KAMPI I PËRQENDRIMIT GOLI OTOKU
Nga Xhelal Zejneli
Goli Otoku (otok – ishull. Ka të tillë që e interpretojnë si “ishull i zhveshur” ngase në të nuk ka bimësi as faunë). Është një ishull i vogël në kanalin e Velebitit në detin Adriatik. Ka një sipërfaqe prej 4,54 km2 ; vija bregdetare ka një gjatësi prej 14,3 km2 , kurse ishulli ka një lartësi prej 227 metrash. Ishulli nuk ka pasur asnjë banor. Nga magjistralja e Adriatikut e sheh nga ana jugore e Senjit.
Pas Luftës së Dytë Botërore Goli Otoku u shndërrua në kamp përqendrimi më i madh i Titos.
* * *
Shënim: Gulag (Drejtoria Kryesore e Kampeve Përmirësuese – Pune dhe e Kolonive) është sinonim për sistemin represiv gjithëpërfshirës në BRSS. Përfshinte kampet e përqendrimit për punë të detyrueshme dhe burgjet. Numri i përgjithshëm i të burgosurve vlerësohet në rreth 18 milionë njerëz, ndërsa disa burime thonë se bëhet fjalë për 26 milionë vetë.
* * *
Kampi politik i Goli Otokut është kamp përqendrimi famëkeqe në ishullin me të njëjtin emër për të burgosurit politikë të Jugosllavisë. U themelua në vitin 1949 me urdhër të udhëheqjes së Partisë Komuniste dhe të shtetit, në kuadër të “spastrimit” të madh në radhët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë pas Rezolutës së Informbyrosë. U caktua si kamp apo si llogore për arsye se nuk ishte e banuar dhe të burgosurit s’kishin mundësi të iknin.
Kroatischer Alcatraz – Jugoslawischer Gulag von Tito-Goli otok
Në kamp janë dërguar kryesisht komunistët që dyshoheshin se janë të prirë të bashkëpunojnë me Bashkimin Sovjetik pas konfliktit të Stalinit (Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, 1879-1953) dhe Titos (Josip Broz Tito, 1892-1980) në vitin 1948.
Sipas shërbimit sekret jugosllav – UDB (Uprava državne bezbednosti – Drejtoria e Sigurisë së Shtetit), në Goli Otok janë dërguar të dënuarit për të cilët kanë dyshuar se bashkëpunojnë me Informbyronë.
Si rregull, civilët janë dërguar në “riedukim” vetëm një vendim administrativ, d.m.th. pa gjykim, ndërsa personat ushtarakë janë gjykuar në proceset e inskenuara në të cilat janë dënuar së paku me tre vjet deri në njëzet vjet burg të rëndë.
Regjistri që e ka hartuar UDB-a në vitin 1963 përmban emrat e 16.101 personave të cilët prej vitit 1949 deri në vitin 1956 kanë kaluar nëpër Goli Otok dhe nëpër llogoret e tjera për informbyroistët. Nëpër ato kampe për informbyroistët, në mënyra të ndryshme – vrasje, vetëvrasje apo vdekje e natyrshme – kanë humbur jetën 413 të burgosur. Informbyroistët pothuajse pa përjashtim kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ). Prej tyre, në kampe kanë përfunduar rreth 5 për qind. Rreth 30 mijë anëtarë të PKJ-së kanë qenë të evidencuar për shkak të manifestimit të animit kah Bashkimi Sovjetik. Si të tillë, ata kanë qenë të mbikëqyrur dhe u janë nënshtruar kontrolleve dhe represalieve.
Në vitet 1940-1950 komunistët jugosllavë, kolegët partiakë dhe bashkëluftëtarët i kanë trajtuar në mënyrë brutale dhe moralisht degraduese.
* * *
Të burgosurit e parë, 1.200 sish, kanë mbërritur në ishull më 9 korrik 1949. Në të vërtetë, ata janë hedhur nga anija në shkëmbinj për arsye se nuk ka pasur port apo liman. Autoritetet komuniste kanë marrë masa për ta vështirësuar konstatimin e saktë të numrit të të burgosurve. Sipas vlerësimeve, në Goli Otok ka pasur midis 16.000 dhe 32.000 të burgosur. Prej tyre, kanë vdekur midis 400 dhe 4000 të burgosur. Sipas vlerësimit të ish-të burgosurit Dragoslav Mihailoviq, gjatë konfliktit Tito – Stalin, në të gjitha kampet e internimit të informbyroistëve, kanë vdekur deri 15.000 vetë.
Në Goli Otok ka qenë kampi për të burgosurit meshkuj, ndërsa në Shën Gërgur (Sveti Grgur) ndodhej kampi i femrave të burgosura.
Përgjegjës kryesorë për formimin e kampit apo të llogores politike “Goli Otok” kanë qenë komandanti i UDB-së për Kroacinë, gjenerali Stevo Krajaçiq (1906-1986)si dhe bashkëpunëtori shumëvjeçar më i afërt i Titos – Edvard Kardeli (1910-1979). Një prej komandantëve të kampit ka qenë edhe heroi i popullit i Jugosllavisë – Ante Rashtegorac (1923-1986).
Disa ish-të burgosur kanë shkruar libra për Goli Otokun. Dragolub Jovanoviqi në librin “Muzeu i njerëzve të gjallë” të botuar në vitin 1990 , heroin e popullit Ante Rashtegorac e quan “bishë në trup të njeriut”. Të gjithë ish-të burgosurit që kanë shkruar për ishullin, heroin e sipërthënë e quajnë kriminel. Para Luftës II Botërore kishte kryer në Sarajevë shkollë të mesme për elektromekanik. Pas luftës kishte kryer edhe akademinë ushtarake.
* * *
Pjesa më e madhe e të burgosurve u liruan nga ishulli në vitin 1955, pasi në Beograd u takuan në mënyrë solemne dhe u pajtuan Titoja dhe kryetari i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) Nikita Hrushçov (Nikita Sergejeviç Hrushçov, 1894-1971), trashëgimtar i Stalinit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Megjithëkëtë, shumë persona ushtarakë vazhduan të qëndrojnë në kamp edhe dy vjet. Një pjesë e të burgosurve mbeti në kamp deri në vitin 1960. Reparti i vuajtjes së dënimit në Goli Otok veproi edhe pas vitit 1960. U suprimua në vitin 1988. Me fjalë të tjera, kampi i përqendrimit i Goli Otokut formalisht dhe përfundimisht u mbyll në vitin 1988.
Komunistët e Titos e dinin mirë mësimin e demagogjisë.
Në kampin e përqendrimit kishte një mbishkrim me këtë përmbajtje:
“Shqetësimi i Partisë për shëndetin tonë është shembull i ndritur i humanizmit”.
* * *
Kur në kampin famëkeq të Siberisë Gullag mbërrinte ndonjë i burgosur i ri, të burgosurit e vjetër rreshtoheshin në dy kolona të kthyer ballë për ballë dhe për “mirëseardhje” i binin me grushte e shuplaka derisa të alivanosej. Po qe se gardianët konsideronin se ndonjëri prej të burgosurve nuk i ka mëshuar sa duhet, e detyronin atë të kalonte nëpër “shtegun e përgjakshëm”.
Të burgosurit politikë dhe disidentët i konsideronin rrezik për Jugosllavinë, për socializmin dhe për mareshalin Tito.
Të dënuarit vdisnin ose i vrisnin në mënyra të ndryshme, si për shembull: gjatë tentimit për të ikur; duke i rrahur deri në vdekje; duke bërë vetëvrasje. Këta që bënin vetëvrasje nuk kanë mundur t’u përballojnë metodave ose nuk kanë dashur t’i durojnë metodat “e riedukimit” të UDB-s të zbatuara prej të burgosurve më të vjetër të ngarkuar për keqtrajtimin fizik dhe psikik të të burgosurve të ri. Ka pasur të burgosur që kanë vdekur “si pasojë e mbytjes”, e fatkeqësisë në punë në gurore. Disa kanë vdekur nga uria ose nga rraskapitja.
Në radhët e të burgosurve kanë futur agjentë apo spiunë të cilët kanë krijuar grupe. Me këtë metodë, në Goli Otok janë nxitur vrasje, duke sulmuar të dënuarit e njërit grup, ata të grupit tjetër.
* * *
Për ta ilustruar qëndrimin e të dënuarve në kamp, disa ish-të burgosur kanë shkruar edhe për etikën e Goli Otokut, d.m.th. për etikën e të burgosurve në ishull.
Ka shumë ish-të burgosur që dëshmojnë për vuajtjet, tmerret, lebetinë dhe llahtarinë e të dënuarve në Goli Otok. Një prej tyre është edhe Vladimir Bobinac. Ai thotë:
“Ku qëndron tmerri i atij kampi të përqendrimit? Në kampet e përqendrimit në Gjermani, në Siberi, në Kroaci e kanë vrarë trupin, kurse në këtë kamp e kanë vrarë njeriun te njeriu…. Ne të gjithë jemi të prekur thellë me atë që kemi përjetuar atje. Në ne është vrarë njeriu. Gardianët mbikëqyrnin të mos ikte dikush, ndërsa ne i qëronin hesapet midis nesh. Këtu qëndron tmerri. Po qe se i burgosuri i sapoardhur i drejtohej hetuesit me fjalët: “shoku hetues”, ai i përgjigjej: “Ne nuk jemi shokë, ti je një bandit, kurse unë jo. Me të ardhur në ishull ti e ke humbur emrin tënd dhe je bërë ‘bandë’. Po t’i thoshe hetuesit se s’je fajtor, atëherë e ofendon UDB-në. Domethënë ajo burgoska njerëz të pafajshëm. Në Goli Otok duhet ta dish se je fajtor dhe duhet t’i jesh mirënjohës UDB-s që të ka mundësuar të kuptosh se je fajtor dhe të pendohesh për fajin bërë. Ky ka qenë parimi themelor”.
E burgosura Vera Vinter (Vera Winter, 1923-2015) ka lindur në Zagreb. Në Goli Otok qëndroi në vitet 1949-1952. Ajo dëshmon:
“Ai që sillte më fortë, më shpejt dilte jashtë. Ata që nuk donin të sillnin, mbeteshin më gjatë, por të gjithëve na kanë rrahur dhe të gjithë ne i kemi rrahur të tjerët. Të gjithë ne atje jemi lëshuar në nivelin e ekzekutuesit. Të gjithë ne atje kemi bërë kompromis me ndërgjegjen tonë. Prandaj është tejet rëndë të flasim për këtë. Edhe pas shumë vitesh që kemi dalë prej atje, na ka ardhur turp të flasim. Edhe pasi kemi dalë, kemi pasur frikë. Çdo gjë që të bënit, do të mund të përfundonte keq për ju.”
* * *
Objekti “Vrima e Petrit” (Petrova rupa)
Ivan Kosiqi në librin “Goli Otoku, më i madhi kamp përqendrimi i Titos” të botuar në vitin 2003, midis tjerash flet edhe për objektin “Vrima e Petrit” (“Petrova rupa”). Për këtë në librin e vet “Muzeu i njerëzve të gjallë” (1990) ka shkruar edhe i burgosuri Dragolub Jovanoviq. Libri i sipërthënë i Jovanoviqit është botuar në dy vëllime.
Kjo pjesë e kampit, mbase më e keqja, ka qenë e mbushur me 130 të burgosur “me rrezikshmëri të lartë” të cilët në Goli Otok kanë ardhur prej pjesëve të tjera të kampit dhe prej burgjeve të tjera, që nga korriku i viti 1950 deri në shkurt të vitit 1951.
“Vrima e Petrit” është quajtur kështu sipas kryetarit të Kuvendit të Republikës Popullore të Malit të Zi Petar Komneniq (1895-1957) i cili ka qenë në grupin e parë që ishte sjellë aty.
Bëhet fjalë për një gropë boksiti me një thellësi prej shtatë metrash dhe me një gjerësi prej rreth njëzet metrave. Aty hyhej me shkallë. Përreth gropës ka qenë ngritur edhe një mur me një lartësi prej tre metrave, kurse përmbi të kanë qenë kullat e rojtarëve.
Në “Vrimën e Petrit” (Petrova rupa) vuanin dënimin të burgosurit e veçantë, ish-anëtarë të komiteteve qendrore, udhëheqës të lartë, ministra, gjeneralë, luftëtarë të Luftës civile të Spanjës, ambasadorë, profesorë universitarë.
Jovanoviqi jep vlerësim për shokët e burgut që vuanin dënimin në pjesën më të rëndë të kampit. Rreth dy të tretat i konsideron “njerëz – shokë të mirë”, për 20% të tyre thotë se janë “njerëz me kusht”. Të tjerët (17% i konsideron “rrahës”. Gjysma e tyre “rrahës të zakonshëm”, ndërsa gjysma tjetër – “rrahës vrasës”. Ivan Kosiqi vjen në përfundim se shumica e të burgosurve ia kanë dalë ta ruajnë dinjitetin njerëzor dhe korrektësinë morale themelore, përkundër përpjekjeve të autoriteteve të kampit për t’i korruptuar duke u thënë: “Po qe se pajtohen të bëhen ‘rrahës’, keni gjasa të dilni më shpejt nga kampi”.
Për trajtimin e të burgosurve mund të mësojmë nga një përshkrim i librit të Jovanoviqit:
– Pse nuk e ngre kokën, nënën e banditit – tha dhe me dorën e majtë e rroku për kësule që e kishte në kokë. E rroku për flokësh dhe ia shtyri kokën prapa.
– E di se sot je pleh, por më thuaj se ç’ke qenë dikur.
Brankoja e shikoi me qetësi drejt në sy.
– Unë jam inxhinieri dhe gjenerali Branko Polanac, ish-shef i Shtabit Suprem të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Gardiani e pështyu mu në fytyrë dhe me dorën e majtë me të cilën e mbante për flokësh, fuqishëm e shtyu mbrapa. Brankoja e humbi baraspeshën dhe ra me shpinë për toke.
– Ja pra, mut muti. Ky je ti dhe jo gjeneral! – ulëriti me tërbim gardiani…
Aty pranë ndodheshin diku rreth dhjetë milicë, kurse pesë a gjashtë të tjerë ishin do persona të veshur me do kapota të zeza.
Kur u nisëm, vrapuan përreth kolonës. Për çast, çdo gjë ra në heshtje. Njëri prej atij grupi, të tjerëve që ndodheshin pranë tij u foli me zë të lartë:
– Ja pra shokë, bisedoni pak me këta banditë dhe tradhtarë. Le të shohin se si komunistët e ndershëm sillen ndaj tradhtarëve!
Ajo që u zhvillua atëherë në ato pesë-gjashtë minuta, nuk mund të përshkruhet. (…).
Ata të cilët vraponin si të tërbuar për t’u rreshtuar, të lidhur me pranga dhe të rrahur për vdekje, ishin shokët tanë, madje shokë të luftës, bashkëluftëtarë, aq më tepër shokë të partisë, bashkë-partiakë, komunistë.
Kush ishte ai i cili kishte bërë prej tyre “antinjerëz” vetëm pse i kishte veshur me do kapota të zeza lëkure dhe u kishte varur në gjoks dekorata?!
Njerëzit rinin të lidhur me pranga në duar. Dora e djathtë, dora e majtë! Pritnin të sulet dhe të vërshojë mbi ta hordhia e jonjerëzve.
Ndaj ithtarëve të Informbyrosë janë zbatuar metodat më të rënda të torturës, duke përfshirë “shpalirin”, linçindhe famëkeqin “notim spanjoll”.
Grushte, shuplaka, çizme policore, shqelma, kondakë… doreza pistolete …sharje, fyerje…
Klithma! Ofshama!
– A ti qenke Andria, ta q…. nënën e tradhtarit… Të rrahu Vlladoja, a s’të mjaftoi?! Do ende dajak, nënën unë ty… Mëshoja atij zeshkani… A ti qenke Rade, tani ke për të parë se si do të ndreqë UDB-ja jote. E ti Momo bukurosh, do ta ulësh kokën për toke, ta q… nënën katundare…
Pas një kohe, të burgosurit e shtrirë për toke, me dhëmbë të thyer dhe gojën plot gjak, dalëngadalë nisën të çohen. Dhëmbët e thyer bashkë me gjakun i pështynin në shuplakën e dorës. Me gishtërinj i kthenin bebëzat e syrit pjesërisht të dala prej gropave të përgjakura të syve, me duar e fshinin gjakun në fytyrë, i frynin hundët e mbushura me gjak.
Personat me kapota lëkure i vazhdonin përpjekjet e veta për t’u treguar. Luajaliteti nuk është diçka “prej sot deri nesër”! Luajalitetin duhet ta dëshmosh pandërprerë. Para mjedisit, para eprorëve dhe para të nënshtruarve. Tani i kanë fshirë fytyrat e djersitura, kush me shami pak më të pastër, kush me një të tillë të përlyer, varësisht nga rangu.
Sa kohë duhet të kalojnë që të lahet ky turp?!
Një prej atyre që e ka përjetuar golgotën e sipërthënë ka qenë edhe autori i librit “Muzeu i njerëzve të gjallë” I-II, Dragolub M. Jovanoviq.
* * *
Arkivi Shtetëror i Kroacisë – Në Jugosllavi dhe në vendet që lindën me shpërbërjen e saj, me dekada është folur për numrin e saktë të personave të vilet prej vitit 1949 deri në vitin 1956 kanë kaluar nëpërllogoretapo nëpër kampet e përqendrimit për informbyroistët, kush në Goli Otok, kush diku tjetër. Spekulimet lidhur me numrin e të burgosurve dhe të të vdekurve shpesh kanë qenë pjesë e fërkimeve ideologjike aktuale, sidomos nga mesi i viteve ’80 të shekullit XX e këndej, kur Goli Otoku me të madhe ka shërbyer për diskreditimin e tërë periudhës së socializmit jugosllav. Organet kompetente kroate e kanë publikuar në mënyrë ekskluzive listën e të gjithë të burgosurve të internuar sipas vijës së Informbyrosë, të kryer nga UDB-ja federative. Lista ndodhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë. Në listë ndodhen emrat e 16.101 personave të burgosur: 15.173meshkuj dhe 928femra. Sipas kësaj liste, në të gjitha llogoret apo kampet e përqendrimit për informbyroistët, kanë humbur jetën në mënyra të ndryshme – vrasje, vetëvrasje dhe vdekje natyrore – gjithsej 413 persona. Në literaturën shkencore dikur është thënë se kanë vdekur rreth 16 mijë persona. Ky numër është konsideruar si një apologji e fushatës së egër të regjimit kundër pjesëtarëve të burgosur të opozitës prosovjetike.
Ka që thonë se regjistri i informbyroistëve të burgosur i hartuar nga UDB-ja nuk është komplet për arsye se në të nuk përmenden të paktën 28 emra dhe 3 persona për të cilët dihet saktë se kanë qenë të burgosur në Goli Otok.
Përqindja e të burgosurve sipas përkatësisë kombëtare ka qenë si vijon: serbë 44 %; malazezë 21,5 %; kroatë 16 %; maqedonas 5 %); sllovenë 3,5 %; shqiptarë 3 %; të tjerë 7 %.
Nga përqindja e sipërthënë e shqiptarëve, rezulton se nga 15.173 të burgosur meshkuj të Goli Otokut, 455 kanë qenë të burgosur shqiptarë. Këta kanë qenë nga të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi: nga Kosova, nga Maqedonia, nga Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga Mali i Zi.
* * *
Sipas këtij regjistrimi, në periudhën e viteve 1949-1986 Goli Otok e kanë humbur jetën në mënyra të ndryshme – vdekje e natyrshme, vrasje, vetëvrasje – 446 persona. Prej tyre, 413 persona kanë qenë informbyroistë të cilët kanë vdekur apo janë vrarë në periudhën e viteve 1949-1960.
Sipas të dhënave kroate apo serbe, të burgosur të njohur të Goli Otokut kanë qenë: Dushan Bërkiq, Vlado Dapçeviq, Vicko Jelaska, Dragolub Miqunoviq, Dragosllav Mihailloviq, Alfred Pal, Dobrosllav Paraga, Gërgo Shore, Vllastimir Vellisavleviq.
* * *
Një prej të burgosurve të njohur të Goli Otokut ka qenë edhe Vllado Dapçeviqi (Lubotinë, Mali i Zi, 1917 – Beograd, 2001). Me kombësi është malazez. Është deklaruar si ateist. Studioi në Beograd në Fakultetin Teknologji. Revolucionar, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, nënkolonel i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Është vëlla më i vogël i heroit të popullit, gjeneralit Petar “Peko” Dapçeviq (1913-1999) i cili më 20 tetor 1944, bashkë me Ushtrinë e Kuqe sovjetike merr pjesë në çlirimin e Beogradit. Në vitin 1948 Vllado Dapçeviqi mbështet Rezolutën e Informbyrosë. I burgosur politik në Jugosllavinë e Titos; marksist-leninist, stalinist, kundërshtar i rreptë i “revizionistit” Tito; mbështetës i ideologjisë së Enver Hoxhës (1908-1985). Në Glavnjaçë i kalon 22 muaj në burgun hetimor. Në vitin 1950 dënohet me 20 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e vuan edhe në Goli Otok. Lirohet nga burgu në vitin 1958. Po këtë vit, me një grup bashkëmendimtarësh ikën në Shqipëri. Sipas tij, “i vetmi shtet komunist në botë është Shqipëria, të tjerët janë revizionistë dhe renegatë”. Pas disa muajve të qëndrimit në Shqipëri, i tërë grupi nisen për në Bashkimin Sovjetik. Qëndron në Zvicër, në Belgjikë, në Holandë. Kudo që shkon flet kundër Jugosllavisë dhe Titos. Në vitin 1975 arrestohet në Bukuresht dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave. Dënohet me burgim të përjetshëm. Dënimi i zëvendësohet me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1988, pas 13 vjet vuajtjeje dënimi në burgun e Pozharevcit – lirohet dhe dëbohet nga Jugosllavia. I kalon ndalesa e kthimit në Jugosllavi dhe më 1990 kthehet prapë. U jep intervistë mediumeve të ndryshme të RSFJ-së. Vdes në Beograd në vitin 2001. Sipas disa të dhënave, ka vdekur në Bruksel.
* * *
Në Goli Otok kanë vuajtur dënimin informbyroistët, d.m.th. stalinistët dhe mbështetësit e Bashkimit Sovjetik.
Informbyro – Asociacion ndërkombëtar i partive komuniste. Informbyro (frëngjisht: byro informimi; Informbyro apo Kominformi) – ka qenë organ këshillimor i partive komuniste (PK të Francës, PK të Italisë, PK të Bullgarisë, PK të Çekosslovakisë, PK të Rumanisë, PK të Polonisë, PK të BRSS-së, PK të Hungarisë dhe të PK të Jugosllavisë). Është themeluar në vitin 1947 me seli në Beograd. Detyrat themelore të Informbyrosë kanë qenë dhënia e ndihmesës për zgjidhjen e problemeve aktuale të partive të veçanta, paraqitje unike në botë, njoftimi i publikut lidhur me qëndrimin e partive komuniste për parimet dhe për çështjet e tjera. Pas Rezolutës së qershorit të vitit 1948 të drejtuar kundër Jugosllavisë, Partia Komuniste e Jugosllavisë pushoi të jetë anëtare e Informbyrosë, kështu që selia, nga Beogradi u zhvendos në Bukuresht.
Rezoluta e Informbyrosë – emërtimi i plotë “Kompartia jugosllave në duart e spiunëve dhe të vrasësve” është emërtimi i dokumentit të miratuar në Bukuresht më 28 qershor 1948 në të cilin Informbyroja e dënon Partinë Komuniste të Jugosllavisë për refuzimin që t’i respektojë direktivat e BRSS-së.
* * *
OJQ Integra ka botuar libër me rrëfimet e njëmbëdhjetë të burgosurve politikë shqiptarë që kanë vuajtur dënimet prej shtetit jugosllav në burgun famëkeq të Goli Otokut gjatë periudhës së viteve 1945-1989. Në librin “Hije të shtrembëruara – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” rrëfejnë: Hasan Kastrati, Jeton Radoniqi, Pajazit Jashari, Sabri Novosella, Teki Dervishi, Fadil Bajraktari, Basri Ibrahimi, Masar Shporta, Rrahim Rama, Ali Aliu dhe Ibrahim Kryeziu.
* * *
Për një numër shqiptarësh që e kanë përjetuar ferrin e Goli Otokut flet edhe publicisti Fadil Lushi (1950- ) në librin “Via Goli Otok”, Tetovë 2024.
Autori shkruan se në Goli Otok kanë vuajtur dënimin intelektualë nga Tetova, si: Sadudin Gjura (1926-1960), Sheref Kazazi (1921-2000), Vehbi Ahmet Lushi (1925-1999), Salajdin Efraim Huseini (1930-2007), Nijazi Fanda (1923-1979), Xhemali Beqiri (1929-1987), Gani Selman Luma (1915-1989), Sabri Ramizi (1931-2019), Sali Lisi, Raif Maleziu, Ismail Saidi.
Një numër shqiptarësh janë arrestuar ngase e kanë kundërshtuar regjimin komunist jugosllav gjatë viteve ‘50.
Pas përfundimit të luftës dënoheshin kundërshtarët e regjimit jugosllav, kryesisht veprimtarë të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH).
Në vitin 1953 inteligjencia shqiptare dënoi marrëveshjen xhentëlmene midis Josip Brozit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Fuat Kypryly (Mehmet Fuat Köprülü, 1890-1966) për dëbimin e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Shumë intelektualë shqiptarë përfunduan në birucë.
Burgosjet e radhës pasuan në vitet 1955-56 kur pushteti jugosllav e nis fushatën për grumbullimin e armëve në Kosovë.
Vazhdoi arrestimi i shqiptarëve me akuzën: Veprimtari kundër regjimit komunist jugosllav gjatë viteve ’60, si pjesëtarë të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh) të themeluar nga Adem Demaçi (1936-2018).
Pasojnë arrestimet e shqiptarëve në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70. Të arrestuarit ishin të përfshirë në organizata të ndryshme ilegale të kohës.
Shumë shqiptarë u arrestuan edhe pas demonstratave të vitit 1981
Midis të arrestuarve ka pasur grupe shqiptarësh që janë angazhuar për bashkimin trojeve shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë. Shumë shqiptarë janë dënuar ngase janë angazhuar për avancimin e statusit të Kosovës nga krahinë autonome në republikë të Jugosllavisë.
Të dënuarit shqiptarë që e kanë vuajtur dënimin në Goli Otok si edhe nëpër burgjet e tjera të Jugosllavisë nuk kanë pasur asnjëfarë lidhjeje me Informbyronë. Asnjëri prej tyre nuk ka hyrë burg për Bashkimin Sovjetik, për Stalinin apo për stalinizmin.
* * *
E përbashkëta e të gjithë shqiptarëve të dënuar në Jugosllavi ka qenë liria për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi.
Shqiptarët që i kanë vuajtur dënimet në guroren e quajtur ishull i zhveshur apo Goli Otok si dhe nëpër kazamatet dhe zandanët e tjerë Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit apo të Josip Brozit – kanë pasur një qëllim të vetëm dhe të përbashkët: drejtësi, barazi, liri dhe demokraci për shqiptarët.
_____________
DOSIJE: GOLI OTOK