TRISHTIMI I BARBARËS NGA BARBARIA RUSE!

Sot në Cottbus…

TRISHTIMI I BARBARËS NGA BARBARIA RUSE!

Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë – 22 mars 2022

… Mami… ishte zëri i Visarit që po tingëllonte tërë entuziazëm matan telefonit…nuk po dëgjohesh, ishte zëri i Arbisës…

– Këtu jam, por nga lajmi që më dhatë, më ka mbërthyer një vaj që s’po mund ta qetësoj.

– I pe fotot? – po më pyesnin ata të dy njëzërit.

Po si nuk i pashë! Le që i pashë unë, por shumë kush nga familjarët i panë në ndërkohë që ju po mirreshit me Barbarën dhe mamin e saj.

***

Papritmas, në këtë pasdite marsi, Barbara u bë pjesë e të gjithë neve.

Oh Zot. Sytë e saj të qeshur të mirrnin vëmendjen dhe të hynin në shpirt, pavarësisht gërvishtjeve që i përshkonin gjithë fytyrën e saj të pafajshme prej një fëmije 7-8 vjeçe.

– Ju lumtë, ju lumtë! Ishin këto uratat që vinin nga të gjithë ata që kuptuan gadishmërinë e Arbisës dhe Visarit për të pranuar refugjatë nga Ukraina. Edhe pse ende shumë frikë nga studimet e posakryera atje, dhe shumë frikë nga inkuadrimi i tyre nëpër vende të punës, ata ishin lajmëruar në qendrën për refugjatët se janë të gatshëm të strehojnë një familje ukrainase.

Pamjet televizive nga lufta në Ukrainë, ata të dytë sikur edhe gjithë popullin shqiptar, na kanë kthyer para 22 viteve kur përjetonim llahtarinë e tmerrshme të luftës dhe dëbimin nga shtëpitë tona. Arbisa me këmbëngulje ka tentuar që të ofrojë këtë ndihmë,sepse ajo thotë që kurrë nuk do ta shlyej momentin nga memoria e saj, kur hynë paramilitarët dhe i dëbuan me forcë nga shtëpia. Kurrë s’do t’i harrojë as ata muaj si refugjate larg vendlindjes së saj… larg lodrave që kishte lënë në dhomën e saj. Kurrë nuk do t’i harrojë fjalët e ngrohëta e plotë shpresë të shqiptarëve matan Drinit, të cilët ata muaj ndanin jo vetëm  kafshatën e gojës me familjet e dëbuara nga Kosova, por ndanin edhe lotin dhe  dhimbjen nga llahtaria e luftës së egër.

Luftë, vrasje, luftë… për çdo 20 vite e paska njërëzimi – thoshte një ditë Arta me plotë mllef. Po si është e mundur në shekullin e teknologjisë ku çdo ngjarje mirret vesh me shpejtësi drite, të ndodhin kësi marrëzirash midis popujëve? Ata që i kanë krijuar armët  vdekjeprurëse, duhet dënuar e jo të respektohen si shkenctarë – thoshte ajo tërë nervozizëm. Ndërsa, ata që mendojnë që në Mileniumin e Tretë të na vrasin përditshmërinë tonë me pamje tragjike njerëzore, duhet eliminuar nga planeti se janë psikopat të sëmurë …

E Barabara e kësaj dite marsi, me fytyrën e saj të gërvishtur, ishte dëshmitare e këtyre psikopative të njërëzve me mendje të prishur nga etja për të shkaktuar tmerre në sytë dhe shpirtin e fëmijëve të pafajshëm, atyre fëmijëve që një ditë do të jenë e ardhmja e njerëzimit…

Shpirti i saj i vockël, sot kishte gjetur prehjen në ngrohtësinë e mikpritjes së Arbisës dhe Visarit, të cilët mundoheshin me tërë qenien e tyre, që t’ia kthenin buzqeshjen e humbur në ulërimën e raketave vrastare…

Por, Barbarës herë pas here nga fytyra e vockël i ikte buzëqeshja dhe sytë e saj i mbulonte një vello trishtimi… Ajo kishte lënë jo vetëm lodrat në dhomën e saj, por edhe babin e dashur që kishte mbetur atje për të mbrojtur pragun e votrës…

Duke falenderuar Arbisën dhe Visarin për këtë gjest human, le të lutemi të gjithë së bashku, që së shpejti të kryhet lufta dhe të gjithë fëmijët ukrainas të kthehen në vendlindje dhe të bashkohen me baballarët e tyre, të cilët me dinjitetin më të madhë, po e mbrojnë vendin e tyre nga barbaria ruse…

“Armiku i armikut tim, është mik im”!

Arbisa me Barbarën dhe Nënën e saj …

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura