Karl Patsch: I L I R Ë T ( IV )

Karl Patsch: I L I R Ë T ( IV )

Ilirët u bënë punëtorë minerali vetëm në kohën romake, atëhere kur administrata rregulluese dhe shtrënguese e Romës nuk lejonte me bërë luftë e me plaçkitë, kështu që iu dha fund jetës së tyre papunë e kështu qenë shtrënguar me punuar. Përpara puna në mal do të ketë qenë punë për robërit e luftës. Se ku do kenë qenë këto kroje ilire mineralesh nuk dihet. Për një pjesë të tyre flet një dokument i vitit 1595 i gjetur në arshivën e Venedikut, në të cilin thuhet se në tokën e Dukagjinit gjenden tre kroje argjendi, në Fand, në Bulgër e përmbi Lezhë (Nel paese de Dukagini a Fanda, Bulgari e sopra Alesso). Duhet të jetë detyra e rrëmimeve shqiptare që t’i bijë mbrapa kësaj pune e këtij vendi, e me ndihmën e shenjave që mund të gjinden, me qitur në dritë krojet e njëhershme minerale. Kjo për dobinë e diturisë e ndoshta edhe për dobinë e vendit, sepse teknika e punës se malit atëhere nuk ishte aq e përparuar sa me zbuluar krejt mineralogjinë e tokës, sepse ndër vendet e punuara nga të moçmit zakonisht janë gjetur shumë metale të çmueshme. Përveç arit e argjendit, qe gjetur ndër viset ilire në shumë vende edhe shumë rem (bakër), plumb e hekur. Sikurse të gjithë popujt e natyrës, ashtu edhe Ilirët formonin besimin e vet, zotat e vet simbas prirjes së tyre shpirtërore, ndodhjes së tyre, karakterit që kishin, gjendjes së vendit e punës që bënin. Ata kishin shumë perëndi, të cilat tyre kishin forma të ndryslime, sikurse ndër të gjithë popujt e Europës. Ilirët si luftarë që ishin kishin edhe zotin e vet të luftës. Ai quhej Medaurus e kishte në Risinium, në qytetin e mbretëreshës Teuta, një shejtnore të përmendun. Ilirët e përfytyronin këtë zot si një fatos, në majë të një kali zjarrmor, me një shigjetë në dorën e djathtë të cilën e mban përpjetë. Pylli e gjëja e egër ishin nën mbrojtjen e një hyjneshe; livadhet e gjëja e gjallë mbroheshin prapë prej zotave të tjere, të cilët kur nderoheshin me përshpirtëri mbronin gjënë e gjallë prej rreziqeve e prej sëmundjeve dhe shtonin farën e tyre. Një zot të veçante, që quhej Bindus, e kishin Ilirët për krojet, prrojt e lumejt. Një shenjtnore e këtij zoti u gjet në një rrëmim të bërë në Bosnje. Ne viset e njëhershme të Japodëve, afër qytetit Bihaç në Bosnjen veri-perëndimore, buron një krua i madh me uje të kjarqt nga një e çarë shkrepi. Ky krua quhet Privilica, ku freskohet çdo njeri që kalon aty pari. Në sheshin përpara këtij kroi ishin, sikurse janë edhe sot, shumë pemë të mëdha me hije të madhnueshme dhe në këtë vend i bënin fli zotit duke therur sqap. Ky vend i shenjtë ilir qe edhe në kohën romake, e jo vetëm qe ruajtur por qe zbukuruar edhe me përmendore sikurse ishte zakoni i asaj kohe. Ndërmjet pemëve e përpara rrënxave të tyre ndërtoheshin vende (ltera) kulti e kushti: të parat përdoreshin për flitë që thereshin në nderim të zotit, e të dytat ndërtoheshin prej njerëzve që bënin ndonjë kusht për nxjerrje nderimesh e që stoliseshin për bukuri. Këta vende ndërtoheshin më tepër prej bujarëve (principes) që kishin nëpunësira të mëdha në dorë. Kështu bie fjala, një vend të bukur kushti e kishte ndërtuar një bujar që quhej Licinius Teuda, i cili ishte i pari i bujarëve të Japodëve (praepositus et princeps Japodum).

Në Shqipëri qe një shenjtore shumë e përmendur, e cila i ishte kushtuar hyjneshës së pyllit dhe gjësë së egër, që më vonë u quajt edhe me emrin latin Diana, sepse këtë hyjneshë me të njëjtat cilësi e patën edhe Romakët që sundonin vendin. Kjo shenjtore, që ishte si një tempull i madh, gjendej në fisin Candavii, në provincën Candavia (në lindje të Elbasanit), në një vend që thirrej po me këtë emër Candavia. Hyjnesha quhej pra Diana Candaviensis. Vendi ishte në rrugën e moçme e të përmendur Via Egnatia, por se ku më hollësisht nuk dihet; thuhet se vendi është për t’u kërkuar në gjunin e Shkumbinit afër Babis. Muzeu kombëtar shqiptar do ta ketë për detyrë me bërë rrëmime e studime më të thella; në qofte se gjendet tempulli, atëherë puna e bërë ka me u shpërbyer njëqindfish, sepse aty do të gjenden edhe sende të tjera të cilat kanë me vleftë për historinë e vendit. Shumë hyjnive ilire u dihen vetëm emrat, por vetitë e tyre e për shka nderoheshin, mjerisht deri sot nuk kemi mund me i zhvilluar.

Ndër këto hyjni janë hyjneshat Ika,utossika, Latra e Sentona, ashtu edhe hyu Armatus, i cili nuk ka ç’të bëjë me fjalen latine “arma” e me kuptimin e saj. Përveç hyjnive të përgjithshme, ç’do fis pastaj kishte hyun e hyjneshën e vet.

Sikurse u pa, Ilirët kishin tempuj, shenjtore, vende kurbani, por kulti (besimi) i tyre qe anikonik (pa fytyra, pa figura, pa shtatore a relieva). Këto mund t’i kenë marrë më vonë prej Grekërve e Romakëve dhe ua përshtatën zotave të vet. Kështu, bie fjala për hyjneshën e pyllit e të gjësë së egër zgjodhën fytyrën e hyjneshës romake Artemis – Diana, për hyjnit e livadheve e të gjësë së gjallë morën fytyrat e hyjnive Pan e të Nympheve, për hyun e krojeve Bindus zgjodhën fytyrën e Neptunit, etj. etj. Prifta nuk patën Ilirët; flitë mundej çdo njeri me ua prerë hyjnive. Është për t’u përmendur se Ilirët, ashtu edhe Thrakajt, njihnin e përdornin edhe njerëz për fli. Për shembull, kur Leka i Madh mësyni Ilirët e jugut në krahinën e Korçes së sotme, për me mbajt larg rrezikun, bënë fli tre çuna e tre çupa. Ilirët me Thrakajt kishin edhe shumë sende të tjera të përbashkëta, si bie fjala të pasurit shumë gra përnjiherësh. Një vjershtar grek duke shkruar mbi këtë ves të Thrakajve, paraqet të flasi një Thrakas në këtë mënyrë: “Ndër ne kurrkush nuk merr më pak se dhjetë a njëmbëdhjetë gra edhe dymbëdhjetë e më tepër. Kush merr vetëm katër ose pesë e vdes, ai thuhet ndër ne se ka vdekë i pamartuar. Një historian grek e vërteton këtë gjë me këtë lajm: “Çdo Thrakas merr tre, katër gra; e ndonjë edhe tridhjetë; këto punojnë si shërbëtoret. Të pasurit marrin më tepër gra se të varfërit.

A do të ketë qenë pasja e shumë grave kaq e përhapur edhe ndër Ilirë dhe a do ta ketë pasur çdo pjesë e popullit, kjo nuk dihet. Dihet vetëm se në oborrin mbretëror, e mbas shembullit të tij edhe ndër bujarë, ka mbretëruar pasja e shumë grave. Kështu bie fjala në mos tjetër mbreti Agron ka pasur dy gra, mbretëreshën e përmendur Teuta dhe një tjetër me emrin Triteuta, e cilia lindi trashëgimtarin e tij Pinnes. Të dyja këto gra jetuan më shumë se burri; Teuta mori në dorë mbretërinë për të birin e Triteutës, që ishte i vogël. Një harem grash ilire pat edhe mbreti Pyrrhus i Epirit. Ilire u gjetën edhe

ndër gratë e mbretërve maqedonas. Mbret Filipi II, i ati i Lekës së Madh, qe i biri i një gruaje ilire;

edhe njëra ndër gratë e tija qe Audata prej Ilirie. Për Liburnët thuhet se gratë e tyre kanë pasur shumë burra përnjëherë e se këtë nuk e kishin për turp.

Sikurse Thrakajt e popujt e tjerë indogjermanë, ashtu edhe Ilirët kishin një jetë të përtejme.Ata besonin në një gjendje, në një jetë tjetër mbas vdekjes, e cila i ngjasonte kësaj jete por ishte më e bukur e më andshme. Këtë gjë e dëshmojnë zakonet salikimore të tyre: të vdekurit i salikonin si kufoma, ose i digjnin në turrë drush e pastaj hinin e tyre e ruanin me kujdes në një enë. Në të dyja rastet e stolitnin varrin sipas gjendjes pasunore të çdo njeriu me shumë shpenzime. Të pasurit i jepnin me vete në varr të vdekurit më tepër, e të varfërit më pak. Ata futnin në varr bashkë me kufomën ose me hinin e të vdekurit çdo gjë që e kishte pasur për zemër sa ishte gjallë, ose çdo gjë që e karakterizonte ose që kishte nevojë për jetën e përtejme, si bie fjala armët, veglat e punës, stolisjen e trupit, veglat e zbukurimit, enët me gjellë e me pije; e kur ishte fëmijë, veglat e lojës. Shpesh here të vdekurit i jipnin me vete në varr një inventar të madh sendesh prej toke të pjekur, prej ashti, prej qelqi, prej hekuri, prej bronzi, prej argjendi e prej ari.

Përmbi varr mbas salikimit të kufomës vendosnin një grumbull dheu ose gurësh me madhësi e bukuri të ndryshme, që quhej tumulus. Këta tumuli disa ishin shumë të vegjël, por disa shumë të mëdhenj e shumë të lartë që shiheshin prej së largu. Këta të fundit përgiithësisht ishin veçan e shpesh në ndonjë lartësi (shih Figurën 11) e tregonin varrin e ndonjë njeriu të madh. Të vegjëlit ishin bashkë e formonin varreza ku më të vogla e ku më të mëdha. Kur të mirret para sysh se çdo tumulus mbulon përmbrenda sende e gjëna, që Ilirët ia jepnin me vete të vdekurit, mundet me u marre me mend shumë lehtazi se ç’visare shkencore gjinden aty mbrenda, e se sa shumë zhvillime kishin me mund me dhënë këto varre mbi kulturen e natyrën e Ilirëve. Kockat e gjetura ndër këto varre japin mësime e zhvillime mbi formimin e trupit të Ilirëve, mbi madhësinë e fuqinë e tyre dhe mbi ngjasimin fizik me popujt e tjerë. Tek Thrakajt, gruaja më e dashur e burrit, kur vdiste ky, mbytej e varrosej bashkë me të. Numri i kockave e varreve jep të kuptohet mbi shpeshtësinë e popullsisë së një vendi e mbi gjendjen ekonomike të tij, pse vetëm një tokë pjellore mundet me ushqyer një popull të madh. Një varrezë e madhe tregon qenien e një vendi të madh aty afër.

Njoftime më të shkoqitura mbi datat e sendeve kishin me dhënë gjërat e varrezave që iu jipnin të vdekurit me vete, mbasi kockat e kufomave mund të japin vetëm ndonjë datë të përafërt e jo më tepër. Këto gjëra nuk japin vetëm të kuptojmë gjendjen e mirë të popullsisë e të vendit, por tregojnë edhe nderimin e madh që Ilirët kishin për të vdekurit dhe se dashuria e tyre familjare vazhdonte edhe mbas vdekje. Këto japin një mendim mbi vetitë morale të popullit, e sidomos japin shpjegime mbi veshjen e burrave e grave, si bie fjala mund të gjenden pulla petkash, rrypa metali, armë të cilat jo vetëm paraqesin armatosjen e burrit, por edhe ndriçojnë mbi shpirtin luftarak të popullit; stolisje grash të cilat kanë një rëndësi të madhe në pikpamie lëndore e shpirtërore të tyre. Mbi armët, mbi djademat, mbi unazat, vathët, stolisjen e fytit e të kraharorit, do të kishte lëndë mjaft për t’i studiuar, a bëheshin këto sende në vend prej banorëve apo biheshin nga jasht. Këso dore, kishte me pasur të dhëna mbi punën e dorës së vendit, mbi intensitetin e mbi përhapjen e industrisë vendore. Këto e shumë sende të tjera kishin me paraqitur një fytyrë të kulturës së kohës së kaluar; kishin me dhënë lajme më të shkoqitura e më të besueshme se shkrimet e ndonjë shkrimtari të huaj i cili vendin përmbi të cilin shkruan, as nuk e ka parë me sy, a por në e pastë parë, i ka rënë nëpër të, duke plotësuar lajmet e veta me thana e thaça të popullit.

Sikurse të gjitha viset ilire, ashtu edhe Shqipëria është e pasurn me kësoj varresh, me kësij përmendoresh kulture. Disa janë hapë prej njerëzish të ditur, por edhe shumë të tjera janë çelë prej dore të pashkolluar e cila ka patur për qëllim të nxirrte ndonjë send të çmueshëm, ndonjë visar të bukur, por jo me qëllime shkencore për me pase zhvillime e njoftime mbi të shkuarën e Shqipërisë. Pastaj gati të gjitha sendet e gjetura janë qitur jasht vendit, të cilat gjenden në duar të ndryshme, pa përpjekje njëri send me tjetrin, kështu që e kanë humbur edhe vlerën shkencore. Ka me qenë detyra e Muzeut të ri Kombëtar Shqiptar me u vu mendjen e kujdesin këtyre varrezave të vjetra, këtyre dëshmive të plota të kohës së moçme; detyra e tij do të jetë me i kërkuar sistematikisht, me i nxjerrë në shesh, me i ruajtur mirë, me i rradhosur në Muze me shënimet më të plota, e me i botuar për arsimin e popullit.

Mbi kulturën shpirtërore të Ilirëve dihet fort pak, kemi lajme shumë të mangëta. Ata, për arsye të banimit të tyre malsor, nuk erdhën aq fort në pjekje me Grekërit e Thrakajt në lindje të gadishullit Ballkanik. Dhe shkrimtarët romake përgjithësisht me popujt që gjendeshin në një shkallë kulture të poshtme u muarën vetëm atëhere kur flitnin mbi luftimet e Romakëve me ta, kështu që nuk bënin fjalë aspak mbi vetitë paqësore e qytetare të popullit përkatës. Interesat shpirtërore të Ilirëve nuk do të kenë qenë të mëdhaja, mbasi ata pjesën më të madhë të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngënë e në të pirë.

Gjuha e Ilirëve

Është për të ardhur keq që ka lajme shumë të pakta mbi gjuhën e Ilirëve. Por fatmirësisht në këto kohët e fundit jane bërë vrojtime të cilat kanë dhënë pak dritë mbi gjuhën e karakterin popullor dhe të cilat japin shpresë se paskëtaj do të mund të nxirren njoftime më të plota. Gjuhën ilire, sikurse edhe thrakishten nuk e mirrnin vesh Grekërit, por ajo qe një gjuhë indogjermane, sikurse janë thrakishtja, keltishtja, greqishtja, latinishtja, gjermanishtja, slavishtja e baltishtja. Duke marrë parasysh madhësinë e vendit, format e ndryshme të tija, vështirësitë e udhëtimit, duke marrë në kujdes se Ilirët pjesërisht mbetën të papëçatun, e pjesërisht u përzien me Thrakajt e me Keltët, kuptohet lehtazi se edhe Ilirishtja ka pasur dialekta të ndryshme; dhe se Ilirët gjuhësisht kanë pasur ndryshime në Alpet lindore (në Tirol, në Stiri, etj.) në Venedik, në Italinë e poshtme e në gadishullin Ballkanik. Njoftimet mbi gjuhën e përgjithshme të Ilirëve janë prej disa fjalëve ilire, të cilat janë transmetuar prej autorëve klasikë, si bie fjala, prej fjalës sabaja me të cilën emërohej birra, prej nënshkrimeve e prej emrave të vendeve e njerëzve. Nënshkrimet u gjetën në Venedik e në Italinë e poshtme, por kanë mbetur deri sot gati fare të pazhvilluara.

Emra ilirisht vendesh janë ruajtur mjaft e shumë ndër ta njihen prej mbrapashtesës që kanë si bie fjala grumbulli i fjalëve që mbarojnë me shtesën “ona” të cilat kishin me qenë: Emona, Albona, Flanona, Promona, Scardona, Narona e Dodona, që shihen edhe në perëndm të Adriatikut ku kujtohen emrat e qyteteve Ancona, Cremona, Verona. Një grumbull tjetër gjendet me mbrapashtesën “este”, si: Tergeste (Triesta e sotme), Bigeste e Ateste (Este e sotme në Italinë e epërme). Një grumbull i tretë paraqet mbarimin “ntum”, si bie fjala Dalluntum, Salluntum, Tarentum e Hydruntumi (Tarento e Otranto në Italinë e poshtme) e Carnuntum (afër Vjenës).

Përmbledhja e caktimi i këtyre grumbujve emrash vendesh është me rëndësi, sepsc me ndihmën u tyre shpesh herë nxirren njoftime mbi përhapjen e Ilirëve. Këtë mund ta themi edhe per emrat e maleve dhe lumenjëve. Këta të fundit patën një jetë të gjatë; e shumta e tyre kanë ruajtur deri sot me një ndryshim shumë të vogël emrat e moçëm. Kështu bie fjala kanë rrjedhje Ilire: Oenus (lumi Inn në Tirol), Dravus (Drave) e Savus (Savë) në Kroaci, Oeunus (Una), Urpanus (Vrbas), Basanus (Bosna), Drinus (Drina) në Bosnje, Timacus (Timok) në Serbi, Naro (Narenta) në Hercegovinë, Tara e Lim në Mal të Zi, Dirinus ose Drilo (Drini) në Shqipëri, etj.

Përgjithësisht edhë emrat c njerëzve njihen lehtësisht. Shumë mbarojnë me “o”, si bie fjala Verzo, Testimo, Bato (mbi këtë u fol më parë), Dasto, Paiio, Tafo e Tito. Por gjenden edhe emra të tjerë që mbarojnë me një zanore tjetër ose me një bashkëzanore, si bie fjala Temeia, Tattuia, Tatta, Teuta, Teuda, Mandeta, Bricussa, Zorada, Dazas, Andes, Panes, Pinnes, Tattaris, Scerdis, Zanatis, Agirrus, Plassus, Temus, Plator, Slater, etj. Për t’u vërejtë është se edhe gratë kishin të njëjtat emra si burrat. Emrat këso dore ishin Apio, Cato, Trio, Tritano e Panes. Gjë me rëndësi është edhe se Ilirët kishin shumë emra që kishin edhe Romakët; kështu bie fjala quheshin si Ilirë ashtu edhe Romakë emrat Caius, Cato, Titus e Varro.

Përvec këtyre njoftimeve gjuhësore në kohët e fundit janë gjetur data më të reja të cilat përmbajnë e japin përfundime me rëndësi. Në Lisiçiç afër Konjicit në Hercogovinë, në fushën e Narentës, janë gjetur tre nënshkrime varrezash të cilat janë shkruar latinisht, por ndër fjalët vendore kanë germa ilire të posaçme për ato tinguj për të cilët shkrimi latinisht nuk kishte shenjat përkatëse. Sikurse shihet në Figurën 12 prej shkrimit të emrit Posauljonis e Jaci, Ilirët kishin një “j” të posaçme, e për më tepër, sikurse shihet në emrin Dazas në Figurën 13, kishin një germë frymore që nuk u përgjigjej as “s” e as “z” se latinishtes.

Nga këto nënshkrime pra shohim se gjuha ilire sikurse thamë kishte edhe tinguj të tjerë që nuk i kishte latinishtja, dhe se ilirishtja në shekullin II e.s. (sepse këto nënshkrime janë prej asaj kohe) qëndronte e gjallë pranë latinishtes. Dhe qëndrimi i patundur i gjuhës tregon edhe një ndërgjegje të fortë kombëtare. Ky përfundim vërtetohet edhe prej një lajmi shumë më të vonshëm: Shën Hieronymi, një shkrimtar i përmendur, i cili lindi rreth vitit 350 e.s. në kufirin verior të Dalmacisë në vendin Stridon, e që vdiq në Bethlehem në vitin 420 e.s., lajmëron se në kohën e tij në Dalmaci e në Panoninëkufitare flitej barbarisht që domethënë jo latinisht.

Latinishtia qe në Iliri, sikurse edhe në Spanjë, në Gali, në Gjermani, etj. gjuha zyrtare, tregtare dhe gjuha që përdorohej në botime, në zyrat shtetërore e qytetore, në ushtri, në tregti të përjashtme, ndërmjet të huajve dhe ndërmjet atyre vendasve që ishin romanizuar dhe e mbanin veten për Romakë. Latinishtja përdorohej edhe ndër përmendore e gurë varresh, sepse ky zakon erdhi nga jashtë, e mbasi puntorët e tyre nuk ishin vendas ashtu përdorën gjuhën e vet për të tilla nënshkrime. Ilirishtia ishte gjuha e popullit sidomos ndër katunde, por edhe ndër qytete përdorej në marrëdhëniet shtëpiake e private. Por këtë gjuhë e përdorën edhe shumë iliras që morën kulturën romake e paten nëpunësira botore të larta. Bashkëpërdorimi i këtyre dy gjuhëve pat edhe një bashkëndikim mbi njëra-tjetrën. Të dyja patën ndryshime, të cilat rrotull qindvjetave formuan një gjuhë iliro-romake, sikurse ndër pjesët e 21/21tjera të mbretërisë së Romës, si bie fjala në Spanjë e Francë. Gjuha iliro-romake quhet edhe gjuha dalmate sepse deri më sot vetëm atje u gjet. Kjo gjuhë dyfishe ka humbur tash vonë. Më i fundit njeri që e diti këtë gjuhë qe shërbëtori i kishës Anton Udina – Burbur në ishullin Veglia, i cili vdiq në vitin 1898 prej shpërthimit të një bombe. Mbi përpjekjet e gjuhës ilire e të popullit ilir, mbi gjuhën shqipe e popullin shqiptar, do të bëjmë fjalë në një rast tjetër.

  • FUND – 

________________________

Karl Patsch: I L I R Ë T ( III )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura