KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (3)

KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (3)

Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 25. 04. 2023

23. Ndoshta pikërisht nga radhët e tyre

Jusufi qoftë me shtypjen e shpërndarjen e Tezave qoftë gojarisht ia shpreh Kadri Zekës përkrahjen e vet të pa rezervë për Tezat e majit. Tani në kohë jemi në gjysmën e dytë të shtatorit. Se sa arsye të madhe ka Jusufi të pajtohet e të jetë i kënaqur me këto Teza, duket më së miri nga artikulli i tij programatik “Bashkimi bënë fuqinë”, nga dhjetori 1980, ku shkruan:

Jusuf Gërvalla: “Fronti i Kuq Popullor, i themeluar prej forcash patriotike, pret themelimin e partisë sonë komuniste marksiste-leniniste e cila do të vihet në ballë të luftës dhe të revolucionit. Sipas vlerësimeve të Frontit, arsyeja për këtë inversion qëndron në kushtet konkrete, të cilat kanë ndikuar që forcat patriotike të masave të gjëra të ecin një hap përpara organizimit të komunistëve tanë. Në kësi konteksti e shohim aktivitetin e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të tjera Shqiptare nën Jugosllavi – një organizatë e hershme, që ka mbledhur dhe mban rreth vetes njerëz me eksperiencë patriotike e revolucionare dhe me të cilën jemi duke bërë përpjekje për njohje reciproke dhe për bashkim. Në kësi konteksti jemi duke përcjellë gjithashtu edhe aktivitetin e Marksist-leninistëve të Kosovës, që po shfaqen këto kohët e fundit me organin e tyre “Liria”. Duke u nisur nga kryeartikulli në numrin e parë të këtij organi, si dhe nga përmbajtja e tij përgjithësisht e nga trajtimi marksist-leninist i problemeve nga ana e krijuesve të “Lirisë”, ne e vlerësojmë shumë të drejtë punën e Marksist-leninistëve kosovarë. Kjo na jep shpresë që së shpejti, ndoshta pikërisht nga radhët e tyre, do të realizohet edhe kërkesa e domosdoshme për themelimin e vetë partisë komuniste marksiste-leniniste.” (Bashkimi – organ i Frontit të Kuq Popullor, nr.1, janar 1981, faqe 2, shtylla 1)

   Bisedat e komunikimet e Jusufit dhe Kadri Zekës në këtë çështje mund të përmblidhen kështu:

   K. Zeka:    Si t’u dukën Tezat?

   Jusufi: Shumë të mira, gjërat nuk mund të thuhen më qartë e më mirë.

   K. Zeka:    Atëherë mund të bashkohemi duke u bazuar në Tezat!

   Jusufi: Patjetër, çështjen e bashkimit e shikoj më tepër teknike dhe formale.

   K. Zeka:    Është mirë të bashkohemi e të formohet Fronti sa më parë!

   Jusufi: Është mirë të bashkohemi e të formohet Fronti dhe struktura organizative siç parashtrohet në Teza!

   K. Zeka:    Atëherë çka presim?!

   Jusufi: Atëherë çka presim?!

 Tezat, Jusufi i ka kuptuar në këtë formë:

– Formimi i partisë pararojë (Partisë Komuniste) e cila do ta udhëheqë Frontin,

– Në Partinë Komuniste do të hyjnë kuadrot më të formuara dhe më të dëshmuara.

Këtë lloj interpretimi e ka lënë të nënkuptohet Kadri Zeka gjatë kontakteve me Jusufin. Kadri Zeka nuk e ka bërë asnjë koment të vetëm shtesë para Jusufit, se si duhet kuptuar tezat në të vërtetë. Duke u sjellë në rreth, sa i përket kësaj çështje, pasi Kadri Zeka dhe shokët e tij nuk pranojnë biseda konkrete për bashkim me Jusufin edhe pse ai është i autorizuar për këtë nga Sabri Novosella, Jusufi i thotë Kadriut, se unë me Tezat pajtohem por për t’u sqaruar konkretisht është shoku më kompetent i LNÇKVSHJ, Sabri Novosella, që gjendet në Turqi. Ti e ke përkrahjen time, me vete i merr Tezat që ua kam radhitur, dhe përveç kësaj si shok të rrugës që të mos mërzitesh e ta kesh krah po ta jep Bardhin.

24. Atje ku duket se ka pasur pasivitet ose harresë

Kadri Rexha: “Së pari kishte ndërprerë daljen e revistës ”Lajmëtari i lirisë” dhe me të gjitha forcat e veta ishte përqendruar në botimin e revistës ”Liria” dhe në organizimin e demonstratave të përbashkëta. Më në fund, po për këtë qëllim ai e kishte hedhur poshtë edhe idenë e formimit të komiteteve për Kosovën në botën e jashtme. Lidhur me disa punë që në atë kohë Jusuf Gërvalla autorizohej t’i kryente, ai vazhdimisht përmes përfaqësuesit të degës ”Hasan Prishtina” i këshillonte shokët që para se të shtronin detyra përkatëse ta kishin parasysh edhe nevojën e bashkimit: ”Edhe kjo punë mund të vazhdojë po e patë ju të arsyeshme – u drejtohej shokëve të vetë Jusuf Gërvalla – por mendoj se kur merrni vendime për çështje të tilla, duhet ta mbani parasysh edhe rrethanën e nevojës së madhe të bashkimit, duke u prirë nga mendimi se me bashkim nënkuptohet bashkimi i mendimeve, i pikëpamjeve dhe i punëve të përafërta a identike të dy a më shumë organizatave. Atje ku duket se ka pasur pasivitet ose harresë nga unë, atje kryesisht ka qenë vendimtar ky parim dhe më pak harresa ose pasivizimi.” (Fati i luleve, Prishtinë 1993, faqe 202)

Kadri Rexha: “Në këtë takim, të mbajtur në tetor të vitit 1981, pala e MLK-së, e përfaqësuar nga Kadri Zeka, çështjen e bashkimit e sheh në dritën e formimit të një partie komuniste marksiste-leniniste, radhët e të cilës do të përbëheshin nga anëtarët e organizatës MLK dhe nga ndonjë komunist i verifikuar nga radhët e organizatës LNÇKVSHJ. Sipas kësaj pale kjo parti duhej të konsiderohej si pararojë dhe udhëheqëse, ndërsa organizata LNÇKVSHJ konsiderohej si front i gjer i luftës. Qëndrimin e mësipërm pala e LNÇKVSHJ e përfaqësuar nga Sabri Novosella, nuk e pranoi, meqë bashkimin e kishte parë në dritën e barabarësisë së plotë të grumbullimit të forcave patriotike në frontin e luftës për liri kombëtare, në radhë të parë. Kështu edhe bisedimet e para lidhur me çështjen e bashkimit të këtyre organizatave përfunduan me mossukses.” (Fati i luleve, Prishtinë 1993, faqe 202-203)

Ibrahim Kelmendi: “I dashur shoku Mërgim (Sabri Novosella – shën. im),

”…Gjatë takimeve që kishim, disa herë u sjellën bisedimet te bisedat në mes teje e shokut Zeqë (Kadri Zekës – shën im). Lidhur me atë takim, mendoj, duhet të na informosh, pak më shumë se sa i ke shkruar ”heroit”(Jusuf Gërvallës shën im). Them kështu pasi disa fjalë shpëtuan gjatë fjalosjes mes teje e shokut Ujkan, prandaj, pos arsyerave tjera, edhe që të mos lejohet mundësia për manipulim me fjalët që nuk janë inçizuar as mbajtur shënime. Sidomos do ndihmonte shumë informimi yt, pasi, me gjasë, vetëm ti je ndër të gjallët, që mund të informosh mbi bisedimet, ashtu siç janë zhvilluar.”(Letër Sabri Novosellës, 17 janar 1984)

25. Pse ke ardhur?

Rreth 12 tetorit 1981 Kadriu dhe Bardhoshi udhëtojnë me aeroplan në Stamboll për çështje të “bashkimit” – bishtëzimit. Dëshmitari i gjallë i këtyre takimeve Sabri Novosella ka shtrembëruar çdo fjalë sa i përket këtij takimi.

    Sabriu vazhdon: “Unë dhe Bardhoshi dolëm me qëndrimet e Organizatës që përfaqësonim: Të bashkohemi në një organizatë të vetme e cila mund të quhej Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”. (Zëri, 28 mars – 4 prill 1992)

Sabri Novosella: “Me atë rast, unë dhe Bardhoshi i shtruam qëndrimet e organizatës të cilës i takonim, ndërsa Kadri Zeka qëndrimet e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës. Gjatë kësaj bisede procesverbalin e mbajti Bardhoshi, andaj të gjitha këto që po i them unë tashti janë të shënuara në shkrimin e tij. LNÇ e Kosovës doli me qëndrimin që të gjitha organizatat ekzistuese politike në Kosovë dhe jashtë të bashkoheshin në kuadër të një Lëvizje të vetme, me një Program, një Statut dhe një Platformë sipas të cilës mendonim se si fazë të parë, duhej luftuar për një Republikë Shqiptare në kuadër të Jugosllavisë. Kurse OMLK-ja i kishte edhe tezat e shkruara (e rishkruara nga Jusufi – shën im) dhe angazhohej për një front, i cili do t´i bashkonte të gjitha grupet dhe organizatat, kurse në ballë të kësaj Lëvizjeje, apo fronti, të vihej pikërisht Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës e cila duhet ngritur në Partinë Marksiste-Leniniste të Kosovës. Ne nuk pranuam një gjë të tillë me arsyetimet tona dhe bindjen tonë se ishim të detyruar që të gëzonim përkrahjen edhe të shteteve tjera e në veçanti të shteteve tradicionalisht mike të kombit shqiptar si Gjermania, Austria, Hungaria, Turqia etj.” (Intervistë në Zëri e ribotuar në Drita, Trelleborg-Suedi, nr. 10/1997)

Sabri Maxhuni – Novosella: ” Me shpresë se do të arrihej bashkimi i orga­ni­zatave në një Lëvizje Kombëtare, ku do të bash­kohen veprimtarët, pavarësisht nga përcaktimet e tyre politike, isha përgatitur t’i prisja përfaqësuesit e OMLK-së. Në Aeroportin e Stambollit dola për t’i pritur së bashku me Sabri Kosovën, duke besuar se do të vinte edhe Jusuf Gërvalla, por Jusufi nuk pati mundësi të vinte për shkak të dokumenteve të udhëtimit ende të parregulluara. Ishte vendosur të vinte Bardhosh Gërvalla. Në aeroport arritën Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. U habita kur e pashë vetëm Kadri Zekën si përfaqësues të OMLK-së. Bardhoshi më tha se Kadriu kërkon që shoku që më shoqëronte të mos merrte pjesë në bisedime. Edhe përkundër dëshirës, e pranova propozimin.

U vendosëm në një hotel të Stambollit dhe pas një pushimi disaorësh i filluan bisedimet, unë dhe Bardhoshi, si përfaqësues të LNÇKVSHJ-së dhe Kadri Zeka, si përfaqësues i OMLK-së. Unë dhe Bardhoshi dolëm me propozim që të bashkohemi në një Lëvizje Kombëtare, pavarësisht përcaktimeve politike duke u mbështetur në qëllimin kryesor, çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkimin me shtetin shqiptar, respektivisht krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve të vet kombëtarë. Kadri Zeka i kishte sjellë “Tezat për krijimin e frontit popullor të Kosovës”. Unë dhe Bardhoshi i lexuam ato teza me vëmendje të posaç­me. Tezat ishin të qarta: kërkohej bashkimi i të gjitha organizatave dhe grupeve politike në një front, i cili do të udhëhiqej nga Organizata Mar­k­siste-Leniniste e Kosovës, e cila duhej të ngrihej në Parti Marksiste-Leniniste të Kosovës. Në të vërtetë, kjo ishte kopje identike e ndërtimit të piramidës shtetërore në Shqipërinë komuniste. Dhe, tragjedia qëndron pikërisht këtu: këtë ndërtim piramidal dëshironin ta bartnin në organizimin e emigra­cio­nit shqiptar në Perëndim!?

Gjatë tri ditëve u debatua me orë të tëra. Unë dhe Bardhoshi sillnim argumente se duhej një Lëvizje Kombëtare që do ta gëzonte përkrahjen e shteteve evropiane dhe të botës perëndimore në përgjithësi dhe të shteteve ku vepronin, siç ishin Turqia, Gjermania, Zvicra. Kadriu pohonte se si fitorja e proletariatit ndërkombëtar është e pa­evi­tue­shme dhe se, sipas tij, e vetmja ideologji e drejtë është ideologjia marksiste-leniniste. Vetëm komu­ni­stët janë të denjë për ta udhëhequr luftën për çlirimin e Kosovës.  Kadriu propozoi që Metushi të jetë kryetar i Frontit Popullor të Kosovës, por gjithsesi komu­nistët duhet ta kenë Partinë Komuniste të Kosovës.” (Rezistenca kosovare mes dy zjarresh, Prishtinë 2010, faqe 154-156)

Jusufi nuk ka përgatitur asgjë me shkrim për bisedimet e Stambollit të tetorit 1981, as Bardhoshit nuk i ka thënë asnjë fjalë për ndonjëfarë Lëvizje për Republikë apo Kombëtare. Jusufi është pajtuar me germën dhe me frymën e Tezave rreth Frontit për Republikë, ashtu si ai i ka lexuar ato dhe si ua ka përcjellë vetë të tjerëve. Në Stamboll, gjatë bisedimeve Kadriu jep sqarimin e vetë konkret e lakuriq se si duhet lexuar tezat:

 – Jo parti pararojë (Jo Parti Komuniste Marksiste-Leniniste) e përbërë nga anëtarë të organizatave të tjera, por vetëm nga radhët e OMLK-së,

 – vetëm anëtarët e OMLK-së janë marksistë, komunistë të formuar,

 – në organizatat tjera të tillë nuk ka, prandaj të tjerët – në Front për Republikë, nën udhëheqjen e OMLK-së.

 Bardhoshi u kthye nga Stambolli me sa më kujtohet të premten në mbrëmje më 16 tetor 1981. Në këtë datë bazohem në faktin se Panairi i librit i Frankfurtit, në vitin 1981 është mbajtur prej 14 (e mërkure) deri më 19 (e hënë) tetor 1981. Me Jusufin dhe shumë shokë të Shtutgartit ishim organizuar të shkonim në Panair. Por, Panairi në ditët e para (e mërkurë, e enjte dhe e premte) është i rezervuar vetëm për konferenca e tubime për ata që kanë ftesa e rezervime për ligjërata të ndryshme, ndërsa të shtunën dhe dielën është i hapur për të gjithë. Kështu, saktësisht në ditën e parë të hapjes së Panairit të librit në Frankfurt, për publikun e gjerë, dhe pikërisht, në kerr, në autostradë, gjatë rrugës për në Frankfurt, Bardhi na e shpjegoi mua e Jusufit rrjedhën e bisedimeve në Stamboll, ndeshjen e cakërrimet frontale rreth Frontit, në mes Kadri Zekës dhe Sabri Novosellës. Jusufi rrjedhën e këtyre bisedime e kishte dëgjuar qysh të premten në mbrëmje, por kishte dëshirë që Bardhi ta përsërit tregimin e tij edhe në praninë time e për mua.

Bardhoshi tregoi se bisedimet në mes Sabri Novosellës e Kadri Zekës sa i përket bashkimit ishin të shkurta, dhe u ndërprenë shumë shpejt pasi Kadri Zeka tha se nuk ka ardhë të bisedoj për bashkim.

Thelbin e bisedimeve ai e tregoi me këto fjalë:

S. Novosella: Mund të fillojmë bisedimet për çka jemi mbledhur, bisedimet për bashkimin e organizatave në një të vetme?

Kadri Zeka: Ne jemi për krijimin e një Fronti në bazë të këtyre tezave, i cili do të udhëhiqet nga OMLK!

S. Novosella: Ne kemi menduar se do të vish për çështjen e bashkimit të organizatave. Është çështja e këtyre bisedimeve për shkak të të cilave ne e kemi pezulluar nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” qe disa muaj!

K. Zeka: Unë nuk kam autorizim me bisedua për bashkimin më shumë se ajo që thash, e që është në teza!

S. Novosella: Atëherë pse ke ardhur?

K. Zeka: Që të shihemi!

S. Novosella: Sa për t’u parë, mua më shumë më ka marrë malli për familjen time që nuk i kam pa qe dy vjet.

K. Zeka: Jusufi nuk pajtohet me ty, ai është krejtësisht në pozitat e Tezave tona. Këto teza që po i sheh në tavolinë janë të radhitura e rishkruara nga Jusufi.

S. Novosella: Jusufi pajtohet me mua dhe jo me ty.

K. Zeka: Ty ka me të dalë punë me Jusufin!

S. Novosella: Jo mua po ty ka me të dalë punë me Jusufin kur ta merr vesh thelbin e interpretimit të këtyre tezave që nuk ke guxua me ia bërë atje, por ke ardhë tek unë.

K. Zeka: Çka jeni kapë aq shumë pas atij njeriu?

S. Novosella: Është punë për ne për kend kapemi. A jam duke të pyetur unë ty se pse je kapë aq shumë pas këtij apo atij njeriu?!

Bardhi tregon se gjatë kthimit, Kadriu ishte si një tjetër njëri. Atij dhe shokëve të tij më të ngushtë iu kishte ra sharra në gozhdë tepër keq. LNÇKVSHJ-a u kishte dalë kafshatë që nuk kapërdihet aq lehtë. Për dallim nga Kadri Zeka, Bardhi nuk e ka ndier vehten për asnjë moment keq nga kjo rrugë, edhe “pse Sabri Novosella sillet shumë keq jo vetëm ndaj Kadri Zekës por edhe shokut të Organizatës së vetë Bardhoshit.”

Duhet të ketë thirrur me histerizëm në drejtim të Kadriut!

Në vend të përshëndetjes mirëseardhëse Sabri Novosella duhet të ketë thirrur me histerizëm në drejtim të Kadriut: “Nuk pranoj të bisedoj me një komunist si ju të OMLK-së!”

I. Kelmendi: “Kur shkuan në Turqi Kadri Zeka e Bardh Gërvalla për t’u takuar me Sabitin, në tetorin e vitit të kaluar, në vend të përshëndetjes mirëseardhëse, Sabiti duhet të ketë thirrur me histerizëm në drejtim të Kadriut: “Nuk pranoj të bisedoj me një komunist si ju të OMLK–së!” (Atentatet, f. 387)

Sipas skenarit të figurës frontale të Frontit të UDB-së, Sabri Novosella është dashtë t’i drejtohet me histerizëm Kadriut, por kështu nuk ka ndodhë. Kurrë nuk ma ka marrë mendja se debati apo falsifikimi i ngjarjeve të bëhet e të bjerë deri në këtë nivel sa primitiv aq edhe qesharak.

Sipas kësaj logjike (jo perverse) rrjedh se gjuhë të përbashkët, mirëkuptim e biseda të këndshme pune me komunistin Kadri Zeka, ka mundë të bëjë vetëm armiku i diktaturës komuniste dhe i sistemit komunist, I. Kelmendi.

 Kur e paska marrë vesh Sabri Novosella se Kadri Zeka është anëtarë i OMLK-së, e komunist? Sipas kësaj del se ai këtë nuk e paska ditë derisa u takua me Kadriun në Stamboll, se Jusufi nuk e paska informuar Sabriun se Kadriu po vjen tek ti, si komunist e si anëtarë i OMLK-së.         

Prapë se prapë unë e kuptoj se për çështje ideore e ideologjike nuk është punë e lehtë të merresh me Sabri Novosellën për shkak të stabilitetit të palëkundur në këtë drejtim dhe njohurive të tij të thella. Por është një aspekt tjetër shumë më konkret që e bënë Sabri Novosellën ndër personat më të përsosur dhe ai është aspekti ekonomik, tregtar. Po të kishte pas asi parimi Sabriu, që të mos flas me komunist, atëherë ai kurrë nuk kishte me e lejua atë (Kadriun) të tregohet aq i pakujdesshëm me të hollat e fituara nga puna e tij, kurrë nuk kishte me e lejua të harxhohej kot deri në Stamboll, ta bënte gjithë atë troshak kot së koti. Sabriu qysh atëherë ka qenë i kujdesshëm të mos e harxhoj askënd, as t’i lodhë të tjerët që fjalët e tij t’i mbledhin si trohët e bukës në sofër. Kujdesi për trohët e bukës në sofër, për mos me ba troha kot së koti, i Sabri Novosellës është i patejkalueshëm.

Thelbi i prishjes së Sabriut me Kadri Zekën në Stamboll qëndron në faktin se Kadri Zeka e ka fyer Sabriun duke i thënë se ai (Sabriu) nuk është komunist i modës sikurse që janë ai vetë (Kadri Zeka), Mehmet Hajrizi e Brat Berat Luzha. A ka fyerje më e rëndë e ulje e reputacionit se sa ta akuzosh një rrobaqepës të klasit të parë se nuk din çka është moda, se nuk është në gjendje ta përcjellë modën.

Saime Isufi: “Më 18 tetor të vitit 1981, u nisa përsëri për në Zvicër. Kadriu nuk ndodhej në Zvicër. Ai kishte qenë në panairin e librit në Frankfurt dhe pastaj kishte udhëtuar me Bardhosh Gërvallën në Turqi, për bisedime rreth bashkimit të organizatave me udhëheqësin e LNÇKVSHJ, Sabri Novosellën. Në banesën e tij na priti Hasan Malaj, mua dhe Berat Luzhën. Me Hasanin, që atë natë udhëtuam diku në Gjermani për të marrë Kadriun. U takuam me Kadriun. Dukej shumë i lodhur, i rraskapitur, por edhe i dëshpëruar nga takimi që kishte pasur me Sabri Novosellën. Ai nuk i kishte përfillur, bile i kishte fyer e poshtëruar atë dhe Bardhosh Gërvallën.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f .98)

Kjo informatë është shumë domethënëse. Kadri Zeka, pas kthimit me Bardhin nga Stambolli, nuk shkon në Zvicër, po drejtë e në Gjermani tek Ibrahim Kelmendi.

 Ismail Kadare: “Në mbarim të vitit 1981 në panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore, pata rastin të takoj për herë të parë e të fundit shkrimtarin, gazetarin dhe personalitetin e shquar të Kosovës, Jusuf Gërvallën. Erdhi te stenda e librit shqiptar së bashku me të vëllanë një ditë shiu, pa rënë fare në sy, midis dhjetëra vizitorëve. Trupmesatar, gjysmëbiond ai kishte në tërë qenien e tij atë lloj thjeshtësie dhe paraqitjeje të zakonshme, pas të cilës ndihet menjëherë thellësia dhe e pazakonshmja. Biseduam gjatë atë ditë midis rrëmujës së panairit dhe pastaj më gjatë në mbrëmje në një kafe të qytetit. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.” (Jusuf Gërvalla, Rrotull, Tiranë 1983, faqe 3)

VIJON …

_________________

KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (2)

Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 24. 04. 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura