TURPI QË NA MUNGON

TURPI QË NA MUNGON

Nga Prof. Enver N. Rexhaj – Prizren, më 17 gusht 2026

Njerëzit qajnë trupin e vdekur kur e përcjellin në varr. Por askush nuk qan zemrën e vdekur brenda një trupi të gjallë.

Ndoshta kjo është pamja më e saktë e kohës sonë.

Kosova vazhdon të duket e gjallë. Flasim, debatojmë, votojmë, bërtasim në studio televizive, mbushim rrjetet sociale me patriotizëm, akuza e kundërakuza. Partitë fitojnë e humbin zgjedhje, liderët ndërrojnë fjalime, ndërsa qytetari vazhdon të presë.

Por çfarë ndodh me atë që duhet të na mbajë njerëzorë?

Turpi.

Kthejeni turpin në jetën publike. Turpi është i rëndësishëm.

Jo turpi që të poshtëron. Jo turpi që të hesht. Por ai turp që të ndalon të gënjesh kur e di të vërtetën. Ai turp që të bën të skuqesh kur premton diçka dhe bën të kundërtën. Ai turp që të thotë: mjaft, kjo nuk bëhet.

Sot duket sikur mund të thuash gjithçka dhe të mos mbash përgjegjësi për asgjë.

Gjithmonë duhet thënë e vërteta – mundësisht edhe dje.

Por ne shpesh e themi vetëm atë të vërtetë që na leverdis. Të vërtetën për kundërshtarin, jo për veten. Gabimin e tjetrit e shohim me lupë, ndërsa gabimin tonë e quajmë rrethanë, domosdoshmëri, strategji, sakrificë apo patriotizëm.

Dhe kështu, pak nga pak, e vërteta bëhet pronë e partive.

Edhe lirinë, thonë, na e kanë vjedhur.

S’na bën përshtypje.

Sepse njeriu mësohet edhe me mungesën e lirisë, nëse ajo mungesë i shitet si qetësi, rehati ose interes partiak. Mësohet me heshtjen, nëse të gjithë heshtin bashkë.

Dhe pastaj ndodh diçka edhe më e rrezikshme: nuk kemi më nevojë të na vjedhin asgjë.

E dorëzojmë vetë.

Kjo është arsyeja pse kriza politike nuk është vetëm çështje mandatesh, koalicionesh, votash e numrash. Pas zgjedhjeve të qershorit, Vetëvendosje doli përsëri forcë e parë, me 53 ulëse, por pa shumicën prej 61 deputetësh. Përpjekja për të krijuar institucionet është përplasur sërish me mungesën e kompromisit politik.

Por problemi ynë është më i thellë se matematika parlamentare.

Problemi është se jemi duke u mësuar me një politikë ku askush nuk turpërohet.

Askush nuk turpërohet kur institucionet mbahen peng nga llogaritjet politike.

Askush nuk turpërohet kur qytetari kujtohet vetëm kur nevojitet vota.

Askush nuk turpërohet kur fjala publike përdoret për të ndezur turmën, në vend që ta qetësojë shoqërinë.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kemi filluar të sillemi sikur gjithçka është normale.

Tale quale, ad litteram.

Mungon gjithçka.

Thonë se edhe lirinë na e kanë vjedhur.

S’na bën përshtypje.

Të lumtur jemi dhe, siç duket, kolektivisht të tredhur.

Të tredhur jo në kuptimin fizik, por në atë më të frikshëm: të paaftë për të reaguar kur na preket dinjiteti; të paaftë për t’i thënë jo edhe atij që e kemi votuar; të paaftë për ta pranuar se edhe “tanët” mund të gabojnë.

Dhe pastaj ankohemi se politika na ka zhgënjyer.

Po kush është politika?

Janë ata që i kemi zgjedhur.

Por jemi edhe ne.

Sepse një shoqëri që fal gjithçka, në fund nuk ka të drejtë të habitet kur pushteti kërkon gjithçka.

Ndoshta duhet të fillojmë nga një gjë shumë e thjeshtë.

Të kemi përsëri turp.

Turp nga gënjeshtra.

Turp nga hipokrizia.

Turp nga servilizmi.

Turp nga korrupsioni.

Turp nga përdorimi i flamurit për të mbuluar paaftësinë.

Turp nga urrejtja e shitur si patriotizëm.

Turp nga heshtja kur duhet folur.

Dhe mbi të gjitha, turp nga vetja kur e dimë se diçka është gabim, por heshtim vetëm sepse e ka bërë “i yni”.

NUK KAM FRIKË NGA ERRËSIRA.

ËSHTË ERRËSIRA NË ZEMRAT TUAJA QË MË FRIKËSON.

Sepse një shtet mund ta rindërtojë një institucion.

Mund të bëjë zgjedhje të reja.

Mund të zgjedhë një qeveri tjetër.

Por një shoqëri që e humb turpin, e humb edhe një nga mbrojtjet e fundit kundër shndërrimit të së keqes në normalitet.

Prandaj, para se të kërkojmë një Kosovë më të mirë nga politikanët, ndoshta duhet të kërkojmë një Kosovë që ende di të thotë:

Kjo nuk është në rregull.

Dhe të mos kemi frikë ta themi.

Sepse turpi nuk është dobësi.

Turpi është fillimi i përgjegjësisë.

 ……………..

BREZI I SUPEVE DHE AI I XHEPIT!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura