Prishtinë, 13 janar 2021: Ndonëse fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, zyrtarisht ende nuk ka filluar, subjektet politike, kandidatët e mundshëm për deputetë janë në vlug të angazhimeve duke e shrytëzuar çdo mundësi për të bërë fushatë. Natyrisht, mediat janë mundësia e artë për subjektet politike dhe kandidatët , duke krijuar hapësirë për prezantim të programeve dhe premtimeve elektorale. Në këtë kontekst , përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë, falë përjashtimeve të vogla , janë ata që e ndezin zjarrin e debateve , në shumicën e rasteve krejtësisht të anshëm duke krijuar situata për linçim publik, pa ofruar fare fakte. Kontribut që të krijohet një situatë gjysmëkaotike e dha , me një vendim puro politik dhe hapësirë për zbatim të standardeve të dyfishta , Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila, pa një mandat kushtetues urdhëroi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme shkaku se e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi. Po në atë vendim që ishte jashtë çdo logjike juridike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori rolin e gjykatave të tjera duke e ndaluar kandidimin për deputetë të gjithë atyre që në tri vitet e fundit janë dënuar, me një vendim të plotfuqishëm për ndonjë vepër penale, pa e specifikuar natyrën e veprës dhe nëse ky vendim i gjykatës prodhon efekt dhe pasoja juridike. KMDLNj vlerëson se ndalimi i kandidimit për deputetë është i padrejtë dhe kundër të drejtave të njeriut sepse u mohohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pa një vendim të gjykatës kompetente , si masë shtesë, masë mbrojtëse apo ndalim të ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë të caktuar kohore. KMDLNj e kundërshton vendimin eventual që pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje për Albin Kurtin, Donika Kadaj – Bujupi, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe shumë të tjerë, si shkelje të të drejtave të njeriut për faktin se asnjëri nga ta nuk ka ndalesë ligjore nga gjykatat që kanë marrë vendim të formës së prerë për dënimin e tyre. Gjykata Kushtetuse ka patur mundësi të propozojë që në zgjedhjet tjera të vendoset ky standard juridik dhe që do të ishte detyrues për të gjithë. Në rastin konkret do të dëmtoheshin kandidatët që, me këtë vendim do të pamundësohen të garojnë për deputetë por do të favorizoheshin subjektet politike të këtyre deputetëve. T’ua mohosh të drejtën për t’u zgjedhur kandidatëve, në rastin konkret, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli, që në zgjedhjet e fundit kanë fituar mbi 250.000 vota, është nonsens i llojit të vet, jonormal dhe kundër logjikës së shëndoshë! Ta bësh këtë me pretekstin se me këtë veprin ruhet dhe mbrohet integriteti i deputetit të Kuvendit të Kosovës është përqeshje pikërisht me këta deputetë për faktin se, nëse Albin Kurti zgjedhet kryeminister i ardhshëm i Kosovës ndërsa të tjerët janë ministra të mundshëm, po këta deputetë do t’i votojnë kandidatët të cilëve iu është mohuar e drejta e garimit për deputetë. Kjo është jashtë çdo logjike mendore dhe juridike! Apo zbatim flagrant i standardeve të dyfishta ku integriteti për t’u zgjedhur deputetë është conditio sine qua non (kusht i domosdoshëm) kurse, në anën tjetër, për t’u zgjedhur kryeminister apo minister, integriteti përkatësisht mungesa e integritetit, jo që nuk është kusht për zgjedhje por del të jetë përparësi!!!
KQZ- ë, me një vendim që u votua nga të gjithë anëtarët e KQZ-së, e që sipas KMDLNj–së është në kundërshtim me Kushtetuten e Kosovës dhe të drejtat e njeriut, u përcaktua se verifikimi i votuesve nga diaspora të bëhet përmes thirrjes telefonike dhe nëse mungon përgjigja në këtë thirrje, ai votues të hiqet nga lista e votuesve. Të gjitha subjektet politike, në përputhje me fuqinë politike që përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës, kanë përfaqësues në KQZ. KMDLNj e kundërshtom fuqishëm sulmin që i bëhet kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka, pas votimit unanim të këtij vendimi duke e konsideruar si përpjekje për manipulim të votave nga diaspora aq më parë që edhe dy përfaqësues të LVV kanë votuar për këtë vendim. Standardi i vendosur përmes votimit, si mjet demokratik duhet të pranohet nga të gjithë, pa përjashtim!
KMDLNj fton të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të bëjnë fushatë të qetë, të jenë të matura dhe të kujdesshme në premtimet që i bëjnë aq më parë që , për shkak të pandemisë e kemi një gjendje jashtëzakonisht të rëndë ekonomike që, për shkak të problemeve të pazgjidhuar me Serbinë e cila , përkundër çdo parimi të fqinjësisë së mirë dhe mos – ndërhyrjes në punë të brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran, po e rëndon edhe situatën politike , janë fakte shtesë që e vështirësojnë realizimin e premtimeve eventuale. Për KMDLNj-ë, nuk është kurrfarë fakti që votuesi ta votojë një subjekt politik apo një kandidat, antiamerikanizmi apo proamerikanizmi. Qytetari – votuesi ka nevojë për një jetë më të mirë, ardhmëri më të qëndrueshme, shëndetësi cilësore, arsim konkurues me vlerat evropiane si dhe administratë publike dhe efikase, të pandikuar politikisht dhe në shërbim të qytetarëve. Qytetarët kanë nevojë imediate për një gjyqësi profesionale dhe të pavarur që do të luftojë dukuritë negative që thelbësisht ndikojnë në cilësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarit – votuesit. Antiamerikanizmi apo proamerikanizmi janë kartë e djegur në përpjekje të manipulohet votuesi dhe të diskreditohet kundërshtari politik. Gjithashtu, mendësia se qytetarët e Kralevës (Serbi) janë të ofenduar nëse krahasohen me votuesit e PDK-së është cilësim krejtësisht racist dhe në kundërshtim me të gjitha normat morale e që aspak nuk kontribuojnë për një debat konstruktiv parazgjedhor për faktin se zgjedhjet nuk po mbahen në Serbi por në Kosovës.
KMDLNj fton moderatorët e debateve në mediat e Kosovës që, në rast se debati degradon jashtë temës së caktuar dhe se kalon në fyerje personale apo akuza të paargumentuara, t’i ndërprejnë këto debate kurse, ata që me paramendim, si përfaqësues të subjekteve politike apo analistë mendermethënë të pavarur kanë qëllim ta përhapin frymën e urrejtjes duke degraduar debatin, të mos thirren në emisione tjera. Opinioni në Kosovë është i lodhur dhe i stërlodhur nga një fjalor fyes dhe linçues pa asnjë kriter demokratik, moral dhe profesional prandaj, të gjithë duhet të kontribuojnë të ndryshojë kjo mendësi që, për qëllim e ka legalizimin e linçimit publik, si mjet dhe mënyrë e realizimit të qëllimeve politike.
12 janar 2021 Prishtinë Shërbimi për Informim
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: NJË DEBAT QË DUHET PËRHAPUR, NË TË MIRË TË ZGJIDHJES SË PROBLEMEVET (Letër Sheradin Berishës)
Durrës, 29 maj 2017: Sheradin, e lexova bisedën tënde me zotin Bardhyl Mahmuti dhe e quajta pozitive shpalosjen…
KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (V)
Pashtriku, 12 gusht 2020: Çfarë kërkon Evropa nëpërmjet zotëri Martyt? Çfarë kërkon zotëri Marty? Ai ka mundësi të…
XHEVAHIR CIRONGU: FJALA E INVALIDIT KA LINDUR NGA GJAKU I DËSHMORËVE TË ATDHEUT
Durrës, 21 nëntor 2017: Në kuadrin e festave të 28 – 29 nëntorit , më datën 15.11.2017, kryesia…
ENIS VELIU: SALI BERISHA ME ‘MAFINË’ SERBE, KUNDËR KOSOVËS!
(Prishtinë, 16. 04. 2012) – Për më shumë se një vit, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka bllokuar…