SYLEJMAN PIREVA: DASMAT PËR LIGJIN E AMNISTISË

Prishtinë, 03. 07. 2013 – Zaten kanë thënë të moçmit: midis sherrit del hairi, që është përkthyer dhe huajtur nga gjuha arabe: “hairi hi ve sherri hi” (kërkoj falje që nuk di ta shkruaj në origjinal me hieroglife!). Kurrë nuk po u dashka me ia pru vetit aq ngushtë, se po qe se ke vjedhë shtetin me miliona euro, ke vrarë dhe dëbuar njerëz nga shtëpitë e tyre dhe ua ke djegë ato rrafsh me tokë, ose ke përgjakur policin në detyrë duke kryer punën e vet sipas ligjit, etj., ka për të pritur dënimi dhe burgu. Jo ore, çfarë! Vjen një ditë, se si sillet rrota, dhe mund të shpëtoni pa asnjë ferrë në këmbë. Kurrë mos i humbni shpresat. Por të merremi vesh dhe të mos keqkuptohem: kjo nuk vlen për asnjë vend tjetër në botë, kjo vlen vetëm nëse je delikuent i Kosovës! Nëse fajin e ke bërë në Kosovë. Prandaj, kujdes ju që shkoni për ndonjë vizitë ose punoni në të tjera shtete, mos u bazoni në këtë shtet, mos t’ua pijë sorra mentë e të harroni se nuk jeni në Kosovë! Në ato shtete është ndryshe, ka drejtësi, ligji respektohet dhe nuk mund t’i ikësh fajit, përgjegjësisë, e jo si në Kosovë, ku drejtësia dhe ligji janë vetëm emra kuptimi, emra abstraktë, të shkruar në letër, por sa pare bën kjo, kur me këtë letër (me nder me thënë) mund ta fshish b…!

Këtë që po shkruaj nuk po e them unë, po e thotë dhe po e dëshmon më së miri dhe pikë për pikë Ligji për amnisti që pritet të aprovohet të enjten nga Kuvendi i Kosovës. Po, se kështu po thotë dhe dëshiron Serbia, e bashkë me Serbinë edhe Brukseli, kurse bashkë me Serbinë e Brukselin po e thotë dhe po e dëshiron kryeministri Thaçi. Po thotë Marrëveshja…e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq. Ani pse vetëm me iniciale dhe e mjegulluar, ajo është e plotfuqishme! Po thotë ratifikimi i Marrëveshjes…nga Kuvendi i Kosovës, nga trinomi: PDK-LDK-AAK. Po çka që populli s’e kishte thënë fjalën e vet dhe as që e kishte pyetur kush?! Po çka që Lëvizja VETWVENDOSJE! ishte e vetmja që e kundërshtoi duke ua bërë të qartë të gjithë atyre brenda dhe jashtë Kuvendit se po bënin një gabim historik të pafalshëm?! Po çka që çdo gjë kaloi si nëpër tym, pa farë disponimi e le më duartrokitje, dhe jo për shkak të VETWVENDOSJES që po e kundërshtonte, siç mund t’i shkojë mendja ndokujt, por për shkak të konsekuencave që prodhon kjo Marrëveshje. Ata që e votuan e dinë më së miri këtë dhe disa prej tyre e kanë pohuar më parë edhe vetë! Nuk e di çfarë ‘zori’ kishin dhe nga u vinte, por një zor e kishin. Ata e dinë vetë më së miri… Ata nuk ia dolën sikur deputetët e VETWVENDOSJES! që t’i shpëtojnë këtij ‘zori’. Mos qofsha nën lëkurën e tyre! Mos ua paça borxh!
Dhe ja konsekuencat dramatike të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë: me ‘bismilah’-Ligji për amnisti! Dhe kush janë ata që do t’i kapë ky ligj? Kriminelët, uzurpatorët, zaptuesit, hajnat, kundërshtuesit e ligjit, shkelësit e ligjit, pastruesit e parave, dhe shumica prej tyre- peshqit më të mëdhenj të shtetit!… Po, sepse askush tjetër nuk ka mundur dhe nuk ka ditur të punojë kaq zi si këta që janë zgjedhur në këto pozita! Dhe jo rastësisht kanë qëlluar këtu! Prandaj ata që kanë më së shumti arsye për t’iu gëzuar këtij ligji, janë pikërisht grupi i këtyre të burgosurve ose që pritej të burgoseshin për veprat e kryera. Dhe për gjithë këtë kënaqësi le t’i falënderohen, kujt tjetër, përveçse Serbisë! Sepse Serbia këtë ligj e kërkoi për amnistinë e kriminelëve serbë të veriut që kishin kryer lloj-lloj veprash të rënda dhe që duhej përgjigjur për to, dhe jo vetëm t’i amnistojë, por dhe që t’i zgjedhë dhe emërojë në pozitat më të larta në Asociacionin e komunave të veriut me shumicë serbe. E çfarë ligji është ai që ua fal dënimet një pjese të një etniteti tjetër, e të një tjetri jo?! Ligjet e një shteti duhet të vlejnë njësoj për të gjithë njerëzit, apo jo?! Jemi shtet sovran, a çfarë hamamin jemi?! Kjo vlen edhe për shtetin e Kosovës, ani pse ende është shumë larg që t’i vijë era shtet! Prandaj më shumë se serbët, kanë të drejtë që t’i gëzohen Ligjit të amnistisë vetë shqiptarët e dënuar ose që janë nën hetime. Këta të parët, edhe ashtu kanë qenë të lirë, sepse nuk ka pasur kush t’i arrestojë dhe kush t’i dënojë! Çfarë mrekullie, fantastike, në krah të serbit të fitojë shqiptari! Hera e parë që kjo ndodh në histori! Dhe le të shkruajë historia!
Po çfarë do të ndodhë, atëherë, me pronat dhe pasuritë e fituara në kundërshtim me ligjin nga të amnistuarit? Me këtë ligj askund nuk parashihet konfiskimi i tyre dhe nëse kjo është kështu, ky do të jetë shpërblimi më i madh që u bëhet grupit të kësaj kategorie të amnistuarish. Dhe s’ka si të mos shkojë mendja: po cili është ai që nuk do të pranonte disa vite burg (po të mos ishte ndërgjegjja), nëse për një kohë të shkurtër arrin të pasurohet aq shumë sa që as djalë pas djali nuk do t’ia dinte më për këtë? Atëherë cili na qenka efekti i ligjit që ua mundëson këtyre hajdutëve një gjë të këtillë? Pa kurrfarë vlere, ose thënë më troç, një stimulim i vërtetë i bazuar në ligj!
Tash që jemi në sezonin e verës dhe të muajve të pushimit, të amnistuarit, me plotë arsye, le të festojnë dhe le të bëjnë dasmë! Ju ka ardhur kjo si dhuratë prej qiellit që në jetën e tyre kurrë s’do ta harrojnë. Le t’i ngasin makinat në kolonë-shqiptarët me flamujt e valëvitur të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë (se kësaj ia dinë për nder), kurse serbët me atë të Serbisë (ata zor që e pranojnë të shtetit të Kosovës) dhe le t’u bien burive në kupë të qiellit, sepse kanë pse të gëzohen. Por pas përfundimit të dasmës, të mos harrojnë që të luten për shpirtrat e atyre që ua mundësuan këtë fitore me një ‘rezultat kaq të thellë’, të binomit Thaçi-Daçiq! Mirëpo nga mallkimi i sovranit nuk ka shpëtim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura