KAMER ELEZAJ: AGIM RAMADANI – IDEATORI I PLANIT PËR KOSHAREN

Pashtriku, 14 prill 2019: (Në 20 vjetorin e frontit të Koshares)

Kosharja ishte vija ndarëse për oficerët shqiptar të shkolluar në ish Jugosllavi!

Dy gjëra të mëdha për palën shqiptare rrodhën nga Rambujeja (shkurt 1999):
1. Marrëveshja e nënshkruar nga pala kosovare që bëri të mundshme angazhimin e NATO-së në Kosovë dhe
2. Qeveria e Përkohshme e negociuar nga ndërkombëtarët që dëshironin të kishin një partner të vetëm nga pala shqiptare.

Shpallja e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës të dalë nga bisedimet e Rambujesë ishte vija ndarëse për oficerët që ishin vënë në shërbim të Qeverisë së Kosovës (FARK), në oficerë që u vunë në shërbim të UÇK-së dhe në oficerë që vazhduan të mos bashkëpunojnë me UÇK-në, një pjesë fanatike e të cilëve edhe e luftuan UÇK-në edhe pas shpalljes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Rambuje, 23 shkurt 1999: Marrëveshja për formimin e Qeverisë së Përkohsme të Kosovës

Shumica e oficerëve shqiptar të shkolluar në akademitë e ish-Jugosllavisë ishin njerëz që dëshironin të shërbenin në kuadër të institucioneve shtetërore. Për ta ishte e rëndësishme që të ishin pjesë e institucioneve shtetërore dhe të mësuar të nënshtroheshin urdhrave të hierarkisë shtetërore u vunë në shërbim të Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë Bukoshi. Kjo vetëdije u shfrytëzua nga qeveria Bukoshi për të mbajtur këta oficer të lidhur për qeverinë Bukoshi, për FARK-un.
***
Por me formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës kjo arsye ra. Me formimin e kësaj qeverie për shumicën e oficerëve shqiptar u bë e kjart se lojaliteti i tyre institucional duhej të ishte me qeverinë e re, Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, qeveri që ishte e përbashkët për LDK dhe UÇK-në. Kjo bëri që shumica e oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë Bukoshi (FARK-u) të kalojnë nën komandën e UÇK-së. Pararendësit e këtij kalimi ishin oficerët e Padeshit dhe Papajt, të udhëhequr nga Agim Ramadani, Rrustem Berisha dhe Sali Çeku ndërsa në ministrin e Mbrojtjes kalimi është udhëhequr nga shefi i logjistikës oficeri Xhafer Jashari.
U bënë përpjekjet serioze që të gjithë oficerët e Ministria e Mbrojtjes (FARK-ut), përfshi edhe ministrin (Halil Bicaj – Sh.B), të kalonin nën komandën e UÇK-së por për arsye qoftë karrieriste, qoftë për arsye të errëta, një pjesë e vogël e këtyre oficerëve nuk kaluan në anën e Qeverisë së Përkohshme dhe rrjedhimisht në anën formale të UÇK-së.
Kalimi i Agim Ramadanit, Rrustem Berishës, Xhafer Jasharit dhe të tjerëve mori me vete mbi 90 përqind të oficerëve, shumica e të cilëve shërbyen mu në Koshare dhe në operacionin Shigjeta.
Një pjesë e madhe e këtyre oficerëve nuk kishin ndonjë simpati për udhëheqësit e atëhershëm të UÇK-së por u rreshtuan në këto operacione nga ndjenja e detyrimit ndaj atdheut dhe ndaj qeverisë legjitime të atëhershme Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Me këtë kalim në anën e UÇK-së, këta oficerë ndërprenë kontaktin formal me qeverinë Bukoshi (me FARK-un) dhe natyrisht që edhe ata pak oficerë që mbeten në FARK ndërprenë ndihmat formale për oficerët që kaluan në UÇK. E kam fjalën për ndihmat formale se këta njerëz njiheshin privatisht mes vete dhe do vazhdonin ta përkrahnin njëri tjetrin. Kjo edhe bëri që me kalimin e kohës pothuajse mbi 90 përqind e oficerëve tu bashkohej formacioneve të UÇK-së në Koshare. Një pjesë e vogël e këtyre oficerëve dëshironin të merrnin pjesë në luftë por njëkohësisht nuk dëshironin të ndiheshin sikur ishin vënë nën komandën e shtabit të përgjithshëm “të pashkolluarave”.Dhe e kishin më të lehtë të viheshin nën komandën e shokëve të tyre në Koshare. Ata edhe sot e kësaj dite thonë se ishin pjesë e UÇK-së por jo nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm. Për udhëheqësit e brigadës së Koshares (brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ – Sh.B) kishte rëndësi që këta njerëz luftonin dhe i nënshtroheshin urdhrave të brigadës, se askush nuk i pyeste këta njerëz për qëndrimin ndaj Shtabit të Përgjithshëm. Kjo ishte një lloj marrëveshje e pashkruar.
Por një pjesë e vogël e oficerëve të FARK-ut nuk pranuan të vihen nën komandën e UÇK-së dhe e kundërshtuan UÇK-në edhe me armë. Është i njohur incidenti që disa oficerë të FARK-ut bënë në vendin mes Kalimashit e Kolshit.
Kosharja ishte vija ndarëse për oficerët shqiptarë të shkolluar në ish-Jugoslavi në dy pjesë:
1. Pjesa që pranoj të vihet nën urdhrat e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ishin mbi 80 % e oficerëve. Këta ishin heronjtë që morën pjesë në luftën e Koshares dhe operacionin Shigjeta, dhe
2. Pjesa që nuk pranoj të vihet nën komandën e UÇK-së dhe vazhdoj të kundërshtoj UÇK-në dhe që u mundua të bëjë probleme të caktuar përmes një marshimi jo të lavdishëm nga Mamurasi deri në Dukagjin. (Është fjala për njësinë “Mërgimi” me komandant Tahir Zemaj – Sh.B)
Njerëz të mbetur në Ministrinë e Mbrojtjes të Qeverisë Bukoshi në Tiranë reaguan me nervozizëm dhe i ndërprenë kontaktet me Kosharen.
Natyrisht që Shukrije Ramadani flet një të vërtetë kur thotë se telefoni satelitor i Agim Ramadanit u ndërpre, dhe ky ishte një telefon satelitor që deri atëherë ishte paguar nga Qeveria Bukoshi (FARK) dhe tani, ndoshta me qëllim, apo ndoshta edhe nga pakujdesia, nuk është paguar nga Ministria e Mbrojtjes. Natyrisht që Bukoshi si kryeministër nuk është marrë me pagesat e telefonave, dhe ka të drejt kur thotë se ai nuk ia ka ndërpre telefonin Agim Ramadanit. Telefoni satelitor ndërpritet kur nuk bëhet pagesa. Unë njoh miq nga Tirana që 10 vjet pas luftës kanë paguar telefonat celular të cilët janë përdorur nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi, por që kanë qenë në emrin privat të personave në fjalë. Njerëzit e mbetur në FARK kanë qenë edhe të paktë por edhe të çorientuar në atë kohë dhe nuk është çudi që këto gjëra t’i kenë bërë nga pakujdesia, e disa nga ata edhe nga keqdashja apo inatet.
Ministria e Mbrojtjes e qeverisë së Bukoshit kishte disa kampe stërvitore në Shqiprëi: Papaj, Babinë, Kolsh dhe Kalimash.
Kalimi i i oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi në anën e UÇK-së dhe të Qeverisë së Përkohshme bëri që repartet në Papaj, Babinë dhe Kalimashi të kalonin në anën e UÇK-së dhe sa di unë vetëm Kolshi mbeti në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi.
Kur flasim për reparte duhet të themi se repartet ishin një grup njësie e përbërë prej afërsisht 20-30 vetëve.
Për kalimin e repartit në Papaj dhe Babinë në anën e UÇK-së janë bërë bisedime mes Agim Ramadanit, Rrustem Berishës dhe Sali Çekut me Nasim Haradinajn si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm. Nasimi ka qenë përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ka pasur mbështetjen e madhe të gjeneralit të Divizionit të Kukësit Kudusi Lame, i cili de fakto ka qenë nga këshilltarët kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Unë kam parë intervistë të Gjeneralit K. Lame ku ai shprehet se në kuadrin e punës së tij për UÇK-në ai ka pasur për epror komandantin e atëhershëm të UÇK-së Azem Sylën si dhe anëtarin e shtabit Xh. Halitin. Duke u nisur nga relacionet që luftëtarët e UÇK-së kanë pasur me oficerët aktiv të Ushtrisë së Shqipërisë mund të themi se gjenerali Lame tregohet modest duke dashur të dëshmoj se ka respektuar hierarkinë ushtarake. Ka qenë gjenerali Lame ai që ka pasur fjalën e parë për të gjitha gjërat në atë pjesë të Shqipërisë. Shtabi ka marrë këshilla nga gjenerali Lame, gjë që është e nënkuptuar nga çdo njeri që sadopak merrë vesh nga çështjet ushtarake.
Kur Rrustem Berisha, Agim Ramadani dhe Sali Çeku kanë bërë marrëveshjen me Nasim Haradinajn atëherë kanë filluar përgatitjet serioze për nisjen e luftës në Koshare. Atëherë UÇK-ja ka dërguar një pjesë të trupave të veta në repartin në Papaj dhe Babinë dhe me këtë janë përforcuar këto dy reparte dhe është rritur numri i luftëtarëve. Agimi, Rrustemi dhe Saliu u kanë bërë thirrje të gjithë oficerëve të tjerë të Ministrisë të lënë Ministrinë e Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi dhe të shkojnë në veri për të luftuar. Një pjesë e konsiderueshme e kanë bërë një gjë të tillë.
***
Për fillimin e luftës së Kosharës natyrisht që është marrë miratimi nga ushtria shqiptare. Për furnizimin e reparteve të UÇK-së janë kujdesur oficer të ushtrisë shqiptare të udhëhequr nga gjeneral K. Lame. Ndërmjetësuesi apo lidhja mes ushtrisë shqiptare dhe brigadës 138 ka qenë Nasim Haradinaj. Nasimi ka qenë nga udhëheqësit e brigadës dhe ka qenë në udhëheqjen e ngushtë të brigadës.
Brigada 138 ka qenë pjesë integrale e UÇK-së dhe kanë vepruar nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm, madje mund të themi se ka qenë brigada që ka komunikuar më së miri me Shtabinë e Përgjithshëm të UÇK-së ngase edhe i ka pasur kushtet e mira për komunikim. Edhe pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme kanë pasur lidhje dhe kanë bërë vizita në brigadën në fjalë. Nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme janë dhënë urdhrat përkatës.
Tani kam parë disa komente rreth numrave të protokollit dhe datave të këtyre dokumenteve dhe dëshiroj të shpjegoj se Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme ka qenë e porsa formuar dhe një pjesë e personelit nuk kanë ditur se si formulohen urdhrat ushtarakë apo edhe si formulohen dokumentet administrativ të një ministrie. Personeli nuk ka qenë profesional por kanë qenë atdhedashës që kanë kryer një punë për të cilën nuk kanë qenë të arsimuar. Pas një kohe të shkurtër kanë korrigjuar edhe këto të meta. Kjo është arsyeja përse dokumentet kanë të meta – këtë e di ngase një kohë gjatë muajve prill-qershor kam shërbyer pranë kësaj ministrie.

Sa i përket origjinës së planit për marrjen e Kosharës. Me rastin e tërheqjes së forcave të UÇK-së dhe popullsisë së rrethit të Junikut për në Shqipëri në gusht të vitit 1998 unë shkova në repartin në Papaj për të takuar shokun tim të fëmijërisë Ramadan Gashi, që ishte një nga oficerët e repartit. Agim Ramadani ishte aty dhe më kujtohet se ishte shumë i revoltuar për mënyrën si ishin cytur forcat e UÇK-së të tërhiqen nga Juniku. Agimi kishte qenë vetë si pjesë e UÇK-së në Jasiq, nga oficerët që mbanin lidhje edhe me Ministrinë e Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi. Aty ishim me Ramadan Gashin dhe një oficer tjetër me mbiemrin Basha. Më kujtohet se me një rast Agimi u shpreh:
– Më jepni 50 ushtarë dhe do marrë karaullën e Kosharës.
Ishte viti 1998 dhe ai kishte qëndruar një kohë të gjatë në Papaj pastaj disa muaj në Jasiq dhe gjatë kësaj kohe sa duket ka përpunuar në mendjen e tij planin për Kosharen. Plani për luftën e Kosharës besoj se ishte fillimisht i tij personalisht dhe personi me të cilët ai i ka biseduar këto plane fillimisht duhet të ketë qenë Rrustem Berisha. Plani luftarak është filluar prej tyre. Ky plan është realizuar pastaj në prill të vitit vijues (1999 – Sh.B). Në aspektin formal edhe Shtabi i Përgjithshëm ua ka dërguar një planë luftarak për Koshare por në realitet ata kanë vepruar sipas planit të tyre. Madje edhe betejën e kanë filluar me një apo dy ditë vonesë, në krahasim me urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm.
***
Sot duket i çuditshëm qëndrimi i një pjese të oficerëve të kësaj brigade sikurse janë Anton Quni dhe Hisen Berisha, të cilët nuk duan ta pranojnë se brigada 138 ka qenë nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës,dhe se Shtabi i brigadës e ka pas ndërprerë komunikimin me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës (qeverinë Bukoshi) – gjë për të cilën mund të dëshmoj unë personalisht, meqenëse atëherë kam shërbyer në këtë ministri d.m.th. Në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, si ndihmës i ministrit për çështjet e ndërlidhjes.

______________
Ilustrimet © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura