KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (III)

Pashtriku, 7 gusht 2020: Pa UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare Kosova kthehet në një parcelë të gjithkujt
Millosheviqi ndërmori të gjitha monstruozitetet por, pa sukses, u përballë me Jasharët e Mëdhenj, me Prekazin, me Gllogjanin, me Drenicën, me Dukagjinin, me Llapin e Gollakun, me Nerodimen, me Sharrin, me Pashtrikun, me Rugovën, me Anamoravën e Anadrininë etj. Megjithatë, përsëri iu dha leje në verën e vitit 1998, përsëri në tetor, në dhjetor, edhe në janar 1999, përsëri në shkurt… E nuk pati më kohë se djemtë e UÇK-së nuk u mposhtën, ata do të ishin çdo ditë më të fortë. Detyrimisht iu mbarua uji Millosheviqit. Ai tashmë nuk kishte asnjë mundësi për t’u përballur me UÇK-në. Në betejë hyri bota moderne, por tashmë jo kundër UÇK-së, por kundër Millosheviqit. Kam besuar se për të vendosur drejtësi, por po krijoj idenë se ajo ndërhyrje ishte për ta shpëtuar Serbinë tashmë pa Millosheviqin, që ishte konsumuar për politikën ndërkombëtare. A mund të jetë kjo e vërtetë?
Por çfarë ndodhi më tej? Në fillim UÇK-ja u vlerësua me nota shumë të larta, si forcë tokësore e NATO-s, që duke bashkëpunuar me të, NATO-ja edhe nëse do të kishte nevojë për forca tokësore, nuk do të ishte nevoja sepse do të shfrytëzohej UÇK-ja që ishte në terren e që i plotësonte të gjitha kriteret. Më e shumta që mund të bëhet për këtë, do të duhej të armatosej me disa armë moderne. Kush ka dëshirë të marrë informacion më të gjerë për këtë, le t’u referohet librave të presidentit Bill Klinton “Jeta ime”, sekretares së shtetit Medlein Ollbrajt “Zonja sekretare”, komandantit të NATO-s gjeneralit Uesli Clatk “Të bësh luftë moderne” etj. Në të gjitha është e thënë gjithçka qartë.
Por lufta mbaroi dhe në plan të parë doli çmilitarizimi i UÇK-së, si kusht për mirëkuptim në rrugën e bërjes së Kosovës së pavarur. U pranua me besim, por më duket se paska qenë me hile. Pas çmilitarizimit të UÇK-së, doli se TMK-ja si trashëgimtare e saj nuk duhet të ketë armë, por duhet të jetë si një force logjistike. U pranua edhe kjo si mirëkuptim. Por ja që u kërkua të kalohej në Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe këto duhet të ishin shumetnike. Por realisht cili është roli i NATO-s sot në Kosovë? Ajo e përfaqësuar nga KFOR-i, pretendon të jetë këshilluese për Forcat e Sigurisë së Kosovës, por nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e, për rrjedhojë, nuk e njeh shtetin e Kosovës. Kjo forcë konstruktive në vitin 1999, nuk di si mund të qëndrojë akoma me mendësinë e vitit 1999. Si duhet ta kuptoj këtë? A nuk duhet ta kuptoj si një hile për shqiptarët dhe për Kosovën në veçanti? Për mua kjo forcë do të duhej të kishte përgatitur deri tani forcat e Armatosura të Kosovës që do të jenë nesër luftarake e do të bëhen anëtare të NATO-s. Deri tani nuk është punuar fare për t’i përgatitur forcat ushtarake të Kosovës me standardet e nënreparteve ose reparteve të NATO-s, sepse nesër ajo forcë do të jetë ushtria që do të jetë garantë e sigurisë dhe krenarisë së Kosovës. Ky është një tregues i qartë i faktit se këtu po qëndrohet hiq e mos këput siç i themi ne shqiptarët. Mirëpo me hiq e mos këput nuk ndërtohet jeta kombëtare e shtetërore, pasi ne do të jemi këtu jetë pas jete deri në fund.
Prandaj pretendojmë se nuk është mirë të shkojmë me mendimin “le të kalojë edhe dita e sotme”. Unë kam pretendime, pasi jam i gatshëm të bëj sakrifica për ndershmërinë. Por jo sakrifica duke lëshuar pozicionin e arritjeve kombëtare.
Pikërisht këto janë hapat që duke i hedhur një nga një, Serbia arriti deri aty, sa pa bërë asnjë kërkim faljeje për krimet që ka kryer, po na akuzon se ne jemi kriminelët që paskemi bërë krime mbi serbët. Prokurorët specialë ndërkombëtarë për krimet në ish-Jugosllavi, ngritur me vendim të OKB-së, mbështetur në dëshmitë e Serbisë dhe agjentëve të saj, na arrestuan mjaft prej djemve të luftës si kriminelë lufte, na i dënuan pa asnjë fakt e mjaft prej tyre fituan pafajësinë.
Dhe tani akuza ndaj UÇK-së për krime lufte hyri edhe në politikë. I zgjedhuri i Evropës për t’i bërë akuzat në interes të Serbisë ishte një zviceran që kishte qenë përkrahës i flaktë i Serbisë dhe kundërshtar i egër i luftës çlirimtare të Kosovës. Ky akuzues politik tashmë nuk do të bënte akuza për vrasje, por për kanibalizëm. Ai do ta akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në tërësi dhe udhëheqësit e saj në veçanti, se kur ishin në vijat e frontit, nuk e kishin mendjen se si do të mund të arrinin të fitonin mbi pushtuesin serb, por se si mund të siguronin ndonjë serb të shëndetshëm që të mund t’i merrnin organet për t’i shitur diku. Nuk e di nëse njerëzit normalë do ta konsiderojnë një ndjesi të tillë si të mundshme në këto situata, kur në Kosovë ishin jo pak, por mbi 72 mijë ushtarë e policë, me detyrë të asgjësonin shqiptarët. Po kështu edhe 63 mijë serbë civilë të armatosur, mbi 8 mijë paramilitarë, mbi 5 mijë kriminelë e disa qindra agjentë të UDB-së, të cilët çdo ditë luftonin me forcat e UÇK-së dhe vrisnin e masakronin qytetarë të paarmatosur dhe sot secili prej tyre është dekoruar mbi tri herë nga Beogradi, pikërisht pse ka vrarë e masakruar shqiptarë në shtëpitë e tyre. Këto forca kishin në dispozicion edhe disa qindra tanke, disa dhjetëra helikopterë luftarakë, disa dhjetëra aeroplanë gjuajtës-bombardues, disa qindra gryka zjarri artilerie të kalibrit të madh, qindra raketa kundërtanke me një përdorim dhe disa dhjetëra raketa që shpërndanin secila në një sipërfaqe 1 hektar, 298 granata të cilat shpërthenin rreth një metër mbi sipërfaqen e tokës etj. Dhe mbi këto, krimet i kanë bërë luftëtarët e UÇK-së, që kanë pasur vetëm armë krahu dhe kanë qëndruar përballë këtij arsenali serb.
Sidoqoftë, duhet të vlerësojmë se tashmë kemi një akuzë dhe përballë saj duhet të jemi aktivë për të sqaruar gjithçka e për të bërë që opinioni të kuptojë se janë këto akuza një abuzim, apo janë të vërteta.
Vetëm në asnjë mënyrë nuk duhet ta ngatërrojmë luftën që është e shenjtë, me pretendimet që mund të kemi për qeveritarët e sotëm. Unë do të kërkoja prej të gjithëve që të distancohen nga këto kombinime. Pasi duket se është organizuar mirë aktiviteti antishqiptar, për ta krijuar idenë se këto që na qeverisin sot, ishin kriminelë para se ta merrnin pushtetin në Kosovën e çliruar. Ashtu sikurse po punohet që duke sjellë pengesa në qeverisje e në rritjen e mirëqenies së qytetarëve kërkohet që qytetarët ta krijojnë mendimin se ishin më mirë nën Millosheviqin se sa sot që janë të lirë. Këtë mesazh po tentojnë ta japin edhe serbët, ashtu edhe segmente të ndryshme evropiane, e shumë mbështetës e mbrojtës së interesave serbe, duke krijuar pamje nga më të pakuptueshmet për portretin e shqiptarëve. Dhe kjo duke përdorur atë “përkëdheljen” për shqiptarët, duke thënë “ne i duam shqiptarët, ne duam thjesht luftëtarët e UÇK-së t’i kriminalizojmë, sepse nuk mund të bëjmë çfarë duam në Kosovë, në qoftë se do t’i kemi ata nëpër këmbë”. Këtë duhet ta kuptojnë qytetarët e Kosovës, intelektualët dhe politikanët. Të mos bien në kurthin e përkëdheljeve të atyre që duan ta përbaltin UÇK-në dhe luftën e saj. Duhet ditur se pa UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare Kosova kthehet në një parcelë të gjithkujt, ndoshta edhe serbe. Por askush nuk duhet të mashtrohet prej atyre që kanë dëshirë të ndodhë kjo. Kosova përjetësisht do të jetë e lirë dhe me histori të shenjtëruar mbështetur mbi luftën e të gjithë brezave, përfshirë edhe luftën finale, Luftën Çlirimtare dhe Ushtrinë që e barti atë luftë.
Trafiku i organeve njerëzore nëpër shpella, a mund të jetë e vërtetë?
Tani flitet shumë për transplantimin e organeve njerëzore. Më parë kisha menduar se kjo praktikë në trupin e njeriut është shumë e vështirë dhe bëhet në raste të veçanta e me shumë analiza. Dhe realisht kështu mendoj edhe aktualisht, se nuk është e lehtë të bësh transplantimin e organeve njerëzore.
Por ja që kur po lexojmë politikisht, po duket se gjithçka është e lehtë. Një ditë po bisedonim me një grup intelektualësh dhe njëri prej tyre po thotë se një ministër kishte vjedhur mbi 200 milionë euro.
– Janë shumë – i thashë.
– Ia kanë parë në çantën e dorës në aeroport duke ikur për jashtë shtetit, – ishte përgjigjja e tij.
– Më vjen keq që nuk e di se paraja është letër dhe letra bëhet prej druri, – ia ktheva unë.
– E di, e di – u përgjigj ai.
– Nëse e di, duhet të dish edhe se druri ka peshë dhe volum. E 200 milionë euro, po të ishin vetëm 500-she, kanë një masë prej një metër kub. Kurse nëse janë 100-she e 50-she, do të duhet të ngarkohen kamionë të tonazhit të rëndë, e ato nuk mund të futen në një çantë dore siç pretendoni ju – e sqarova.
– Ndoshta keni të drejtë – e uli zërin bashkëbiseduesi.
E solla këtë shembull për të arsyetuar se vijnë momente kur edhe njerëz të shkolluar bien në kurthin e thashethemeve dhe flasin pa llogari e bëhen pre e injorimit. Dhe jam i bindur se sot shumëkush është nën atë kurth.
Kështu është edhe kjo puna e trafikimit të organeve njerëzore nëpër male e duke i siguruar ato duke prerë njerëz nëpër shpella, siç pretendon i quajturi Dick Marty, në raportin e tij, i cili ka marrë përgjegjësinë të mos jetë vetëm jurist, siç pretendon se është, por të jetë edhe shkencëtar i mjekësisë, nga më të fuqishmit, që të argumentojë se njerëzve mund t’u hiqen organet nëpër male e të futen nëpër xhepa, e kur të ketë nevojë dikush, mund t’i shiten nëse do të mund të merren vesh në pazar. Akuza që diktoi ngritjen e një gjykate ndërkombëtare e që po tenton ta njollos historinë e një populli të tërë.
Por realisht këto janë për të qeshur. Ama, në kushtet tona, kur po merren shumë seriozisht dhe po na akuzohen djemtë e luftës, me tendencë për ta quajtur gjithë UÇK-në një organizatë kriminale, është vërtet për të qarë.
Ndonjëherë në të ardhmen e largët mund vijë një kohë, që me një eshtër të vdekuri të ndërtohet plotësisht njeriu, ndoshta edhe me mendimet, dijet dhe njohuritë që ka pasur kur ka jetuar, pse jo edhe para dhjetë mijë vjetësh. Por sot jemi në kushte e kohë të tjera.
Unë kam lexuar se: “Shumë njerëz të cilëve iu nevojitet një transplantim veshke iu duhet të kalojnë vite të tëra me dializë në pritje që një organ i përshtatshëm të vihet në disponim për ta”.
Si ka mundësi, që është kaq e lehtë në lapsin e Dick Martyt, për të formuluar akuza? Si është e mundur që në institucionet evropiane të ngrihen organe ndërkombëtare për të bërë “drejtësi” me një “shkencë” të tillë? Kjo duket absurde. Kur të tjerët thonë se ka shumë vështirësi për t’u realizuar një proces i tillë transplantimi, na del se është aq e thjeshtë, sa mund të kryhet edhe nga një njeri i çfarëdoshëm, ani pse nuk është as mjek e as punonjës i shërbimit shëndetësor. Çdo njeri mund të zërë një njeri tjetër që e mund në rrugë, ta ulë poshtë, ta hapë në gjoks, t’i marrë zemrën ose veshkat apo ndoshta edhe organe të tjera, dhe të largohet. Duhet të ruhen njerëzit kur të shikojnë në rrugë ndonjë njeri që është më i fuqishëm se ata, pasi përbën rrezik për t’i grabitur organet jetësore. U bë kjo punë, si puna e hajdutëve të xhepave në autobusët urbanë në Tiranë në vitet ’90. Ndoshta ndonjë ditë do të dëgjojmë se një i tillë i ka marrë veshkën apo zemrën ndonjë qytetari duke lëvizur nga Kombinati në Kinostudio me autobusin urban.
Mua realisht më lind një pyetje: Trafiku i organeve njerëzore, a mund të jetë i vërtetë? Dhe me duket se në kushtet e UÇK-së kjo praktikë nuk mund të jetë e vërtetë. Dhe jam i bindur se në atë kohë as që i kishte shkuar në mendje ndonjë luftëtari se mund të ekzistonte ndonjë praktikë e tillë.
Unë e kuptoj se ai që ka përvojë për krime, kujtohet për gjithçka. Dhe shikoj se kudo ku janë masive krimet serbe, po lindin edhe krime shqiptare. Pra, po transmetohet si përvojë. Por, jo si përvojë për t’i përsëritur krimet, por për të krijuar alibi krimesh, që të rregullohen interesat e serbëve.
Serbia është përkujdesur me kohë që krimet t’ia adresojë UÇK-së dhe të krijojë terren të përshtatshëm për ta kriminalizuar atë. Por askush nuk e ka menduar se mund të arrijë deri tek e pamundura.
Praktikisht dhe shkencërisht konsiderohet e pamundur që të merren organe jetësore njeriu nëpër pyje.
Politikisht po, qenka e mundur, prej kur Karla Del Ponte dhe Dick Marty morën përsipër të jenë liderë të shkencës mjekësore megjithëse janë juristë.
Ne i njohim shpifjet serbe dhe, siç themi ne shqiptarët, për serbët “pjell edhe mushka”, por që të pjellë mushka në Zvicër, këtë nuk e kisha menduar kurrë, pasi gjithnjë kam menduar se atje peshohet me kujdes edhe puna, edhe fjala. Por, ja që fjala doli se u shprehka edhe për interesa banale personale, duke vënë në lëvizje një Evropë të tërë.
Sidoqoftë, ne duhet të sqarojmë në radhë të parë veten tonë, se në kushtet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, askush nuk ka pasur mundësi dhe as njohje për të bërë monstruozitete të tilla, jo më t’i ketë kryer.
Në radhë të parë se një aktivitet i tillë ishte i pamundur, pasi UÇK-ja ishte nën vëzhgim të të gjithë organizatave të inteligjencës së shteteve të botës dhe të gjitha mediave botërore.
Së dyti, se ajo ishte duke vepruar në Kosovën e pushtuar dhe në Shqipëri, që ishte një shtet i cili nuk kishte marrë përsipër asnjë obligim për ta ndihmuar UÇK-në dhe luftën e saj, përkundrazi në gjithë rrugëkalimet ishin ngritur postblloqe policie, të cilët inspektoheshin, përveç prej shtetit, edhe prej ekipeve të dendura të OSBE-së.
Së treti, në atë kohë ishte problem për të gjetur një mjek apo punonjës të shërbimit shëndetësor, për t’i lidhur plagët e luftëtarëve e jo më për të krijuar mundësi për marrje organesh njerëzore.
Së katërti, ishte problem, të merreshim me krijimin e kushteve për të mbajtur robër serb, në një kohë, kur nuk kishte mundësi për të siguruar kushte minimale për luftëtarët që përballeshin me serbët.
Së pesti, në përgjithësi, siç duket, nga listat e të humburve serbë që kam parë, në media, internet etj., duket se janë të gjithë ata që pretendohet se janë marrë për transplantime organesh jetike njerëzore, të cilët kanë qenë efektiva ose të policisë, ose të ushtrisë ose të paramilitarëve serbë. Mua më tërheq vëmendjen ky fakt, pasi kur paskan pasur mundësi për të bërë një veprimtari të tillë kriminale, këta “kriminelët” e UÇK-së, pse paskan zgjedhur të tillët, por nuk kanë marrë mbarë, gra, vajza, fëmijë, të rinj e të reja, qytetarë të zakonshëm, por paskan përzgjedhur pikërisht ata që kanë qenë të armatosur dhe kanë luftuar kundër tyre? Shumë e shëmtuar si shpifje. Logjika më e thjeshtë njerëzore qesh me këto. Por ja që luftëtarët e UÇK-së po i merr një nga një në gjykim, duke u kërkuar se si janë kryer veprime të tilla dhe po tentohet të ngrihen edhe alibi dëshmish, duke bërë përpjekje të gjenden hapësira thjesht që të shpifet kundër luftëtarëve.
Së gjashti, nuk kuptoj si ka mundësi që mediat e instaluara në Kukës në atë kohë nuk arritën të shikojnë qoftë edhe një episod të vogël të këtyre dukurive, kur paskan qenë kaq gjëra të mëdha. Por dolën disa të tjerë që nuk e dinë fare Kukësin, nuk e dinë fare as Burrelin e as Fushë-Krujën dhe na bënë zbulime të jashtëzakonshme e arritën të gjejnë kriminelët që paskan organizuar një luftë vetëm për përfitime personale, ani pse ata në atë kohë nuk dinin gjë për këto çështje?
Sot nuk është vështirë të kriminalizohet dikush, sepse shkenca, si në të gjitha drejtimet, ka arritur mjaft edhe në drejtimin e manipulimit të fakteve. Por që të manipulohet një luftë dhe një plejadë luftëtarësh, vetëm pse prishën interesat e Serbisë me luftën e tyre, këtë nuk duhet ta lejojmë kurrë, pavarësisht se është bërë pjesë e kësaj loje të ndyrë edhe një pjesë e politikës evropiane, duke u mbështetur në shpifjet e paguara të eksponentëve të Serbisë që kanë depërtuar në gjirin e saj.
Por, mbi të gjitha, nëse do të konsultojmë literaturë të mirëfilltë të mjekësisë mbi transplantimet e organeve jetike njerëzore, do të shohim se si marrësi i organit ashtu edhe dhuruesi duhet t’u nënshtrohen disa parimeve që kërkojnë zbatim korrekt të gjitha kërkesave për vlerësimin e riskut, që fillojnë me njohjen e mirë të marrësit dhe dhuruesit në jetën e tyre shëndetësore, duke vlerësuar se sa ata kanë qenë të shëndetshëm në jetën e tyre, sa u janë nënshtruar mjekimeve, si e kanë gjendjen e forcës së kockave e të muskujve, si janë ushqyer, çfarë infeksionesh kanë kaluar etj. Po kështu, vlerësohen edhe masat për parandalimin e infeksioneve, përgatitjen e rrugëve të lidhjeve etj. Cilësia e organeve, lidhjet e grupeve të gjakut dhe indeve etj. Dhe për të gjitha këto e mjaft probleme të tjera që shoqërojnë këtë proces, kërkojnë laboratorë shumë të specializuar (sidomos ato, të cilët përcaktojnë pajtueshmërinë indore).
Për të marrë njohuri për këto çështje praktikisht, rekomandoj që të konsultohen:
1. Heart Disease 6 th EDITION, (Sëmundjet e zemrës, botimi i gjashtë), botim i vitit 2001. Në ShBA – anglisht.
2. NEPHROLOGIE (Nefrologjia), me autor Gabriel Richet, botim i vitit 1989 në janar, në Paris, Francë – frëngjisht.
VIJON …
———————
KUDUSI LAMA: UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10356

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura