Karl Patsch: I L I R Ë T ( I )

Karl Patsch: I L I R Ë T ( I )

Shkrime Popullore Ditunie për shkollë e shtëpi

Botime të Ministrisë së Arsimit

I L I R Ë T

Prej

Prof. Dr. Karl Patsch

Profesor i Rregullt e Botënor

në Universitet të Vjenës

Përkthyer prej Karl Gurakuqit

Shef Seksioni në Ministrinë e Arsimit

Me 13 figura brenda në tekst

Shtypshkronja Nikaj, Tiranë 1923

***

Për së shpejti kanë me u botuar edhe këta libra:

1. Diturija gjuhësore, prej Prof. Dr. Paul Kretschmer;

2. Paleontologjia, prej Prof. Dr. Karl Diener, sot Rektor i Universitetit të Vjenës;

3. Zogsija e Shqipërisë, prej Prof. Dr. Otmar Reiser;

4. Harta e vjetër e Shqipërisë, prej Prof. Dr. Camillo Praschniker;

5. Gjendja ekonomike e Shqipërisë në kohën e vjetër e në të mesmen, prej Prof. Dr. Karl Patsch;

6. Kolonitë greke në Shqipëri, tue u dhanë rëndësi të posaçme qyteteve Dyrrachium e Apollonjia,

prej Prof. Dr. Karl Patsch.2/21

***

Parathënie e botimit të dytë

Ky libërth i vyer ribotohet pas 83 vjetësh. Me këtë rast së pari përcillet një nderim për Profesorin Karl Patsch të Universitetit të Vjenës më 1923, i cili analizon me pasion e hollësi të mahnitshme Ilirët legjendarë, pa iu munguar atyre edhe qortimet e nevojshme. Po ashtu i dallohet vlera Ministrisë së Arsimit Shqiptar të asaj kohe e cila kujdesej që botime të tilla me shërbim edukimin kombëtar të ishin në duart e lexuesit shqiptar. Dhe më tej, falenderoj dajën tim Qazim Kuqashin që ruajti këtë libërth dhe kështu bëra të mundur rishkrimin tij.

Për kohën e tij, kur përqindja e të shkolluarve shqiptarë ishte shumë e vogël, përkthimi e botimi i studimit të Prof. Karli Patsch-it ka patur shumë rëndësi. Dhe duke marrë parasysh nivelin arsimor të masës së popullit, thjeshtësia e stisjes së këtij libërthi ka zgjidhur hapin tjetër të përthithjes së njohurisë që dhuronte ky libërth atëherë. Për kohën tij, ky libërth ka dhënë ndihmesë të çmuar në formimin e shkallës së vetëdijes dhe vetëkuptimit kombëtar arbëresh, ilir e shqiptar. Edhe tani ai e ruan fort vlerën e tij dhe i shtohet plejadës mjaft të vonuar të veprave të kësaj natyre, si nga autorë të huaj ashtu edhe shqiptarë, që po shihen të botuara në shqip sidomos pas vitit 2000. Mijëvjeçari i arbërit po agon përsëri!

Saimir Lolja, 2006

ILIRËT

Ilirët, për sa i përket përhapjes së tyre vendore, patën një rëndësi të posaçme ndërmjet popujve

të vjetër të Europës. Ata banojshin prej bregut të djathtë të Danubit në Bavari, në Austrinë e sipërme e në të poshtmen ashtu edhe në Hungarinë e perëndimit, ndër të gjitha Alpet e lindjes, e duke përfshirë fushën perëndimore të Hungarisë, deri në Adriatik, ku ishin te tyret edhe Venediku edhe Istrija. Përveç këtyre viseve, shtriheshin kah jugu në krejt pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik, duke përfshirë ishujt e Dalmacisë deri në Thesali, në Epir, e në veri-perëndim të Greqisë. Ilirët banonin ku më shumë e ku më pak edhe bregut të rrmakët të Danubit, në bregun perëndimor të Adriatikut në Italinë e mesme e në Apulja, në Korfuz, në Azinë e Vogël veri-perëndimore e ndoshta edhe në Siçili.

Në gadishullin Ballkanik ashtu edhe ndër viset e veçueme të Italisë e në Azinë e Vogël, Ilirët nuk qenë banorët e parë, por të ardhur më vonë. Përpara se Ilirët të pushtonin pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanikik, ishin aty Thrakajt, një popull shumë i madh në numër i shtrimë në të gjitha viset prej detit Adriatik deri në Detin e Zi. Ilirët, duke ardhur nga veriu e duke shtyrë Thrakajt, zunë Kroacinë, Serbinë perëndimore, Bosnjën, Dalmacinë Hercegovinë, Malin e Zi e Shqipërinë. Kush kundështoi qe asgjësuar ose qe shtrënguar të shpërngulej gjetiu; kush nuk u bëri kundërshtim mundi me jetuar qetësisht me Ilirët në tokën e në vendin e vet. Një vërtetim i kësaj ngjarjeje janë emrat e shumtë të vendeve thrakisht, që janë mbajtë në kohën ilirjane e deri në atë Romake, e deri në ditën e sotme. Kësi emrash thrakisht gjenden edhe sot në Shqipëri. Kështu fjala vjen, ka rrjedhje thrakishte emri i moçëm Bertiscus me të cilin quheshin Alpet e Shqipëris së veriut; Hebrus quhej një lum në veri të qytetit Apollonia, të Pojanit të sotëm, ashtu edhe lumi i parë në viset jugore të Thrakisë, Marica e sotme.

Një emër thrakisht është edhe Scodra, që qe një qytet i cili qysh prej kohëve më të vjetra qe një vend me rëndësi për historianët. Vetëm pak fise thrakase që banuan ndërmjet Ilirëve ruajtën lirinë e vet; më e shumta e tyre u muarën prej sish, të cilët do të kujdesoheshin për mbajtjen e jetës së zotnijve të vet. Thrakajt u bënë raja e Ilirëve; ata qenë një popull i butë, i shtruem, me një shpirt jo aq luftarak, e nuk u ngjasonin bashkatdhetarëve të vet të lindjes së gadishullit Ballkanikik. Ata kishin vese më të mira se Ilirët, jetonin në qetësi me gjë të gjallë e me bujqësi. Se sa fise thrakase ishin nën zotërimin e Ilirëve na e tregon lajmi që duket si i tepruar, i cili na rrëfen se vetem fisi ilir Ardian, që shtrihej në Dalmacinë e mesme të sotme deri në bregun e djathtë të Narentes, kishte nën vedi më tepër se 300000 Thrakas. Një popullsi jo më pak të numërueshme kishte nën vedi edhe fisi ilir i Dardanëve rreth Nishit e Shkupit në Serbinë e sotme.

Ilirët kishin nevojë për Thrakajt, pse ata për shumë kohë, sikurse ka me u parë më hollësisht më vonë, shkuan një jetë andjeje, lufte e gëzimi. Por dalëngadalë u përzien me Ilirë e u bënë një popull i vetëm; por me gjithë këtë u panë shenja thrakishte edhe në kohën pas-krishtere. Ilirët nuk formuan një komb të vetëm, sikurse Indogjermanet e tjerë. As pjesa e tyre që zuri vend në gadishullin Ballkanik nuk qe nën një drejtim të vetëm, por u nda ndër fise, ku ma të mdhaja, ku ma të vogla, të cilat jetuen në nji grindje të pandamë ndërmjet vedit. Vetëm një herë kur qenë pushtuar prej Romakëve, u lidhën Ilirët bashkë për me rifituar lirinë e humbur. Përfundimin e kësaj lidhjeje do ta shohim më tutje.

Fiset Ardiaei dhe Autariatae

Në kohën e moçme e treguan vehten në lindje të Adriatikut dy fise ilire: Ardiaeit ose Ardianët, që përmendëm më sipër, dhe Autariatët të cilët e kishin vendin e vet në Hercegovinë e ndër viset kufitare të saj; të parët në bregun e djathtë e të dytët në bregun e rrmakët të Narentes. Të dy këto fise qenë shumë luftëtarë. Ardianët i shohim në të katërtin qindvjet para erës sonë si më të mëdhenjtë kundershtarë të kolonistëve Grekër në ishujt e Dalmacisë, por në anën tjetër jetonin në një anmiqësi të tmerrshme me Autariatët. Këtë armiqësi e shtojnin më tepër krojet e krypës që gjendeshin ndër kufijtë e të dy fiseve dhe të cilat kishin një rëndësi të madhe për gjënë e gjallë, e prandaj seicili fis i donte për vedi. Autariatët qenë dëbuar prej vendeve të veta nga Keltët, që ishin një popull i ri i cili erdhi nga veriu në gadishullin Ballkanik dhe pjesërisht zuri vend ndërmjet Ilirëve. Autariatët u tërhoqën në brendësinë e gadishullit, ku shihen prapë në vitin 335 p.e.s. në rrethin e Lekës së Madh; ndodhjen e Autariatëve e tregon sot emri i lumit Tara në veri-lindje të Malit të Zi.

Edhe Ardianët e ndiejnë pushtimin e Keltëve, por ay pushtim nuk pat përfundime aq të këqija. Në të tretin qindvjet të erës sonë, duke filluar prej Narentës së poshtëme formohet një shtet me mjaft rëndësi, i cili në kohën e përhapjes së tij më të madhe përfshinte Hercegovinën jugore, Dalmacinë e ishujt e saja (përveç ishullit Lissa), Malin e Zi e një pjesë të madhe të Shqipërisë; kaq sa sundimtari i tyre quhej Mbret i Ilirisë, pra qe si përfaqsues i Ilirëve, ndonëse vetëm një pjesë e atij populli të madh ishte nën sundimin e tij. Ardianët rëndësinë më të madhe e kishin për në det i cili ishte fusha e veprimit të tyre. Ata kishin një numër shumë të madh anijesh me rrema, të vogla, të lehta e të shpejta, me të cilat bënin udhëtime të gjata e mësynin me trimëri të madhe e me fitim anijet e mëdha luftarake greke.

Anijat e Ardianëve çmoheshin aq shumë për zotsinë detare të tyre saqë edhe shtete të tjera i merrnin për shembull. Pamje të këtyre anijeve paraqiten tek monedhat (trinckat) e mbretit të mbramë ardian Genthius (mbi këtë mbret do të flitet më poshtë). Edhe veglat e vozitjes të cilat i përdorte fisi Daorsi që banonte në bregun e rrmakët të Narentes së poshtme munden me shërbyer si tregime të anijevet ardiane.

Anijet e Daorsëve qenë, siç shihet në monedhat e rralla të bronzit (krahaso Figurën 1 e 2), anije rremake të hapta, të pambuluara, me timon, me skep të lakuar përpjetë e me parmakë përsipër. Prej detarëve shihen vetëm kryet e dy vozëtarëve. Me anijet e veta të vogla shëtitnin Ardianët me guxim të madh, sikurse sot Ulqinakët shqiptarë, Adriatikun, Detin Jon e rreth Peloponezit dilnn në Detin Egje deri ndë Kykladet.

Se sa shumë vetë merrnin pjesë në kësoj udhëtimesh, shihet prej kësaj pune që në vitin 384-383 p.e.s. u gjendën përpara ishullit dalmat Lesina 10000 Ardjanë. Qëllimi i udhëtimeve të tyre ishte vjedhja e cubnija nëpër det. Çdo anie e huaj, çdo ishull e çdo breg i huaj shikohej si gjë armike e ku kishte të drejtë çdo njeri, e ku mund vidhej e plaçkitej. Mbretët e shtetit ardian drejtonin kusarinë, sikurse më vonë princat e mbretët e popullit Viking të cilët e kishin për krenari të quheshin mbretër deti. Udhëtimet kusarë drejtoheshin nga privatë ose nga qeveria vetë, sikurse ngjau nën sundimin e mbretit Agron e nën atë të së shoqes së tij Teuta. Kusarinë nuk e mbajn për çnderim e për gjë të ndaluar, por mbronin parimin që vjedhja e kusaria e detit ishte nji fitim i zakonshëm si bujqsija e gjëja e gjallë. Kjo sjellje tepër e lirë më në fund shkaktoi nji shkatërrim të rëndë të shtetit ardian, e kjo ngjau në një kohë kur gjindej në cip të madhështisë së vet. Qëndrimi i mbretit ishte atëhere në Risinum, në Risanin e sotëm në grykat e Kotorrit. Ky ndëshkim u ra Ardianëve nën qeverinë e mbretneshës Teuta, e cilia mbas vdekjes se të shoqit Agronit në vitin 230, kishte marrë sundimin në vend të thjeshtrit të vet Pinnes. Mbretëresha Teuta sulmoi koloninë greke në ishullin Lissa, e cila ishte e vetmja që nuk iu ishte nënshtruar Ardianëve. Qyteti i kërkoi ndihmë Romës. Kjo kërkesë ndihme, por edhe më tepër rrezikimi i tregtisë dhe bregut italian, e shtynë senatin romak me bërë një mësymje ushtarake. Një flotilje romake u duk në Adriatik në vitin 329, shpëtoi Lissën e bllokuar prej Ardianëve dhe bëri përparime të shpejta kundra Teutës, e cilia nuk mendonte një mësymje kaq të shpejtë nga ana e Romakëve.

Teuta e kishte shpërndarë fuqinë e vet në shumë ndërmarrje. Gjithashtu, në vendin e saj bëheshin edhe shumë tradhtira sepse sikurse gati të gjitha shtetet e kohës se vjetër e të mesme në gadishullin Ballkanik ashtu edhe ai i Ardianëve nuk ishte homogjen. Prandaj, në këto rrethana Teuta nuk mundi me bërë një qëndresë të gjatë, por u zmbraps në kështjellën kryesore të vetën në Risinium, ku në vitin 228 p.e.s. bëri paqe me Romën. Kushtet e paqes qenë të rënda për Ardianët, sepse pjesën më të madhe të pushtimeve të tyre në Shqipëri ashtu edhe ishujt e Dalmacisë i humbën dhe iu desht me ndaluar kusarinë e detit. Më tepër u qe ndaluar që të udhëtonin me anije luftarake në bregun jugor të shtetit të ri afër Lissus (sot Lezha). Se sa fort iu kishin rënduar Grekërve kusaritë e Ardianëve, e tregojnë falënderimet e tyre që i paraqitën Romakëve. Më së pari i falënderoi qyteti tregtar i Korinttit e pastaj edhe Athina paraqiti falënderimet e saja për sigurimin e udhëtimit nëpër det.

Por ndër Ardianë ky pushtim nuk bëri një përshtypje aq të madhe, sepse ata ishin mësuar e të rrahur me luftra, prandaj nuk ia vunë fort veshin Romës e cila ishte e zënë gjetiu me punë më të rëndësishme. Trashëgimtarët e mbretëreshës Teuta shtrinë sundimin e tyr në jug, në Shqipëri, e morën, për plaçkë e për të holla, në luftimet të pandërprera në Greqi e Maqedoni, e cila në këtë kohë shtrihej nëpërmjet Shqipërisë deri në Adriatikun e jugut. Në këto luftime Ardianët nuk kishin interesa të mëdhaja: ata ndërronin lehtazi parti e shkonin me ata ku kishin interes. Qendra e këtij shteti të riforcuar qe shpërngulur prej Risiniumit më në Jug, në Scodra e cila kishte vende strategjike shumë të mira. Kah jugu i liqenit të Shkodrës shtrihet një varg kodrinash të cilat atëherë ishin të rrethuara nga tri anët prej lumejsh, e që edhe sot mbas sa ndryshimesh gjenden të rrethuara. Në anën perëndimore të kodrave, në bashkim me Bunën, me Kirin e me një rrem të Drinit (ose sikurse quheshin atëhere me emra ilire Barbanna, Clausala, Dirinus (ose Drilo), gjendet kështjella e forcuar mbretnore, e cila mbretëronte mbi fushën e gjërë e mbi liqenin e madh. Kështjella kishte vetëm nga lindja një rrugë gjarpëruese. Liqeni ushqente qytetin me peshk e përpiqte Shkodrën me rrethinat e veta, ndërsa lumi i Bunës që buron prej tij e lidhte me detin. Në këtë mënyrë flota ardiane kishte një liman të fortë në Shkodër, e në rast nevoje kishte liqenin për mbrojtjen e plaçkës. Gjendja strategjike e Shkodrës luajti një rol të madh në kohën e mesme e në kohën e re. Prej kohës ilire kanë mbetur vetëm pak rrënoja prej kështjellës së Shkodrës, të cilat tregojnë se me ç‘kujdes ishte punuar, e se punëtorët e saj qenë Grekër të shkolluar të thirrur për këtë qëllim në Shkodër.

Grekërit luajtën në shtetin ardian një rol të madh. Grekë qenë puntorët e nëpunësit e të hollave mbretërore; emrat e tyre shihen edhe sot në trinckat (Hartgeld) që ata kanë shkrirë. Diplomatë grekë ndërmjetsonin marrëdhënjet e mbretërve Ardianë me oborret e shtetet e Lindjes; misionet e tyne shtriheshin prej Shkodre deri në Rhodus. Një greke, e quajtur Eurydike qe edhe e ëma e mbretit Genthius. Të gjitha këto janë prova se shteti ardian nuk qe vetëm një shtet kusarësh, por kishte edhe marrëdhënie qetësore me të tjerë dhe e kishte për zemër kulturën e huaj. Tregtari grek i kishte Ilirët blerësa të mirë, sikurse do të shohim më tutje; shumë sende artistike i muarën Ardianët prej Grekërve, sikurse na tregojnë lajmet mbi ekskursionet ardiane në brigjet greke. Ardianët u morën me sende kulturore greke e patën marrëdhënie me Grekërit, por nuk i humbën aspak vetitë e veta, sikurse i humbën shumë fise të tjera Ilire. Një dëshmi për këtë gjë e japin të bijtë e mbretëreshës Eurydike, të cilët mbajtën emrat e bukur ilirisht Genthius, Plator e Caravantius; ashtu edhe Genthius vetë, i cili si mbret që ishte, nuk e dinte gjuhën e grekërve.

Me mbretin Genthius krijoi lidhje mbreti i Maqedonisë Perseus, e të dy bashkë i bënë Romës një konkurrencë të madhe në Europën Juglindore. Në vitin 168 p.e.s., u shpalli luftë të dyve senati roman, e megjithëse Ilirët e Maqedonët treguan një burrni të madhe e një kundërshtim të rreptë, e mundi luftën në një kohë të shkurtër. Kundër Perseut, veprimet ushtarake zgjatën pak më tepër derisa në luftimin në Pydna, që zgjati vetëm një orë, u nda njëra dysh. Krejt lufta në Illyrikum zgjati vetëm tridhjetë ditë. Pretori Lucius Anicius zbret pa pritë e pa kujtuar në bregun shqiptar e shkon përpara me shpejtësi pa gjetur kundërshtim deri në Shkodër. Vetëm këtu, afër ledheve të kështjellës, e kundërshton mbreti Genthius, i cili nuk ishte i përgatitur mirë. Ky mundet, zmbrapset në kështjellë, kërkon menjëherë një armpushim të shkurtër, i cili i jipet. Në këtë kohë pret me padurim të vëllan e vet Caravantius, i cilli nëpërmjet Malit të Zi kishte shkuar në Hercegovinë për me prurë fuqi të reja.

Mbasi nuk i zinte vendi vend, mbreti Genthius hypën në një anije e udhëton në liqenin e Shkodrës për me i dalur ndihmës para. Por më kot! Fiset e veriut thuaj se i kishin dalë dore e nuk ndëgjonin me e mbrojtur. Mbreti kthehet prapë në Shkodër e i bie në dorë, në mbarim të afatit të armpushimit, pa ndonjë kusht Pretorit Anicius. Gruaja e tij, mbretëresha Etleva e dy bijtë e tij të vegjël Scerdilaedus e Pleuratus, ashtu edhe vëllai i tij Caravantius qenë zënë rob pa kundërshtim në kështjellën Medeon (Meduni i sotëm afër Potgoricës në Mal të Zi).

Krejt familja mbretërore u çua në Romë. Mbreti, mbretëresha e princat hynë në Kapitol përpara karrocës fitimtare të Pretorit Lucius Anicius. Mbas këtij turpi, familja mbretërore u çua në qytetin Iguvium (në rrënzë të Apenineve në Umbria), ku mbreti jetoi e vdiq si rob. Se çfar e shtyri mbretin Genthius me rënë në dorë aq ligësisht, nuk dihet. Ndoshta u dorëzua me tradhëti, sepse kështjella e Shkodrës e vendi malor shqiptar e malazias kishin mundësi me bërë një kundërshtim të gjatë; si shihet, Ardianët nuk ndigjuan me i dalë zot. Në vitin 168 p.e.s. u mund mbreti Genthius e në vitin 167 p.e.s. mbretëria ardiane u nda në tre kantone republikane, që administroheshin vetvetiu, por nën kontrollin e vazhdueshëm të Romës. Në këtë mënyrë u zhduk më e madhja e më e gjata mbretëri Ilire.

Shteti ardian u shkatërrua por nuk u shkatërrua fisi ardian, megjithëse i shkoi puna mjaft mbrapsht. Mbas pak kohe ra nën pushtimin e një fisi, që deri atëhere ishte nën te, nën Dalmatët, të cilët do t’i njohi më tutje. Më vonë, pasi u liruan prej pushtimit të Dalmatëve, filluan Ardianët prapë kusarinë e detit. Në vitin 135 p.e.s. mësyjnë vende romake e ilire, të bashkuar me fisin Plereive të cilët banonin në Narentën e poshtme e që përpara gjendeshin nen pushtimin e Ardianëve. Romakët u munduan së pari nëpërmjet dërgimtarësh me i kthyer në qetësi e me i ndaluar nga kusakëria. Por pasi kjo nuk pati ndonjë përfundim, u ngarkua konsulli Servius Fulvius Flaccus më një ekspeditë kundër tyre. Ai doli me 10000 këmbësorë e 600 kalorës në Narentën e poshtme dhe i mundi e i theu. Se si nuk dihet, por kjo luftë pat përfundime të këqija për ta: vendit të tvre iu vunë pagesa e telozna; me një pjesë të të hollave të plaçkës së bërë, konsulli ndërtoi një mur në shenjtoren e përmendur të Dianës në malin Tifata afër Kapues në Italinë e poshtme. E për me i larguar Ardianët nga kusaritë detare, i shpërngulën ato prej vendeve të veta, prej detit e prej Narentes, drejt brendësisë së Hercegovinës ku qënë shtërnguar të merren me bujqësi. Vendi që iu dha ishte malor e fort pak prodhimtar, kështu Ardianët, zotërues e njëhershëm të Adriatikut e të detit Jon, nuk ishin mësuar me përdorur vangën e parmendën; prandaj shkuan duke rënë poshtë nga ana ekonomike.

 Në vitin 45 p.e.s. bëhet fjalë prap për ta, por vetëm pse një skllav i Ciceronit, lektori Dionysius, pasi i vodhi disa libra nga frika e ndëshkimit iku tek ata, e Ciceroni u mundua shumë me shtirë përsëri në dorë. Prap në erën tonë, Ardianët përmenden nën emrin Vardaei në listën e fiseve Ilire, por duke qenë se nuk ishin veç se 20 dekurie (ndarje dhjetëshe shoqërie apo ushtrie), nuk kishin ndonjë rëndësi. Ndryshimin e madh ndërmjet Ardianëve të njëhershëm me ato të mëvonshmit e paraqet shkrimtari latin Plinius me këto fjalë: Populatores quondam Italiae Vardaei non amplius quam XX decuriis (Vardjanët, që një herë shkretuan Italinë, nuk bëhen më tepër se njëzet dhjetë ndarje).

– VIJON –  

Karl Patsch: I L I R Ë T ( II )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura