Pashtriku, 19 Korrik 2019: Po dëgjoja intervistën e Buxhovit në Rubikon dhe më bënë përshtypje mendimet e tij që po i risjell më poshtë (thëniet e Buxhovit janë renditur si listë):
– UNMIK-u dhe NATO-i u përcaktuan që pushtetin në Kosovë ta merrte një strukturë që do të garantonte siguri përpara demokracisë
– Ka shumë indikacione që UNMIK strukturat nga krahu i luftës i kthej në partner.
– Pas bombardimeve ka pasur një koketim të amerikanëve me strukturat e UÇK-së dhe u përgaditën që ky krah ta marrë pushtetin.
– Sipas rezolutës 1244 faktori ndërkombëtar nuk është dashur të pranoj qeverinë e përkohshme as qeverinë e Bukoshit, është dashur që të dyja qeveritë të përfundojnë menjëherë.
– Qeveria e Përkohshme ishte në një farë mënyre jolegjitime, edhe pse ishte një farë marrëveshje në Rambuje me Rugovën për themelimin e Qeverisë së përkohshme.
– Qeveria e Përkohshme ishte vetëm për ta përgaditur bombardimin (a thua se kosovarët po organizonin bombardimin – komenti im) dhe më vonë nuk mund të vlente, sepse duhej ta kërkonte strukturën demokratike.
– Qeveria e Përkohshme u bë në rrethana jodemokratike.
– Aty nuk mori pjesë LDK-ja. QP u formua në Tiranë…
***
Duhet vërejtur se gjithë pezmi i Buxhovit është kundër Qeverisë së Përkohshme të formuar në Rambouillet nën drejtimin e ndërkombëtarëve, apo më saktë sipas këshillave të amerikanëve.
Bota ka përvojën e qindra luftërave gjatë 100 viteve të fundit dhe duke u nisur nga këto përvoja amerikanët i këshilluan kosovarët të formonin një Qeveri të Përkohshme të Kosovës ku do të përfaqësoheshin të tri grupimet kryesore në Kosovë. Është fjala për të tri grupimet që përfaqësoheshin edhe në Bisedimet në Rambouillet.
Kjo ishte një ide shumë e qëlluar e amerikanëve për të siguruar një qetësi dhe një zhvillim të kontrolluar të ngjarjeve të mbasluftës në Kosovë.
Kjo ishte një mundësi e madhe për Kosovën meqenëse kosovarët kishin marrë një premtim që brenda 3 viteve do vendosej për ardhmërinë e Kosovës, me nëntekstin e një pavarësie.
E gjithë bota, po edhe amerikanët e dinin se Kosova kishte një qeveri në ekzil, Qeveria Bukoshi, por ata këshilluan kosovarët të formonin një qeveri të re, një qeveri të përkohshme, ku do të përfaqësoheshin LDK-ja, UÇK-ja dhe shoqëria civile. Ata dëshironin që kjo qeveri duhet të udhëhiqej nga UÇK-ja meqenëse UÇK-ja ishte partneri që kishte luftuar dhe ishte ai partnerë me të cilët duhej biseduar për transformimin e kësaj ushtrie në një institucion më të pranueshëm për ndërkombëtarët. Kjo ishte arsyeja që u propozua që Qeveria e Përkohshme të udhëhiqej nga UÇK-ja, apo përfaqësuesit e UÇK-së.
Cilat ishin synimet që synoheshin të arriheshin përmes Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, synimet e faktorit ndërkombëtar përmes kësaj qeverie ishin të krijohej një lloj uniteti mes faktorëve të ndryshëm në Kosovë dhe ky unitet do të manifestohej në një qetësi të kontrolluar në Kosovën e pasluftës dhe një zhvillim i qetë për një kohë derisa të vendoseshin organet e vetëqeverisjes lokale dhe qendrore. Përveç kësaj ndërkombëtarët mendonin se një qeveri e përkohshme do ishte edhe më pak e kushtueshme për ndërkombëtarët, meqenëse ata nuk do kishin nevojë për një aparat të madh të UNMIK-ut. Me një Qeveri të Përkohshme funksionale në Kosovë UNMIK-u do kishte pasur nevojë vetëm për një udhëheqje qendrore dhe jo për ndonjë udhëheqje lokale (udhëheqjen komunale). UNMIK-u në fillim nuk dërgoj kryetar komunash por mendonte që gjithë udhëheqja e administratës lokale të mbahej nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Madje edhe pjesë të mëdha të qeverisjes qendrore do i lejoheshin Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe UNMIK-ut do i mbetej vetëm roli mbikëqyrës
Kjo ishte një politik e logjikshme nga ana e SHBA, e njohur si politika e pesëshes së madhe (pesë fuqive të mëdha), ngase NATO kishte bërë gjithë atë angazhim ushtarakë për Kosovën dhe dëshironin që ky intervenim të përmbyllej me sukses, duke krijuar një shoqëri moderne dhe demokratike në Kosovë. Ata e dinin se për këtë gjë kishte nevojë për një unitet brenda shoqërisë kosovare. Qetësi dhe zhvillim në paqe.
Cilat ishin përfitimet e Kosovës me Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Do krijohej një unitet mes dy forcave kryesore në Kosovë, forca që kishin pasur fërkimet e veta gjatë luftës. Një e treta e ministrive u ishte lënë shoqërisë civile si një forcë e ndërmjetme mes dy forcave rivale, me qëllimin e mirë për të fashitur kundërthëniet sa më shumë.
Uniteti do krijonte parakushte për zhvillim pozitiv të përbashkët në vend që fuqitë e këtyre grupimeve të harxhoheshin për kundërvënien ndaj njëri tjetrit.
Do krijohej një ambient paqësor në vendin e porsadalë nga lufta.
Do arrihej te pavarësia shumë më shpejt!
Tri grupimet kosovare në Rambouillet: LDK, UÇK dhe shoqëria civile kishin rënë dakord për formimin e qeverisë së përkohshme por njëri nga këto grupime u tërhoq nga kjo marrëveshje.
Ishte LDK-ja ajo forcë që u tërhoq nga marrëveshja dhe nuk emëroj asnjëherë ministrat e vetë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës dhe as që mori pjesë në punën e kësaj qeverie. Jo vetëm që nuk mori pjesë por që me hyrjen e NATO-së në Kosovë LDK-ja filloj kundërshtimin ndaj Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Fillimi i “luftës” së LDK-së ndaj Qeverisë së Përkohshme është edhe fillimi i tatëpjetës së zhvillimeve për Kosovën.
Tentimi i parë i kundërvënies së LDK-së ndaj Qeverisë së Përkohshme të Kosovës është organizimi i marshimit të Brigadës Mërgimi, e drejtuar nga Kolonel Zemaj, nga Mamurasi për në Kosovë. Kjo brigadë ishte organizuar në Mamuras të Shqipërisë nga një pjesë e vogël e oficerëve të mbetur në kuadrin e “FARK”-ut. Brigada nuk ishte nën komandën e UÇK-së dhe u nis në marshim drejtë Kosovës disa ditë mbas ditës kur NATO ishte futut në Kosovë dhe forcat serbe ishin larguar nga Kosova. Forcat e UÇK-së si edhe forcat e Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë bënë disa tentime të pengonin këtë brigadë të shkonte në Kosovë, të nisur nga ideja se brigada ishte nisur për Kosovë për t’i bërë karshillëk (kundërvënie) forcave të UÇK-së brenda në Kosovë. Kjo ishte e nënkuptueshme ngase kjo brigadë nuk kishte asnjë detyrë luftarake, meqenëse lufta kishte mbaruar dhe nuk mbetej gjë tjetër pos që kjo brigadë të barte armatimin nga Mamurasi deri në Prizren dhe të ua dorëzonin këtë armatim forcave të KFOR-it. Brigada e kishte më lehtë të dorëzonte armatimin në Shqipëri, aq më shumë që armatimi ishte marrë në Shqipëri. Mirëpo sa duket LDK dëshironte të kishte një forcë të vetën të uniformuar në Kosovë.
Kalvari i këtij marshimi ishte tragjik për disa nga këta djem të rekrutuar në brigadën Mërgimi.
Kur shikoj nga distanca kohore 20 vjeçare e kuptoj se ky ishte fërkimi i parë mes dy forcave kryesore të pasluftës në Kosovë: dhe nismëtari i kësaj përplasjeje ishte LDK?
Përse e bëri LDK këtë luftë!
Unë jam i mendimit se udhëheqësit e LDK-së, duke përfshi edhe zotin Buxhovi (si një nga këshillëtarët e ngushtë të Rugovës), janë nisur nga premisa të gabuara kur ishte fjala për intervenimin e NATO-së në Kosovë.
Udhëheqja e LDK-së mendonin se NATO në Kosovë kishte ardhur për hatrin e LDK-së.
Meqenëse LDK kishte organizuar “zgjedhje”, madje edhe gjatë luftës, dhe kishte fituar në këto zgjedhje, atëherë i takonte LDK-së të udhëhiqte me organet shtetërore të pasluftës në Kosovë. Se kishte ndodhur një luftë gati dyvjeçare dhe gjërat kishin ndryshuar shumë, për udhëheqjen e LDK-së duket se nuk luante shumë rol. Kjo udhëheqje jetonte me mendësinë e vjetër: Ata mendonin se Amerikanët nuk mund të bashkëpunonin me forca të majta kosovare. Në mendësinë e tyre ende mbretëronte ideja se Amerikanët i urrenin lëvizjet e majta sikurse i kishin urryer gjatë luftës së ftohtë. Kjo ishte arsyeja përse udhëheqja e LDK-së propagandonin se UÇK-ja ishin majtista të pandreqshëm, ish-enverista, etj me mendimin se amerikanët do i izolonin këta njerëz krejtësisht.
Ky ishte një kalkulim i gabuar i udhëheqjes së LDK. Amerikanë përherë kanë përkrahur ato forca, të majta apo të djathta, që kanë punuar për interesat amerikane.
Të nisur nga kjo mendësi udhëheqja e LDK-së menjëherë mbas luftës filloj një luftë të re për izolimin e forcave politike të dala nga UÇK-ja. Kjo luftë u bë përmes propagandës dhe përmes mbledhjes së informacionit, informacion që iu dha forcave të NATO-së dhe organeve të UNMIK-ut.
Mirëpo kjo luftë nuk po jepte ndonjë sukses:
Sepse sikurse konstaton Zoti Buxhovi (thëniet e Buxhovit janë renditur si listë):
– Problemi ishte që faktori ndërkombëtar lejoj që ato struktura të përfshihen edhe në pushtet.
– Detyra e UNMIK-ut ka qenë të mbikëqyrte këto struktura militare.
– Këto forca militare e kanë marrë pushtetin me metoda puçiste.
– Nën plafin e instalimit të strukturave të pushtetit vendor. Krejt problemi ishte se komandantët e UÇK-së u bënë prefekt (kryetar komunash) dhe këto struktura filluan të luftojnë strukturat e LDK-së që kanë udhëhequr për 8 vjet pushtetin paralel.
– Kjo krijoj një luftë qytetare: 102 anëtarë të LDK të vrarë dhe 92 ish-pjesëtarë të UÇK-së të vrarë
– Zgjedhjet e para kanë qenë farsë. Edhe pse fitoi LDK-ja, pushtetin e kanë marrë njerëzit e PDK-së dhe strukturat gjysmë paramilitare
– Rugova ka dashur me çdo kusht ta pengoj Thaçin. Shumë e vërtetë ajo kur merret kështu në mënyrë afatshkurtër
Cili është rezultati i luftës së udhëheqjes së LDK-së kundër partive të dala nga lufta. Mbi dhjetë vite konfrontim mes dy forcave kryesore të shoqërisë kosovare.
Vonimi i shpalljes së pavarësisë me 6 vjet, e planifikuar të shpallet në vitin 2002, ndërsa u shpall në vitin 2008.
Pas dhjetë vjetësh luftë të LDK-së kundër oponentëve kryesor të dalë nga lufta LDK-ja dhe PDK-ja arrijnë të bëjnë një lloj paqe dhe të krijojnë qeverinë e parë të përbashkët. Një vit më vonë shpallet pavarësia e Kosovës.
Rivaliteti mes LDK-së dhe PDK-së i ka kushtuar Kosovës mbi gjashtë vjet vonesë.
Ky rivalitet sa duket nuk është fashitur te mendjet e LDK-istëve të vjetër sikurse është Buxhovi.
Ja si shprehet Buxhovi në intevistë (thëniet e Buxhovit janë renditur si listë):
– Amerikanët duhet të heqin dorë nga mbrojtja e strukturave kriminale:
– Unë kam qenë kritik edhe këto ditë kur erdhën Klintoni dhe amerikanët në 20 vjetorin e hyrjes së NATO-së.
– Më kanë befasuar Clintoni, Albright, tanë kohën për partner i kishin strukturat më të përfolura.
– Nuk është në rregull për përfaqësuesit e Amerikës, që na kanë ndihmuar aq shumë, të dalin në Prishtinë me ato struktura dhe të shetisin ashtu.
– Veprimet e fundit të Clintonit nuk janë në përputhje me frymën amerikane të demokracisë
Buxhovi është i prekur së Clinton nuk kishte takuar madhërinë e tij Isa Mustafën si përfaqësues të opozitës.
Si është e mundur që një gazetar, dhe historian, sikurse është Buxhovi të mos e di se Clinton dhe Albright nuk janë sot përfaqësues të administratës apo qeverisë amerikane. Ata janë vetëm ish funksionar që nuk kanë përgjegjësi shtetërore se kënd takojnë. Të ishin përfaqësues të administratës amerikane ata do të kishin takuar edhe përfaqësuesit e opozitës.
Sa shihet nga intervista Buxhovi është i mendimit se ishe më i menqur se amerikanët dhe ndërkombëtarët dhe jep edhe mësim se si do duhet të ishin sjellur UNMIK-u dhe amerikanët në Kosovë por mendimi im është se ai gabohet shumë në konkluzionet e tija, jo vetëm ai por gjithë udhërheqja e atëhershme e LDK-së.
Sikur LDK të kishin dëgjuar amerikanët dhe të kishin respektuar qëndrimin e tyre për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës dhe të kishin bërë këtë qeveri funkcionale sot Kosova do ishte në NATO dhe në BE dhe nuk do flitej për bisedime me Serbinë. Por me sa shihet funkcionarët tanë mendojnë se bota fillon me ta.
***
Nëse një historian si Buxhovi bënë kaq shumë anime kur e shpjegon historinë më të re të Kosovës dhe nuk tregohet i paanshëm ashtu sikurse duhet të tregohet një historian i mirëfilltë, si mundet ai të çuditet atëherë kur njerëzit vënë në dyshim shpjegimet e tij për kohët e shkuara.
If you desire to get much from this article then you have to apply these techniques
to your won web site.