunë nga salla Besnikun (Bardhosh Gërvallën) dhe një mërgimtarë tjetër; ishin terroristë, udbashë dhe kagebeistë ata që kërkuan liri, drejtësi dhe Republikë, apo ata që masakruan dhe burgosën lulen e rinisë shqiptare gjatë vitit 1981. Shkonin mërgimtarët tanë të organizuar për t’i kremtuar festat kombëtare në salla të marra me qira dhe në ambasadat shqiptare, apo shkonin për t’i kremtuar festat sllave në ambasadat jugosllave dhe ruse… Dhe, fare në fund, për mrekulli, letra dëshmon për bashkërenditjen e veprimtarive të organizatave tona politike dhe demanton bindshëm trillimet e UDB-ës për gjoja qërim hesapesh në mes grupeve politike.
Të mos harrohet se kjo letër është shkruar vetëm dy muaj para vrasjes së Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit në një atentat të organizuar dhe të ekzekutuar nga UDB-a.
* * *
LETËR E JUSUF GËRVALLËS DËRGUAR SABRI NOVOSELLËS
(16 nëntor 1981)
I dashur vëlla Mërgim!
Para tri ditësh t’i nisa një pako dhe tri zarfa me revistën. Po letrën që ta dërgova me to, e shkrova shkurtimisht, se prisja të përfundojë një ngjarje dhe të të shkruaj më gjerësisht.
Të shtunën, më 14 nëntor, në Shtutgart erdhi për të dhënë koncert Orkestrina e Radiotelevizionit të Prishtinës me tetë këngëtarë. Meqë në Shtutgart ende nuk ka klub të shqiptarëve dhe punëtorët e këtushëm, pos me një demonstratë, nuk kanë pasur si ta shfaqin revoltën dhe mendimin e vet lidhur me ngjarjet e Kosovës, ne patëm vendosur ta bojkotojmë koncertin e tyre. Ishte parashikuar nga ana e tyre që, para koncertit, ndonjë politikan të thoshte ndonjë fjalë lidhur me 29 nëntorin (jugosllav). Kurse ne planifikuam që, mes fjalës së tyre dhe koncertit, t’i thërresim punëtorët për dy minuta heshtje në nderim të luftëtarëve të rënë në pranverën e përgjakshme të Kosovës, të lexojmë një tekst të shkurtër (1,5 faqe të shtypura në makinë), të thërresim parullat:
– „Jashtë nga vatrat tona ushtria dhe milicia fashiste jugosllave“,
– „Rroftë populli shqiptar“ dhe
– „Kosova – Republikë“,
me ç’rast kjo e fundit „Kosova – Republikë“ do të vazhdonte pandërprerë deri në ndërprerjen e programit të „mysafirëve“.
Por, ngjarjet u zhvilluan shumë më mirë sesa e kishim parashikuar ne. Në këtë drejtim na ndihmuan vetë armiqtë, me nervozën dhe druajtjen e tyre, siç po na ndihmojnë për të na vajtur punët mbarë që nga pranvera.
Konsullata jugosllave kishte organizuar si kujdestarë nja dyzet shqiptarë të mashtruar e serbë, me shirita kujdestarie në duar. Ata duhej të mbanin rend gjatë koncertit. Pas hyrjes në sallë të publikut (nja 5 – 600 veta) dhe të trimave tanë, të organizuar, nja 30 veta, një përfaqësues i ambasadës jugosllave, me emrin Bashkim Hisari (ish punëtor i TV Prishtinës) i afrohen Besnikut dhe një punëtori shqiptar e i nxjerrin nga salla si persona të padëshirueshëm. Meqë Besniku, për shkak të profesionit që ushtron, është i njohur pothuaj për të gjithë shqiptarët e këtushëm, publiku ngritet i tëri në këmbë dhe reagon për largimin e tij. Atëherë, një shok yni, i LNÇKVSH, e shfrytëzon mirë rastin, hipën energjikisht mbi tavolinë, thërret të madhe parullën „Kosova – Republikë“, duke vendosur kështu ta shkurtojë krejt procedurën e planifikuar. Publiku përnjëherë ngrihet i tëri në këmbë dhe i përgjigjet njëzëri parullës. Kujdestarët e neveritshëm dhe personeli i konsullatës jugosllave, me këlyeshët e tyre mercenarë, zënë të tolloviten dhe përpiqen të marrin masa. Por, si vetëtimë u lëshohen në shpinë djelmoshat tanë dhe publiku bashkë me ta.
Përfundimi: tragjik dhe komik për armiqtë tanë. Përfaqësuesit të konsullatës i çahet koka me karrige (këtë njeri, Bashkim Hisarin, e kanë rrahur njerëzit tanë edhe në demonstratën e Shtutgartit, se qe treguar shumë i zellshëm dhe dinak e këmbëngulës në realizimin e qëllimeve të poshtra të armikut), e përgjakën të gjithë ata që kanë pranuar të hynë në vallën e tyre. Prej njerëzve tanë e punëtorëve, asnjë i plagosur, as i gërvishur, bile. Në taborin e tyre, disa të plagosur rëndë (ka qenë rrezik që të mbetet edhe ndonjë i vdekur). Fotografia e satrapit Tito dhe flamuri jugosllav grisen e shkilen nga publiku, instrumentat e Orkestrinës fluturojnë, thyhen e shkilen nëpër sallë. Gjatë gjithë kohës, shqiptarët, në përleshje e sipër, nuk e ndalin parullën „Kosova-Republikë“. Përleshjet bëhen të rrëmbimshme, të rrufeshme, shumë energjike. Prej salle, i tërë publiku del përjashta dhe, për më se një gjysmë ore rresht, nuk shpërndahet por thërret parulla me zë të lartë, kështu që manifestimi shndërrohet në një demonstratë të shkëlqyeshme. Autobusi i jugosllavëve mbushet me parulla të ndryshme, pëllëmbë për pëllëmbë, me sprej për ngjyrosjen e automobilave. Më në fund, shpërndahen pa therrë në këmbë.
Është interesant të shtohet se policia gjermane, prezente gjatë tërë kohës së përleshjeve, nuk intervenon asnjëherë, por e ndjek ngjarjen me gjakftohtësinë më të madhe. Asnjë punëtor nuk merret nga policia, as shfaqet fare ndonjë tentim i tillë nga ana e policisë. Disa nga policët gjermanë u bashkohen thirrjeve të parullës „Kosova – Republikë“ dhe u thonë hapurazi njerëzve tanë se kanë të drejtë të veprojnë kështu, sidomos pas nxjerrjes përjashta nga salla të dy njerëzve tanë.
Si e përshkruajnë shokët, ky ishte një manifestim i shkëlqyeshëm i vendosmërisë së punëtorëve tanë dhe i solidarizimit të tyre me bashkatdhetarët në Kosovë. Jugosllavët e pranishëm kanë se çka u tregojnë eprorëve të tyre.
Një shfaqje të ngjashme atyre u kanë organizuar, një javë më parë, edhe punëtorët tanë në Cyrih të Zvicrës. Por, atje, sipas mendimit tim, kanë bërë një gabim të vogël: punën e kanë nisur si kundërshtim ndaj një kënge popullore serbe, të kënduar nga një këngëtare serbe. Ndryshe, edhe atje u kanë dhënë mend aq, sa trupa menjëherë e ka ndërprerë turnenë nëpër Zvicër dhe ka kaluar në Gjermani. Në Mynih nuk ka pasur manifestim nga shqiptarët, por ka pasur një lloj bojkotimi. Nga afro 10 mijë shqiptarë që punojnë në atë qytet, në koncert kanë shkuar gjithsej 70 – 80 veta.
Këta rreshta t’i shkrova nën përshtypjen e kësaj ngjarjeje, që neve po na duket me rëndësi.
Tani të njoftoj se bashkë me shokun e „Bashkimit“ dhe të „Lirisë“ kemi vendosur të organizojmë një manifestim qendror për kremtimin e festës kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit në Shtutgart. Do të mblidhemi nja 300-400 veta nga Gjermania, Zvicra e Belgjika. Një pjesë e shokëve do të shkojnë për festë në Vjenë.
Të fala vëllazërore e revolucionare
Sokoli – 16 nëntor 1981