KARLTON S.KUN: SHQIPËRIA DHE RACA DINARIKE

Pashtriku.org, 01. 02. 2013 – (Kapitulli XII, seksioni 13) Mbretëria e Shqipërisë, që shtrihet pikërisht në jug të Malit të Zi, kap një popullësi prej afër1 milion njerëz; së paku një milion të tjerë jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë, kryesisht në Jugosllavi, gjithashtu ka koloni të mëdha në Greqi, Rumani dhe SHBA. Ata janë të ndarë në dy grupe të veçanta etnike, secili me variantin dhe dialektin e vet të gjuhës shqipe, zakonet e veta dhe modelin e vet të kulturës. Këta janë, në jug toskët, kurse në veri dhe në fushën e Kosovës gegët. Gegët ende ruajnë sistemin e tyre të fiseve patrilineale jashtëmartesore (exogame), i krahasueshëm me atë malazez; ata janë të ndarë në dhjetë fise ku së paku nga një pjesë e tyre shtrihet në Shqipëri dhe tri ose më shumë nga to shtrihet jashtë Shqipërisë. Në këto dhjetë fise në Shqipëri përfshihen Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia Gjakovës dhe Hasi, që të gjitha në veri të Drinit, të treguara nga perëndimi në lindje. Hasi dhe Malësia e Gjakovës shtrihen deri në Serbinë e Vjetër në veri të Prizrenit; Malësia e Madhe ka fise në Malin e Zi të Vjetër. Krejtësisht jashtë Shqipërisë, në Mal të Zi dhe në vendin e Kosovës, janë Peja, Podrimja dhe një numër i fiseve në fqinjësi me Mitrovicën. Në jug të Drinit janë, Zadrima në juglindje të Shkodrës; Puka, Mirdita dhe Luma një pjesë e të cilës është serbisht-folëse; në jug të këtyre janë, Mati, fisi i mbretit Zog, dhe Dibra e cila përfshin brigjet në njërën anë të Drinit të Zi.
Shtatë dhjetë përqind e shqiptarëve në Shqipëri janë muslimanë afërsisht sikur ata në Jugosllavi. Tridhjetë përqind janë barazi të ndarë mes katolikëve dhe ortodoksëve. Katolikët janë të gjithë gegë, ortodoksët të gjithë toskë. Tek gegët, tërë Mirdita, tërë Dukagjini, pjesë të Zadrimes, Malësisë së Madhe, Pukës, Malësisë Gjakovës, Hasit dhe Matit, janë katolikë. Katolikët janë më konservativët në pikëpamje kulturale, dhe si të tillë më të veçuar në zonën e tyre. As katolicizmi as islami nuk kanë penguar funksionimin e rendit shoqëror gegë, i cili operon në mënyrë të çuditshme. Secili fis është i ndarë në divisione politike dhe gjeografike të njohura si bajraqe, por i pavarur nga ky është një koncept tjetër i njohur si fis. Fisi është grup patrilineal jashtëmartesor me afërsi gjaku, pa përcaktim gjeografik; disa bajraqe së bashku mund të bëjnë pjesë në një fis, dhe janë të ndaluara martesat mes tyre; në anën tjetër një fshat i vogël mund të përmbajë degë të fiseve të ndryshme, ndonjë nga këto i madh dhe mbarë-kombëtar e ndonjë tjetër i vogël dhe lokal.

Ndarjet fisnore në Shqipërinë e Veriut:

Fisi është një grup pasardhësish kah vija babait prej një para-ardhësi të zakonshëm emërvënës (eponim). Në fise të ndryshme rregullat përcaktojnë, se kur afërsia mes tyre veçohet në atë masë sa të lejohet martesa; në disa nga këto pas njëqind brezave; në të tjerat vetëm atëherë kur afërsia e saktë nuk dihet. Kjo martesë jashtë fisit ka një lidhje të ngushtë me antropologjinë rajonale fizike të Gegëve, meqenëse i kalon kufijtë fisnorë dhe shkakton udhëtim (zhvendosje) të grave në largësi të mëdha. E krijuar për të ndaluar incestin kjo rregull që njëkohësisht jep kryqëzim të afërt brendafisnor, duke qenë se kryqëzimet e ndërsjella rezultojnë shpesh në raste martesash mes kushërinjsh.
Fisi më i rëndësishëm është ai në të cilin bëjnë pjesë bajrakët e famshëm të Dukagjinit: Shala dhe Shoshi, dhe gjithashtu tri nga pesë bajraqet e Mirditës. Frenimi i martesave mes Shoshit dhe Shalës është hedhur poshtë, njëlloj sikur unionet mes pjesëve të këtyre bajraqeve, por në Mirditë të gjithë djemt e ri të tri bajraqeve Spaç, Orosh dhe Kushnen, janë të detyruar t’i marrin gratë e tyre nga dy bajraqet tjera, Dibrit dhe Fanit. Para-ardhësit origjinalë të këtij super-fisi ishin vëllezër, të cilët erdhën nga fusha e Kosovës në këto bjeshkë duke kërkuar vend-strehim, së paku 100 breza më parë sipas traditës popullore. Që vendi ka qenë i përfshirë në lëvizje të mëdha të popullësisë në të kaluarën kjo është e dukshme; Shqipëria veriore është një zonë vendstrehimi e ardhjes së parë. Gjuha shqipe një përzierje mes Ilirishtes, Thrakishtes, Latinishtes, Sllavishtes, Turqishtes dhe elementeve të tjera, reflekton prejardhjen e përzier etnike të Shqiptarëve.
Gjatësia e gegëve është shumë e ndryshueshme simbas vendit; fiset kufitare me Malin e Zi kanë një mesatare prej 173 cm dhe 174 cm; bajraqet më veriore të Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, të cilët shtrihen afër Malit të Zi, janë më të gjatë se bajraqet jugore të fiseve të tyre. Në anën jugore të Drinit mesatarja kap 169 cm dhe vazhdon tek niveli 167 cm në Mat dhe Mirditë. Niveli i gjatësisë së malazezëve bie (zbret) më shumë kah jugu i bërthamës së tyre se sa kah veriu. Zbritja e nivelit të gjatësisë është më e shkallëzuara në anën perëndimore të bjeshkëve; në lindje, nga Hasi deri te Dibra kemi një rënie për vetëm 2 cm. Gjatësia e shqiptarëve është kronologjikisht konstante; nuk ka evidenca për ndonjë rritje.
Gjatësia e krahut të gegëve është 104, më e lartë se tek malazezët, dhe më shumë në pajtim me standardet dinarike. Lartësia relative ulur (në të ndenjur), prej 52.8 cm, është pak a shumë e njëjtë, nuk shënon dallime regjionale të ndonjë rëndësie. Ashtu si në Mal të Zi, ndërtimi i trupit nuk është i kontrolluar nga gjatësia. Ata më të trashët janë shpeshherë edhe më të gjatët. Përpjesëtimi i shpatullës gjatësi-gjerësi është më i larti në fiset afër Malit të Zi.

Mesatarja e indeksit qefalik të Gegëve është 85 sikur tek të gjithë dinarikët. Gjeografikisht indeksët më të lartë janë gjetur në perëndim, në Malësi të Mbishkodrës, Zadrime dhe Mat, tri fiset që gjinden në anën bregdetare të vargmaleve; këtu mesatarja shtrihet në 86.5 dhe 87. Një zonë me kokë-gjatë relativë është gjetur në lindje, në Malësinë e Gjakovës dhe Lumë, ku mesatarja është 83. Këtu ndryshimi shkon nga perëndimi në lindje dhe jo nga veriu në jug siç është rasti me gjatësinë.
Dimenzioni i kokës ndryshon me gjatësinë e trupit; mesatarja e gjatësisë së kokës në veri shkon nga 186 mm në 190 mm,; në jug nga 183 mm në 185 mm. Gjerësia e kokës shkon nga 162 në Malësinë e madhe, në 165 në Lumë. Kokat më të gjera janë gjetur në afërsi të Malit të Zi të Vjetër. Zgavërat e Gegëve janë mesatarisht të larta; nga 129 m në veri, deri 126 në jug. Diametrat e fytyrës tregojnë drejtimet e ndrydhimeve veri-jug dhe lindje-perëndim: mesatarja e minimumit frontal psh është 112 mm në Malësinë e Madhe dhe 110 mm në fiset tjera në veri të Drinit; ndokund tjetër është 107 mm, dhe108 mm. Bizigomatiku me një mesatare prej 144 mm në fiset veriperëndimore, zbret rregullisht në 140-141 mm në jug dhe bregdet. Bigoniali ndjek një ndryshim të ngjashëm nga 109 mm në 107 mm. Në këto diametra të fytyrës, sikur në gjatësi Gegët më veriperëndimorë formojnë një vazhdimësi të zonës racore më të madhe të Malit të Zi të Vjetër; Ndokund kemi zbritje të shpejtë në gjendjen normale dinarike. Duhet theksuar se mes këtyre dinarikëve, pasardhës të banorëve të bjeshkëve para-sllavë dhe para-gjermanë, balli është më i gjerë se nofulla, dhe fytyra ka një formë karakteristike të trekëndëshit të kthyer mbrapsht.
Nganjëherë jashtë zonës malazeze fytyra humb lartësinë e saj të tepruar; mesatarja e diametrit menton-nasion e Gegëve është 124 mm, e krahasueshme me lartësinë e fytyrës në Gjermaninë jugore dhe Zvicërr. Lartësia më e madhe prej 126 mm në Has, është gjetur në lindje, përgjatë Fushës së Kosovës; më e shkurta prej 121 mm në Mirditë, gjendet në pjesën qendrore të bjeshkëve nga Dukagjini deri te Mati. Kjo zbritje regjionale është treguar qartë me anë të indeksit facial, i cili shkon nga 86 në qendër dhe perëndim deri në 89 në lindje. Të gjitha fiset e sidomos Hasi gjithsesi, janë mesoprosopic. Indeksi facial i lartë është më shumë i ndryshueshëm: mesatarja në Mirditë është 49; për Has 54; kjo është afërsisht më e madhe se për të gjithë Europën. Hundët e gegëve të larta 58 mm, të gjera 34 mm, janë në mesin e më leptorrhinëve në botë, ma një indeks nazal prej 58.

Në pikëpamje metrike fiset Gege paraqesin një situatë komplekse; ndryshimi i shpejtë nga veriu në jug i gjatësisë së trupit dhe gjerësisë së kokës dhe fytyrës tregojnë se bërthama e të ngjashmëve me racën Borreby të Malit të Zi të Vjetër, nuk shtrihet aq larg përgjatë jugut në Shqipëri. Njerëzit e gjatë të fiseve veriore kanë ndërtimin më të rëndë trupor, ndërsa ata të shkurtë në jug më të varfër; ndërtimi konvencional dinarik shkon me staturën e shkurtë. Në fiset lindore është një tregues i fortë e elementit dolihocefalik, fytyrëgjatë, trupgjatë; derisa elementi fytyrë-shkurtë, që të kujton Alpinët, është i përqendruar në luginat malore shumë të vetmuara të Mirditës.
Pothuajse të gjithë Gegët janë lëkurë-bardhë, me Von Luschanin 3 dhe 7 që janë më të shpeshtit. Freckling (lëkura pikaloshe), i zakonshëm në Mal të Zi, është i rrallë këtu; pak diçka është e kufizuar pothuajse tërësisht tek fiset më pranë Malit të Zi të vjetër, dhe aty arrin në 5%. Flokët e kokës janë zakonisht zeshkane (brunet), e zezë dhe afër të zezës arrin në 40% dhe e errët deri tek e kaftë mesatare 45%. Flokët e kafta të çelura ose bjonde, i cili është pothuajse gjithëmonë në të artë ose paksa në të kuqe, përbëjnë pjesën tjetër prej 15%. Vetëm dy njerëz nga 1100 kishin flokë bjonde në ngjyrë hiri. Sikur në Mal të Zi, edhe këtu mjekrra dhe mustaqet kanë ngjyrë më të çelur se flokët e kokës; kontigjenti i të zinjve është i kufizuar në 6%, derisa 36% janë të kuqe në të kaftë ose auburn, 3% të kuqe, dhe 30% bjond të artë ose bjond të çelur me nuancë të artë. Tendenca e së kuqes, derisa nuk është e theksuar si në ca pjesë të Malit të Zi, ekziston me përjashtime virtuale të flokëve bjondë ngjyrë hiri. Simbas regjioneve, flokët më të errëta janë gjetur në Mirditë dhe në kufijtë lindorë; më të ndritshmit në perëndim dhe jug.
Shtatëmbëdhjetë përqind e Gegëve kanë sy të kaftë të pastër, dhe 7% të pastër të ndritshëm. Gjysma e grupit ka kombinim të irisit gjelbër-kaftë dhe 20% kaltër-kaftë. Nga sytë me ngjyrë të përzier, 30% janë të përzier në të errët dhe 48% kryesisht në të ndritshëm, pjesa e mbetur pothuaj njëlloj. Prandaj Gegët janë tërësisht të përzier ose pothuajse tërësisht të ndërmjetëm në ngjyrën e syve, me elemente bjonde ose me elemente paksa më të rëndësishme se brunete. Sytë më të errët janë gjetur në Dukagjin, dhe në Malësinë e Gjakovës, në kufirin e Serbisë së Vjetër; aty 25% e syve janë të kaftë. Ndokund tjetër ka ndryshime të vogla regjionale.
Flokët e kokës tek gegët janë zakonisht të valëzuara, dhe mesatarisht të imta apo të holla; është më e madhe se mesatarja e europianëve në bollëk, tek mustaqet, faqet nofullat dhe në trup; njëkohësisht tendenca e rënies së flokëve është e fortë këtu. Vetullat janë zakonisht të trasha, tek 70% e grupit. Sikur në Mal të zi edhe këtu balli është shumë rrallë me pjerrtësi të madhe; kurrizi i vetullës është zakonisht në anën e rëndë të mesatares. Qerpikët eksternalë, të gjetur në 35% të grupit, janë të zakonshëm tek fiset që formojnë një vazhdimësi të zonës së maleve perëndimore në jug të Malit të Zi të Vjetër; Ndokund gjetiu gropa e syrit e lartë dinarike, parandalon zhvillimin e tyre në shumë raste.
Morfologjia nazale e Gegëve është zakonisht më dinarike se sa tek malazezët; rrënja dhe ura janë më qëndrueshëm të ngritura, dhe maja si rregull është më e hollë. Rreth 50% kanë profil konveks; vetëm 6% konkav. Më pak se gjysma e majeve të hundëve janë të prirura (pjerrëta) te poshtë; vetëm në Malësi të Madhe, afër Malit të Zi, janë maje të shtypura në shumicë. Me majën e hollë të hundës shkon një përpjesëtim i lartë i krahëve hundorë të shtypur; hunda gege është me të vërtetë leptorrhine morfologjikisht ashtu sikur në pikëpamje metrike.
Fytyrave të gegëve shpesh u mungon relievi i fortë eshtëror kaq i dukshëm tek malazezët; pjesa e dalë anësore e harkut zigomatik është zakonisht e kufizuar, dhe këndet goniale janë zakonisht të pjesës së dalë mesatare. Faqet janë zakonisht të zgjatura dhe të holla, edhepse kjo gjendje mund jetë pjesërisht pasojë e të ushqyerit, i ka edhe implikimet e saj racore. Faqet e mbushura dhe të trasha të fshatarëve ukrainas qëndrojnë në opozitë me ekstremin europian.
Morfologjia e regjionit oksipital tek gegët, në pamjen e tyre të përgjithshme dinarike, është në interes të pjesërishëm. Zgjatja oksipitale është si rregull paksa kah mesatarja; është më e pakëta në fiset perëndimore dhe më e madhja tek fiset lindore. Rrafshi oksipital është gjetur në vetëm 30% të grupit; incidencat simbas fisesh shkojnë nga 50% tek Malësia e Madhe dhe 20% tek Dukagjini, Malësia e Gjakovës dhe Puka. Në përgjithësi shtrirja është përfundimisht perëndim lindje. Rrafshi lambdoid është gjetur në 44% të Gegëve; është shumë më e shpeshtë se forma oksipitale. Shtrirja e saj simbas fisesh është saktësiaht në opozitë me atë të rrafshit oksipital; të dy dukuritë janë zakonisht plotësuese, dhe vetëm një minoriteti në raste individuale i mungon njëra.
Ka pasur diskutime të shumta rreth subjektit të rrafshit oksipital, si në Shqipëri edhe në Azi të vogël; janë dy shkolla të përcaktuara, njëra e cila beson se kjo është e përcaktuar nga natyra dhe raca, tjetra që kjo është një formë e deformimit artificial e shkaktuar nga përkundja në djep. Pozicioni im qëndron në mes këtyre dy ekstremeve; rrafshi oksipital është padyshim një dukuri e shoqëruar me orientim mekanik të plotë të kraniumit në racën dinarike, dhe kryesisht me pozicionin e zgavrës kockore magnum deri tek shpina e saj, e zakonshme në shumë raca. Kështu kjo është padiskutim e trashëguar.
Njëkohësisht përdorimi i djepit shqiptar, në të cilin krahët janë të kufizuar por koka jo, ka mundur në disa raste të shkaktojë një intensifikim të këtij rrafshi, meqenëse kokat e disa shqiptarëve të sotëm janë padiskutim të deformuara. Gjithsesi, meqenëse praktika e përkundjes është uniforme në regjionin e Shqipërisë, shtrirja gjeografike e këtij karakteri është tërësisht racore në model.
Në këtë rast del në pah pandërprerë pyetja rreth origjinës së dinarikëve, e cila mund të jetë qasur në bazat e një analize statistike të materialit geg. Në përpjekje për t’i ndërlidhur karakteret metrike dhe morfologjike me njëri-tjetrin dhe me pigmentin del në shesh prezenca e tipeve vijuese në Gegëni, secili nga këto shfaq një prirje për karakteret nga të cilat përbëhet, për të shoqëruar vetveten si një njësi:
1. Trup të gjatë kokë-madh, brakiqefal, fytyrë-gjerë, me pigment të ndërmjetëm me një prirje speciale për pigmentin e kuq. Ky është tipi i ngjashëm me borreby, i përhapur në Mal të Zi; në Shqipëri është i përhapur kryesisht në Malësi të Madhe dhe brenda kësaj është e koncentruar në bajrakun e Grudës.
2. Gjatësi e trupit mesatare, brakiqefal, fytyrë-shkurtë, me pigment të përzier që është thellësisht alpin. Kjo është gjetur në të gjitha fiset por është më e përhapur në Mirditë.
3. Të gjatë, dolihoqefalikë ose mezoqefalikë, me flokë të errëta dhe sy të kaftë të errët, profil i drejtë hundor, me tendenca më pak leptorrhine se grupi në përgjithësi. Ky është tipi atlanto-mediterran i përhapur gjithashtu në vende tjera të Ballkanit. Gjithashtu kjo mund të klasifikohet jashtë serive statistike të gatshme të grekëve, derisa është e zakonshme në Bullgari dhe lehtë e dallueshme tek Serbët. Ky tip ose një tip i ngjashëm, gjithashtu ndeshet me dinarikë në Italinë veriore dhe në Tirol. Në Shqipërinë veriore kjo është e përhapur në Malësinë e Gjakovës dhe në Dukagjin.
4. Një tip shumë i diferencuar që karakterizohet nga gjatësia mesatare e trupit, brakiqefalia e jashtëzakonshme, ngushtësi të madhe dhe konveksitet të hundës, pjerrësia e lartë e rrafshit oksipital, dhe një tendencë të ngjyrës së syve të kaftë të çelur në kombinim me flokë të kafta të errëta. Ky tip mund të quhet Dinarik në kuptimin e plotë ose specifik; shumë prej Gegëve tjerë janë Dinarikë në kuptimin e pjesërishëm ose të përgjithshëm. Ky tip ultra-dinarik është i zakonshëm në fisin e Dibrës.
5. Bjond, brakiqefal, hundë konvekse, norik i tipit standard. Më i zakonshëm në Zadrime.
6. Një pakicë nordikësh me flokë të kafta të ndritshme, të përqendruar në Lumë.

Si rezultat i ndarjes së mëparshme të materialit geg, në nën-raca natyrale, bëhet e qartë që raca dinarike, në sensin e njerëzve të gjatë, hundë-shkabë, fytyrë-gjatë, që i banojnë hapësirat malore me shtrirje nga Zvicëra në Shqipëri, është një grumbull i përzier i tipeve racore. Natyra e veçantë e njerëzve dinarikë të ndonjë pjese të caktuar të kësaj hapësire, varet nga përbërësit lokalë të përfshirë aty; pra kemi nën-tipe krahinore të dinarikëve. Ka një prirje zotëruese të veçorive të cilat e përshkojnë tërë grupin dinarik: brakiqefalia e lartë, konveksiteti hundor (hunda-shkabë), rrafshi zverkor, dhe prirja drejt hollimit të gjymtyrëve. Ndanë prej këtyre veçorive, përbërësit burimorë të përzierjes dinarike, priren për të shfaqur lidhjet e tyre të vjetra.
Pamjet e veçanta të fytyrës dhe kafkës së dinarikëve ngjan të jenë rrjedhojë e trashëgimit diferencial në kryqëzim; përzierja e parë që e shkaktoi këtë është me sa duket alpino-mesdhetare, mesdhetare në kuptimin e gjerë të fjalës. Dinarikët aziatikë, që u shfaqën herët në kohën e metalit, me sa duket ishin kryqëzim alpino-kapadokian; shumë prej tyre erdhën në Europë dhe u vendosën në vende plotësisht të ndara, duke përfshirë këtu dhe Bjeshkët Dinarike. Tipi i ekzagjeruar dinarik i Shqipërisë, me prirjen e tij drejt ngjyrës së kaftë të çelur të syve, mundet besueshëm të jetë prejardhur nga ky burim. Gjithashtu është gjetur në numër mjaft të madh në Tyrol të Austrisë.
Mirëpo nuk mund të rrjedhin nga Lindja e Afërme të gjithë europianët dinarikë; shumica prej tyre duhet të jenë rrjedhojë e përzierjes kryesore në tokën europiane. Këtu dy përbërësit kryesorë janë:
1. atlanto-mesdhetar i gjatë me sy gështenje i cili duket i vjetër dhe me qendër në Europën juglindore dhe
2. alpin i zakonshëm.
Shtesa nordike ka prodhuar norikët, shtesa e ngjashme me borrbaj (Borre-by) ka prodhuar tipin malazez. Shtesa e sllavëve neodanubianë ka prodhuar tipin fytyrë-vogël të zakonshëm në Slloveni, Kroaci dhe Serbi.
Përzierja e dinarikëve nuk është kurrë e përsosur në sensin kimik; në ndonjë popullatë dinarike ka alpinë të zakonshëm dhe fare pak atlanto-mesdhetarë që vazhdojnë më tej me vëllezërit e tyre të përzier. Kur përmasat e përbërësve janë të gabuara, tipi i cili është i pranishëm në çrregullim mund të gjendet në disa raste në formën origjinale. Për këtë arsye ka aq shumë alpinë në Francë dhe Zvicër, dhe aq shumë atlanto-mesdhetarë në Malësi të Gjakovës.
Dinaricizmi nuk është cilësi që i përket një race të vetme, kjo është një gjendje racore. Kjo gjendje racore është e zakonshme në Europë; poashtu është e zakonshme në Azinë perëndimore. Pos kësaj kjo nuk kufizohet vetëm në gjirin e racës së bardhë; parimet e trashëgimit hibrid që kanë prodhuar dinarikë në Europë poashtu kanë prodhuar papuanë në Guinenë e re, aristokratë arijë në Polinezi dhe shumë indianë të Amerikës.
* * *
Pjesa jugore e Shqipërisë, atdheu i toskëve, shtrihet jashtë zonës së racës dinarike në kuptimin e ngushtë. Toskët janë banorë të fshatrave kompakte, bartin fustanella sikurse grekët, dhe shpërngulen vazhdimisht në toka tjera. Sikur Mzabitët në Algjeri, dhe Hadhramët në Arabinë e jugut, shumica e meshkujve nga shumë fshatra të Shqipërisë së jugut, sidomos nga Korça, shpërngulen në troje të largëta që në rininë e tyre, punojnë në fabrika ose shitore, dhe kthehen kur të kenë mbledhur mjaft para. Ky ishte sistemi që për herë të parë i dërgoi Shqiptarët në Amerikë, sistem që Toskët e kanë të ngjashëm me Grekërit.
E vetmja e dhënë antropometrike adekuate që ka të bëjë me Toskët, është një koleksion nga Shqipëria jugperëndimore, qyteti i Gjirokastrës dhe vendbanimet përreth. Këta Gjirokastritë mesataren e shtatit e kanë 164 cm; janë trung-gjatë, mesatarja e lartësisë ulur është 53.7 cm, dhe mesatarja e gjatësisë së krahut është 103.4 cm. Mesatarja e indeksit cefalik është 90.8, që është më i larti i njohur në Europë. Gjatësia e kafkës 177 mm, është jashtëzakonisht e vogël, kurse gjerësia 161 mm, është e madhe. Lartësia e veshit 122 mm, është mesatare që shkon kah e ulëta. Balli është zakonisht i gjerë, me një minimum frontal prej 109 mm, bigoniali është 107 mm, ndërsa gjerësia e fytyrës 141 mm, gjë që e bën të radhitet në racën alpine. Lartësia e fytyrës prj 119 mm është e vogël; indeksi facial 84.4 mesoprosopic. Hunda, me një gjatësi prej 56.3 mm, dhe një gjerësi prej 34.4 mm, është shumë leptorrhine, në variantin tipik shqiptar, me indeks nasal prej 61.

(Një toskë nga fshati Katund, Shqipëri e jugut. Foto Marion Lambert)

Një toskë alpin – nga Gjirokastra

Toskët e matur në Rumuni e kanë mesataren e indeksit cefalik 87; kolonët Toskë në Italinë jugore, që u shpërngulën nga Turqët tej Adriatikut në shek. 16, e kanë I.C. 80. Shihet qartë që mesatarja e I.C. të Gjirokastritëve është më e lartë se sa tek Toskët në përgjithësi; Gjithashtu Toskë të matur në Masaqusets kanë I.C. që sillet rreth 90. Toskët e Italisë mund t’a kenë dolihocefalinë e tyre për shkak:
a) të përzierjes me italianë
b) përzgjedhje e të shpërngulurëve
c) mundësia që brakicefalia e lartë tek Toskët e vendit është një fenomen, sikur në Gjermani, Bohemi dhe vende tjera të Europës qendrore.
Është e mundshme që brakicefalia e lartë tek Toskët e vendit është shkaktuar pjesërisht nga përkundja në djep; është e zakonshme në koloninë shqiptare të Massachusetts se brezat më të reja të lindur në Stockbridge dhe Brockton e kalojnë në shumë raste shkurtësinë ekstreme të zverkut të prindërve të tyre.
Parashtrimet e mëtejshme në lidhje me antropologjinë fizike të Toskëve duhet të marrin formën e vërejtjeve subjektive, të cilat janë të lejueshme vetëm në vend të dhënave të duhura. Në radhë të parë, tipi themelor tosk është ai alpin. Koka me ose pa petëzim zverkor, zakonisht është e rrumbullakët, ballin e lartë dhe shpesh bulbor, fytyra shpesh e rrumbullakët në konture. Hundës në shumë raste i mungon karakteri dinarik urë-lartë i gjetur në mesin e gegëve. Ky tip alpin përfaqësohet mjaft mirë në fotografinë nr 14. Përveç alpinëve, ka dhe shumë dinarikë në Shqipërinë jugore, por ata ndoshta janë një pakicë, dhe në disa raste janë shumë të ndryshueshëm mes vete. Në Shqipëri është shumë e lehtë për të dalluar një gegë; ata kanë një veçori racore që është vështirë të përcaktohet por e lehtë për t’u njohur; e toskët janë shumë më pak homogjene, dhe në Amerikë ata kalojnë pa u vënë re në pjesën më të madhe në mish-mashin e përgjithshëm racor. Shumica e bostonianëve, të cilët shohin ndoshta pesëdhjetë deri njëqind toskë në javë, e nuk kanë dijeni për praninë e tyre, ndërsa kanë ide të caktuar, të formuar me shikim të parë, se cili është italian, armen, ose çifut.

Mendimi im është që toskët, si në pigmentim, si në karaktere trupore dhe të fytyrës, ngjajnë me frengët jugorë dhe qendrorë shumë ngushtë; se ata dhe frengët formojnë të dy skajet e hapësirës racore alpine në Evropë, qendër e së cilës është zënë nga amalgami dinarik. (Për pashtriku.org, e përktheu Genc Kastrati)

……………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura