KALATË PELLAZGE RRETH LIQENIT TË SHKODRËS

KALATË PELLAZGE RRETH LIQENIT TË SHKODRËS

Nga Besnik Imeri, Vlorë 15. 07. 2022

 (GAJTANIT, DRISHTIT, MARSHEJIT, SAMOBARIT, MOSKETIT, MEDUNIT DHE BELTOJËS)

 Lugina e Drinit, si një nga rrugëkalimet më të rëndëshme qysh nga prehistoria, që ka lidhur bregdetin e Jonit të lashtë (nga japodët dhe liburnët deri tek ambrakasit), Epidamnin dhe Rozafën, me brendësinë e gadishullit të Hemit (Ballkanit), me një degëzim daljen në lumin Istër (Danubi) dhe kalim në territoret skithe, dhe degëzimi tjetër nëpërmjet Dardanisë daljen në detin Euksin (Deti i Zi), ngushticën e Helespontit dhe kontaktin me vendet e qytetëruara të gadishullit Anatolian; përfshirë, kryesisht, në atë që sot do ta quanim pellgu i Shkodrës, lumenjtë Bunë dhe Cem, liqenet, bregdetin me gjithë malësinë e Alpeve, përfshirë territoret e fiseve ilire të Labeatëve, Diokleatëve, me shtrirje, në veri deri tek Dalmatët, Daorsët dhe Autariatët, Rizoni në Kotor, Meteoni (Meduni) në Mal të Zi, etj.; e gjitha është e tejmbushur me fortifikime prehistorike  pellazgjike: Gajtani, Marsheji, Samobari, Mosketi, Rozafa në Shkodër, kalaja në Bushat; ndërsa rruga drejt Dardanisë mbrohet nga Drishti, Ganjolla dhe Peca në Kukës, etj. Neritan Ceka për rrugën në territorin e Dardanisë tregon: Rruga vazhdonte për në Viciano (Liplian), Veklan (pranë Prishtinës), Vinden (Gllamnik), Ad Fines (Kurshumlie), Hammeo (Prokuplje), Ad Herkulem (Brestovc), Naisso (Nish), Timaku Major, Timaku Minor, etj. [1]

Fillimisht i drejtohemi kalasë së Gajtanit, e cila, për mendimin tim, është një fortifikim tipik pellazgjik, me të gjithë treguesit e një ndërtimi të tillë. Gjerak Karaiskaj, e lidh fillimin e ndërtimit të fortifikimit prehistorik të Gajtanit me periudhën e bronzit, “Materiale të bronzit të vonë dhe të fillimit të hekurit ka dhënë një vendbanim tjetër i fortifikuar, kalaja e Gajtanit…ku muri i ruajtur është në një gjatësi 90 metra. Lartësia maksimale e ruajtur është 2.40 m, ndërsa trashësia 3.50 m. Ai formohet nga dy faqet dhe nga mbushja midis tyre. Faqet janë ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë të papunuar, të cilët krijojnë boshllëqe të konsiderueshme në bashkimin midis tyre.” [2]

Ndërsa Selim Islami për Gajtanin pohon: “… Gajtani…muret mbrojtëse të të cilit janë ndërtuar me blloqe gurësh të palatuar e të parregullta të lidhura në të thatë…Qyteza e Gajtanit është ajo që përfaqëson deri më sot, vendbanimet e fortifikuara më të hershme ilire në Shqipëri. Siç kanë treguar gërmimet në këtë qëndër, këto lloj vendbanimesh lindën aty nga fundi i epokës së bronzit-fillimi i asaj të hekurit…Janë rrethuar me mure  të fuqishme që arrijnë deri në 3,50 m gjërësi…Faqet janë ndërtur me gurë të mëdhenj e mesatarë, të papunuar, të cilat krijojnë boshllëqe të konsiderueshme në bashkimin midis tyre. Përmasat maksimale të një blloku arrijnë deri në 1,5 m gjatësi dhe 1 m lartësi.”[3]

1) Trakt muri pellazgjik i Gajtanit-Shkodër.     

Nisur nga ky përshkrim që Selim Islami dhe Gjerak Karaiskaj, sëbashku me Hasan Cekën, i bëjnë Gajtanit, vendosja e kronologjisë, në fund të periudhës së bronzit, sëbashku me Dorzin dhe Marrshejin; por edhe gjithë fortifikimeve të tjera analoge në Iliri, të cilat për nga teknikat e ndërtimit mund të datohen në të njëjtën periudhë me Gajtanin, aty nga fundi i periudhës së bronzit dhe fillimi i asaj të hekurit, mund t’i quajmë fortifikime të ndërtuara nga pellazgët.

Arkeologu Bep Jubani, në vitin 1986, duke ju referuar shtresave në kronologjinë e vjetër të Gajtanit, dy shtresat e para i vlerëson në fazën e parë dhe të dytë të bronzit të hershëm, shtresën e tretë e vlerëson në periudhën e bronzit të mesëm dhe të vonë, ndërsa shtresën e katërt, në shekullin e IV-I p.e.s. [4]

Vijojmë me fortifikimet e tjera:

Gj.Karaiskaj për Drishtin tregon: “Në kalanë e Drishtit vetëm pak gjurmë na janë ruajtur nga ndërtimet prehistorike. Një mur me gurë të papunuar, me gjërësi mbi 2 m, rrethonte majën e kodrës.” [5]        

Në pellgun e liqenit të Shkodrës, përveç kalasë së Skodrionit, janë edhe një sërë fortifikimesh përqark tij, të cilët mbrojnë këtë territor shumë të pasur: Marshej, Beltoja, Samobari, Mosketi, etj.

Kalaja e Marshejt ndodhet në veri të Koplikut, pranë fshatit Marshej, ngrihet drejt mbi fushën një kodër me faqe të pjerrëta dhe krejtësisht shkëmbore që thirret “kalaja e Marshejit”. Në këtë fortifikim arkeologu Gjerak Karaiskaj ka drejtuar një ekspeditë arkeologjike: “Në majën e kodrës ruhen gjurmët e një muri prehistorik… që ka më tepër karakterin e një ledhi…i cili s’duhet të ketë qënë më i lartë se 2 m…Fortifikimi shtrihet mbi dy maja kodrash që lidhen me anë të një qafe ku është ndërtuar një mur me gjatësi 90 metra. Muri ka një trashësi prej 2,70 m dhe ruhet në një lartësi prej rreth 1 m…nga veriu ndërpritet nga një pjesë shkëmbore…teknika e ndërtimit të kujton muret e kalasë së Trajanit dhe Bellovodës…dhe duke qënë më primitive se ajo e mureve të Gajtanit…ndërtimet mbrojtëse me ledhe guri janë tipet më të vjetra të fortifikimeve në vendin tonë. Një teknikë të ngjashme e takojmë në ndërtimet mbrojtëse qysh nga neoliti i vonë (v.2800-2700 p.e.s.), siç është rasti i zbulimit të një muri mbrojtës nga gërmimet arkeologjike në Kamnik të Ersekës…në Gradishtën e Symizës…një ledh me gurë që nuk e kalonte gjërësinë 1,5 m…që datohet në periudhën e fundit të bronzit (1500-1200 p.e.s.). Kësaj periudhe i takon edhe ledhi mbrojtës i Marshejt. Muri që mbyll qafën nga ana perëndimore, siç e tregon edhe teknika e ndërtimit, u ngrit në një periudhë të dytë…që përkon me ndërtimet mbrojtëse Gajtan, Beltojë, Ganjollë, Drisht, Danjë. Teknika e ndërtimit e daton këtë mur në periudhën e hershme të hekurit (1200-800 p.e.s.) [6] 

Nga ky përshkrim i gjatë Gjerak Karaiskaj arrin në përfundimin se fortifikimi i Marshejt, në periudhën e lulëzimit të tij, ishte i njëkohshëm me fortifikimet e Gajtanit, Beltojës, Ganjollës, Trajanit, Bellovodës, etj, dhe, përcakton si kronologji të të gjitha këtyre ndërtimeve, periudhën e hershme të hekurit (1200-800) p.e.s., kohë që për mendimin tonë, mbahet si periudha e fundit e lulëzimit të ndërtimeve pellazgjike.

Ndërsa kalaja e Samobarit përmendet nga Neritan Ceka: “Rreth liqenit të Shkodrës ka edhe një vendbanim tjetër që përmban në fortifikimin e vet elementë protoqytetarë. Ky është Samobari në një gadishull me lartësi 83 metra mbi nivelin e detit, që kontrollon rrugën natyrore nëpër bregun lindor të liqenit. Fortifikimi përfshin një terren të përshtatshëme për banim me sipërfaqe 1,5 ha midis dy majave shkëmbore...Prashnikeri përshkruan vetëm murin lindor. Sipas tij ai është ndërtuar me blloqe guri krejt të papunuara, afërsisht katërkëndëshe, të vendosura pa rregull dhe të plotësuara me gurë të vegjël.”[7]

2) Trakt muri pellazgjik në Kalanë e Samobarit. 

Lidhur me kalanë e Mosketit arkeologu Gëzim Hoxha na informon: “Faza e parë e ndërtimit të Mosketit vërehet më mirë në anën veriperëndimore. Këtu vërehet një pjesë e fasadës së jashtëme e murit me blloqe gurësh të papunuar me forma poligonale, të lidhur në të thatë. Bërthama e murit duket e mbushur me gurë të vegjël. Kjo teknikë ndërtuese ngjason mjaft me fortifikimet prehistorike të tipit Gajtan, të njohura tanimë edhe në disa vendbanime të tjera të fortifikuara të pellgut të Shkodrës dhe më gjërë. Analogjia më e afërt paraqitet në ndërtimin e fazës së parë të Kalasë së Samobarit, që ndodhet kundruall në anën tjetër të liqenit, vetëm disa qindra metra larg. Po ashtu në afërsi ndodhen edhe muret e ngjashme të Kalasë së Marshejit.”  

3) Trakt muri pellazgjik i Kalasë së Mosketit. Foto.G.Hoxha.

Për kalanë e Meteonit, Medunit në Kuç të Malit të Zi, një territor historik i shqiptarëve i aneksuar në kohën e afërme nga Mali i Zi me ndihmën e Fuqive të mëdha, Milan Shuflaj pohon:  “Si tip i një qyteti të fisit të vjetër illir jugor mund të  shërbejë Meduni, në zonën e Kuçit të sotëm në lindje të Malit të Zi, i cili edhe në kohën tonë është një fortesë me  rëndësi, me mure ciklopike, me një kështjellë që rrallë mund t’i gjendet shoqja në botë…kjo është një Medeon…në tokën e fisit të Labeatëve…”[8] 

Për sa i përket kalasë së Beltojës  arkeologu  eksplorues i saj Bashkim Lahi informon:

“Rreth 2 km në jug të kalasë së Shkodrës, mes fshatrave Beltojë, Mali  Hebaj e Bërdicës, ruhen rrënojat e qytezës së lashtë të Beltojës. Qyteza është vendosur në majën e një kodre 168 m mbi nivelin e detit. Duke u mbështetur në depozitimet kulturore si dhe në arkitekturën e zbuluar vëmë re se jeta në këtë vendbanim ka kaluar në dy faza:

a – Periudha e parë, i takon fundit të epokës së bronzit.

b – Periudha e dytë, shtrihet nga gjysma e dytë  e shek. III – shek. I p.e.sonë.

4) Trakt muri pellazgjik i Meteonit, Medunit në Mal të Zi.

…Muret rrethuese…sipas teknikës së ndërtimit ngjashmëritë më të afërta tipologjike në pellgun labeat vihen re në muret më të hershme të Marrshejt, Ganjollës, Samobarit…Në bazë të të dhënave tipollogjike të dy sistemeve, si dhe kronologjitë që japin depozitimet kulturore të vendbanimit, do të mendonim që muri më i hershëm rrethues është ndërtuar aty nga fundi i periudhës së bronzit, ndërsa rrethimi i dytë me mure i takon fundit të shek.III – fillimit të shek.II…Nga analiza e përgjithshme,  qeramika e shtresës së parë të qytezës së Beltojës mund të datohet në fundin e periudhës së bronzit.” [9]

Ndërsa një vit më pas Lahi kumton:

 “Për fillimet e jetës së saj dëshmojnë qeramika, muri rrethues Beltojë I si dhe dy sëpata të tipit iliro-dalmat… Të dhënat tipologjike si dhe kronologjike që jep shtresa më e hershme kulturore e këtij vendbanimi sugjerojnë mendimin që datimin e këtij muri, gjërësia e të cilit shkon deri në 3,5 metra…ta kërkonim nga fundi i periudhës së bronzit deri në fillimet e asaj të hekurit…

…B.Jubani ka publikuar nga kjo qytezë dy trakte muresh, një sëpatë guri të thyer, fragmente qeramike, si dhe dy sëpata të tipit iliro-dalmat. Nisur nga këto ai mendon se vendbanimi ka lindur në fundin e epokës së bronzit dhe ka vazhduar deri në fund të periudhës ilire…”[10]   

5) Trakt muri pellazgjik nga kalaja e Beltojës – Shkodër. Foto B.Jubani

Të gjitha fortifikimet e përmendura më sipër, Samobari, Mosketi, Meduni, Marrsheji, Beltoja, Gajtani, Drishti dhe Ganjolla, që i takojnë pellgut të Shkodrës, nisur dhe nga përshkrimet e mureve, blloqet e gurëve të mëdhnj dh të papunuar, ndërtimit të fortifikimit midis dy majave shkëmbore (Marrshejit dhe Samobarit) dhe periodizimit që i kanë bërë arkeologët  eksplorues, pa dyshim dhe pa frikë, mund të kategorizohen si ndërtime pellazgjike.

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)

__________________________ 

***

***


[1] Neritan Ceka “Ilirët deri tek shqiptarët”, Bot.MIGJENI, Tiranë-2014, f. 276

[2] Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 13-14

[3] Selim Islami, Historia e Ilirëve, Bot.Toena-2008, f. 206, 181, 207-208

[4] G. Hoxha, “Gjurmë të bronzit të hershëm në kalanë e Shkodrës ”, ILIRIA Nr.1-1987, f. 74

[5] Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 18

[6] Gjerak Karaiskaj, “Vendbanimi i fortifikuar prehistoric i Marshejt”, ILIRIA-1977, f. 263-265

[7] Neritan Ceka, “Lindja e jetës qytetare tek Ilirët e Jugut”, “Iliria” – 1983

[8] Milan Shuflaj,“Serbët dhe Shqiptarët”, Bot.TOENA-2004, Përkth.Kroat,Hasan Çipuri, f. 4-5

[9] Bashkim Lahi, “Beltoja”, ILIRIA Nr. 17-2, 1987, f. 249-250

[10] Bashkim Lahi, “Qyteza e fortifikuar e Beltojës ” Bot.ILIRIA-1988.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura