KIMETE BERISHA: NEVE QË JEMI KUNDËR LIGJIT PËR AMNISTI, KRYEMINISTRI NA THA SE JEMI ZËRA TË ‘FRUSTRUAR’. MIRË E KA KRYEMINSTRI! JEMI, PO QYSH S’JEMI TË FRUSTRUAR!

Prishtinë, 15. 07. 2013 – Viktima ka faj. Kryeministri i Kosovës shumë mirë e di. E ka ditur, se pa përkrahjen e viktimave shqiptare, me projektin e tij për të falur krimet serbe, do të përfundonte me njërën këmbë në dhe, dhe tjetrën mbi dhe. Kryeministri i Kosovës e ka përkrahjen absolute të viktimave shqiptare për të falur kriminelët serb.
Unë sot, kryeministrin e Kosovës e shoh si një mbret i mençur, që e njeh mirë etnopsikologjinë e popullit të Kosovës.
Ua njeh dembelinë, apatinë, letargjinë, indiferencën.
Prandaj, neve që kemi folur e kemi shkruar kundër miratimit të këtij Ligji, na tha se jemi zëra të “frustruar”.
Mirë e ka. Jemi, po qysh s’jemi të frustruar!
Nëse 99.9 % e popullit të Kosovës, asnjë fjalë nuk e thonë për faljen institucionale të krimeve shtetërore të Serbisë ndaj tyre, çka kemi ne që nuk duam t’i falim kriminelët, kur viktimat vet duan t’i falin vrasësit e tyre.
Falni.
Kryeministri i Kosovës, një lojtar i jashtëzakonshëm, që njeh mendjen, jo zemrën e popullit.
Edhe baronesha na tregoi: Hashim Thaçi është një burrështetas i vërtetë – tha.
I tha “burrë”. Gazetarët e fotografuan në një “Casablanka” pozë, ajo poza ku njëra këmbë ngritet pak mbi tokë, dhe vajza është gati për t’u puthur.

Por, baronesha është amatore në diplomaci, dhe nuk e diti atë që e di kryeministri, prandaj baronesha gaboi që tha se është dashur guxim për të vepruar siç ka vepruar kryeministri lidhur me marrëveshjen me Serbinë.
Hiç guxim nuk i është dashur kryeministrit tonë, sepse ai e ka ditur shumë mirë, që populli ia ka kthyer shpinën institucioneve, dhe absolutisht është i painteresuar se çfarë po ndodh.
Me vete e ka opozitën, me ndonjë përjashtim të vogël, sa për të thënë.
Djali që ma dha lapsin të nënshkruaj peticionin kundër miratimit të ligjit për amnisti, më tregoi se “shumë veta po vijnë me kërkesën që ta tërheqin nënshkrimin, se po tutën”.
Unë nuk i besova. Sepse, kryeministri i merr parasysh “zërat kundër”, por problem është se nuk ka zëra kundër. Ka, natyrisht, por jemi pak, dhe natyrisht kur pak veta ngriten kundër miratimit popullor, atyre zërave u thonë të frustruar.
Kur them, kryeministri i merr parasysh “zërat kundër”, nisem nga vetja, mua kurrë askush nuk më ka penguar në punën time në Institucionin e Kulturës, përkundër dhjetëra shkrimeve “kundër”.
Përkundrazi, më habit respekti dhe konsiderata që e gëzoj në vendin tim të punës, që ndoshta është edhe mospërfillje, e mua më duket si respekt.
S’di.
Veç jam e sigurt, se sikur 20 mijë vajzat e dhunuara, 200 mijë pronarët e shtëpive të djegura e të shkatërruara nga serbët, familjarët e mbi 10 mijë viktimave, qindra mijëra të plagosurit, 10 mijë shqiptarët e përzënë nga Veriu, qindra imam të xhamive të djegura gjatë luftës, e viktima të tjera, të ishin ngritur kundër miratimit të Ligjit për Amnisti, e di që kryeministri do të jepte dorëheqje dhe nuk do të provonte të miratonte Ligjin për Amnisti.
Por, ai e di që ne jemi pak, të mundur, të frustruar, dhe aspak interesant.
Do OJQ e Vetëvendosja po bëjnë pak zhurmë kundër Ligjit për Amnisti.
Një OJQ në sheshin Nëna Terezë po tubon nënshkrime kundër miratimit të këtij Ligji. Kjo, OJQ, me apo pa vetëdije, po e zbulon se krejt Kosova janë pro miratimit të këtij Ligji, përveç nja 7000 veta.
Nëse as Vetëvendosja s’do të reagonte, Kosova do të bëhej vendi i parë në fytyrë të tokës, që e aprovon Ligjin për Amnisti me elegancë, pa kurrfaër ndjenje faji, pa një debat, sa për të thënë formalisht se kishe shoqëria e analizoi këtë ligj përpara se ta miratojë Kuvendi i Kosovës.
Janë disa deputetë ekskluzivë të LDK-së, dhe aty-këtu ndonjëri nga PDK-ja, por asnjëri nga AAK-ja as formalisht, sa për formalitet, nuk e tha asnjë fjalë kundër miratimit të këtij Ligji.
Sepse, Kuvendi i Kosovës që e miraton Ligjin për Amnisti, është pushimore e disa nga kriminelët më të tërbuar të Kosovës. Disa janë nën hetime për shit-blerje organesh njerëzore, disa për krime kundër njerëzimit, prandaj në krahasim me krimet e veta të jashtëzakonshme, krimet serbe ndaj shqiptarëve, u duken të zakonshme.
Shqiptarët sot e miratojnë Ligjin që amniston serbët, që krimeve të tyre ndaj shqiptarëve ua bën pardon.
Serbia nuk po e aprtovon Ligjin për amnistinë e kriminelëve shqiptarë.
Kështu që, këta bashkëpunëtorë shqiptarë të krimit, deputetë të dyshuar dhe të hetuar për krime, me kohë do ta kuptojnë që vetveten nuk e kanë amnistuar.
Serbia nuk ju amniston juve. Ju e amnistoni Serbinë.
Prandaj, pardon Kryeministër!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura