Pashtriku.org, 02. 12. 2013 – AKTI I TRETË – VDEKJA II: Të dashuruarit në të ashtuquajturën liri ose janë të vdekur ose janë në burg apo larg vendlindjes. A s’po të mbyt vetmia, o Adem Jashari?ADEMI: Unë nuk jamë vetëm?VDEKJA II: E di! Ke familjen tënde! Ke babanë! Ke vëlla Hamzën!ADEMI: Jo vëllanë, po vëllezërit!VDEKJA II: Po mirë, vëllezërit, po megjithatë Rifatin s’e ke këtu!Në mes teje e atij ekzistojnë kufij! Ekziston një largësi!ADEMI: Kufijtë i kanë vënë të ligjtë për t’i ndarë njerëzit, vëllezërit!VDEKJA II: Megjithatë, ata qëndrojnë kërcënueshëm para të gjithë atyre që nuk i respektojnë.ADEMI: Të parën gjë që kamë mësuar, kur kam ardhur në këtë botë, ka qenë mospranimi i kufijve dhe nevoja e përhershme për rrënimin e tyre. Njerëzit, duhet të jenë të lirë të shkojnë ku të duan, ashtu si zogjtë, që fluturojnë nëpër qiellin e paanë.
VDEKJA II: Po e vazhdoj aty ku e lashë për shkak të ndërhyrjes sate.
ADEMI: Vazhdo prej ku të duash!
VDEKJA II: Ke gruan, fëmijët, nipat e mbesat. Pra, je vetëm me familjen tënde e kjo do të thotë se je vetëm, për të mos thënë qyqelume vetëm.
ADEMI: Edhe vetëm një lis, nëse është i blertë, me mua është. Edhe vetëm një gur në bjeshkët e Kosovës, nëse është i palëkundur nga vendi, me mua është. Edhe vetëm një zog, nëse fluturon, me mua është. Edhe vetëm një yll, nëse në qiell ndriçon, me mua është. Edhe vetëm një krua, nëse rrjedh ujë të kulluar, me mua është. Edhe ajo shqiponjë, që po fluturon me aq krenari dhe nuk po e çan kokën për retë e dendura,që po dynden në këtë qiell, me mua është. Edhe vetëm një…
VDEKJA II: Sa i marrë që je! Vetëm qilimi fluturues po të munguaka!
ADEMI: Atë ta kam lënë ty.sepse të duhet për të hipur dhe për ta thyer qafën tënde.
VDEKJA II: Po mundohesh ta bësh shumë trime jetën, e jeta e trimëruar të vret.
ADEMI: Vrasje e bukur! Vrasje e dashur!
VDEKJA: Po mundohesh ta bësh shumë të mençur jetën. Jeta e stërngarkuar me mençuri të shpie më së lehti në çmendi.
ADEMI: Nëse nga mençuria mund të shkohet në çmendi,
Kjo s’është e thënë të ndodhë me siguri!
Po nga marria, nga ajo që thua ti,
A ka rrugë për në mençuri
Apo
në ishullin e adhuruar?
VDEKJA II: Edhe mund të ketë,
nëse bie në rrjetë
e të merr gjumi përjetë!
ADEMI: Do t’i thyej muret e ndërtesës sate për të vendosur dritare nëpër të cilat do të hyjnë rrezet e diellit të dashurisë, ndërsa engjëjt e qiellit të kaltër e të erës së ngrohtë pranverore do ta bekojnë jetën.
VDEKJA II: Ti, rebelohesh kundër meje! Rebelohesh kundër ligjeve të shenjta të pushtetit qiellor, prandaj do të dënohesh rëndë!
ADEMI: E ç’ka na qenka ai dënim i rëndë?
VDEKJA II: Dënime ka shumë dhe ato janë të rënda. Secili më i rëndë se tjetri është!
ADEMI: Frika është lavire dhe meriton të përbuzet!
VDEKJA II: Ai që e di fatin e Prometeut, i cili përkundër dëshirës së zotërave e mori zjarrin e shenjtë, duke e ndezur pishtarin e tij në Qerren e Zotit Diell dhe duke ua dhuruar njerëzve, duhet të ndalet e të mendojë.
ADEMI: Ç’farë të mendojë?
VDEKJA II: Për dënimin dhe vuajtjen e pafund!
ADEMI: Megjithatë, Prometeu e mbijetoi vuajtjen!
VDEKJA II: Zeusi e lidhi me hekura për një shkëmb të Kaukazit, ku shpendi grabitçar për çdo ditë i hante mëlqinë, e cila i rritej gjatë natës, por të nesërmen shpendi grabitçar vazhdonte të njëjtën gjë. Dhembjes dhe mundimit nuk i gjendej fundi.
ADEMI: Megjithatë, Prometeu, ashtu si populli i Dardanisë sime, arriti ta mbijetojë dhembjen dhe mundimin e rëndë.
VDEKJA II: Nëse Prometeu arriti të mbijetojë, Eskulapi nuk arriti një gjë të tillë dhe pikërisht ky ishte një nga paraardhësit e tu të lashtë, të cilin e mora nga kjo botë me këto duar.
ADEMI: S’po ma mbushin synë duart e tua!
VDEKJA II: Kështu pati menduar edhe Eskulapi, i cili duke qenë mjeku më i mirë që kishte njohur kjo botë, e theu rendin hyjnor. Ai m’i merrte njerëzit nga duart, duke i shëruar nga goditjet e dukshme e të padukshme të shigjetës sime. Ai nuk u ndal me kaq, por filloi t’i ngjallte të vdekurit.
ADEMI: Ka ngjallur të vdekurit?
VDEKJA II: Ngjalli Likurgun, Tindarin, Kapaneun, Glaukun dhe Hipolitin
e Bukur.
ADEMI: Pse s’thua edhe të pafajshëm?
VDEKJA II: S’është me rëndësi fakti në ishte apo s’ishte fajtor Hipoliti, kur e zbatova dënimin, duke e zgjatur dorën dhe duke e dërguar në mbretërinë time.
ADEMI: Eskulapi paska korrigjuar një padrejtësi!
VDEKJA II: Ajo që ti quan korrigjim padrejtësie s’është gjë tjetër, pos thyerje e rendit hyjnor.
ADEMI: Rendi hyjnor qëndruaka me këmbë në padrejtësi e padrejtësia duhet të luftohet !
VDEKJA II: Të mençurit luftojnë për ta fituar të mundshmen!
ADEMI: Trimat luftojnë për ta fituar atë që duket e pamundshme, prandaj i tërheq rreziku dhe janë të rrallë.
VDEKJA II: Edhe Eskulapi ishte i rrallë, por dora ime e shndërruar në rrufe të Zeusit e goditi e pastaj e mori me vete.
ADEMI: Rendi hyjnor, i krijuar nga perenditë hakmarrëse, ka ndëshkuar me rrufe jo vetëm Eskulapin, po edhe popuj të tërë.
VDEKJA II: S’po të kuptoj mirë!
ADEMI: Më mirë thuaj s’po dua të të kuptoj!
VDEKJA II: Mos po do të thuash se edhe popullin tënd e kam goditur shpeshherë pa faj?
ADEMI: Pikërisht këtë desha të ta them!
VDEKJA II: Qysh në Trojë ngritët krye kundër meje, prandaj unë ju godita vazhdimisht!
ADEMI: Dhe, ne të luftuam me të gjitha mjetet për të mbijetuar, për ta mbrojtur të dashurën tonë – jetën, në këtë tokë dhe nën këtë qiell.
VDEKJA II: Ti përmend pjesën tënde të qiellit, po ligjet e tërësisë së tij s’i përfill.
ADEMI: Nuk i respektoj vetëm të shpifurat. Unë jetoj në tokë, në Prekaz. Këtu vlejnë ligjet e tokës së Drenicës…
VDEKJA II: Megjithatë, toka qeveriset me ligjet e qiellit dhe kjo është një e vërtetë absolute.
ADEMI: Qielli dhe toka nuk janë në armiqësi. Toka e do qiellin, jo vetëm kur është i shëndetshëm dhe e mbulon me vellon e kaltër, por edhe kur është i sëmurë e gjëmon nga dhembjet e më shumë nga shqetësimet për të gjitha marritë që e mundojnë tokën. Edhe qielli e do tokën qoftë ditën, kur rrezet e arta të diellit ia dhuron, qoftë natën, kur shndërrohet në kësulë magjike të stolisur me miliona yje dhe vendoset në kokën e Tokës Princeshë të kredhur në ëndrrën e saj të purpurt.
VDEKJA II: Romantika është e njerëzve të paditur dhe kokëkrisur…
ADEMI: Të dashuruarve në bukuroshen e quajtur Liri u ka hije romantika dhe ky lloj i romantikës ua çel sytë, ua rrit guximin për t’u ndeshur me bishën shumëkrerëshe të robërisë.
VDEKJA II: Mos do të thuash se njerëzit po mardhin nga acari i robërisë?
ADEMI: Ata po dridhen nga të ftohtët e disa edhe nga frika…
VDEKJA II: …dhe ç’do të bëjë shkelqësia juaj për ta?
ADEMI: Nëse ka nevojë t’i ngroh me zjarrin e shpirtit e të trupit tim, të baba Shabanit, të vëlla Hamzës, të nënë Zahides, të gruas, kunatave, nipave e mbesave dhe të të gjithë Jasharajve të Prekazit. Bile edhe me zjjarrin e shpirtit e të trupit të dajës tim, Osman Gecit, do t’i ngroh.
VDEKJA II: Mos u mundo ta imitosh Prometeun, atë budallanë e madh.
ADEMI: S’kam nevojë të imitoj askë! As Prometeun e Lashtë e as Tahir Mehën e ri! Punën time vetë e di!
VDEKJA II: Flijim i kot!
ADEMI: Të duket ty, po e vërteta është tjetër…
VDEKJA II: E vërteta është se atyre u duhet zjarri dhe flijimi Yt. Po, ty të gjallë nuk të duan.
ADEMI: S’është ashtu siç thua ti!
VDEKJA II: Mëso nga paraardhësi yt, Prometeu.
ADEMI: Pikërisht nga ai kam mësuar.
VDEKJA II: Nuk ke mësuar asgjë nga ai. Ai mbylli të gjitha të ligat e kësaj bote në një kuti, po kunata e tij Pandora e hapi atë dhe të ligat përsëri e pushtuan botën. Ai u solli zjarrin njerëzve, të cilët pasi e ngrohën prapanicën e tyre, i harruan vuajtjet dhe dhembjet e tij, ndërsa, kur më në fund u lirua nga hekurat dhe vuajtjet, filluan ta akuzojnë për shumë gjëra të dyshimta. Kështu do të ndodhë edhe me ty dhe tërë familjen tënde.
ADEMI: Përkundrazi, nga Prometeu kam mësuar se vetëm heronjtë e kanë forcën për të kundërshtuar ligjet e çdo autoriteti sundues, veçan kur është pushtues dhe ky kundërshtim i tyre nuk është ndonjë mëkat, por është virtyti më i lartë, që dëshmon dashurinë e heronjve ndaj njerëzve dhe jetës ë tyre, për të cilën edhe flijohen në forma të ndryshme, por gjithmonë të lavdishme.
VDEKJA II: Ç’u duhet lavdia heronjve të vdekur apo të vrarë e shpeshherë edhe të pavarrosur.
ADEMI: Po shihet se nuk je në gjendje të dalësh nga burgu i egocentrizmit tënd prej të cilit e ke sulmuar jetën.
VDEKJA II: Nuk e di a e sheh ti vrapin e njerëzve për të rrëmbyer sa më shumë të mira materiale? Ata çdo gjë kanë dëshirë ta mbajnë për vete e jo ta ndajnë me të tjerët. Atyre nuk u vjen turp të thonë se janë aq sa kanë. Ata ua kanë zili atyre që kanë më shumë, ndërsa u frikësohen atyre që nuk kanë apo kanë më pak se ata. Natyra e njeriut është egoiste e lakmitare. A ia vlen të flijohesh për ta, o Adem Jashari?!
ADEMI: Njeriu duhet ta ndryshojë vetveten rrënjësisht, nëse do të mbijetojë në këtë botë. Veprimet e tij shpeshherë çojnë ujë në mullirin e shkatërrimit të saj.
VDEKJA II: Nëse i di këto gjëra, pse nuk shikon interesat e tua dhe të familjes sate, po rrezikon çdo gjë?!
ADEMI: Kjo do të ishte jetë miu…
VDEKJA II: Mos e merr me ngut!
ADEMI: Askush në këtë botë, pos të çmendurve, nuk rri duarkryq, kur i rrezikohet e qenmja. Na i kanë marrë të gjitha gjërat dhe këtë e kanë shpallur fitore të tyre, të arsyetuar gjoja me njëfarë të drejte historike. Zhurma ishte dhe është e madhe. Vetëm një gjë as nuk e ditën as nuk do ta dinë edhe një kohë të gjatë: Idealin tonë për të ekzistuar as nuk mund të na e marrin, as nuk mund të na e vrasin, edhe kur na qëllojnë me plumba e predha kalibrash të mëdhenj dhe fytyrën tënde gjakatare, o vdekje, e kanë.
VDEKJA II: Do t’ju vras e do t’ju djeg!
ADEMI: Edhe kur të na djegësh bashkë me shtëpitë tona, nga hiri ynë do të na ringjallë ky ideal dhe do të na bëjë më të fortë.
VDEKJA II: Pas të ashtuquajturës ringjallje, a do të ma dallosh fytyrën time, të cilën bota e modës mund ta shpallë fytyrë të MISS BUKURISË?
ADEMI: Fytyra jote do të digjet nga zjarri i flijimit tim dhe familjes sime! Ajo do të nxihet përjetësisht nga tymi i atij zjarri. Bota mund ta shpallë fytyrë të MIS SHËMTISË!
VDEKJA II: Prite ndëshkimin tim!
HAMZA: Po na gjuajnë me artileri të rëndë!
SHABANI: Po dridhet tokë e qiell, po armët tona s’guxojnë të dridhen!
ADEMI: Oj Kosovë, mos thuaj marova, se djemtë tu ende janë gjallë…
AKTI I KATËRT
VDEKJA E BUKUR: Po bën luftë me një ushtri
që në Prekaz po do me hy!
ADEMI: Derisa kombet të udhëhiqen nga lakmia dhe pangopëshmëria do të ketë lufta! Ne shqiptarët e kemi provuar dhe po e provojmë në kurrizin tonë lakminë dhe pangopësinë serbe, e cila s’njeh asnjë kufi!
VDEKJA E BUKUR: Plumbi në ballë lulen e gjakut ta paska qëndisur.
ADEMI: Lulja në ballë e bukur është.
VDEKJA E BUKUR: Unë të shoh në njerëzishmërinë tënde individuale e në të njëjtën kohë edhe në atë universale, prandaj e di se çka mund të bësh dhe profetizimi im është i pagabueshëm.
ADEMI: Dhe profetizimi yt, thua se mund të jet historia?
VDEKJA E BUKUR: Historia s’është asgjë tjetër, pos njeriu lufton dhunën, shtypjen, shfrytëzimin e njeriut mbi njeriun apo të një populli mbi popullin tjetër, pra është njeriu që mbron të drejtën për të jetuar dhe sulmon vdekjen e padenjë.
ADEMI: Vdekja e Bukur është pjesë e bukur e jetës dhe e mbron gjithmonë atë, duke e bërë më të dashur e më fisnike.
VDEKJA E BUKUR: Po unë a të dukem e bukur?
ADEMI: Në malet e fushat e Drenicës kam parë lule aq të bukura, saqë çdokush i mahnitur nga bukuria do t’i këpuste për t’u marrë erë, apo thjesht për t’i pasur pronë. Kurrë nuk më ka shkuar mendja t’i këpus, sepse kjo do të thoshte vrasje e tyre. Pikërisht këtu, i ka rrënjët konflikti im me qizmet serbe që kanë guxuar t’i shkelin lulet më të rralla nga bukuria dhe era e këndshme, motrat e mia të dashura, bijat e denja të LIRISE.
VDEKJA E BUKUR: Nuk m’u përgjigje drejtpërdrejt në pyetje!
ADEMI: Megjithatë, besoj se e ke kuptuar mendimin tim për Ty.
VDEKJA E BUKUR: Nëse tërthorazi e pranon se jam e bukur, a mund ta pranosh drejtpërdrejt se më dashuron?
ADEMI: Dashuria mund të jetë Perëndeshë! Ajo s’mund të jetë pronë e askujt! Ajo mund të ndjehet e të përjetohet! Ajo mund të jetë frymëzim për vepra të mëdha, të cilat mund ta shpëjtojnë jetën e pafajshme njerëzore të vënë në karrigen e të akuzuarit.
VDEKJA E BUKUR: Përgjigjmu thjesht! Më do apo s’më do?
ADEMI: PO, TË DUA !
VDEKJA E BUKUR: Po t’i mbyll sytë me duart e mia të buta, ty, të dashurit tim, Adem Shaban Jashari!
EPILOGU
FEHMI LLADROVCI: Megjithatë, arritëm në Prekaz!
XHEVA: Ja varret ku janë!
FEHMI LLADROVCI: Luan Haradinaj mungon! Ai mbeti në mesin e rrugës, për t’u treguar rrugën për në Prekaz, pelegrinëve që do të vijnë të dashuruar në Vdekjen e Bukur.
XHEVA: Megjithatë, na porositi ta vëmë nga një lule në secilin varr!
ILJAZ KODRA: Nënë e kishit Drenicën
vëlla e kishit diellin e shpresës sonë
baba e kishit qiellin
që s’ishte gjë tjetër
pos një sy gjigant i Shaban Jasharit…
FEHMI LLADROVCI: Drenica ju rriti
deri në lartësinë e flijimit
ju e rritët atë
deri në lartësinë e adhurimit…
BEKIM BERISHA: Nuk e di
a ju ushqeu ju Miti për Prometeun
apo ju e ushqyet Mitin për heronjtë?
XHEVA: (Xheva para varrit të Hamzës )
Nuk e di
sa gryka topash ke mbyllur
sa koka djajsh ke këputur?
FEHMI LLADROVCI: (Para varrit të Ademit)
Nuk e di në cilin varg t’u këput kënga
në cilin tel të çiftelisë t’u ndal tingulli
në cilin trung lisi të mbet shikimi
në cilin yll të shkoi shkëlqimi…
BEKIM BERISHA: Nuk e di
a e ke ditur se Besarta
e mbijetoi Golgotën e Prekazit
e si Marathonomake kumtin na e dha?
TË GJITHË: Vetëm një gjë e dimë me siguri
se Fundi juaj
është një Fillim i Ri
dhe se Perëndesha e juaj ishte
Vdekja e Bukur.
VDEKJA E BUKUR: Në këto varre janë eshtrat
e ëndrrave tuaja për lirinë
kur liria
fytyrë të paprekshme kishte…
ORAKULLI I DARDANISË: Flokët e blertë të tokës janë thinjur
Bari i blertë i kokave njerëzore është tharë
Vetëm pema e dhembjes ka mbirë
E po rritet me shpejtësi rrufeje…
Peizazhin e dhembjes e ndriçon hana
E largët, cinike e ftohtë
Hienat edhe hënën e gjuajnë
me artileri të rëndë…
VDEKJA E BUKUR: Hirësi, unë këtu jam! Adem Jashari më solli!
ORAKULLI I DARDANISË: Ata që mësojnë Artin e Vdekjes
edhe Artin e të Jetuarit
e kanë mësuar
përfundimisht mirë…
FEHMI LLADROVCI: Zëri yt, Hirësi
bie erë përjetësie…
XHEVA: Vdekje e Bukur, o Hyjneshë,
natë e ditë ti rrezaton
me të shtrenjtat rreze dashurie
në shpirtërat tanë ëndërrimtarë…
ORAKULLI I DARDANISË: U qoftë i lehtë dheu dardan
juve stërnipave të Orfeut
nga Vendenisi
juve stërnipave
të mbrojtësve të Trojës
nga okupimi, poshtërimi, lavrimi…
Dardania e vrau frikën
e mbjellë pabesisht
në zemrën e saj
nga djajtë shpëtimtarë,
të shenjtëruar në faltoren e trupit…
U qoftë i lehtë dheu dardan
juve që u niset për ta sjellë
Diellin e Lirisë
Në qiellin e atdheut…
U qoftë i lehtë dheu!
© Ndalohet kopjimi dhe shumëzimi i dramës – pa lejen e autorit dhe të Pashtriku.org.
– FUND –
KUSH ËSHTË KDRUSH RADOGOSHI
Kadrush Radogoshi lindi më 15 Shtator 1948 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin Filozofik (Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe) e kreu në Prishtinë, ku i kreu edhe studimet pasuniversitare të letërsisë dhe mori gradën “Magjistër i shkencave filologjike” duke mbrojtur tezën “Poetika e romanit bashkëkohor shqiptar me tematikë të shekullit të XV”.
Prej vitit 1969 e deri në vitin 1981 punoi në arsim, kur e burgosën dhe e akuzuan në bazë të nenit famëkeq 133 alinea 1 të Ligjit penal të ish Jugosllavisë për vepër penale “propagandë armiqsore”, që nënkuptonte sankcionim të lirisë së mendimit dhe fjalës së lirë.
Pas daljes nga burgu u ekskomunikua dhe iu mor e drejta e ushtrimit të profesionit të profesorit për 18 vjet me rradhë. Persekutimi i tij politik nga burokracia politike e Gjakovës shpesh herë mori përmasat e linçit publik. Ishte fajtori kujdestar politik në Gjakovë. Argumenti më domethënës për këtë është fakti se ishte i vetmi gjakovar në mesin e 237 izolantëve shqiptarë, kryesisht intelektualë, të arrestuar më 28 Mars 1989 e të dërguar fillimisht në Burgun e Leskovcit e pastaj të shpërndarë nëpër burgjet tjera të Sërbisë. Në rastin konkret Kadrushi u dërgua në Burgun e Prokuples. Motivacioni i këtij arrestimi ishte dyshimi se këta intelektualë, të cilët ishin shquar në kundërshtimin e rrënimit të autonomisë së Kosovës, mund të ishin të rrezikshëm për rendin kushtetues të ish Jugosllavisë. Ky arrestim nuk ishte bërë me ndonjë vendim gjykate, por me vendim policie të sugjeruar nga komitetet komunale të Lidhjes së Komunistëve të ish Jugosllavisë.
Duke qenë “i papërshtatshëm moralo-politikisht” për “sistemin e vetqeverisjes socialiste jugosllave” qe i papërshtashëm për t’u pranuar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 1981 gjer në vitin 1990. I tillë ishte edhe për redaktorët e të vetmes Shtëpi Botuese “Rilindja” (Libri i tij “Nekrologji për Sodomën” u censurua 7 vjet me radhë). I papërshtatshëm “moralo-politikisht” ishte edhe për dy tre hartuesit e antologjive, të cilët e kishin monopolizuar të drejtën për hartimin e antologjive me pëkrahjen direkte të politikës.
Në vitet 90 të shekullit XX ishte njëri ndër themeluesit e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe njëri ndër udhëheqësit e tyre, në mesin e të cilëve pos Prof.Dr. Hajrullah Goranit ishin edhe Hamëz Jashari (hero i kombit), Agim Hajrizi (dëshmor i kombit) e shumë të tjerë. Në vitet 1992 – 1997 ishte kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës. Gjithashtu ka qenë redaktor i Revistës letrare “Shtigje” të botuar nga ky klub.
Ka shkruar poezi, prozë (tregime dhe romane), dramë, ese, kritikë letrare, artikuj studimorë për letërsinë dhe publicistikë. Ka fituar shumë çmime letrare për poezi e tregim në konkurset letrare të gazetave dhe revistave letrare të Kosovës. Në vitin 2003, me librin “Nëpër universin letrar” fitoi Ҫmimin “Pjetër Bogdani”, i cili jepej për veprën më të mirë letrare të botuar gjatë vitit në Kosovë. Në vitin 2004 fitoi Ҫmimin Special të Festivalit “Sofra poetike Ymer Elshani”, ndërsa në vitin 2009 me librin poetik “Ҫabrat Antologjia” fitoi Ҫmimin për libër më të mirë poetik në Kosovë të botuar brenda dy Mitingjeve poetike, që mbaheshin në Gjakovë.
Deri tash ka botuar 15 libra letrarë të zhanreve të ndryshme letrare. Vlerat e veçanta të krijimtarisë letrare të Kadrush Radogoshit i kanë vënë në spikamë këta shkrimtarë, kritikë e studiues të letërsisë: Akademik Prof.Dr. Pajazit Nushi, Abdullah Konushevci, Rushit Ramabaja, Dr.Arben Hoxha, Mr.Sci.Hajdar Salihu, Mr.Sci.Kadri Rexha, Vasil Vasili, Prend Buzhala, Ismail Syla, Pal Ndrecaj etj. Për vlerat e veprimtarisë letrare të këtij autori, në letra të veçanta dërguar autorit, janë shprehur edhe dy personalitete të veçanta: Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti. Disa poezi të tij janë përkthyer në gjuhën angleze, suedeze,romune.
Në periudhën mars 2005 – mars 2007 ishte nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa në periudhën mars 2007 – mars 2009 ishte kryetar i saj. Në këtë periudhë, si përfaqsues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ishte anëtar i Këshillit të Librit (organ profesional) në Ministrinë e Kulturës së Kosovës. I zhgënjyer me rrjedhat negative në Kosovën e pasluftës, së bashku me familje, emigroi në Kanada (në vitin 2010)
* * *
KADRUSH RADOGOSHI
Kadrush Radogoshi was born in Gjakova (a city in the Western Kosova). He completed the primary school, the secondary school and the Teachers’ College in Gjakova, whereas the Faculty of Philosophy in Prishtina, where he also completed the postgraduate studies and received the Master of Arts in literature.
From 1969 to 1981 he worked as a teacher, when he was imprisoned and accused based on section 133 of the Criminal Law of the former Yugoslavia, a section against freedom of speech. On March 28, as Kosova’s nascent autonomy was effectively revoked by Serbian leader Slobodan Milosevic, Kadrush Radogoshi was one of 237 Albanian intellectuals roundet up and imprisoned, initially in Leskovac prison and then placed in the prisons overall Serbia, in the concrete case, in the prison of Prokuplje. Justification:They were hypothetically dangerous in the political aspect. He was for many years unemployed and politically persecuted, sometimes even up to a public lynching.
After the last war in Kosovo/a (1998-1999) he worked as a literature professor until September 1, 2010, when he emigrated to Canada along with his family. He was vice-president (2005-2007) and president (2007-2009) to the Writers Union of Kosova.
He has published poems, prose (short stories and novels), a drama, essays,and literary criticism. He is the winner of many literary prizes and awards in his country.
He has published the following boks:Between the Silence and the Song,(poems,1981),On theCrossroad (poems,1984), The Poetics of Albanian Contemporary novels, 1985, Necrology for Sodom (poems 1991), Artistic Life of Bereaved Ilir (novel 1993), Interpretations (literary criticism,1993) , Heraldry of Sorrow (poems 1997), Homo Dardanicus (novel 2000), Adem Jashari and Death (drama 2001), Throguh the Literary Universe (literary criticism 2003, ”Pjetër Bogdani” Prize, the highest prize for literature in Kosovo), The Roof of Soul Is Leaking, (poems 2004, Special prize of ”Poetic table Y. Elshani” 2004), Orpheus From Vendenis (poems, 2005), Through the Circles of Serb Hell (nonfiction, 2005),Award of Publik Library in Gjakova, Smiling Sorrow (poems, 2006), Semantics Of the Other Bank (literary criticism, 2008 – The Best Book “Pegasi” Gjirokastër, Albania), “Çabrat Anthology – A Devout Session (poems, 2008, Prize The Best Poetry Book in Kosovo, in 2009).
Kadrush Radogoshi’s books have been comented upon and have been the subject of literary criticism by several literary critics,writers and scholars of literature, among them are: Ph.D.Pajazit Nushi, Ph.D.Arben Hoxha, H.Salihu,A.Konushevci, R.Ramabaja, K.Rexha, Vasil Vasili, Prend Buzhala, Flori Bruci, Pal Ndrecaj etc.
His poems were included in several anthologies,also translated into Swedish, Rumanian etc.
“Now,after so many years fighting against censorship and tyranny in Kosovo, Radogoshi is ready to try something new in Edmonton” (Michael Hingston, Edmonton Journal, November 15, 2013).
Radogoshi is a member of this year’s Border Writer Circle, through which he appeard as a part at this year’s LitFest. He also is a member of Writers Guild of Alberta and a member of Stroll of Poets in Edmonton.
© Pashtriku.org, dhjetor 2013
=============================
KADRUSH RADOGOSHI: ADEM JASHARI DHE VDEKJA /DRAMË/
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2161