“STUDENT POLITIK” I ADEM DEMAÇIT, NË MASTER TE OLIVER IVANOVIQ KURSE DOKTORATURËN TE ZORAN GJINGJIQ

“STUDENT POLITIK“ I ADEM DEMAÇIT, NË MASTER TE OLIVER IVANOVIQ KURSE DOKTORATURËN TE ZORAN GJINGJIQ

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Edhe pa presion, “Zajebnica“ po kalon

Albin Kurti dhe LVV-ë nuk e kanë asnjë përgjegjësi për Zajebnicen e vitit 2013 dhe 2015. Në këtë pikë janë të pastër si loti i Shën Mërisë së Virgjër. Mirëpo, Albin Kurti ka përgjegjësi që Zajebnicen e ka keqpërdorur për ta fituar pushtetin  duke shkaktuar edhe viktima në njerëz, aktivistë të sinqertë dhe patriotë të vendosur. Edhe unë kam qenë kundër Zajebnicës, jam edhe sot por ç’vlerë ka kjo?! Albin Kurti edhe sot manipulon me Zajebnicën ndonëse e ka pranuar dhe do ta pranojë sepse është mjet për të mbetur në pushtet sikur që ishte mjet dhe armë për të ardhur në pushtet. Këtu nuk ka parime sepse parimet mbështeten në moral. Këtu po zbatohen parimet e Janusit, parimet e dyfytyrësisë; për përdorim të brendshëm Zajebnica nuk kalon, për përdorim të jashtëm Zajebnica ka kaluar, mundësisht me ambalazhim (emër) tjetër kurse përmbajtja mbetet e njëjtë; ajo e vitit 2013. Mashtrime janë premtimet ndërkombëtare se nuk do të lejojnë pushtet të tretë, se nuk iu duhet Republika Srpska, se ky mekanizëm parashtetëror do të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetuten e Kosovës.  Mirosllav Lajçak është rrenc, është mashtrues, është hipokrit por, kur ta rreh pyka – pykën bëhet i sinqertë, jo shkaku i Kosovës por shkaku i Serbisë. Ai është i pakompromis me ndjenjat dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës dhe i lakuriqon politikanët e Kosovës deri në paturpësinë e tyre. Madje, nuk ua lë mundësinë që as pjesët e turpshme t’i mbulojnë me gjethe të fikut. I nxjerrë në tërë lakuriqësinë e tyre të mashtrimit. Dje, ishte shumë i qartë; pa Zajebnicë nuk ka marrëveshje me Serbinë dhe se vetëm marrëveshja e vitit 2013 është e vlefshme, ato 15 propozime mund t’i varni në bisht të sorrës. Pak ditë më parë , tupanxhiu i Qeverisë Kurti 2  Përparim  Kryeziu deklaroi se Mirosllav Lajçak nuk e ka lënë asnjë nga 15 propozimet dhe praktikat botërore për Asociacionin mbi tavolinën e qeverisë. Dje , gazda i Përparimit tha se këshilltarët e tijë po studiojnë këto 15 propozime . Kush po rrenë në këtë mes , Lajçaku , Përparimi apo Albini! Gjykojeni ju , lexues të nderuar, nuk e keni aspak vështirë ta gjeni të vërtetën. Presioni i ndërkombëtarëve është i jashtëtakonshëm edhe kundër qeverisë dhe kryeministrit Kurti ashtu edhe kundër opozitës. Vetëm bombën atomike ende nuk e kanë nxjerrë si kërcënim dhe shantazhim. Serbia i përballon këtij kërcënimi, Kosova jo. Sikur gjithmonë që e ka bërë. Në fund të fundit, ndërkombëtarët nuk lodhen aspak që t’i bëjnë presion Serbisë, janë në anën e tyre, Kosovën po e dhunojnë duke e detyruar të pranojnë një marrëveshje të keqe, propozimin franko – gjerman apo evropian e që qenka noterizuar nga amerikanët . Nuk po lënë rrugë tjetër për Kosovën përveç që ta pranojë këtë propozim duke e futur në rrugë pa dalje kurse Serbinë e kanë futur në autostradë ku i ka të hapura të gjitha rrugët. Ky propozim ka pasur kuptim pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kurse , tani është përpjekje që përmes menaxhimit të krizave ta shtyjnë zgjidhjen fillimisht për 10 vjetë , me mundësi vazhdimi edhe për një kohë të paafatizuar . Nuk na kanë lënë asnjë zgjedhje për ta bërë një zgjidhje ! Janë përralla se me këtë propozim Serbia de fakto e pranon dhe e njeh Kosovën kurse de jure do ta njohë kur të bën shelnja rrush . A ka bërë ndonjëherë shelnja rrush ?! Deri më sot jo. Na kanë dhunuar edhe ndërkombëtarët si dhe kryeministri Kurti me ate se marrëveshja për normalizim nuk do të nënshkruhet pa njohje reciproke në qendër , pa u anëtarësuar Kosova në OKB-ë dhe pa na njohur 5 shtetet mosnjohëse . Dy të parat nuk do të ndodhin , e treta vetëm pjesërisht. Vuçiqi arriti ta largojë nga marrëveshja njohjen reciproke në qendër duke e zëvendësuar me marrëveshje për normalizim të marëdhënieve. Kjo marrëveshje është e keqe për Kosovën , pa asnjë dyshim. Në momentin kur të formohet Zajebnica , askush më nuk do të merret me Kosovën . Me Zajebnicën dhe autonominë për serbët e që është shndërruar në kusht nga ndërkombëtarët, me statusin e Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë , Kosova e humb kuptimin e shtetit unitar ngase federalizohet nga brenda . Po më habisin disa politikanë që janë bërë politikanë brenda natës dhe duke mjelur buallicat kur thonë se përveç njohjes de fakto , kjo marrëveshje siguron edhe njohjen de jure . Çfarë dioptrie shkurtpamëse politike ?! Nuk mbeti kush pa bërë presiom mbi qeverinë e Kosovës dhe kryeministrit Kurti si dhe ndaj opozitës për ta pranuar dhe nënshkruar këtë marrëveshje, me Zajebnicën në qendër ! Del një mashtrues institucional nga Gjermania dhe thotë se fiilimi ndoshta nuk është i mirë për Kosovën por fundi  qenka i mirë! Çfarë mashtruesi ! Me këtë marrëveshje Kosova po hynë në rrugën e shpërbërjes si shtet përmes federalizimit dhe pranimit të Serbisë si bartës i tapisë i , së paku 25 % territorit të saj. I tëri ky presion nuk po bëhet për të mirën e Kosovës . Tash , nuk pop bisedohet a duhet të formohet Zajebnica apo të pranohet plani frank – gjerman , po sajohen arsyetime për ta larë m… me sh…. Për ta ngrënë m.. për mjaltë . Se këtë e bëjnë ata që , në të gjitha regjimet kanë përfituar, që nga ish – Jugosllavia edhe Serbia , është e pritshme , e kanë mendësinë jugosllave dhe serbe , e kanë mendësinë e UJD –it , janë pakurrizorë dhe ameba njerëzore , politike dhe morale . Por se krijojnë arsyetime patriotë të dëshmuar edhe në rrethana shumë më të vështira dhe më të rrezikshme , këtë nuk po e kuptoj .

  Mbi titullin

Albin Kurti është deklaruar se është student politik i Adem Demaçit . Me asgjë nuk po e dëshmon . Retorikë mashtruese . Është e vërtetë që edhe Adem Demaçi si dhe unë i kemi besuar shumë Albinit dhe e kemi përkrahur , në të gjitha mënyrat në kohën kur të gjithë ia kthenin shpinën , kur të gjithë e gjykonin dhe e kryqëzonin . E më së shumti mentori i sotëm i tij , eminenca gri e të gjitha pushteteve në Kosovë , qeverisë , presidencës dhe Kuvendit  , Ton Surra . Përfitues i paraluftës , gjatë luftës dhe pas luftës , politikisht dhe materialisht ! Si student politik i Adem Demaçit , Albin Kurti ka rënë në provim kur ia ka mohuar përkrahjen Bacës Adem për President të Kosovës. Albin Kurti nuk është trashëgima kombëtare e as politike e Bacës Adem Demaçit . Është pikërisht e kundërta e saj. Mos t’i hapim letrat para kohe !

Oliver Ivanoviq ishte , pa asnjë dyshim kriminel lufte , përgjegjës i drejtpërdrejtë për vrasje të , së paku 40 shqiptarëve gjatë luftës , 10 të pas luftës dhe spastrimit etnik të Mitrovices së Veriut nga shqiptarët në shkurt të vitit 2000. KMDLNj –ë dhe Halit Berani i kanë thyer këmbët deri sa e futën Ivanoviqin në burg për ta dënuar shkalla e parë me burg. Presioni i Serbisë dhe ndërkombëtarëve dhe nënshtrimi i vendorëve e kthyen rastin në rishqyrtim . Serbia e bëri me qëllim  për ta vrarë , pëpr t’i mbuluar krimet dhe për ta mbyllur rastin me një faturë , me vrasjen e Oliver Ivanoviq. Ishte i turpshëm vendimi për një minut heshtje në Kuvendin e Kosovës për ta nderuar një kriminel lufte. Albin Kurti , si kryeminister foli fjalë të zgjedhura për Oliver Ivanoviqin , e rehabilitoi ate sikur të ishte ushtar i Hasan Prishtinës .

Zoran Gjingjiq ishte përkrahës dhe arsyetues i krimeve serbe në Bosnje , Kroaci  dhe në Kosovë . Për Kosovën kishte qëndrim shovinist , kërkonte kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe. Arriti që ta bind bashkësinë ndërkombëtare se Kosova duhet të ndahej dhe vetëm Legija e parandaloi këtë duke e vrarë Gjingjiqin . Zoran Gjingjiq nuk e ka bërë asnjë veprim pozitiv për Kosovën dhe shqiptarët . Në 20 vjetorin e ekzekutimit të tij u përkujtua me fjalë më të zgjedhura nga Veton Surroi dhe Albin Kurti sikur të ishte çlirimtari i Kosovës .  Vetonit i ka takuar ta bëjë këtë përkujtim , Albinit në asnjë mënyrë , si “ student politik “ i Adem Demaçit . Asnjëri nuk e përkujtuan Agron Haradinajn që ndërroi jetë ato ditë si pasojë e dëmtimeve shëndetësore gjatë luftës së fundit në Kosovë . As që e përmendën . Por , duhet të jemi të sinqertë dhe ta pranojmë se nga përkujtimi i Zoran Gjingjiqit që ia bëri “ studenti i dështuar politik “ i Adem Demaçit , kryeministri Albin Kurti solli shumë përfitime për qytetarët e Kosovës duke ia hequr disa dilema që e mundonin çdo qytetar ; cili ishte filmi i preferuar i Gjingjiqit dhe se cilës shkollë filozofike i ka takuar Gjingjiqi ? U lehtësuam të gjithë dhe tani bëjmë gjumë të qetë kur mësuam se Zoran Gjingjiq i ka takuar Shkollës Filozofike të Frankfurtit të filozofit Jurgen Habermas kurse që filmi i preferuar i Zoranit paska qenë Aleksei Rublev i regjisorit Aleksei Tarkovsky. Zoti është i madh dhe i mëshirshëm; kur u patëm dorëzuar dhe patëm rënë në depresion sepse nuk i dinim këto dy gjëra për Zoran Gjingjiqin , Albin Kurti na shpëtoi dhe na nxori nga ky dëshpërim individual dhe kolektiv . Kjo është tipike shenjë e Ndjenjës së Madhështisë që e ka shumë të theksuar Albin Kurti e që e pati dëshmuar  edhe gjatë takimit me presidentin Makron të cilit i ka ligjëruar për Revolucionin Borgjez Francez dhe historinë , kulturën dhe traditën franceza sikur edhe që e bëri me Havier Solanën gjatë vizitës që i bënë Muzeut Prado në Madrid ku një spanjolli të lashtë ( Solanës ) i mbante ligjerata për eksponatet dhe vlerat artistike të ekspozuara në këtë muze . Vë bast se kryministri Kurti as që e ka idenë se cilës shkollë apo mendimi filozofik i ka takuar Adem Demaçi e lëre më ta dijë se cili ishte filmi i preferuar i Bacës Adem !  Personalisht kam pasur besim të plotë te këta politikanë të Kosovës , të palëkundur atëherë dhe tani në Bacën Adem Demaçi , te Albin Kurti dhe te Kadri Veseli për të cilët kam besuar se janë të pakompromis në mbrojtje të interesit politik dhe kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve që duan të jetojnë me shqiptarë si të barabartë , si periudhë e përkohshme drejt synimit e që ishte dhe mbetet  bashkimi kombëtar ! Baca Adem Demaçi kaloi në përjetësi i nëpërkëmbur pikërisht nga shqiptarët e Albinit kurse Kadri Vesli u arrestua dhe po mbahet peng në Burgun racist të Hagës gjithashtu , në radhë të parë nga shqiptarët për lirinë e të cilëve në çdo çast ka qenë në gjendje ta jepë edhe jetën e tij . Këta nuk e kanë merituar fare këtë liri e fituar me shumë vuajtje , djersë dhe gjak , të Bacës Adem Demaçi , Kadri Veselit dhe shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre . Dikur aty ishte edhe Albin Kurti , bashkë me Bacën dhe Kadriun. Se ku është tash , shumë shpejt do ta marrim vesh , unë nuk kam shumë mëdyshje ! Madje as edhe një të vetme !

15 mars 2023  Prishtinë             Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura