KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (4)
Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 26. 04. 2023
26. A vlejnë këto fjalë edhe për mua?
Mund të thuhet se shkaku i ndaljes së Kadri Zekës në Gjermani është Panairi i librit në Frankfurt. Por kjo nuk është krejt e vërteta. Ai (Kadriu) ndalet dhe shkon në Gjermani, që Ibrahim Kelmendin dhe Frontin e tij të Kuq t’ia bashkoj OMLK-së e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Pra atë punë që nuk ka mund ta kryej e ta bëjë me Sabri Novosellën ta kryej me Ibrahim Kelmendin.
Saime Isufi: “Kadriu nuk ndodhej në Zvicër. Ai kishte qenë në panairin e librit në Frankfurt dhe pastaj kishte udhëtuar me Bardhosh Gërvallën në Turqi, për bisedime rreth bashkimit të organizatave me udhëheqësin e LNÇKVSHJ, Sabri Novosellën.”
Hasan Mala: “Kur është kthye Kadriu prej mbledhjes (në Stamboll – shën i Xh. D.) që kanë pas, unë kam qenë në panairin e librit në Frankfurt. Ishte edhe Ismail Kadareja, ishte edhe Isufi aty. Pak a shumë u njifshim me Isufin, por jo sa duhet. Kisha një respekt ndaj tij, ishte njeri i afërt. Vjen Kadriu aq i lodhur e aq i mërzitur sa nuk mundet me u marrë me mend, dhe më kapi për krahu e u ulëm rreth një tavoline.
– Çka u bë puna si kaluat atje?
– Kurrqysh hiq nuk kemi kalue!
– Si?
– Nuk kemi mund të bëjmë asgjë, por frikohem se është prishë puna edhe më shumë.
– Po Bardhi si mendon?
– Bardhi nuk mendon keq, Bardhi, por megjithatë, kur ishte ndikimi i tij (Sabri Novosellës – shën im), para tij nuk e thoshte ndoshta edhe atë çka e mendonte, se Sabriu kishte më kompetencë. Por Isufi më la përshtypje të mirë, – se i ka folë Isufit aty.
Isufi i ka thënë se pse nuk është arritë atje, mund të kryhet nesër. Domethënë mund të bëhet nesër, nuk do të thotë se u krye (mori fund – shën im) kjo punë. Isufi e ka pritë me rezervë, domethënë pse s’u bërë mirë tani, por në të ardhshmen do të bëhet mirë.” (Marrë nga filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?”, 1997)
Saime Isufi: ”Hasan Mala, siç e kemi quajtur Plaku, me respekt të madh, ka qenë është dhe mbetet timonieri kryesor i Lëvizjes ilegale të mërgatës në Zvicër dhe më gjërë pas rënies së Kadri Zekës.” (Film dokumentar i Ismet Rashitit për Hasan Malën, nëntor 2012, minutat 01:15-01:32)
Ibrahim Kelmendi: ”Informim interesant nga Hasani fatkeq! Gjithë kohën edhe Hydajeti, edhe Kadriu e shfrytëzonin atë kryesisht si shofer. Nuk i jepnin mundësi të bëhej anëtar i OMLK-së, sepse kishin një stazh që duhej absolvuar, që do të thotë, duhej të dëshmohet si “kandidat” se është komunist i devotshëm. Ndërsa pas vrasjeve të kobshme edhe atij i erdhën tre ditë që të bluajë, si Nuhi Sulejmanit, Suzana Gërvallës, Xhafer Durmishit. Pra ai tashmë po përfaqësonte OMLK-në dhe ishte ai, Hasan mjeran, që ia dha “autorizimin” Xhafer Shatrit që t’ia bashkëngjis OMLK-në “bashkimit” të sajuar më 17 shkurt 1982, nga SN, Abdullah Prapashtica & Co.” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërnarë përmes internetit në shtator 2016)
Kur Hasan Mala i servon këto fjalë në janar 1997, Ibrahim Kelmendi ka qenë ulun përskaj tij. Pas 20 viteve njeriut të hazërxhevapeve i bien në mend se Hasani paska bërë informim fatkeq.
Në Panairin e librit në Frankfurt, të shtunën me 17 tetor, një ditë pas kthimit nga Stambolli, Jusufi ka rastin të takohet vetë me Kadri Zekën. Është shumë interesant thelbi i bisedës së tyre në Frankfurt, për të parë se “kujt i del punë me Jusufin e kujt jo?” Kadriu e din se Jusufi është informuar shumë saktësisht nga Bardhi se si kanë shkuar bisedimet në Stamboll dhe për atë çështje ai nuk lodhet me i përsëritë gjërat, dhe se pikërisht misioni i Bardhit në këtë rrugë ka qenë mision i dëshmitarit, që ky Besnik në aq mënyrë besnike i përshkruan. As Jusufi nuk humbë kohë me Kadriun për ta pyetur shumë se a janë të vërteta fjalët e Bardhit. Jusufi, sa është i qartësuar dhe i kënaqur për qartësimin e shumë gjërave është edhe aq i revoltuar për shkakun se si është e mundur që Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Berat Luzha t’ia japin vetes të drejtën për të vendosur, për ta etiketuar e klasifikuar Jusufin si individ, dhe si anëtar i një Organizate, pra të vendosin ata dhe askush tjetër, as më shumë e as më pak se: a është Jusufi komunist apo nuk është?! Dhe jo vetëm kaq, por është shumë i revoltuar se si këta komunistë të paepur gjer në fund i kanë kërkuar ndihmë Jusufit (edhe pse jokomunist) për t’ua përgatitur 3 numra të Lirisë dhe për t’ua dërguar në Kosovë në ditët më kritike, dhe në të njëjtën kohë luftojnë me çdo kusht ta mbajnë në distancë të sigurt duke e etiketuar si jokomunist.
Thelbi i bisedës së Jusufit me Kadriun më 17 tetor 1981 në Frankfurt, të cilën Jusufi ma transmeton menjëherë pas mbarimit të saj është:
Jusufi: Bardhi më tregoi se ti dhe shokët e tu e konsideroni LNÇKVSHJ-në si organizatë jokomuniste?
Kadriu: Është e vërtetë se LNÇKVSHJ nuk është Organizatë komuniste.
Jusufi: Se në LNÇKVSHJ ka mjaftë individë që nuk janë komunist, qoftë për shkak të bindjeve të formuara me kohë, qoftë për shkak se ende nuk kanë arritur të krijojnë botëkuptimet e tyre, këtë e pranoj.
Kadriu: Nuk është fjala për individ, cili është e cili nuk është komunist, cili mund të jetë e cili mund të mos jetë komunist. Në LNÇKVSHJ asnjë anëtarë i vetëm nuk është komunist.
Jusufi: Këto fjalë i thua ti duke më përfshi edhe mua. A vlejnë këto fjalë edhe për mua?
Kadriu: Edhe për ty.
Jusufi: Ta zëmë se nuk qenkam komunist në ditën e sotme. A mendon ti dhe shokët e tu se unë si individ kam gjasa që të bëhem komunist dhe të meritoj të quhem komunist ndonjëherë në të ardhmen?
Kadriu: Pa u lodhur se si do të jetë e ardhmja dua të them atë që është kryesorja tani, se ti nuk je komunist!
Jusufi: A mendon ti sipas kritereve tuaja, se të gjithë anëtarët e OMLK-së me të vërtetë janë komunist të formuar.
Kadriu: Çdo anëtarë i OMLK-së është komunistë i formuar.
Jusufi: Tani i kuptoj plotësisht Tezat e juaja dhe seriozitetin që meritojnë ato. Edhe pse njihemi personalisht që nga marsi, njohja në këto 3-4 ditët e fundit është shumë cilësore.
Kadriu: Duke e parë relacionin tonë të deritanishëm në dritën e fakteve të reja konkrete që dolën nga rruga në Stamboll, a je i hidhëruar në mua dhe komunistët tanë që të jemi sjellë ndaj teje në atë mënyrë që ta do ta jepte të drejtën edhe ta quash shfrytëzim?
Jusufi: Unë kam qenë tepër i vetëdijshëm se çka kam bërë dhe për këtë nuk pendohem por jam krenar me punën time, andaj në këtë pikë nuk ka pse me iu vra ndërgjegjja. Në politikë e në luftë, kush i shërben kujt, kush është pjesë e një plani më të përgjithshëm, kush është pjesëza e kush është e tëra, kush e shfrytëzon kend, kush del më i paepur deri në fund, se a do jem unë një figurë episodike në Frontin tuaj të madh, apo do të jeni ju figura episodike e të modës në Lëvizjen time, në planin e idealin tim të përjetshëm nuk dihet kurrë deri në finale, deri në fund.
Kadriu: Duke e parë relacionin tonë në dritën e fakteve të reja a ke aq durim sa të pranosh të kesh kontakte me mua edhe në vazhdim dhe a ma çelë derën nëse ta mësyj?
Jusufi:”Rrudhat mbi ballin tim, për mikun e vendlindjes, për aq sa kam pasur indikacione 34 vjet të jetës sime, kanë shprehur qartë pamundësinë për të fshehur ndjenjën e fuqishme të brengës për fatin e atdheut të robëruar; ato kanë treguar se janë dyer kurdoherë të hapura kah shpirti, për të gjithë ata që kanë halle të ngjashme.”
Kadriu: Ne jemi bashkuar me Frontin e Kuq, pra me Ibrahim Kelmendin. Nuk kishte pas aq anëtarë, bile me të thënë të drejtën nuk ka pse të mbetet merak pse ti nuk je bashkuar me ta para nesh!
Jusufi: Ia pafsh hajrin! Ditën e mirë!
Kadriu: Ditën e mirë!
Jusuf Gërvalla: “Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj (e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z. [Kadri Zekën në panair, në Frankfurt, më 17 tetor – shën i Xh. D.]), ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje. Të njoftoj se, që kur mbaj kontakte me atë, asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të çoroditur, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 274)
Të shtunën në mbrëmje unë kthehem në Shtutgart, ndërsa Jusufi qëndron në Frankfurt natën e së shtunës dhe të dielën.
Ismail Kadare: “Biseduam gjatë atë ditë midis rrëmujës së panairit dhe pastaj më gjatë në mbrëmje në një kafe të qytetit. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.” (Jusuf Gërvalla, Rrotull, Tiranë 1983, faqe 3)
Në momentin e parë që më ra të takohem me Jusufin pas kthimit nga Frankfurti, u ngjitëm në katin e tretë ku ishte studioja e punës. Në tavolinën e tij të madhe dhe në fiokat e saj gjendeshin më shumë se 100 kopje të Tezave që i kishte radhitur, e të cilat nuk kishte arritë me i shpërnda dhe një tubë fletëpagesash për xhirollogarinë „Hilfe für Kosova, Katharina Asal – Biel-Biene, Konto 25-45475, Biel-Biene Schweiz”. Ai i ndau 5-6 ekzemplarë të Tezave që t’i ruaj në arkivin e tij dhe kopjet tjera të Tezave së bashku me fletëpagesat, në praninë time i hodhi në shportën e mbeturinave. Me këtë veprim Jusufi ka dashtë të tregoj se Kështjella e Lëvizjes së tij është Kështjellë e lirë dhe e pamvarur në pikëpamje ideore, se në shtëpinë e tij askush pos tij nuk mund ta RUAJ rolin hegjemon, se Kështjella e tij është e lirë edhe në pikëpamje ekonomike pasi nuk ka kurrfarë obligimi t’i paguaj haraç ndokujt. Në të njëjtën kohë Jusufi kurrë nuk është përzier në punët e brendshme të të tjerëve e në shtëpitë e të tjerëve.
Kjo është e vërteta e trajtimit të Tezave të OMLK-së, nga ana e Jusufit, para takimit të Stambollit në mes Kadri Zekës e Sabri Novosellës, takim i cili u bë në pranin e dëshmitarit besnik Bardhosh Gërvalla. Kjo është e vërteta e trajtimit të këtyre Tezave, nga ana e Jusufit, pas takimit të Stambollit dhe jo vetëm kaq, por edhe pas takimit të Jusufit me Kadri Zekën, në Panairin e librit në Frankfurt më 17 tetor 1981.
27. As rastësisht nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të çoroditur
Ibrahim Kelmendi: ”Pra, ose Jusufi vërtet nuk i ka kuptuar “tezat”, ose paskësh qenë i kapur aq keq nga SN, sa të detyrohej që të katandiset në këtë farë nënniveli mjeran.” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërnarë përmes internetit në shtator 2016)
Mehmet Hajrizi: “Fillimisht duhet thënë se organizimi në Shqipëri i Luftës Nacionalçlirimtare, që për veprimtarët e kohës, në saje të literaturës që vinte nga Shqipëria, ishte në detaje i njohur, u bë modeli më i afërt, për ta zbatuar në kushtet e çlirimit të Kosovës. Atje ka pasur një Front Nacionalçlirimtar, që bashkonte forcat antifashiste të bindjeve të ndryshme, por Partia Komuniste në të RUANTE ROLIN HEGJEMON.” (Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f. 97)
Jusuf Gërvalla: “Nga e gjithë kjo, tash mbeti vetëm dëshira. A ka vend të ndruhemi se s’paska ardhur ende çasti i pritur i bashkimit? Ende po dua të shpresoj që qëndrimi i shokut Z. (Kadri Zeka – shën im) ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme nuk është edhe qëndrimi i shokëve të tij, aq më pak vija e tyre dhe përfytyrimi i tyre për bashkimin. Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj (e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z. [në panair, në Frankfurt, më 17 tetor – shën i Xh. D.]), ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje. Të njoftoj se, që kur mbaj kontakte me atë, asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të ÇORODITUR, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z. (Kadri Zeka – shën im)
Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por MEGALOMANINË e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe tendencën për DOMINIM ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 274)
28. Janë si buka prej një brumi
Faktin se Lëvizja e Jusufit është quajtur Lëvizje Nacionalçlirimtare, Sabri Novosella është munduar ta shfrytëzoj në maksimum për ta paraqitur këtë Lëvizje si organizatë që nuk ka të bëjë asgjë me idetë komuniste.
Ibrahim Kelmendi: ”Po më vështirësohet formulimi i komentimeve, sepse secilën herë po trishtohem më shumë për shpërdorimin që ua ka bërë dhe po ua bën Sabri Novosella Jusufit, Xhaferit, Shefqetit, Metushit, etj.” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërnarë përmes internetit në shtator 2016)
Po më shtinë në gjynah Ibrahim Kelmendi, i cilësuar nga Jusuf Gërvalla si një nip i një agjenti me zile të UDB-së, me trishtimin e vetë. Unë e kam dëshmuar tërësisht se nuk kam avokaturën e tij.
Sabri Novosella: “Porsi shteti amë, prapëseprapë njëra nga këto organizata bënte njëfarë dallimi. Kjo ishte LNÇKVSHJ, e cila udhëhiqej nga Metush Krasniqi, i cili ishte demokrat i vërtetë dhe mbi të gjitha ideologjinë komuniste e konsideronte si ideologji ruse dhe si të tillë edhe antishqiptare, ashtu siç i konsideronte antishqiptarë sllavogrekobizantinët në përgjithësi.” (Zëri, 28 mars – 4 prill 1992)
Kjo është taktika tepër e tejdukshme pas shembjes së ‘komunizmit’ dhe falimentimit të tij.
Faktin se Lëvizja e Jusufit është quajtur Lëvizje Nacionalçlirimtare e pamë se si është shfrytëzuar maksimalisht dhe në mënyrë tejet të vendosur apo edhe të paepur gjer në fund, për ta parkuar atë në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës dhe mbajtur në distancë të sigurt nga OMLK-ja, së bashku me elementët e dyshimtë, me krijesat e me Frontet e UDB-së, me arsyetimin se Lëvizja e Jusufit nuk është komuniste, se komunistët janë të ndërtuar prej një brumi të veçantë, se Jusuf Gërvalla nuk është prej brumit me të cilin është gatuar Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka e brat Berat Luzha. Pas falimentimit të komunizmit të Mehmet Hajrizit dhe të shokëve të tij, rishkrimi e falsifikimi i historisë nga këta të fundit bëhet me po aq taktika qesharake e të tejdukshme, krejtësisht identike me ato të Sabri Novosellës, sa me të vërtetë të hyn dyshimi se jo vetëm që janë të një brumi por mos janë edhe bineq të një nane, të larë e të shpërlarë në të njëjtën koritë.
Ibrahim Kelmendi: ”Konstatime interesante. Tamam ka vendosur pikën mbi i (edhe pse nuk ia di tamam domethënien e kësaj sintagme, “pikat mbi i”?).” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërnarë përmes internetit në shtator 2016)
Jusuf Gërvalla: “Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. …Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës.” (Raport Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, 31 korrik 1981)
Ja se si tingëllojnë ato në ditët e sotme:
Mehmet Hajrizi: “Kjo Lëvizje (Lëvizje me ‘L‘ të madhe si në Lëvizjen e Jusufit, ndërsa OMLK-ja si rezultat i Luftës së Yjeve as që përmendet – shën ynë), ndonëse në dukje e fragmentuar në kohë dhe hapësirë, ka njësinë e saj e lidhjet organike (nga i njëjti brum-shën ynë), prandaj duhet trajtuar e pandarë, pavarësisht fazave të zhvillimit dhe formave të veprimit nëpër këto faza. Aq më pak, ato mund t’i kundërvihen njëra tjetrës, siç provohet ndonjëherë për interesa meskine.” (Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, f. 31)
Sabri Novosella: ”Dalja e shokut Xh. (Xhafer Shatri-shën im) e shkuarja tek shokët që para shumë vitesh i ka organizuar vet është bërë shumë mirë, bile më mirë se sa të kishte ardhë tek ju, pasi në atë organizatë motër Xh. gëzon besim shumë të madh, kurse nga ana tjetër me një shok që e kemi këtu ka afërsi shumë të madhe qysh nga koha e vuajtjes së dënimeve në kazamatet jugosllave para 13 viteve. Përveç kësaj ekziston edhe një histori tjetër që i lidhë këta dy shokë për lirinë e popullit tonë. Pasi edhe deri më tani është punuar në bashkimin e organizatave tona, nga ana tjetër nuk ekzistojnë kurrfarë divergjencash parimore, mund të themi se çështja e bashkimit mund të merret si punë e kryer.” (Letër ‘Komitetit Vëllezërit Gërvalla’ në Shtutgart, mars 1982)
Ta dëgjojmë se sa është në gjendje ta pranoj Mehmet Hajriz-Strofcin në Strofullin e Lëvizjes së Jusufit askush tjetër pos
Shefqet Jashari-Strofci: “Ta zëmë rastin kur është futur në kryesinë e ngushtë Jusuf Gërvalla. Unë nuk kam ditur si quhet, çfarë profesioni ka, ku punon dhe jeton dhe ku ka lindur. Sabriu ka thënë se e njoh një kohë të gjatë, është atdhetarë i mirëfilltë, d.m.th. i painfektuar nga ideologjia e djallit të mallkuar bolshevik.” (Drita, Trelleborg, Suedi, nr. 15, 1997, f. 15)
Unë mendoj se të paktën Shefqet Jashar-Strofcin duhet ta lëmë të qetë duke shpresuar që të paktën në atë dynja nuk do të përsërit akuzat kundër djajve të mallkuar bolshevik, apo ndoshta në rastin më fatlum qysh gjatë kësaj dynjaje të rrejshme do t’ua jep hallallin.
Sikur të ishte gjallë Jusufi me siguri kundër Shefqet Jashar-Strofcit dhe luftës së tij për ta ruajtur të pastër Strofullin e Lëvizjes së tij, do t’i përdorte vargjet:
“O bilbil ta bëra benë, në ta gjetsha dot folenë…”
Se sa organike e të pandara kanë qenë lidhjet e Lëvizjes së Jusufit me OMLK-në e komunistëve për meritën e komunistëve na duket shumë qartë. Për këtë do të kemi edhe disa letra të shkruara nga Jusufi që do t’i ndeshim në raste tjera. Sa lodhemi t’i shqyrtojmë “Lidhjet e pandara organike të Lëvizjes së Jusufit me OMLK-në” a nuk do të ishte shumë më mirë t’i shohim pak se sa të pandara e sa organike janë lidhjet e komunistëve të paepur të vitit 2008 me të kaluarën e tyre të vitit 1981.
Se çka kanë menduar në vitin 1981 Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Berat brati e Kadri Zeka e kemi pa në Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Ja si manifestohen lidhjet organike me këto Teza, mendimet e autorëve të tyre në vitin 2008.
29. Iu kemi kundërvu ideologjisë komuniste
“Apostol Duka: Thatë se e ndërruat emrin e Grupit tuaj Revolucionar. Më lejoni t’ju pyes: E ndërruat sepse bindjet tuaja ideologjike ishin marksiste-leniniste, e ndërruat sepse duhej ndërruar, apo e bëtë këtë gjë për të qenë të ngjashëm me veprimtarinë politike e ideologjike të shtetit-amë?
Mehmet Hajrizi: E kuptoj këtë pyetje me ngut. Sot, pas kaq vitesh, duhen sqaruar këto emërtime të Organizatës, që për brezin aktual duken demode dhe të largëta, edhe pse nuk e cënojnë aspak karakterin nacionalçlirimtar dhe rëndësinë historike të saj… Lëvizja Kombëtare e Kosovës, ideologjinë marksiste që ishte në modë atëherë, e ka përdorur si kulturë dhe mjet për çlirim.” (Vrasje në Shtutgart, Tiranë 2008, f.163-164)
Mehmet Hajrizi: “Ndikimi nuk mund të mohohet, por ne fokusoheshim tek shkelja nga udhëheqja jugosllave e parimit të vetëvendosjes së popujve, e cila ishte pjesë përbërëse e doktrinës leniniste dhe premtim demagogjik i Titos e partisë së tij komuniste.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.165)
“Së katërti regjimi socialist pushtues po luftohej me socializëm edhe për një arsye që e diktonin rrethanat historike.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, Tiranë 2008, f.166)
Mehmet Hajrizi: “Sot, tridhjetë e pesë vjet pas, duhet sqaruar shkurtimisht këto emërtime të Organizatës, që për brezin aktual nuk janë të afërta as të pranueshme.” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, f. 96)
Mehmet Hajrizi: “Sabile Keçmezi-Basha ka shkruar; “Organizata e cila pati më së tepërmi jehonë në qarqet e përgjithshme të popullatës shqiptare dhe e cila kontribuoi që rrjedhat e shoqërisë ish-socialiste në Kosovë të merrnin kah krejt tjetër, ishte pasardhësja e ‘Grupit Revolucionar” që më vonë u shndërrua në Organizatën ilegale shqiptare “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës.”” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, f. 316)
Brat Berat Luzha: “Faktikisht, ne jemi vetëquajtur marksistë-leninistë, por realisht kemi qenë atdhetarë të mirëfilltë, idealistë. Nuk kemi qenë të indoktrinuar nga ideologjia. Kemi qenë veprimtarë të çështjes kombëtare… Pak ose fare pak jemi marrë me çështje ideologjike. ‘Rilindjen’ e kam drejtuar pa asnjë problem të tillë ideologjik.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f. 220)
Brat Berat Luzha: “Përmes ngjyrimit ideologjik, kemi tentuar t’i kundërvihemi ideologjisë komuniste titiste. Edhe në këtë mënyrë e kemi goditur armikun.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f. 220)
Brat Berat Luzha: – Lidhjet me Shqipërinë kujtoj ishin mjaft të brishta, kryesisht përmes ambasadave të saj. Unë nuk kam qenë protagonist i këtyre lidhjeve, prandaj nuk mund ta di saktë këtë gjë. Kadri Zeka ka vepruar në Zvicër dhe ai ka pasur disa kontakte me ambasadën shqiptare në Vjenë. Ndonjë takim mund të kenë bërë edhe kuadro të tjerë të organizatës, por asnjëherë për çështje ideologjike.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f. 223)
“A. Duka: -A ishte organizata e Jusufit marksiste-leniniste?
Brat Berat Luzha: – Ashtu nuk e quante veten, por kishte platformë të ngjashme me organizatën tonë dhe me organizatat e grupet tjera ilegale.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f. 224-225)
30. Patentimi i formulës sekrete të lirisë dhe përralla e Crvenkapës
Më lartë e kemi pa luftën e Mehmet Hajrizit, Kadri Zekës dhe shokëve të tyre për ta mbajtur OMLK-në të pastër dhe në distancë të sigurt nga Jusufi dhe Lëvizja e tij, në vitin 1981 e 1982. Sabri Novosella dhe Jusufi nuk e pranojnë tutelën e Mehmet Hajrizit dhe Kadri Zekës të cilët e parashtrojnë situatën në mënyrë raciste duke thënë se vetëm ata kanë monopol në idetë komuniste, thuase ata e kanë zbuluar atë ide. Ja se çka shkruan Jusufi për shtegtimin e ideve komuniste dhe qëndrimin e Shqipërisë zyrtare në atë kohë:
Jusuf Gërvalla: “Mbi idetë dhe lëvizjet përparimtare asnjë popull nuk mund të vërë dorë përgjithmonë, ashtu si e vë njeriu kësulën (Crvenkapën – shën i Xh. D.) në kokën e vetë të patjetërsueshme. Ku zënë fill, nga shtegtojnë dhe ku ngrehin çerdhe lejlekët e anës së ndriçuar të vetëdijes së Planetit, është punë që nuk mund të hetohet jashtë ligjshmërisë dialektike, dhe kjo ligjshmëri për të paditurin shfaqet përplot pusi.
Ideja e madhe komuniste mori krah në Gjermani, me Marksin në ballë. U avancua dhe materializua në Revolucionin e madh rus, të cilit i priu Lenini…Por pasi braktisi stepet e paskajshme, e pezmatuar në tradhtinë e akullt hrushoviane, ideja e madhe komuniste u strehua dhe nguliti në Shqipërinë e ’vogël’. Këtu gjeti prehje dhe truall të përshtatshëm për lulëzim të plotë. Së këndejmi fshikullon sot pa mëshirë imperializmin dhe social-imperializmin, ’eurokomunizmin’ fodull. Këtu u bë fener për proletarin, të nënshtruarin, të kolonizuarin. Kudo në botë. Sepse siç thotë poeti, Shqipëria është një magje lirish, që formulën e lirisë nuk e mban sekret.” (Lajmëtari i lirisë, tetor-nëntor 1980, faqe 4.)
Tek disa popuj thuhet se gëzimi i ndarë me dikend dyfishohet ndërsa dhimbja e ndarë me dikend përgjysmohet. Me sa duket kjo vlen më shumë në teori se sa në praktikë a aq më pak në politikë. Shumë më reale duken thëniet: Nëse del një punë mirë, atë e bëra unë dhe rezultati më takon vetëm mua. Nëse del keq atëherë atë e bëtë ju dhe pasojat duhet të bien vetëm mbi ju. Në rastin më të mirë e më ekstrem sa i përket pjesës së dytë, thuhet edhe forma: nëse del keq pasojat na takojnë të gjithëve në mënyrë solidare. Në zanatin e ndyrë të politikës këto djallëzi e kopili është vështirë me i pa tërë kohën. Në fushën e ekonomisë këto çështje janë aq të ndara e të pastra sa nuk ka ku shkon më tej dhe duken si drita e diellit dhe janë çështje që rregullohen me ligje të tëra.
Themelimi, starti i një ndërmarrje ekonomike nuk është gjithmonë vetëm premtues e i lidhur me prurjen e fitimeve por në vete përmban edhe rrezikun që kapitali i investuar të humbas. Në këtë pikë që në fillim partnerët, palët merren vesh për ndarjen e rrezikimeve për të cilat janë të vetëdijshëm që në fillim. Përveç rrezikut të humbjes si pasojë e natyrës së ekonomisë, ekzistojnë fatkeqësitë të shkaktuara qoftë nga faktori njeri qoftë nga natyra. Edhe për këso lloj rreziqesh me kohë paguhen e lidhen kontrata që kanë të bëjnë me fushën e sigurimeve. Këto gjëra në fushën e ekonomisë janë të qarta dhe shumë të definuara, të cilat në mënyrë të përafërt ndoshta mund të thuhet se i përmbledh fjalia e përgjithshme, nëse del keq, e keqja le të shpërndahet në sa më shumë veta, dhe mundësisht askush të mos merr përgjegjësi personale.
Rasti i kundërt është ai kur një ide komplete e mirë, një formulë kimike, apo një kombinim formulash kimike që e përbëjnë një ilaç të mirë, patentohet nga firma, në mënyrë që vetëm ajo të ketë të drejtë ta shes atë ilaç për 10 vjet, apo për një kohë të caktuar në mënyrë që t’i mbuloj shpenzimet e investimeve dhe shpenzimet tjera, plus të nxjerrë njëfarë fitimi. Në ekonominë e vendeve më të zhvilluara kështu veprohet dhe askush nuk çuditet pse është kështu. Nëse një profesor i një universiteti serioz merret me vjedhje e plagjiaturë ai përjashtohet nga puna dhe i duhet të zgjedhë ndonjë profesion ku hajnia sjellë fitime më të mëdha.
Në vitin 1981 e 1982, Mehmet Hajrizi, Kadri Zeka dhe shokët e tyre nuk e kanë njohur asnjë veprimtari të të tjerëve si aktivitet e lere më për të barabartë, dhe hisen e komunizmit të tyre nuk kanë dashtë me e nda me askënd. Kur ky komunizëm i tyre, QË E RUAN ROLIN HEGJEMON, ka falimentuar, këta dezertojnë nga postet e tyre (megjithëse janë të paepur gjer në fund) dhe mundohen me na e mbush mendjen se të gjitha organizatat e asaj kohe kanë qenë të ngjashme, identike me lidhje organike e të pandara, dhe se interesat meskine nuk mund t’i hedhin kundër njëra tjetrës.
Ja se si u bien mistri ish-ministri i propagandës Xhafer Shatri, dështimit të bisedimeve të Stambollit në mes OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Xhafer Shatri: “Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇKVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale.” (20 vjet nga vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës, www.pashtriku.org)
Mehmet Hajrizi si ideolog i vërtetë që i kupton gjërat në tërë kompleksitetin e tyre na e heq tërë mjegullën para syve dhe e zbërthen edhe më tej mendimin e shokut të vet.
Mehmet Hajrizi: “Në tetor të vitit 1981 Një takim i mbajtur në Stamboll, midis Kadri Zekës si përfaqësues i OMLK-së e i Tezave të Frontit, dhe të Sabri Novosellës e Bardhosh Gërvallës, si përfaqësues të LNÇKVSHJ-së kishte dështuar bashkimi i organizatave për shkak të dallimeve konceptuale, por edhe për arsye tjera triviale.” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, f. 292)
Saime Isufi: “Më 18 tetor të vitit 1981, u nisa përsëri për në Zvicër. Kadriu nuk ndodhej në Zvicër. Ai kishte qenë në panairin e librit në Frankfurt dhe pastaj kishte udhëtuar me Bardhosh Gërvallën në Turqi, për bisedime rreth bashkimit të organizatave me udhëheqësin e LNÇKVSHJ, Sabri Novosellën. Në banesën e tij na priti Hasan Malaj, mua dhe Berat Luzhën. Me Hasanin, që atë natë udhëtuam diku në Gjermani për të marrë Kadriun. U takuam me Kadriun. Dukej shumë i lodhur, i rraskapitur, por edhe i dëshpëruar nga takimi që kishte pasur me Sabri Novosellën. Ai nuk i kishte përfillur, bile i kishte fyer e poshtëruar atë dhe Bardhosh Gërvallën.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.98)
Sabri Novosella: “Sa i përket asaj se unë paskam folur keq për Zeqën, kjo ka qenë kështu: Më pyeti Uka (Xhafer Shatri-shën. i Xh. D.) se pse janë prishë Jusufi me Zeqën kohëve të fundit? Ju përgjigja ashtu si ka qenë. Pas bisedimeve në Stamboll, Zeqa (Kadri Zeka-shën i Xh. D.) ia kishte dërguar një vendim të rrejshëm se gjoja ishte formuar “Fronti për Republikën e Kosovës”, gjë që Sokoli (Jusuf Gërvalla-shën i Xh. D.) ishte hidhëruar së tepërmi dhe i kishte thanun në një letër: Çdo gjë që e ka fillimin në gënjeshtër është e gjykuar në dështim që në fillim. Në lidhje me bisedimet e Stambollit ia pata dërguar një letër të Sokolit Ukës e cila ia kishte luajtur mendjen dhe tash po mundohet me qpifë diçka kundër meje në atë drejtim, por atë letër po ua dërgoj edhe juve.” (Letër Faridin Tafallarit e Xhafer Durmishit, 16 janar 1984)
Në këtë rast nuk e shoh të rrugës as nuk e kam për detyrë t’u tregoj të tjerëve se ku ka qenë Kadri Zeka në këtë kohë, por për shkak se përmendet Bardhoshi e kam detyrë ta përsëris edhe njëherë, kur është hapur Panairi i librit të mërkurën më 14 tetor 1981, Bardhoshi e Kadriu kanë qenë në Turqi, dhe prej atje janë kthyer të premten më 16 tetor. Të shtunën më 17 tetor 1981, në lokalet e panairit Kadriu i ka tregua Jusufit se ai apo OMLK-ja është bashkuar me Frontin e Kuq e me Ibrahim Kelmendin. S. Isufi paska ardhë në Zvicër me Berat Luzhën të dielën më 18 tetor. Nëse Kadriu nuk është kthyer shpejtë në Zvicër, shkaku për këtë janë punët që i kanë dalë nga bashkimi me Ibrahim Kelmendin dhe jo kohë e kaluar me Jusufin apo me Bardhoshin në ndonjë rrugë në Turqi.
Bardhi (edhe pse i ‘fyer e i poshtëruar’) kishte sjellë nga Turqia selamin e Sabriut që të fillohet me nxjerrjen e “Zërit të Kosovës”, si organ i LNÇKVSHJ-së, me arsyetimin se boll kemi ba sabër. Puna në nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” qe e shpejtë pasi artikujt për numrin e parë ishin pothuajse të gjithë të gatshëm qysh nga mesi i gushtit. Numri i parë doli në fillim të nëntorit 1981.
Mehmet Hajrizi: “Fillimisht duhet thënë se organizimi në Shqipëri i Luftës Nacionalçlirimtare, që për veprimtarët e kohës, në saje të literaturës që vinte nga Shqipëria, ishte në detaje i njohur, u bë modeli më i afërt, për ta zbatuar në kushtet e çlirimit të Kosovës. Atje ka pasur një Front Nacionalçlirimtar, që bashkonte forcat antifashiste të bindjeve të ndryshme, por Partia Komuniste në të RUANTE ROLIN HEGJEMON.” (Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f. 97)
Jusuf Gërvalla: “Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj (e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z. [në panair, në Frankfurt, më 17 tetor – shën i Xh. D.]), ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje. Të njoftoj se, që kur mbaj kontakte me atë, asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të çoroditur, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z (Kadri Zeka – shën im).
Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por MEGALOMANINË e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe tendencën për DOMINIM ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 274)
====================
© Pashtriku.org – Xhafer Durmishi-Skenderi Prill 2023
***
KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (3)
Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 25. 04. 2023
………………………..
KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (1)
Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 23. 04. 2023