SYLEJMAN PIREVA: EUROPË DHE AMERIKË, MOS I BINI RROTULL…!

 Prishtinë, 19. 11. 2013 – Nuk kalon asnjë javë e vetme që të mos mësojmë ndonjë lajm të ri, thënë më drejt ndonjë lajm të zi, për krimet monstruoze, gjithfarë dhe të paimagjinueshme të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe të kryera mbi popullatën e Kosovës, hiç më larg se para trembëdhjetë vjetëve. Dhe çka është edhe më zi, këto lajme kobzeza, të cilat na i zbulojnë rastet e krimeve barbare mbi popullatën e fshatrave dhe të qyteteve të Kosovës, më shpesh po i mësojmë nga pjesëmarrësit dëshmitarë të drejtpërdrejtë në këto krime, se nga organet përkatëse që e kanë për detyrë për t’i zbuluar dhe për t’u marrë me to. Madje kur flasin për autorët e këtyre krimeve, nuk e fshehin që jo vetëm shëtisin të lirë nëpër çarshi, por edhe janë graduar dhe shpërblyer nga shteti i Serbisë për bëmat e “famshme” të tyre!
Pra, ta mbani mend: të shpërblyer nga vetë struktura e shtetit të Serbisë që tani na takohen me viktimën javë për javë në Bruksel, pa farë turpi, duke mbajtur kokën lartë si fajtori si viktima, sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe!… Në vend që me këto zbulime kriminale të merreshin dhe të merren seriozisht dhe pa humbur kohë organet e caktuara përgjegjëse, kompetente dhe të paanshme të drejtësisë, ato janë neglizhuar dhe neglizhohen deri në atë masë, sa që pjesëmarrësit dëshmitarë s’po mund të presin më gjatë duke i zbuluar vetë, të vetëdijshëm se ato nuk kanë guxuar të ndodhin në formën se si janë kryer! A nuk është kështu?! Merreni me mend, kjo i është lënë në kompetencë që me këto raste të merret shteti i cili nuk ka kokërr vullneti, pra Serbisë, asaj që i ka koordinuar dhe dirigjuar vetë të gjitha këto krime barbare! Po të mos ishte kështu, s’do të kishte pasur nevojë që këto zbulime të zgjasin në pafundësi, e aq më pak që për to të presësh që të rrëfejnë të alarmuar vetë dëshmitarët, qofshin ata edhe komandantë të hordhive vrastare, të cilët tani nuk gjejnë qetësi as në varr nga ajo çfarë kanë parë me sytë e tyre!…

 Veç rasti i rrëfimit rrëqethës i komandantit të stacionit policor “Crna Trava” nga Piroti, Sllobodan Stojanoviq, në gazetën E-Novine (Elektronske novine), për gjithë atë çka kishte parë me sytë e tij, pa i numëruar edhe qindra e mijëra të tjera krime të kryera nga xhandarmëria e shtetit të Serbisë, do të mjaftonte për të alarmuar dhe ngritur në këmbë të lemerisur gjithë opinionin botëror! Le që më bota s’është e njoftuar as 10% nga gjithë ajo se çfarë në të vërtetë ka bërë Serbia në Kosovë! Le më që ai rrëfim paraqet vetëm një episod të zi, çfarë ka të tjerë më shumë dhe më të zinj anembanë Kosovës! Të keni durim që ta njohim vetëm një pjesë se për çfarë krimi në të vërtetë rrëfen dëshmitari Sllobodan Stanojeviq në gazetën E-Novine: “Një pjesëtar i çetës së Pirotit ia kishte prerë kokën një shqiptari të vdekur, derisa më pas me ditë të tëra e kishte zier në një enë. Ai kishte nxjerrë prej saj tre dhëmbë të arit dhe më pas kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte ngjyrosur me llak kafkën, duke bërë prej saj një llambë tavoline. Trupi i pajetë i atij shqiptari ishte gjetur në një kodër afër Rahovecit, i vrarë në luftime. Ai të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me një grua të vrarë. Edhe asaj ia kishte hequr kokën, duke e zier në mënyrë të njëjtë, duke e marrë në shtëpi dhe duke bërë llambë tavoline. Njerëzit normalë u tmerruan, të gjithë e dinin, edhe komandanti i degës, komandanti i çetës dhe tetëdhjetë për qind e policëve. Mendoj se ai psikopat i takonte degës së 87-të të Njësiteve Speciale Policore dhe më vonë kam dëgjuar se ai kishte përfunduar në spitalin e neuropsikiatrisë në Toponisë.” Ose krimi tjetër: “Në shtator të vitit 1998 po luftonim në fshatrat mbi Prizrenin, në Res (Lez -Sh.B), Lubiçevë, Hoçë, duke kryer të ashtuquajturin pastrim terreni. Nuk dua që ta përmend emrin e policit, ai është ende gjallë, pensionist, dhe për pikë qejfi vrau fëmijën në djep, që nuk kishte më shumë se katër muaj me arsyetimin ”më mirë një shqiptar i vdekur se një shqiptar i gjallë.” Atë botë desha që ta vras atë. E kuptova se nuk kisha shkuar në Kosovë me një grup kriminelësh, por me një grup që nuk mund ta definoj, pasi që ata nuk ishin as kriminelë. Isha me sadistë, të sëmurë, mbase edhe kanibalë, vetëm që këta nuk i hanin ata njerëz atje.” (Bojan Tonçiq: Bënin llamba nga kafkat e Shqiptarëve, Koha Ditore, 11-12 nëntor 2013).
Dhe pyetja që mund të shtrohet në këtë çast është: a është e mundur që zinxhiri komandues prej MUP-it të Serbisë e deri te ajo e Njësiteve Speciale Policore të mos ketë ditur se në radhët e tyre po rekrutonte bastardë të sëmurë, duke e ditur fare mirë se për çfarë misioni po dërgoheshin në Kosovë? Përgjigjja e saktë: është ditur! Dhe zinxhiri komandues këtë e ka bërë me kënaqësinë më të madhe dhe me vetëdije të plotë! A s’është për të dyshuar, atëherë, që moskthimi i mbetjeve mortore të 1800 personave ‘të zhdukur’ që ruhen në Serbi, ta kenë pasur fatin e njëjtë dhe të kenë përfunduar edhe më keq në duart e psikopatëve edhe më të zi se të pjesëtarit të çetës së Pirotit?! Përgjigja është po, prandaj Serbia as nuk ka çka të kthejë dhe dyshoj që ky shtet ka për t’i kthyer ndonjëherë, qoftë vetëm një pjesë të tyre. Kurse për pjesën që mbase do t’i kthejë ndonjëherë, Serbia heshtë dhe për këtë pret rastin më të përshtatshëm që të përfitojë sado pak edhe në këtë mënyre, qoftë edhe përmes këtij akti barbar! Dhe kurrgjë kurrkujt!!!
Marrëveshja e Brukselit përplot mjegull!
Është shumë e besueshme që marrja e guximit nga vetë pjesëmarrësit për të mos heshtur më gjatë dhe për të zbuluar krimet që i kanë kryer mbi popullatën shqiptare në Kosovë, na e bën të qartë si drita e diellit se sa të llahtarshme kanë qenë ato, sa që autorët e tyre edhe pas kaq viteve të mos gjejnë rehati shpirtërore, të mos e bëjnë gjumin rehat, duke ju dëftuar plot ankth skenat lemerise që i kishin shkaktuar vetë, duke prerë dhe grirë, madje dhe fëmijët në djep!
Prandaj kur të kihen parasysh të gjitha këto krime mbi shqiptarët e Kosovës nga ana e Serbisë, jehona e Marrëveshjes së Brukselit, në formën dhe përmbajtjen se si është arritur kjo midis kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, Thaçi-Daçiq, si dhe ndërmjetësueses së Bashkimit Evropian, Baroneshës Ashton, është e nxituar, përplot mjegull, aspak bindëse, e pabesueshme dhe e paqëndrueshme! Qe pse:
e para, Serbia nuk është ndëshkuar as ngatë sa duhet nga faktori ndërkombëtar, në krahasim me krimet monstruoze që i ka bërë mbi popullatën shqiptare të Kosovës; e dyta, Serbia nuk i ka kërkuar falje popullit shqiptar të Kosovës për të njëjtat krime; e treta, Serbia nuk e ka ndryshuar në Kushtetutën e saj, ku Kosova figuron pjesë e Serbisë, edhe pas njohjes prej më shumë se 100 shteteve, prandaj qëllimi është plotësisht i qartë dhe s’do koment; e katërta, Serbia, nga mënyra e sjelljeve që vazhdon në raport me Kosovën, përveç të tjerash, siç është përmendja e armëve të luftës në veriun e Kosovës nga vetë nënshkruesi i Marrëveshjes së Brukselit, i cili s’do t’i kursente ato po të kishte mundësi, e jo që s’ka dëshirë dhe që s’e sheh të nevojshme (nëse jo tani, dikur më vonë!), del se nuk ka nxjerrë ndonjë mësim të hairit prej katër luftërave që i ka bërë kundër katër njësive federative të ish Jugosllavisë (sipas gjasave Serbia i ka në qejf luftërat, nuk mundet pa to); e pesta, Serbia jo që s’do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por vazhdon në çdo mënyrë që ta pengojë dhe shantazhojë në qarqet ndërkombëtare, kudo që i shkon fjala; e gjashta, Serbia vazhdon ta konsiderojë veriun e Kosovës si një zonë trampolinë për t’u pozicionuar në mënyrë të sigurt për moslejimin e integritetit shtetëror të Kosovës dhe mos shtrirjen e sovranitetit të plotë të saj (këtë model të suksesshëm e ka dëshmuar me Srpska Republikën në Bosnjë).
Njeriu i papërshtatshëm në kohë të papërshtatshme
Nga shembujt dhe përvojat e shpeshta lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare për çështje të ndryshme, kemi mësuar se në to kanë marrë pjesë burrështetas të cilët e kanë pasur përkrahjen e e popullit të vet dhe populli u ka besuar për aftësitë, sinqeritetin, besnikërinë dhe guximin që kanë disponuar për të marrë vendime të vështira, me të cilat edhe janë pajtuar pastaj popujt e tyre. Në rastin konkret, pjesëmarrja e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në bisedimet për Marrëveshjen e arritur në Bruksel, siç e dinë të gjithë, siç e dini edhe Ju Evropë dhe Amerikë, ai nuk e ka pasur as përkrahjen e popullit të vet, as legjitimitetin për këtë përfaqësim. Si mund të jetë legjitim një kryeministër i cili ka hipur në këtë post me vota të vjedhura, të ashtuquajtura ‘vjedhje industriale’, që kjo tashmë dihet botërisht?! Si mund të jetë përfaqësues legjitim në këso bisedimesh kaq të vështira dhe ‘të dhimbshme’ një kryeministër që pajtohet me KËSI VENDIMI pa lejen e Parlamentit të popullit të vet?! Si mund të jetë legjitim një kryeministër i cili i premton dhe e mashtron popullin e vet se bisedimet do të jenë ‘teknike’, që nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, kurse ato fund e krye kanë të bëjnë me cenimin e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, që bien ndesh me Kushtetutën e saj, siç edhe ndodh në të vërtetë?! Si mund të jetë përfaqësues legjitim në këso bisedimesh kaq të vështira dhe ‘TË DHIMBSHME’ një kryeministër, kur qeveria të cilën e udhëheq, është e korruptuar tok me të deri në fyt nga keqpërdorimet e parave të taksapaguesve dhe duke mos i dhënë askujt llogari?! Jo! Ky njeri, pa ndonjë integritet personal, nuk do të duhej që ta pranonit Ju vetë Evropë dhe Amerikë, në një përfaqësim me rëndësi të jashtëzakonshme dhe me probleme të jashtëzakonshme, sepse ai është i padenjë dhe pa legjitimitet!
Atëherë kur të shikohen të gjitha këto që u thanë deri këtu, e shumë të tjera që nuk u thanë e që janë të pamohueshme, lind pyetja dhe çudia: cila na qenka rëndësia e Marrëveshjes së Brukselit për stabilizimin e situatës midis Kosovës dhe Serbisë, e arritur midis kryeministrave Thaçi-Daçiq dhe Baroneshës Ashton?! Kurrfarë! Çfarë marrëveshje mund të jetë ajo, kur populli shqiptar i Kosovës e kupton fare qartë që kjo është marrëveshje e zorit, e cila pranohet të nënshkruhet nga një kryeministër i shantazhuar!
Sikur të ishte marrë vendim që për këtë Marrëveshje të vendoset me referendum, a thua cili do të ishte deklarimi i qytetarëve të Kosovës? Mbi 90% me përgjigje mohuese, negative. Amerika dhe Evropa mund t’ia bëjnë qejfin vetit sa të donë dhe mund ta duartrokasin se Marrëveshja e Brukselit ka për të stabilizuar situatën në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, por shanset për këtë janë minimale. Dhe sigurisht, jo me fajin e Kosovës, për këtë jam i bindur!… Të gjithë e dimë se me çfarë frike dhe dyshimi është pritur kjo Marrëveshje në popull dhe në Parlamentin e Kosovës dhe se si ka kaluar në diskutim dhe në votim nga deputetët! Mund të them, hiç më mirë se deklarimi i delegatëve të Kuvendit të Kosovës në mars të vitit 1989, kur humbet autonomia e Kosovës! Ata delegatë që atëherë kishin kundërshtuar vendimin e marrë në Kuvendin e KSA të Kosovës ishin pakicë, njësoj siç ishin pakicë kësaj radhe edhe deputetët e LVV për të kundërshtuar aprovimin e Marrëveshjes së dëmshme të Brukselit!
A bën pa rrotulla?!
Dhe krejt në përfundim të këtij shkrimi nuk mund të mos e shtrojmë këtë pyetje: Evropë dhe Amerikë, a bën të mos i bini rrotull dhe t’ia thoni qartë popullit të Kosovës se çfarë ju desh ju dhe çfarë hairi do të shohë ai nga kjo Marrëveshje, kur është e qartë si drita e diellit se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë vetëm fjalë në letër, janë vetëm një dëshirë! Se brishtësia e stabilitetit e konceptuar nga Marrëveshja në fjalë është aq e theksuar, sa Kosova asnjëherë nuk do të mund të funksionojë si një shtet normal, pa probleme të kësaj natyre dhe jo me fajin e popullit të saj, sigurisht jo! Dhe nëse Ju e shihni ruajtjen e këtij stabiliteti përmes qëndrimit të trupave tuaja ushtarake për kohë të pacaktuar (roli i të cilave ka qenë dhe është i pamohueshëm), as kjo nuk është zgjidhje e duhur, por vetëm e përkohshme. Kurse ne kemi pritur se Ju do të punoni për një zgjidhje afatgjatë, të dëshirueshme dhe të pranueshme për popullin e Kosovës, siç edhe e meriton. Nëse Ju mendoni se kjo është pikërisht zgjidhja e vërtetë, atëherë ia paskeni huqur keq!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura