KËNGA LABE – 3000 VJEÇARE
Besnik Imeri, Vlorë 10 tetor 2022
Një nga trashëgimitë më të vyera prej të parëve tanë, pellazgëve, është edhe mënyra e të kënduarit në Labëri, e cila shkurt quhet kënga labe. Nëqoftëse në veri të Shqipërisë është e sigurtë, se përveç të tjerave, nga pellazgët është trashëguar lahuta dhe xhubleta, të cilat ata i kanë ruajtur me konservatorizimin më të thellë deri në ditët e sotme; tek ne në Labëri prej pellazgëve është trashëguar cyla, në të gjitha llojet e saj, dhe kjo mënyrë të kënduari, e cila është ruajtur dhe konservuar me fanatizmin më të madh për më shumë se 3000 vjet. Është meritë e jashtëzakonshme e banorëve të kësaj krahine të lavdishme, të cilët nga ati tek biri dhe nga gjyshi tek nipi, sot e kësaj dite këndojnë ashtu si kanë kënduar të parët e tyre, pellazgët hyjnorë, 1500 vjet deri në 2000 vjet para erës sonë.
Pellazgët e dinin se zëri njerëzor ishtë një dhuratë prej zotave, një dhuratë hyjnore; prandaj ata filluan ta përdornin atë për të shprehur ndjenjat e veta: gëzimin, lumturinë, gazin e shpirtit, dashurinë, lavdinë, hidhërimin, dhimbjen, trishtimin, etj. Ata filluan të këndojnë me një zë, dy zëra, tre zëra dhe shumë zëra me një kombinim të përsosur dhe harmonik të tyre. Zotat i dëgjonin dhe i mësonin, pasi edhe ata kështu këndonin. Këtë mënyrë të kënduari të parët tanë e mësuan prej zotave, nuk e shpikën vetë. Ashtu si mësuan nga zotat edhe vallet, si dhe mënyrën se si të visheshin. Ashtu si mësuan nga zotat se si të qeveriseshin, ashtu si mësuan prej tyre ligjet dhe zakonet, të cilat kanë ardhur deri në ditët tona pothuaj të pandryshuara.
Kohë më parë, kur kam folur për këngën labe të Himarës, jam shprehur se kështu ka kënduar në majë të Akrokrauneve, malit të Vetëtimave, Zeusi bashkë me dymbëdhjetë të tijtë. Prandaj kënga labe është një këngë hyjnore, e cila me vargje të goditura, zërin marrës të fortë, kumbues dhe melodioz, kthyes, hedhës, pritës dhe ison hyjnore është një mrekulli mbinatyrore. Ajo është një sinfoni me zëra njerëzor. Perëndimi sinfonitë i krijoi me anë të tingujve të veglave muzikore, ndërsa labrit sinfonitë e tyre i krijojnë me zërat e tyre. Irini Qirjako tregon se kur shkuan në Itali dhe kënduan labçe, Klaudio Vila, një nga këngëtarët më të shquar të Italisë, u mahnit nga kjo mrekulli hyjnore dhe dyshoi në se kjo mund të arrihej me zëra njerëzor, prandaj filloi të kontrolloj këngëtarët në trup se mos kishin aparate ku kjo muzikë ishte rregjistruar nëpërmjet veglave muzikore. Sinfonitë muzikore të perëndimit kanë jetë 300 vjet e tëhu, ndërsa kënga labe ka jetë 3000 vjet e tutje. Prandaj ne duhet të jemi krenar për këtë qytetërim superior mijëravjeçar kundrejt qytetërimit perëndimor, i cili nuk kalon dot as një gjysëm mijëvjeçari.
Ruajtja e kësaj tradite tek banorët e kësaj krahine tregon jo vetëm këtë civilizim të lashtë, por edhe për farën e fortë të këtij civilizimi, e cila deri më tani jo vetëm nuk ka ndryshuar por është ruajtur gati e paprekur. Globalizimi, ky rul gjigand që shtyp, sheshon dhe zhduk dallimet midis popujve dhe kombeve në mënyrën e jetesës, në traditat dhe zakonet, në gjuhën e folur, deri tek veshjet, shijet, pëlqimet, madje deri tek mënyra e të ushqyerit dhe gatimeve; do të synojë të rrafshojë dhe çrrënjosë edhe ketë kulturë të lashtë dhe të shkëlqyer të Labërisë. Nuk e dimë në se ai do ta realizojë këtë qëllim. Por fakti që kjo kulturë, e këngëve dhe valleve popullore të kësaj krahine, ka mbirë, po rritet dhe zhvillohet në një pemë të bukur tek rinia tregon se fara e saj është ende e fortë. Kënga dhe vallja e kënduar labe është kthyer në një pjesë të rëndësishme identitare e banorëve të kësaj krahine, aq sa mund të themi, se nëqoftëse një ditë ajo do të humbasë, atëhere mund të themi se nuk ka më edhe Labëri.
Besnik Imeri, 10 tetor 2022
______________
KALAJA PELLAZGE E ZGËRDHESHIT