KËRKESA „KOSOVA REPUBLIKË!“ NË KONTEKST TË MERRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE NË VITIN 1981

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Kërkesa “Kosova Republikë!” në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare në vitin ‘81

Nga Albulenë HALILI

Hyrje

Ky punim trajton në veçanti kërkesën “Kosova Republikë!” si një nga tezat rreth frontit për Republikën e Kosovës në kontekstin e kohës, rrethanave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në fillimvitet e tetëdhjeta.

Artikulli është shkruar në tri nivele analize, edhe atë: studimi mbi tiparet e mjedisit ndërkombëtar e rajonal në fillimvitet e tetëdhjeta, konteksti shtetëror federativ jugosllav e zhvillimet e brendshme dhe së fundmi trajtimi i kërkesës “Kosova Republikë!” në demonstratat popullore të vitit 1981 dhe në tezat rreth frontit…

Gjatë studimit merr një përgjigje afirmative teza bosht e këtij studimi, se shtrimi i kërkesës për republikë me status të barabartë me republikat e tjera jugosllave, për kontekstin kohor dhe rrethanat politike të brendshme e ndërkombëtare, ishte një kërkesë e drejtë dhe në pajtueshmëri të plotë me zhvillimet ndërkombëtare, parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Aktin Final të Konferencës së Helsinkit për pacenueshmërinë e kufijve shtetërorë. Për më tepër ajo dëshmon pjekurinë politike dhe vizionare të organizatave të fshehta të lëvizjes çlirimtare në ish-Jugosllavi, të cilat kanë mbajtur llogari edhe për sigurinë dhe ruajtjen e ekuilibrit rajonal e ndërkombëtar.

Historiografia shqiptare ka zbrazëtira të theksuara madje deri në stadet e tjetërsimit dhe mohimit të historisë sonë të njëmendët, veçanërisht kur bëhet fjalë për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimeve në Kosovë dhe pjesën tjetër jashtë Shqipërisë londineze. Brenda Shqipërisë, kjo histori është shkruar, për shkak të natyrës së sistemit, me ngarkesa ideologjike, por edhe duke ruajtur qëndrimin zyrtar ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë politike, ndërkaq historia që është shkruar e mësuar nga shqiptarët në ish-Jugosllavi ka qenë një histori që shqiptarët i trajton të ndarë nga trungu amë dhe i bën pjesë konstitutive të nënrenditur të Federatës jugosllave.

Një faktor tjetër që ka determinuar mungesën e historisë së njëmendët të shqiptarëve në ish-Jugosllavi nga historiografia shqiptare, ka qenë natyra krejtësisht e fshehtë e veprimit të organizatave të shumta çlirimtare, të cilat përmblidhen me një emër – Lëvizja Popullore e Kosovës apo vetëm Lëvizja, si pararendëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Andaj, studimi i një teme të këtillë duhet shtruar mbi premisa të caktuara të cilat s’do mend se në periudhën për të cilën po flasim, pra viti i madh i demonstratave, 1981, kanë qenë përcaktuese të vendimeve dhe bëmave të veprimtarëve, opinionit të përgjithshëm dhe rrjedhojës së proceseve që do të pasojnë.

Karakteristikat e mjedisit ndërkombëtar e rajonal në fillimvitet e tetëdhjeta

Në nivelin e parë të studimit të kësaj teme, është shumë e rëndësishme të përshkruhet peizazhi ndërkombëtar e rajonal i kohës, për të njohur në hollësi rrethanat dhe zhvillimet e kohës kur shqiptarët në ish-Jugosllavi kërkonin republikën e tyre të barabartë me republikat e tjera.

Veçoria më e theksuar e mjedisit ndërkombëtar të fillimviteve të tetëdhjeta qenë marrëdhëniet e tendosura mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, sidomos pas ndërhyrjes ushtarake sovjetike në Afganistan në fundvitin e 1979, që në literaturën e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet edhe si “Lufta e Ftohtë e Dytë”.  Pas Aktit Final të Helsinkit që shënonte kulmin e procesit të detantës, marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës kishin eskaluar sërish, duke sjellë rrezikun e serishëm të një lufte të ftohtë të re. 

Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara vendosin të mos vijojnë me shqyrtimet në Kongres lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes SALT II të nënshkruar në qershor të 1979, duke ashpërsuar kështu qëndrimin ndaj Bashkimit Sovjetik edhe me ndihmën e aleatëve të tjerë perëndimorë. Në këtë periudhë gravitacioni i zhvillimeve ndërkombëtare ishte përqendruar kryesisht në dy rajone: në Lindjen e Mesme, konkretisht në Gjirin Persik dhe në Evropën Qendrore, gjegjësisht në Poloni dhe vendet përreth, për shkak të përkeqësimit të situatës së saj të brendshme dhe kërcënimit që Bashkimi Sovjetik përbënte për të.

Me ardhjen e Reganit në krye të SHBA-së ndodh një ndryshim i thellë në doktrinën amerikane të Luftës së Ftohtë. Me Doktrinën Regan, e cila ishte një doktrinë ofensive, politika e jashtme amerikane kishte braktisur Doktrinën e Përmbajtjes, të skicuar nga Xhorxh Kenan në kohën e presidentit Truman, duke huazuar elemente të doktrinës së zmbrapsjes (Roll-back) të promovuar nga Dull. Studiuesi shqiptar, Lisen Bashkurti, shkruan se për realizimin e doktrinës së tij, Regani përdori katër komponentë shumë të rëndësishëm: negociatat në nivelet më të larta politike me udhëheqjen sovjetike, vlerat e demokracisë amerikane, veprimet konkrete në terrenin ndërkombëtar si dhe fuqizimin ushtarak dhe përmirësimin strategjik amerikan e euroatlantik.

Ballkani gjithmonë ka qenë një zonë shumë e rëndësishme gjeostrategjike, e karakterizuar me një diversitet të theksuar të orientimit gjeopolitik. Kjo gjeopolitikë ka çuar në fragmentarizimin e këtij gadishulli të rëndësishëm për Evropën. Pozicioni i shteteve u determinua nga dy blloqet e kundërta. Prandaj, struktura gjeopolitike e këtij rajoni gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë kushtëzohet nga formula 2+2+2.  Greqia e Turqia ishin anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike që në vitin 1952, Rumania e Bullgaria bënin pjesë në Paktin e Varshavës, ndërsa Jugosllavia e Shqipëria në atë kohë mbetën jashtë dy blloqeve.

Analiza e mjedisit ndërkombëtar e rajonal në këtë studim na ndihmon të sjellim përfundimin se duke marrë për bazë konfiguracionin gjeopolitik të vendosur mbi parimin e ekuilibrit të forcave qoftë në nivelin ndërkombëtar apo atë rajonal, kërkesa për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë ishte një referencë më e qëndrueshme krahasuar me të gjitha alternativat e tjera.

Jugosllavia në arenën ndërkombëtare

Analiza nga mjedisi ndërkombëtar e rajonal zbret pastaj për të studiuar imazhin e Jugosllavisë në arenën ndërkombëtare dhe gjendjes së brendshme reale e cila doli në pah pas vdekjes së Titos. Studimet e fundit, me theks të veçantë ato të huajat, mbi Jugosllavinë si shtet, po bëhen gjithnjë e më objektive dhe më të fokusuara tek studimi i regjimit jugosllav si të tillë, duke u ikur paradigmave konvencionale të luftës, nacionalizmit, çështjeve sociologjike e kështu me radhë.

Në një studim të botuar rishtas, studiuesi italian, Costamagna, e quan regjimin e Titos një regjim autoritar dhe joliberal. Duke vazhduar, “Në dukje i hapur dhe i butë krahasuar me Bllokun Lindor, ky regjim ishte megjithatë një formë diktature që kufizonte liritë individuale”.

Vdekja e Titos kishte nxjerrë në pah para botës kohezionin e rrejshëm mes popujve të federatës, realitetet e shtypura me dhunë, mungesën e çështjeve jetike të shqiptarëve, atë të lirisë dhe barazisë me popujt e tjerë. Në kohën kur për të gjitha republikat mund të jetësonin të drejtën e vetëvendosje deri në shkëputje, e sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova mbetej edhe më tej njësi federative jo vetëm pa të drejtë vetëvendosjeje e shkëputjeje, por madje pjesë përbërëse e Serbisë.

Kërkesa “Kosova Republikë!”

Kërkesa “Kosova Republikë!” në kontekstin e kohës, rrethanave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, përbën dhe objektin e kësaj trajtese, ku edhe vërtetohet teza bosht e këtij studimi se një kërkesë e tillë ishte një kërkesë e drejtë dhe në pajtueshmëri të plotë edhe me zhvillimet ndërkombëtare, edhe me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Aktin përfundimtar të Konferencës së Helsinkit për pacenueshmërinë e kufijve shtetërorë, që është pjesë e shportës së parë.

Këtë e thotë edhe vetë ambasadori britanik në Jugosllavi, Bolland, në një shkresë konfidenciale të vitit 1981: “Duke u nisur nga çdo kriter logjik, Kosova brenda kufijve të saj aktualë, duhet të ketë status të barabartë në Jugosllavi me republikat e Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, meqenëse popullsia e saj është po aq e madhe dhe etnikisht homogjene sa ç’është secila prej tyre. Por udhëheqja jugosllave ka refuzuar me vendosmëri që t’i hapte rrugë një logjike të tillë për arsye të brendshme dhe të sigurisë”.

Demonstratat e vitit 1981, ku në mënyrë të veçantë u kërkua që Kosova që kishte statusin e Krahinës Autonome, t’i jepej statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave, patën një rezultat të madh në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi në arenën ndërkombëtare. Jetësimi i “Kërkesës për Republikën e Kosovës në Kuadër të Jugosllavisë” e cila u elaborua edhe formalisht në Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, do të shpinte te çlirimi i popullit shqiptar në Jugosllavi dhe ndërrimi i konceptit të deriatëhershëm për popullin shqiptar në Kosovë dhe atij në ish-Jugosllavi nga “kombësi” në popull dhe komb, siç në të vërtetë ai ishte. Tezat rreth frontit popullor për Republikën e Kosovës përbënin bazën teorike të organizatave të fshehta shqiptare në vitin 1981 e më vonë.

Është e rëndësishme në këtë kontekst kohor të theksohet se për drejtuesit e lëvizjeve të fshehta çlirimtare çështja e Kosovës nuk ishte çështje vetëm e popullit shqiptar në Kosovë. Ajo, siç edhe nënkuptohet nga tezat e frontit popullor për Republikën e Kosovës, ishte çështje e popullit shqiptar në Jugosllavi. Vizioni i tyre, pra ka qenë një vizion largpamës e njëkohësisht racional, i cili në të njëjtën kohë dëshmon se lëvizjet e fshehta çlirimtare nuk i kanë ikur kurrë qëllimit përfundimtar të zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.

Përkundër shumë studiuesve të cilët mendojnë se “mendimi politik shqiptar i Lëvizjes ka qenë i influencuar nga ndarja e botës në blloqe, interpretimi është bërë në mënyrë të njëanshme apo se ai ka pasur ngarkesa të konsiderueshme ideologjike”, vetë kërkesa “Kosova Republikë!” dëshmon të kundërtën.

I gjithë debati mbi përkatësinë ideologjike të kësaj lëvizjeje është një debat më tepër i stisur se sa i shpjegueshëm shkencërisht. Në fund të fundit ideologjia është tërësi idesh e besimesh që synon ta ndryshojë botën, ndërkaq filozofia që të kërkojë të vërtetën. Përkatësia ideologjike e majtë me të cilën identifikohet lëvizja, ka qenë një zgjedhje utilitariste për kohën dhe rrethanat. Sistemi brenda të cilit ka vepruar lëvizja dhe sistemi i shtetit amë ka funksionuar me atë ideologji. Çdo identifikim me ideologji tjetër do të ketë pasur një rrjedhojë krejtësisht të pasuksesshme e të pashpresë.

Ngarkesat ideologjike të cilat kanë shoqëruar emërtimet e grupeve, fjalorin dhe konceptet e përdorura tregojnë pjekuri dhe njohje të thellë të mjedisit ndërkombëtar, rajonal dhe rrethanave të kohës nga ana e drejtuesve të lëvizjeve të fshehta me filozofi çlirimtare. Kjo mënyrë mendimi e veprimi ka mundësuar mbijetesën dhe suksesin e kësaj lëvizjeje në kuadër të një regjimi dyfish diktatorial kundrejt shqiptarëve. Si e majta, ashtu dhe e djathta, në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, nuk kishin për bazë trashëgiminë e të majtës apo të djathtës të pas Luftës së Dytë Botërore. Ato, që të dyja, në hapësirën shqiptare, më së shumti kishin trashëguar elemente nga tradita dhe udhërrëfyesja kryesore, që ishte Rilindja Kombëtare. Andaj shumë herë, me të drejtë, Lëvizja për Republikën e Kosovës konsiderohet si Rilindja e dytë Kombëtare.

Andaj edhe përfundimet nga trajtimi shkencor i kërkesës “Kosova Republikë!” në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare, vjen natyrshëm në formën e një silogjizme, se shtrimi i kërkesës për republikë me status të barabartë me republikat e tjera jugosllave, për kontekstin kohor dhe rrethanat politike të brendshme e ndërkombëtare, dëshmon pjekurinë politike dhe vizionare të lëvizjes së fshehtë çlirimtare e cila ka mbajtur llogari edhe për sigurinë dhe ruajtjen e ekuilibrit rajonal.

Një republikë e barabartë do të ishte një faktor stabiliteti e sigurie për tërë Ballkanin e trazuar të asaj kohe. Ndërkaq në të njëjtën kohë, një status republike për Kosovën, përveç se shpinte te çlirimi i popullit shqiptar në Jugosllavi dhe ndërrimi i konceptit të deriatëhershëm për popullin shqiptar nga “kombësi” në popull, siguronte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje. Në këtë rast duhet theksojmë se sipas botëkuptimit të drejtuesve të lëvizjes, çështja e Kosovës nuk përcaktonte çështjen vetëm të popullit shqiptar që jetonte në Kosovë, por ajo konsiderohej si çështje e popullit shqiptar në Jugosllavi.

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura