Karl Patsch: I L I R Ë T ( II )

Karl Patsch: I L I R Ë T ( II )

Fisi Liburni

Përveç Ardianver, ka një rëndësi të posaçme në kohën historike edhe një tjetër fis ilir më i madh. Këta qenë Liburnët, të cilët banonin në Dalmacinë veriore, në rrënxën e gjërë të Alpeve dinarike, ndërmjet Zrmanjës, detit të Çikolës, një rrem i rrmakët i lumit Krka, në rrethin e Zarës së sotme dhe ndërmjet Skardonës e Kuinit. Gjendja natyrore e vendit të tyre i kishte bërë Liburnët kusarë si Ardianët. Fare afër bregut gjenden vargje ishujsh; mbrenda në tokë janë gryka deti të ndryshme ku derdhen lumej të vozitshëm. Gjithkund ka vende mbrojtjeje e strehë. Të ndihmuar pra në këtë mënyrë prej natyre, medoemos Liburnët do të kenë dalë në det përpara Ardianëve. Shumë ndër ta kishin zënë vend në brigjet lindore të Italisë së mesme e në Korfuz; për një kohë të gjatë patën edhe Durrësin në dorë. Sikurse Ardianët, ashtu edhe Liburnët qenë voztarë të mirë, të ditur e të përmendur. Veglat e tyre detare ishin të ndërtuara me aq mjeshtri sa që më vonë ato, nën emrin latinisht Naves Liburnicae ose Liburnae, zunë një vend të rëndësishëm në flotën luftarake romake.

Liburnët u dalluen nga Ardianët nga shkaku që ata nuk mundën të themelojnë një shtet të madh, por u përndanë në shumë fise. Një karakteristikë e këtyre dy fiseve ishte gjendja e gruas në jetën e popullit. Ardianët iu shtruan vullnetarisht sundimit të mbretëreshës Teuta; ashtu edhe për Liburnët kemi lajme se u sunduan prej grave. Sundimi i grave ndër Liburnët nuk qe përjashtim, sikurse ndër Ardianët, por qe për një kohë të gjatë si një rregull. Veprimi i lirë i Liburnëve nëpër det qe ndaluar prej Romakëve. Prova të mjafta të luftave ndërmjet tyre qenë robt liburnë, të cilët që në vitin e parë të erës sonë shihen në Itali. Por ndalimi i kusarive nuk i rrëzoi Liburnët aq poshtë sa Ardianët: ata luftuan prap aty këtu me fqinjtë e vet, Dalmatët, por mbasi edhe kjo grindje u ndalua nga administrata romake u bënë qytetarë të mirë e të qetë. Liburnia në kohën romake qe një ndër viset më të populluara në lindje të Adriatikut, mbushur me qytete të pasura. Ato nëpërmjet pozicionit të tyre mbi lartësina të veçuara paraqitnin një typ të posaçëm qytetesh të vjetra në gadishullin Ballkanik. Sa përparim kishte bërë bujqësia në këtë fis e në tokën pjellore të tij e tregon vaji liburn {Oleum liburnicum), i cili kishte një zë të madh.

Fisi Delmatae

Një fis i tretë ilir i madh, i cili banonte në pjesën lindore të Adriatikut, qenë Dalmatet ose Delmatet. Ata e kishin vendin e vet në Dalmacinë e mesme ndërmjet Liburnëve dhe Ardianëve; por shtriheshin edhe prej deti mbi Alpet Dinarike deri në mbrendsinë e vendit. Në breg të detit e kishin të vetën Salorën me një grykë shumë të mirë. Megjithë këtë Dalmatët dalloheshin fare nga fqinjt e tyre: në det ata nuk patën fuqi, kështu që kolonistë grekë mundën me zënë vend në ishullin Issa (sot Lissa).

Përkundrazi, brenda në vend patën një rëndësi të madhe. Në histori i shohim deridiku vonë. Më parë i njohim si të nënshtruarit e Ardianëve, të cilët kishin kaluar një kohë të gjatë të mirëdenises së vet. Mbas shkatërrimit të shtetit ardian ndërruan sistem: ata pushtuan vendin fisnor të Ardianëve. Në këtë mënyrë u shtrinë deri te lumi Narenta, e atje, duke mësyrë fiset që i ishin nënshtruar Romës u ndeshën me Romakët afër Salonës në breg të detit. Mbas shumë marrdhënjeve të padobishme, të cilat kishin për qëllim ndalimin e armiqësive, u shpall lufta në vitin 156 p.e.s.. Kështu filluan luftimet romake -dalmatine, të cilat me pak ndalime zgjatën më tepër se 160 vjet deri në vitin 9 e.s. Prej këtij shkaku kuptohet pse krejt provinca e madhe romake në lindje të Adriatikut u quajt Dalmatia.

Dalmatët e treguan veten në të gjithë këtë kohë si kundërshtarët më të rreptë të Romës në gadishullin Ballkanik. Kurrgja nuk mundi me iua ligshtuar zemren: as pushtimi i vendeve të tyre kryesore, as luftimet e humbura, as shkretimi i viseve, as zvoglimi i popullsisë. Posa mirrnin fuqi, ia fillonin prap luftës. Lirinë e kishin përmbi çdo gjë. Kur ishin në pushim e nuk kishin luftë me Romakët, gërgitnin fqinjt e vet, i nënshtronin e u vinin telozna në gjë të gjallë e në të korra. Mënyra e luftimit e Dalmatëve qe shumë e përmendur: për mbrojtje e për mësymje përdornin një taktikë të çuditshme; në rrethimin e vendeve të forcuara nuk lodheshin kurrë; vetëm mungesa e plotë e mjeteve, uria ose mungesa e ujit i shtrëngonin me rënë në dorë. Kur thyheshin, ushtria e tyre shpërndahej në çeta, për me u mbledhur mandej prap në ndonjë vend tjetër për një qëndrim ma të madh. Përgjithësisht në dimër nuk luftohej; por në rast nevoje edhe atëhere ishin të gjithë gati për luftë.

Vendet e forcuara të tyre gjendeshin gjithmonë mbi lartësina të veçuara, të pingulta, të vështira e me pamje të gjërë, si mbi kodra e male, të cilat ishin edhe të rrethuara e të siguruara me pyje të shpeshta. Kështjellat ishin të rrethuara me ledhe guri, dheu ose druri. Përgjithësisht këto ledhe ndërtoheshin me gurë e ndërmjet tyre futeshin breza drush për së gjëri ose për së gjati, që të lidheshin më mirë. Kur këta breza kalbeshin ose digjeshin, atëhere ledhet rrezoheshin. Aty ku ndër Ilirë gjendeshin muratarë të mirë, sikurse në Hercegovinën lindore e në Shqipëri, ledhet bëheshin me gëlqere të shuar. Se sa me kujdes e me shpenzime i ndërtonin, e tregon Figura 3 e cila paraqet një ledh kështjelle mbi Gradinën e Oshanjiçit afër Stolacit në Hercogovinë.

Përbrenda ledheve ishin nganjëherë edhe forcime më të vogla në rast të rrezikut të fundit, atëhere kur kështjella pushtohej prej armikut. Aty brenda gjendeshin edhe banimet prej druri për gra e fëmijë, depozitat për gjëra të tundshme e vendet për shtazët shtëpiake, sepse aty shkonin me gjetur shpëtim shumë qytetarë që mirrnin me vete gja e mall. Shumë me rëndësi në çdo kështjellë ishin krojet e pusat për ujë. Përveç mungesës së ujit, nganjëherë binin sëmundje të cilat në atë shumicë të madhe njerëzish, shtazësh e kufomash, përhapeshin shumë lehtë. Fortesat e mëdhaja të Ilirëve nuk ishte punë e lehtë të binin në dorë. Vendin kryesor të Dalmatëve, Delminium, mbi Lib Planina afër Zupanjacit në Bosnjën e perëndimit, nuk mundën me e shtirë në dorë as topat romake në vitin 156 p.e.s. As fortesën Setuia, që më vonë qe qendra e Dalmatëve, nuk mundën me e pushtuar Romakët në dimrin e vitit 34-33 p.es. megjithëqë u përdorën gjeneralët më të mirë, e megjithëqë vetë Perandori Oktavianus Augustus mori pjesë në atë rrethim. Vetëm atëhere kur nuk patën ma me çfarë të shuanin urinë, ranë në dorë. Emrat e prijsave të cilët në vitet 34-33 p.e.s., deri në rënien e Setuies, i dolën zot lirisë së Dalmatëve kundra Romës me ushtri të forta, meritojnë që të njihen, ndërkohë po të kishin qenë Grekër ose Romakë do ishin përmendur në të gjitha librat e mësimit. Këta prijsa pra quheshin Verzo e Testimo. Këta të dy nuk qenë mbretër, sepse Dalmatët ishin njëri nga fiset ma demokrate ilire, të cilët formonin shoqëri të betuara dhe administroheshin prej një kolegiumi, e vetëm në kohë lufte kishin prijsa. Ndërmjet popullit gjendej edhe klasa e bujarëve, të cilët në kohën romake quheshin principes. Sikurse çdo fis ilir që nuk ndikohej nga jashtë, ashtu edhe Dalmatët u ndanë në Dekurie, numri i të cilave kapej deri në 342. Prandaj, Dalmatët ishin ndër më të mëdhejtë e fiseve të Illyrikumit. Për t’u vrejtur është se Dalmatët etnikisht nuk qenë homogjenë, por ishin të përzjerë edhe me Thrakajt, e në të katërtin qindvjet edhe me Keltët.

Dalmatët, megjithëqë ishin afër bregut e megjithëqë në viset e tyre kishin zënë vend Grekër (sikurse u pa më sipër), prap se prap jetuan për një kohë të gjatë në gjendje ekonomike primitive. Në kullota e në bujqësi nuk kishin prona të veçanta, por çdo gjë e kishin të përbashkët. Prodhimi bujqësor ndahej në çdo tetë vjet ndërmjet banorëve të çdo bashkësie. Prandaj aq më tepër është për t’u admiruar se si Dalmatët, mbasi u bënë nënshtetas romakë, iu shtruan gjendjes së re. Ndër viset e tyre u zhvillua një jetesë e butë qytetare; banimet e tyre që përpara për arsye qetësie gjendeshin në lartësira tani qenë shpërngulur në fusha e ndër rrugët e reja romake. Kështu edhe vendi kryesor i tyre Delminium zdrypi poshtë në fushë e në vitin 19 e.s. u bë një qytet romak i përparuar me një Forum të përmendur. Ilirët kishin një veti me bërë të vetën çdo gjë e me iu përshtatë çdo gjendjeje (sikurse Shqiptarët e sotëm), por sikurse do të shohim më tutje, pa humbur vetitë e tyre të veçanta kombëtare. Zhvillime më të plota e shënime më të qarta mbi doket, prirjet, ekonominë shtëpiake, veset, veshjen, armatosjen, martesën, gjuhën, etj., të Ilirëve të Balkanit do t’i shohim më tutje. Këtu duam, duke vazhduar mbi topografinë e fiseve kryesore, me bërë fjalë mbi ato që iu kundërshtuan me fuqi kundërshtarëve të tyre, Romakëve, e mbi vetitë etike të posaçme të këtij populli luftarak.

Fisi Japodes

Në anë veriore të Liburnëve në Kroacinë bregore të sotme e në Bosnjen veri-perëndimore kishte vendin e vet fisi bleguar i madh i katërt i Japodëve, të cilët sikurse Dalmatët formonin një shoqëri të betuar e që në kohën historike u mbajtën larg nga deti. Por përpara Japodët mirreshin edhe me det sepse, sikurse prej fqinjëve të tyre Liburnë ashtu edhe prej Japodëve (ose Japudes e Japydes), gjendej një pjese e tyre e madhe andej deti, në Apulia e në bregun lindor të Italisë së mesme. Japodët erdhën në përpjekje me Romakët dhjetë vjet përpara Dalmatëve, domethënë në vitin 169 p.e.s. në veri të Adriatikut, ku ata turbullojshin koloninë e re Aquileia. Gjendja e tyre me Romakët nuk qe aq shumë armiqsore sa e Dalmatëve, sepse kaluan shumë kohë të qeta me ta. Dërgimtarë Japodas shkonin në Romë e binin në marrëveshje ndërmjet tyre. Pastaj prap vinte një kohë që ky fis nuk donte me dijtë gjë për Romën. Sundimi pra romak mbi vendin e Japodëve qe i ligësht e i dyshimtë; vetëm në vitin 35 p.e.s. mbizotëroi një gjendje e qëndrueshme kur vetë perandori Oktavianus Augustus e mori punën në dorë.

Japodët qenë mundur në luftimet e mëdhaja të bëra me sistem; fitorja romake ishte më e lehtë meqenëse ky fis nuk ishte i bashkuar dhe i mungonte një prijës energjik; pra ishte i ndamë e i përçarë dhe kështu nuk i bënte dot ballë Romës. Por Japodët e shpërblyen veten me mbrojtjen trimnore të kryeqyteti të tyre Metulum, të cilin Oktavianus Augustus mezi mundi me e shtirë në dorë duke lënë të vdekur me mijra rreth tij. Mbi luftimet rreth kryevendit të japodëve Metulum, i cili gjendet në malin e sotëm Viniçica afër Çakovacit pranë qytetit kroat Ogulin, kemi një lajm të shkoqitur, lajmin më të mirë që mundet me pasur mbi taktikën luftarake të Ilirëve. Po përshkruhet këtu që të kihet një mendim mbi luftimet ilire të atëhershme.

Historiani i lashtësisë Appian shkruan: ….Atëhere Oktaviani mësyni Metulin, kryeqytetin e Japodëve, i cili gjendej në një mal me dy maja, i rrethuar prej një pylli të shpeshtë. Forca e qytetit, e cila përbëhej prej 30000 vetëve të armatosur, theu pa ndonjë vështirësi Romakët që i ishin afruar ledheve të tij. Romakët, duke e parë këtë qëndrim, rrethuan qytetin me llogore. Por Japodë mësynin ditën e natën, mësynë edhe llogoret e tyre e nuk i lanë Romakët kurrë të qetë. Romakët mundoheshin me krejt fuqinë me iu avitur ledheve e me i rrënuar. Në këtë mënyrë lufta nuk pushonte kurrë. Romakët shtonin gjithnjë fuqirat e veta, derisa më në fund ledhet filluan me u dëmtuar. Atëhere Metuljanët ndreqën ledhe të tjera mbrapa të vjetrave, të cilat i lëshuan e zunë të rejat. Romakët, mbasi i pushtuan ledhet e para iu vunë zjarrin. Aty bënë prap llogore të tjera e prej aty lëshuan ura deri tek ledhet. Atëhere Oktaviani hypi mbi një pirg të lartë për me parë e me drejtuar luftimet, e dha urdhër për mësymje. Por Ilirët u dualën përpara e filluan me iu prishur urat nën to.

Guximi i të rrethuarve u bë ma i madh kur panë të paren e të dytën urë me rënë poshtë. Mbasi u rrëzua edhe e treta, i kapi Romkët një frikë e një tmerr aq i madh saqë kurrkush nuk guxoi më të kalonte mbi të katërtën. Kur pa Oktaviani ligësinë e ushtarëve të vet, zdrypi prej pirgut e u dha urdhër edhe një herë tjetër për mësymje. Por mbasi nuk i dual në krye qëllimit të vet, sepse Romakët nuk e ndigjonin me mësyrë, atëhere Oktaviani mori vetë një mburoje e mësyni urën. Atij i shkuan mbrapa disa gjeneralë e rojet e tij. Kur pa ushtrija romake se prijsi i tyre më i madh po e vinte jetën në rrezik, atëherë e turpnuar, e mori mbrapa. Por pesha u bë e rëndë, kështu që ura u rrëzue e të gjithë ata që ishin mbi të ranë poshtë. Një pjesë e tyre vdiq, e pjesa tjetër u varros prej trupave, dërrasave e binarve që iu ranë përsipër. Ilirët u gëzuan për atë fitore. Vetë Oktaviani ishte ndër të varrosurit. Menjëherë u ngrit, hypi prap mbi pirg që të shihej prej ushtrisë, për mos me lanë të përhapej ndonjië lajm për vdekjen e tij e të shkaktohej ndonjë turbullim. E që mos të kujtojë armiku se Romakët humbën guximin dha urdhër menjëherë që të ndërtoheshin ura të reja. Qëndrimi i Romakëve në mësymje i friksoi të rrethuarit, sepse e panë veten përpara një armiku që nuk ndërronte mendim kurrë.

Prandaj të nesërmen nisën një dërgatë tek Oktaviani për me bërë marrëveshje. Kushtet që iu vuri Oktaviani qenë dorëzimi i 50 robëve, lirimi i kodrës më të lartë, që zotëronte qytetin nga Japodët, dhe pushtimin e saj nga Romakët. Këto kushte qenë pranuar. Por kur ushtria pushtuese kërkoi dorëzimin e armëve, e panë veten të poshtëruar dhe atëhere u ngjall tek Japodët një zemërim e një mëri e madhe kundra Romakëve. Morën gratë e fëmijët e i çuan në Bashki; aty rreshtuan armët, me mendimin se po u mundën prej armikut, do t’u jipnin zjarrmin. Pastaj u bashkuan të gjithë të zot e armëve në kodrën e poshtme të qytetit e bënë një mëymje të fundit kundra Romakëve, të cilët në këtë kohë kishin pushtuar kodrën më të lartë. Japodët nuk e humbën shpresën, por me një fuqi të tmershme bënin mësymje mbas mësymje, deri sa nuk mbet njeri gjallë. Kur pa roja e Bashkisë se nuk mbeti më shpresë, atëherë i dha zjarrin shtëpisë që ishte prej druri. Shumë gra mbytën femijët e vet e veten, shumë të tjera me foshnjet në krah futeshin në zjarr; krejt qyteti u ndez flakë. Metulumi pra, kryeqyteti i Japodëve, ra ndër duar të Romakëve mbasi u ba hi e pluhun, e mbasi për mos me rënë në dorë, burrat luftuan deri në minutën e fundit kurse gratë e fëmijët u dogjën në zjarr. Drama e qytetit Metulum, që nuk gjendet pendë që ta përshkruajë, i ligshtoi aq tepër vendet e tjera të Japodëve sa ranë në dorë vullnetarisht. Atëhere kur Oktavjani ishte larguar prej andej, u ngritën Posenitë në Bosnjen veri-perëndimore, por qenë shtruar menjëherë e patën një ndëshkim shumë të rëndë: prijsat u mbytën e të tjerët u shitën si rob.

– VIJON –

_____________________  

Karl Patsch: I L I R Ë T ( I )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura