KËSHTU FOLI ISA BOLETINI:”UNË JAM MIRË KUR ASHT MIRË SHQIPNIA”!

Pashtriku.org, 10. 06. 2015 – Me rastin e rivarrimit të eshtrave të gjeneralit popullor Isa Boletini) – Në pranverë të vitit 1910, në Kuvendin e Verrave të Llukës, lidhet besa për kryengritje kundër pushtuesit osman. Isa Boletini zgjidhet komandant i të gjitha forcave luftarake. Në mbyllje të këtij Kuvendi, Isa Boletini u drejtohet burrave të dheut me këto fjalë:
“Vëllazën! Me konstitucion, që si e marrim vesh ne, domethënë bashkim e liri, shpresuem se turqit e ri kanë me punua për të mirë e përparim te të gjithë kombeve nën osmanlinjtë. Ne shqiptarët, kena shpresue se do të na çelin shkolla shqipe, se ndër gjykatare do të gjykohet shqiptari në gjuhë shqipe, kena shpresue se kanë me na goditë rrugë e kan me na çelë fabrika, që të mos mërgohen djemtë tanë në dhenat t’huaj mbas kafshatës. E në vend të këtyre mirësinave që na i garanton Konstitucia, sa pritëm? Pritëm ma fortë me na trashue prangat e robnisë, djemtë tanë me na i veshun asqerë, tuj i mërgue në Azi, të dhetat me na i dyfishue me disa bidate e pagesa të reja që kurrë nuk i kishim dhe mbi gjithë këto zullume edhe me na çarmatosë ne qi tash sa qinda vjetësh me pushkë kena mbrue nderën e trollin tonë… Kështu, na gja tjetër nuk na ka mbetun, veçse me pushkë në dorë me i mprue të drejtat tona. Tokën tonë qi e thau Osmanlia, lotët tanë nuk mujtën me e njomë, e tash na kena me e vaditë me gjak të shqiptarit… Ngrehuni o vllazën, të gjithë na të bashkohemi, ta derdhim edhe ma të maramën pikë të gjakut që na ka mbet, për të drejtat e nder të Atdheut. Rrnoft Vllaznimi. Rrnoft Bashkimi!…”

***
Kur, në muajin mars 1913, në Londër, lordi Grej, mes tjerash, i thotë: “Mitrovica qenka larg për t’ia bashkuar Shqipërisë”, Isa Boletini ia kthen: “Zotëri, nuk kam ardhë të ankohem për Mitrovicën time, por për gjysmën e Atdheut, që padrejtësisht e keni lënë në një robëri hala më të rëndë”.
***

Thënie të Isa Boletinit:
– Edhe njëqind vjet jetë në paqa, të tana ia kam falë atdheut!
– Edhe njëqind herë n’u rrëzofsha prapë kam me u çue e kam me dalë ku është balli më i vështirë i luftës!
– Me vdekë për atdhe më duket si me le për së dyti!
– Unë njëqind herë jetën e jap, po kurrë armën, nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!…
– Unë kam ngrit krye për hakun e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete.
– Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia!

***

Kadri Rexha: Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këngën e popullit

Krejt Evropa n’kamë janë çue
N’at Berlin kanë vajtë janë shkue
Krali i Rusit n’kamë na u çue
Keq ka nisë me diskutue
Babës mret ju ka ngërmue
Cërnagorën m’e zgjanue
Shumë e vogël asht qillue
Hot e Grudë Plavë e Gusi
Me ja lshue Malit të Zi
***
Me tokë teme mbreti çka ka
Tokën teme knjazit nuk ia lëshoj…
***
Kem dhanë besen Dukagjinit
Mos me ja lshue tokat llatinit
Tokë llatinit nuk kem me i dhanë
Për pa u mushë me vorre an’e m’anë.
***
Mark Milani i Malit t’Zi
Po lyp sillën në xhami
Drekën n’Plavë, darkën n’Guci
….
I çoj fjalë Ali Pashës n’Guci
Prit more Pashë aty po t’vi
Unë more Pashë aty due me t’ardhë
N’kishë t’Deçanit du me dalë
Se mue mbreti ma ka dhanë
Krejt krajlia përhajër ma banë

Çka po ban Pasha n’Guci
Po i çon letrat nëpër Shqypni
Mori Shqypni ti qysh po thue
Mali i Zi më ka rrethue
Në vakt t’lig kam qillue
A te mbajmë a me e lshue
Krejt Shqypnia fjalë ka çue
Nuk e lëshojmë pa liftue
Pa liftue për pa u shkri
Pa shkue gjaku deri n’zinxhi
S’ja lëshojmë tokat Malit të Zi
***
Veç gjashtë ditë n’mujshi me qindrue
Fukaraja opingat sa t’i mbarojnë
I madh e i vogël qatje domë me dalë
Domë me dalë e domë me u coptue.
***
I pari t’ mbramin hiq s’po e pret
Kijet n’mal vetëm i kanë lanë
Ka pesë për shpi atje po shkojnë.
***
Ç’janë kto gjamë që po i bjen era
Po liftojnë Rugova e Peja
Na u ka rrasë shkau te dera
***
Po ik Marku në Previ
Shikon Limin me turbi
Çka ka Limi qi dirgjet zi
Hajmedet vojnikt e mi
Çka ka Limi qi dirgjet gjak
Po lifton Shqipnia e ngratë
Nuk po i çon trupat fort larg
Der n’Taslixhe, n’Vishegrad

Mark Milani, Mark Milica
Jam Shqipnia krejt ne plisa
Tanë me plisa e n’jatagana
Pyete Kuçin se çka i bana
Derë me derë gjamën ia çova
Derë me derë futën ia qita
N’Vishegrad shejat t’i çova
Shtatë krajlive u kallxova
Shtatë kralive u kam kallxue
S’ka çka t’vyen lufta me mue
Nuk ta lshoj Plavë e Guci
I madh e i vogël për pa u shkri
***
Shumë asqer po qet pamporri
Qet Dervisha ma zi se korbi!
Ku i ka çadrat Mic Sokoli?
Ku i ka çadrat, ku i ka t’par’t
M’ka çue mreti me ja çartë
Me ja çartë m’ka çue dovleti
Don me kanë shah ner veti
Shah ner veti don me kanë
Kurgja mretit mos me i dhanë
As redifë, as nizamë!
***
Pa u farue malsia krejt
K’tu nuk hi krajl as mbret.
***
Mic Sokoli po m’ pisket
Ali Ibres po i thrret:
Merr bajraqet, hajde shpejt
Na rrethoi asqeri mret!
***
Ku po del kjo flakë e verdhë?
Gashi i Gurit si kurdoherë
Si çdo herë rrema-rrema
Bajram Rama me shtatë zemra…
***
Sylejmani ka hip në thep
Bash si zana po pisket:
Ju Kabash bini he burra
Qitni n’thika, kacaturra
Suharekë, trima asgana
Bini n’pritë, merrni n’nishana
O Pojan, o djem çobana
Preni turqit n’jatagana
Ju Hasjanë prej Malsie
Msyni hasmin si ju ka hije
Podrimçak, he inatxhi
Mos ta lamë pashën me hi.”
***
Zo Dërvishi ku a vet
Pesë zabit ja lash pa jetë
Du n’Dërvishin m’u zatetë…
T’ja qes zemrën në ledinë
Orlat gjakin le t’ja pinë
Se dy herë na pruni sherr
Bim, shokë, t’vdesim me nerë!!!
Ali Ibra n’vranç të zi
Po i shkon gjaku për zinxhi
Qëndroni, burra, bani gajret
S’do ta lamë asqerin mbret!
***
Mic Sokoli ban me dorë
Bini, shokë, se s’muj me folë
Se m’ka ra do gjak në gojë
Se m’ka ra do gjak në bark
Shtatë martina i kam në shtat.
Mic Sokolin e vrau reja
E vrau reja, e vrau moti
E vrau Dërvishi me gjyle topi.
Bini, djem, t’desim me nerë
Se shqiptari dy gzime ka
Nja kur leu dhe nja n’luftë me ra.
****
Sefë Kosharja i pari i fisit
Hije të paska maja e lisit
Hije më ka, or djemtë e mi
Kam dhanë jetën për Shqipni.
***
Kudo vu njaj turku kamë
Gjak e varr e ka bamë
Na janë vra e na janë pre
Kanë dhanë jetën si me le
Tue luftue, trimat, për atdhe.
***
Ç’po pëvet Dërvish Pasha
Zot, ku rrin Sylejman Aga
N’ato bjeshkë, te retë e bardha
Dërvish Pasha po pëvet
Zot, mileti kah u tret?
Qatje, nelt, ku zbardhin retë
Koftë kysmet do t’i shohsh opet.

Përgatiti: Kadri Rexha

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura