KISHA ORTODOKSE – MESIA E GREQIZIMIT TË EPIRIT (II)
Nga Besnik Imeri, Vlorë 29 mars 2022
(PJESA E DYTË)
Vazhdojmë më tej. Dihet që pas rënies së shkëlqimit kulturor të antikitetit, rrëzimin e perëndive pagane nga piedestalet ku qëndronin, zvetënimin e qytetërimit pellazg dhe pasardhësit të tij, qytetërimit greko-romak; gjithë Europën e pushtoi muzgu kulturor, i cili me kalimin e shekujve u kthye në një errësirë të thellë. Në këto kushte krishtërimi (kryesisht ai katolik) përmblodhi në duart e veta gjithë dijeninë njerëzore të deri atëhershme, e cila shpëtoi nga shkatërrimi dhe zhdukja, dhe e përdori këtë për qëllimet e tij. Një pjesë e madhe e kësaj diturie të shpëtuar u përqëndrua në objektet e kultit të krishterë, sidomos në manastiret (ku një pjesë e mirë e tyre u ngritën mbi gërmadhat dhe muret e e tempujve dhe faltoreve pagane), të cilat u kthyen në biblioteka të dokumenteve të rëndësishme shkencore, artistike dhe kulturore të trashëguara nga antikiteti, por edhe më thellë. Fakt është, që Vatikani sot e kësaj dite në bibliotekat e tij ka thesare të kulturës njerëzore.
Por çfarë ndodhi në Lindje. Platformat sataniste të Patriarkanës së Kostandinopojës kërkonin zhdukjen e çdo gjurme kulture dhe qytetërimi të popujve të Ballkanit. Prandaj në manastiret ortodokse të lidhura me kishën perëndimore, ku ekzistonin dokumente të lashta me vlerë të jashtëzakonshme për historinë e popujve të Ballkanit, por edhe për kulturën dhe shkencën, u dha urdhëri satanist që të digjeshin. Për këtë flet me dhimbje Faveiriali:
“Ekzistonin dokumente të çmuara në manastirin e Shën Naumit, por ato u shkatërruan me urdhër të patriarkut grek në vitin 1850…murgu Serafim, autor i këtij vandalizmi, i thoshte peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij, një dhjaku dhe dy priftërinjve francezë, se patriarku e kishte urdhëruar tre herë rradhazi për t’i shkatërruar arkivat…Më në fund më tha, që është hera e fundit që të urdhëroj, dhe nëse në këtë kohë nuk janë djegur të gjitha arkivat, ti do të zëvendësohesh, dhe atë që nuk do ta bësh ti, do ta bëjnë të tjerët…
…Nuk janë vetëm arkivat e Primatisë së Ohrit dhe të Shën Naumit ato që shkatërroi patriarku grek. Historiani rus Venelin tregon, gjithashtu, se edhe ato të Tërnovës së madhe u asgjësuan me urdhër të patriarkatit grek. Më së fundi, thuhet se dikur në Malin Atos kishte shumë dorëshkrime në latinisht…por edhe ato u dogjën të gjitha…”[1]
Rënia e Bizantit në vitin 1453, epiqëndra dhe materializimi politik dhe shtetëror i Kishës Lindore, u përjetua si një katastrofë nga Patriarkati. Ajo mbeti si një shpirt pa trup, dhe ishte vënë në kërkim të një trupi të ri, ku të materializohej dhe ringjallej përsëri.
Nëqoftëse qysh nga viti 1054, pas skizmës, dhe më herët, në kërkim të një identiteti të ri, kundrejt Kishës Perëndimore, ajo kishte realizuar gjetjen e gjuhës, me anë të së cilës në të ardhmen Kisha Lindore do t’u drejtohej besimtarëve, ashtu siç e quajnë sot në Greqi, greqishten e re, gjuha e zotit; Pas vitit 1453, ajo ishte vënë në kërkim edhe të një trupi politik dhe shtetëror. Për këtë mendoi se ideja më e mirë do të ishte të grumbullonte në një shtet të vetëm, të gjithë ata që do të preferonin të flisnin në këtë gjuhë.
Për këtë projekt, të cilin e quajti Megal-Idheja, duroi, derisa armikja e saj më e madhe, Perandoria Osmane, të sëmurej dhe lëngonte në shtrat, e t’i ngulte thikën në brinjë. Kjo ka qënë pabesia më e madhe e Kishës Lindore ndaj Portës së Lartë dhe Kalifit; të cilët me tolerancën e tyre fetare e lejuan të mbijetojë atë në zemër të Stambollit. Madje e mbështetën atë duke mos i prekur pronat dhe kishat, si duke e lënë të lirë popullsinë e perandorisë të ushtronte fenë ortodokse. Ky ka qënë një qëndrim fisnik dhe iluminist i galatëve otomanë.
Në mesin e shekullit të XVIII dhe fillim të shekullit të XIX në Europë po diskutohej për të ardhmen e Perandorisë Osmane dhe kush do ta zëvendësonte atë në Ballkan. Pra nuk merrej vetëm Patriarkana, por merrej edhe Europa. Me këtë problem merreshin politikanët, por merreshin edhe rrethet akademike. Një ndër ta është edhe Fallmerayer, që këto probleme i kishte trajtuar në veprën e vet “Fragmente”. Miku i tij, Prof.Dr.phil.Peter Bartl në parathënien e veprës së Fallmerajerit “Elementi Shqiptar në Greqi” thotë:
“…pastaj Fallmerajeri vazhdon me çështjen se kush mund t’ia zinte vendin Perandorisë Osmane, e cila kërcënohej nga rrënimi. Një restaurim i Bizantit ishte i pamundur. Për të mund të përfytyrohej një zgjidhje ruse e çështjes lindore: “restaurimi i Bizantit, kjo aksiomë, mund të ishte vetëm një restaurim “sllavogrek”, jobizantin. Së paku mund të ishte një restaurim helen”.
Forcë kryesore aktive e lëvizjes sllavo-bizantine ishte një ide religjioze, shpresa për “një perandor nga Moska”…Një rregjim i vendeve perëndimore në Kostandinopojë mund të rezistonte vetëm me dhunë, pra me të njëjtin mjet që kishin përdorur edhe turqit. “Përkundrazi kësaj një sundim i suksesshëm në këto vende, qetësia e brendshme dhe lulëzimi i kombit ishin të mundshme vetëm nëpërmjet rusëve, të cilët ngjanin me ta në mëndësi dhe besim fetar”[2]
Kjo ide e Fallmerayerit ka qënë një ide europiane. Fakti që i ashtuquajturi “Revolucioni Grek” u mbështet fuqimisht nga Fuqitë e mëdha; Franca, Anglia dhe Rusia, anëtare të “Lidhjes së Shenjtë”, vërteton këtë gjë. Fakti, që Rusia, në rivalitet me Anglinë dhe Francën, qysh në shekullin e XVIII e shikonte Ballkanin si domenin e vet, këtë vërteton. Rusia e Katerinës së II me Orllovin bëri tentativën e parë. Agjentët e Katerinës lëviznin sa nga Himara, në Sul, por edhe në Voskopojë. Rusia pranoi të lidhej edhe me Himariotët. Ajo pranoi të lidhej gjithashtu edhe me Suljotët. Thuhet gjithashtu që ajo u përpoq të lidhej edhe me vllehtë e Voskopojës. Pastaj dihet që “Filiqi Eteria” u krijua në Moskë dhe prej andej u kurdis kryengritja greke. Bashkërendimi me Patriarkanën e Stambollit ka qënë në sinkron të plotë. Ndoshta edhe Patriarkana dëshironte që Rusia të zëvendësonte Bizantin. Një Perandori ortodokse shkonte për bukuri me aksiomën: Një shtet një fe.
Por patriarkët e Kostandinopojës kishin ide të tjera, një perandori sllave që fliste sllavisht nuk ishte e përshtatshme, pasi ata, fanariotët, nuk mund të drejtonin, komandonin dhe manipulonin një miniperandori bizantine sllave, aq më keq, nëqoftëse prapa saj do të ishte Rusia e Madhe; prandaj u duhej një shtet i vogël në Ballkan, por me ambicje të madhe, i cili, përveçse duhej të ishte i krishterë njëqind për qind, duhej të fliste edhe greqisht. Por për këtë duhej të greqizoheshin edhe një pjesë e madhe e popujve fqinjë të Greqisë. Kështu do të krijohej Greqia, një projekt “pilot” i Patriarkanës së Kostandinopojës (dhe ndoshta edhe i iluminatit që fshihej prapa saj). Po për këtë duhej bërë edhe një veprim tjetër, duheshin suprimuar patriarkanat e këtyre popujve, në të cilat nuk flitej greqisht dhe koka drejtuese kishtare e Ballkanit duhej të ishte vetëm patriarkana e Kostandinopojës, e cila fliste greqisht.
Ja se si e rrëfen këtë Faveiriali: “…Më 3 shkurt 1767, Samueli, patriarku grek, dhe Ipsilanti, gjyshi i atij që do të bëjë revolucionin e vitit 1821, arritën t’i shkëpusin sulltanit Mustafës së II suprimimin e patriarkatit të Ohrit. Një vit më parë ata kishin arritur suprimimin e patriarkatit të Pejës. Qëllimi i Samuelit dhe Ipsilantit ishte të hidhnin themelet e një perandorie të re bizantine…Kujtojmë kalimthi se patriarkati i Ohër-Justinianës ishte themeluar nga papët Shën Agapi dhe Vigjil, me kërkesën e perandorit Justinian (viti 535), ndërsa patriarkati i Pejës nga papa Honori III, me kërkesën e mbretërve sërbë…”[3]
Nuk janë të rastësishme këto veprime të kryera nga patriarkana greke e Kostandinopojës, eliminimi i tri primative kundërshtare dhe sidomos atyre të Ohrit dhe të Tërnovës, ku greqizimit të popullsisë bullgaro-vllaho-shqiptare do t’i paraprinte heqja e kokës kishtare që i mbronte. Patriarkana greke u hoqi kishën kombëtare këtyre popujve me synimin që t’i vendoste nën sundimin e kishës greke, ku do të shpallej parulla, që të krishterë ishin vetëm ata që ishin grekë dhe frekuentonin kishën greke; dhe më pas t’u hiqte edhe gjuhën kombëtare, duke i lënë pa gjuhë nëpërmjet përhapjes së greqishtes. Pas përhapjes së greqishtes në këto territore, para Europës do të pretendoheshin si territore greke, dhe do të aneksoheshin nga Greqia duke e zmadhuar atë, gjithmonë në funksion të krijimit të një miniperandorie bizantine. Çdo gjë ishte planifikuar në hollësi dhe në perfeksion, tamam si në një krim makabër.
Çuditërisht, në një paralele historike interesante dhe të paimagjinueshme, krijimi dhe zmadhimi agresiv i shtetit grek në kuriz të popullit shqiptar dhe atyre vllah dhe bullgar, këto 200 vjetët e fundit; ngjan si dy pika uji me krijimin dhe zmadhimin agresiv të shtetit izraelit në kurriz të popullit palestinez dhe atyre arabë këto 100 vjetët e fundit. Në një paralele historike populli shqiptar dhe ai palestinez janë popuj martir të dhunuar në trojet e tyre të stërlashta pellazge që nga parahistoria. Kujtojmë këtu zaptimin prej hebrenjve në antikitet të territoreve të popujve pellazgë: Kananëve, Peleshtëve (palestinezëve të sotëm), Amorenëve, Girgashitëve dhe Jebusianëve, zotërve të atij qyteti, Jebusisë, që pas zaptimit, do të quhej prej hebrenjve, Jeruzalem. Dëshmitar për këtë zaptim, janë gurët dhe muret pellazgjikë në themelet e lashta të këtij qyteti.
GREQIA
Po kush ishte Greqia në prag të fitimit të pavarësisë? Ose më saktë duhet shtruar pyetja: Kush ishin territoret e banuara nga grekët në Ballkan, të cilat duhet t’i kërkonte dhe duhet t’i jepeshin Greqisë me krijimin e shtetit të pavarur prej Fuqive të Mëdha të kohës? Ka shumë autorë që kanë thënë, se Greqia e vërtetë ndodhej në jug të vijës së hequr nga perëndimi në lindje: Pjesa jugore e gjirit të Ambrakisë në perëndim deri tek grykëderdhja e lumit të Peneut në lindje.
Zhan Klod Faveirial na tregon se: “…Vetë Anglia, qysh më 1830, nuk donte që mbretëria e re të kalonte malin Parnas. Kjo,-thoshte ajo- pasi nuk ka Grekë më përtej. Nga Parnasi deri në Pind (në veri), banorët janë pothuaj të gjithë Shqiptarë dhe Vllehë. Me që raca greke, ose e greqizuar, nuk i kalonte, 350 mijët, u pa e udhës që kjo mbretëri e vogël të shtrihej deri në Pind, domethënë deri tek gjiri i Prevezës në perëndim dhe të Lamisë në lindje. Edhe e zmadhuar kaq shumë në kurriz të Shqiptaro-Vllehëve , mbretëria e re me 45 ishujt e vegjël të saj, kishte në vitin 1836, me afërsi vetëm 700.000 banorë, thotë Kantu (vë ll.18,f.168)…Më 1840 Anglia i dha asaj ishujt Jonianë …”[4]
Pra kjo ishte Greqia e vërtetë, reale dhe natyrale, që nga shekulli i VII p.e.s deri në pushtimin romak të vitit 146 p.e.s. Greqia që u krijua më pas, dhe ajo që është sot, nuk ishte gjë tjetër, veçse Greqia virtuale, ose Greqia e ëndërruar nga Patriarkana e Kostandinopojës dhe Kisha Greke. Mbretëria greke e pranuar nga Kongresi i Londrës në vitin 1830 nuk i kalonte të 350 000 banorët, pasi në kufijtë e kësaj mbretërie minore nuk përfshiheshin: Akarnania, Etolia, Fokida, Ftiotida, Thesalia dhe Epiri, të cilat nuk kishin popullsi greke dhe as të greqizuar, territore, të cilat edhe në antikitet, nuk kanë qënë territore helene. Pra Greqia, njësoj si në antikitet, shtrihej nga Gjiri i Korintit deri në grykëderdhje të Peneut në Egje, dhe çfarë ishte mbi këtë vijë imagjinare, ose në veri të saj, nuk ishte pjesë e Heladës. Pra Europa, fillimisht, e krijoi shtetin grek në kufijtë që ajo kishte pasur në antikitet. Por me këtë nuk ishte dakort Patriarkana e Kostandinopojës dhe Kisha Greke, të cilat donin të krijonin miniperandorinë bizantine. Dhe Europa, më pas, u bë dorëzane në “mall të botës”.
Pas vitit 1846 dhe pas Luftës Ruso-Turke të vitit 1853 dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, Orekset e Greqisë u shtuan, duke kërkuar në vitin 1867 Thesalinë dhe veçanërisht Agrafën. Historia është mjaft interesante: Pas çdo lufte që bënte Rusia kundër Turqisë për të zgjeruar territoret e saj drejt jugut, fillimisht për të dalë në brigjet e Detit të Zi, dhe më pas në drejtim të brigjeve perëndimore dhe jugore të Kaspikut, pra Kaukazet; si dhe me synimin e Pjetrit të Madh për të kapur Bosforin dhe dalë në Mesdhe; ortodoksët e Ballkanit, si ata zagarët që ndiejnë erën e gjahut, suleshin dhe kërkonin territoret e banuara nga shqiptarët.
Kështu ndodhi edhe pas Luftës Ruso-Turke të vitit 1878. Ku përfaqësuesi grek në Kongresin e Berlinit, Delijani kërkoi që t’i aneksoheshin Greqisë territore të banuara nga shqiptarë dhe vllehë: “…Delijani kërkonte “për momentin” Kretën, Epirin dhe Thesalinë, dhe nuk e fshehu se Greqia i konsideronte për më tepër si të sajat të gjitha krahinat ku flitej greqisht, domethënë Thrakën, Maqedoninë, dhe një pjesë të Shqipërisë…”[5]
Por, Europa e asaj kohe, Fuqitë e Mëdha, plotësuan orekset e para të Greqisë, duke i dhënë një pjesë të Epirit (Çamërisë), që banohej me shumicë nga shqiptarë, dhe Thesalinë, e cila banohej me shumicë nga vllehë.
Nuk është rastësi që plot pas 100 vjetësh të kësaj veprimtarie të ethshme greqizuese të kishës greke dhe Patriarkanës së Kostandinopojës, në Kongresin e Berlinit z.Delijani do të kërkonte këto territore. Pra, as më pak dhe as më shumë, të gjitha ato territore ku ishin suprimuar patriarkanat përkatëse të popujve bullgarë, vllehë dhe shqiptarë, dhe ku kishte filluar në mënyrë të ethshme hapja e shkollave greke para njëqind vjetësh e tëhu. Pra çdo gjë në bazë të një platforme dhe projekti dhjetra dhe qindravjeçar të zbatuar me skrupulozitet dhe përpikmëri.
Nuk është rastësi që në të njëjtën periudhë rreth viteve 1770 Rusia e careshës Katerina II filloi të ndizte urat antiosmane tek të krishterët e Ballkanit nëpërmjet agjentëve dhe jaranit të saj, kontit Orllov, ku siç e kemi përmendur më lart, dërgoi agjentë në Mal të Zi, Sul, Thesali, Himarë, Voskopojë etj.
Interesant është fakti, se pikërisht fill në këtë periudhë fillon aktivitetin e tij në Epir Kosma Etoliani. Misioni i të cilit ishte të përhapte gjuhën greke nëpërmjet hapjes së shkollave greke, pasi në të gjithë territorin e perandorisë re duhej të flitej greqisht. Misioni ieronomakut Kosma ishte përhapja e helenizimit, shtratit të perandorisë së re bizantine. Prandaj edhe misioni i Kosmait nuk ishte fetar, por një mission politik; ashtu siç është sot misioni i Anastasios Janullatosit në Shqipëri.
Fakti, që një shekull më pas, Traktati i Shën Stefanit dhe pas tij, Kongresi i Berlinit, ishin në dobi të elementit ortodoks dhe sllavo-grek në Ballkan, gjithashtu e vërteton katërcipërisht këtë. Ëndërra e Rusisë, për ta futur në vasalitetin e Perandorinë Cariste Ballkanin, ka qënë dhe mbetet një axhendë e vazhdueshme deri në ditët e sotme në politikën e saj europiane. A nuk po konstatohet sot një bosht ortodoks Moskë-Beograd-Athinë. A nuk shikohet se politika shtetërore e këtyre shteteve eshtë në sinkron me politikën fetare; ku ambasadorët e Moskës kordinojnë hapur veprimet me mitropolitët dhe patriarkët grekë dhe sërbë. Karpushini në Tiranë (ish ambasadori rus), hapur kontakton Anastas Janullatosin. Karpushini shkon në Shënavlash dhe takohet hapur me grerëzat e helenizmit. Dhe, së fundmi (29 prill 2018), vetë patriarku i Moskës, Kirill, vizitoi Shqipërinë u takua dhe “rregulloi orët” me Anastasios Janullatos dhe krerët e shtetit shqiptar, si për të thënë, që ne jemi këtu, në Ballkan dhe Shqipëri. Pra, “Megal-Idheja” ka pasur dhe ka edhe miratimin e Moskës.
Studjuesi G.F.Hetzberg në studimin e vet “Storia dei Bizantini e dell’Impero ottomano sin verso la fine del XVI secolo” (Milano, L.Vallardi Editore, 1894, f, 617) në lidhje me këtë situatë pohon:
“Qysh nga shekulli XVII fillojnë të vendosen marrëdhënie tolerance të ndërsjelltë mes sunduesve turq dhe popujve të nënshtruar…Kështu grekët, të cilët për shkak të epërsisë së tyre kulturore, kishin zënë pak nga pak funksionet më të larta në burokracine e Perandorisë Otomane dhe mbizotëronin në politikën kishtare të Patriarkatit të Kostandinopojës, të përkrahur edhe nga rrethana politike dhe fetare të veçanta dhe të trimëruar nga dobësia gjithnjë në rritje e Qeverisë turke, duke përfituar nga pështjellimi shoqëror që sundonte në Gadishullin Ballkanik, që nga shekulli i XVII dhe sidomos në shekullin e XVIII, mundën të depërtonin në të gjitha krahinat për të hapur atje shkolla dhe kisha dhe për të ushtruar tregtinë”.Kisha dhe shkolla në duart e klerit grek, u bënë mjete frytdhënëse në veprën e helenizimit të Epirit.[6]
(fundi i pjesës së II-të, vijon)
Besnik Imeri (marë nga libri “Greqizimi i Epirit”)
_________________
KISHA ORTODOKSE MESIA E GREQIZIMIT TË EPIRIT (I)
[1] Zhan Klod Faveirial,“Historia e Shqipërisë”,Bot.Plejad-2004,Përkth.Fr.Gent Ulqini, f,334-335
[2] J.Ph.Fallmerayer, “Elementi shqiptar në Greqi”, Bot.SARAÇI-2003, Përkth.Gjerm. Nestor Nepravishta, f, 15
[3] Zhan Klod Faveirial,“Historia e Shqipërisë”,Bot.Plejad-2004,Përkth.Fr.Gent Ulqini, f, 370
[4] Zhak Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Fr.Gent.Ulqini,f.435-436
[5] Zhak Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë, Bot.Plejad-2004, Përkth.Fr.Gent.Ulqini, f, 456
[6] Gaetano Petrotta, “Vijimësia dhe ruajtja e gjuhës shqipe në Epir”, Real Accademia D’Italia. Roma-1941, Bot.Shqip.ICEBERG.P.H-2013, Përkth.It.Anila Omari, f, 47