KUJTIM MATELI: DODONA PELLAZGE DHE VENDODHJA E SAJ

Tiranë, 8 shtator 2017: Para pesë vitesh, pas botimit të librit “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, Tiranë 2011, akademik Muzafer Korkuti dha një intervistë në lidhje me vendndodhjen e Dodonës pellazge. Në këtë intervistë kundërshtohej në mënyrë të prerë vendndodhja reale e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit duke pranuar për vendndodhje të Dodonës luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës. Kundërshtimin e tij e kam parë dhe e shoh si kundërshtim të vetë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përfaqësuesi më i lartë i së cilës ka qenë dhe është vetë z. Korkuti. Ndaj dhe ka patur vëmendjen maksimale nga ana ime.
Pas katër vjetësh punë këmbëngulëse, libri im i dytë vërteton se lugina e Carakovistës, nuk është vendndodhja e Dodonës pellazgjike, pasi aty nuk është gjetur asnjë mbishkrim që vërteton se ka qenë qyteti i Dodonës. Aty kryeperëndia nderohej si Di Naios, siç nderohej në çdo qytet të Epirit dhe Ilirisë. Butrinti nderonte Di Soter, qyteti Bylys nderonte Di Tropeos, qyteti Mavrora (Olimpe)- Di Megistos, qyteti Fotike- Di Dodonen dhe Di Sarpis, qyteti Pasaron – Di Aresios, qyteti Amantia – Di Boulaios, etj. Qyteti i Carakovistës që pretendohet si Dodona nderonte Di Naios. Kurse në të gjitha burimet historike thuhet se Dodona nderonte Di Dodonen.

Meqë akademik Korkuti, ka shprehur mendimin kundër vendndodhjes së Dodonës në rrethinat e Këlcyrës, lexuesi do të dëshironte që, para se të lexojë librin e dytë, të dijë se me cilat argumente Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e ka rrëzuar vendodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit.
***
Dodona dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
(Pjesë nga libri ”Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit (II)”)
Për vendndodhjen e Dodonës shprehu interesin e saj dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Dodona është cilësuar nga disa autorë si faltorja më e vjetër e Evropës. Me një fjalë, është zanafilla e shoqërisë njerëzore. Aty nuk janë vetëm rrënjët e atij populli që e krijoi dhe e solli deri nëshekullin e V pas Krishtit, por dhe të krejt shoqërisë evropiane.
Interesi për të është i mbarë Evropës. Ndaj kërkimet as kanë pushuar, as do të pushojnë ndonjëherë. Megjithëse Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka kundërshtuar vendndodhjen e Dodonës në rrethinat e Këlcyrës, unë përsëri e vlerësoj, sepse ky institucion që nga
koha e krijimit të tij (viti 1972), kishte heshtur për Dodonën. Fakti që hodhi hapin e parë dhe artikuloi qëndrimin e saj, do të thotë se Akademia e Shkencave e Shqipërisë, institucioni shkencor më i rëndësishëm në vendin tonë, është vënë në lëvizje.
Akademik Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante*.
“Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato diletantizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në kalanë
e Këlcyrës. Me këtë dua t’ju them se edhe ngritja e Monumentit të Pavarësisë në Tiranë është një diletantizëm” 1).
*Shënim : Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, qeveria shqiptare donte që të ngrinte dhe një monument tjetër të Pavarësisë në Tiranë. Ky veprim i qeverisë shqiptare u kundërshtua nga forcat politike në Shqipëri. Kundërshtim pati dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe konkretisht nga nënkryetari i saj në atë kohë z. Muzafer Korkuti. Po këtë kundërshtim, që mbështetej dhe nga opinioni publik, z. Korkuti e lidh dhe me Tempullin e Dodonës, i cili duhej kundërshtuar për të mos lëvizur nga Carakovista e Janinës në Këlcyrë të Përmetit.
Nuk është e qartë përse akademik Korkuti lidh dy objekte që nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Dodona qytet, bashkë me tempullin dhe orakullin e saj lulëzoi për gati dy mijë vjet dhe u zhduk aty nga shekujt V-VI pas Krishtit, ndërsa Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë për të cilën është ngritur monumenti ka vetëm 100 vjet. Dodonës edhe në ditët tona i kërkohet vendndodhja dhe shkruhen çdo vit dhjetëra artikuj dhe studime, ndërsa monumenti i Pavarësisë ndodhet atje ku dhe ka ndodhur ngjarja, në Vlorën e Flamurit.
Për Dodonën shkruhet e flitet mbi bazën e dëshmive të autorëve të antikitetit, të cilët kanë dhënë dëshmi të shumta për vendndodhjen e saj, por që vendndodhja ende nuk është e përcaktuar që të bindë plotësisht si botën shkencore e atë publike, ndërsa Shpallja e Pavarësisë ka vetëm një shekull dhe çfarë flitet në lidhje me të është plotësisht e qartë. Ky paralelizëm midis vendndodhjes së Dodonës dhe vendndodhjes së monumentit të Pavarësisë është i paargumentuar.
Dodona duhet të shkojë në vendndodhjen e saj reale që është në rrethinat e Këlcyrës, ndërsa monumenti i Pavarësisë duhej të qëndronte në Vlorë, në vendndodhjen e tij të vërtetë. Akademik Korkuti, për të kundërshtuar vendndodhjen e Dodonës në rrethinat e Këlcyrës, mbështetet mbi një argument që është i pakundërshtueshëm, si ai i monumentit të Pavarësisë në Vlorë, por që nuk ka asnjë lidhje me Dodonën.
Çfarë e lidh Monumentin e Pavarësisë me Dodonën? Asgjë.
Krahasohen dy objekte që janë të ngjashëm apo kanë diçka të përbashkët si: dy male për nga lartësia, dy qytete nga madhësia, dy lumenj nga gjatësia apo dhe tipare të tjera, por kurrë nuk mund të krahasohet një fushë dhe një mal duke u nisur nga lartësia e njërit dhe gjerësia e tjetrës. Dodona ishte qytet që kishte një tempull dhe orakull, dhe asnjë prej tyre nuk mund të krahasohet me një monument. Ajo që kërkohet nga një akademik si prof. Korkuti, është që të jepte përgjigje: përse Dodona nuk ndodhet në rrethinat e Këlcyrës.
Nëse institucionet shkencore në Shqipëri nuk e kanë një studim të tyren për të dhënë një përgjigje të saktë, atëherë duke qenë në krye të një institucioni shkencor, siç është Akademia e Shkencave e Shqipërisë (në vitin 2012 nënkryetar i saj dhe tani në pozicionin e kryetarit), duhet t`i hapë rrugën kërkimit shkencor, ashtu siç bën e gjithë bota e qytetëruar, kurse akademik Korkuti u vë kyçin diskutimeve dhe kërkimeve kur thotë:
“Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit”2).
Koha kur është bërë kjo deklaratë nga ana e akademik Korkurtit përkonte me 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Figura e Ismail Qemalit është një figurë e shenjtëruar për atë vepër të çmuar që bëri për Shqipërinë. Ndaj çdo mendim që vjen kundër me veprën e tij, është e vështirë të gjejë përkrahës në opinionin publik. Është kjo arsyeja që z. Korkuti i kundërvë studimit një figurë madhore si ajo e Ismail Qemalit. Në këtë mënyrë, akademik Korkurti do t’i thotë opinionit publik se kundër vendndodhjes së Dodonës në rrethinat e Këlcyrës nuk jam vetëm unë, por edhe Ismail Qemali, edhe akademik Kristo Frashëri që e ka shënuar në albumin e tij.
Po çfarë ka parë dhe çfarë na ka thënë në kujtimet e tij Ismail Qemali dhe që e ka risjellë në Albumin e tij akademik Frashëri? Ismail Qemali në “Kujtime” tregon se kur kishte qenë i ri, kishte shkuar për një vizitë tek pronat e një miku të tij në rrethinat e Janinës, në fshatin Melingus, që është rrëzë malit Uliçka. Në këtë luginë, ai kishte parë disa rrënoja për të cilat mendonte se ishin ato të Dodonës pellazge. Po të mendosh është një gjë dhe ta vërtetosh atë që mendon, janë dy gjëra të ndryshme. Ismail Qemali nuk ka ndonjë studim në lidhje me Dodonën. Atëherë si mund ta implikosh Ismail Qemalin me ata që e pretendojnë Dodonën në luginën e Carakovistës, vetëm se ky i kishte parë këto rrënoja? Në këtë rast akademik Korkurtit nuk i duhet argumenti, atij i duhet një emër i madh si ai i Ismail Qemalit, për ta bërë ta pavlefshëm vendndodhjen e vërtetë të Dodonës.
Po ne e njohim akademik Korkutin për shkencëtar dhe që ka zënë edhe kreun e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Meqë Profesori doli nga selia e Akademisë dhe iu drejtua opinionit
publik, duhej t`i drejtohej me mendimin e tij se përse është kundër vendndodhjes së Dodonës në rrethinat e Këlcyrës. Cilat dëshmi të autorëve të antikitetit apo gjetje të luginës së Carakovistës të bindinse Dodona është atje?
Po këtë nuk e bëri.
Argumenti: “Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit”, vetëm
argumentim shkencor nuk është. Politikani dhe diplomati Ismail Qemali do të besohej 100 përqind për atë që do të thoshte, nëse do të ishte i pranishëm në një ngjarje. Po këtu bëhet fjalë për një qytet, tempull dhe orakull të zhdukur në shekujt V-VI pas Krishtit, pra rreth 1500 vjet më parë.Duke e fshehur dështimin e institucioneve tona shkencore pas një figure madhore si ajo e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, akademik Korkuti kërkon të shfajësohet për dëmet që Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me heshtjen dhe mosveprimin e saj, i ka sjellë vendit tonë. Po a mund të mbrohemi apo të justifikohemi sot, pas një thënieje të Ismail Qemalit rreth vitit 1875?! Akademik Korkuti, në artikullin e lartpërmendur:
“Unë thashë që çdo ngjarje dhe çdo monument ka domethënien e vetë, ka kohën e vetë. Diletantizëm është që të lëvizësh një monument që i takon një fakti historik të njohur dhe ta çosh në një vend tjetër. Është me të vërtetë diletantizëm se shtrembërohet historia. Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëvizë tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike 3).
Kemi arritur në një tjetër çështje të rëndësishme. Kujt i ka përkitur Dodona? Për akademik Muzafer Korkutin ka rëndësi vetëm vendi. Kjo rëndësi e vendit konsiston në atë që ajo duhet të jetë në Janinë. Sa herë që mundohet të flasë për Dodonën, duhet ta shoqërojë atë dhe me
monumentin e Pavarësisë, sikur këto dy ngjarje të ishin binjake me njëra-tjetrën dhe lëvizja e njërit sjell ndryshime dhe në statusin e tjetrit. Janë dy statuse krejt të ndryshëm. Njëri i përket një institucioni fetar dhe tjetri një ngjarjeje politike. Dy statuse në dy vende të ndryshme: njëri në Vlorë dhe tjetri në vendin e gabuar, në rrethinat e Janinës. U përkasin periudhave të ndryshme kohore: njëri nga prehistoria e deri në fillim të Mesjetës, tjetri 100 vjet më parë.
Reagimin apo revoltën popullore që jep lëvizja e monumentit të Pavarësisë nga vendlindja e tij që është Vlora në një vend që nuk kishte lidhje me ngjarjen historike siç është Tirana (me përjashtim të faktit që është kryeqytet i Shqipërisë), kërkon që njerëzit ta përjetojnë në këtë mënyrë edhe lëvizjen e Dodonës nga Janina në Këlcyrë. Në rastin e parë ishte qeveria shqiptare që e bënte një veprim të tillë dhe, po të merrej një vendim, lëvizej monumenti dhe mjedisi përreth tij. Në rastin e dytë ishte një grup kërkuesish që, përveç konstatimit, nuk lëviznin dot dhe një gur pa miratimin e një institucioni shkencor apo dhe qeverisës.
Në rastin e parë lëvizej realisht një monument, sepse monumenti i ri i Tiranës që do të simbolizonte Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, do të thoshte që vendndodhja e vërtetë e ngritjes së Flamurit, që është Vlora, të mbetej në plan të dytë. Që Sheshi i Flamurit dhe monumenti Pavarësisë të zhvendosej realisht në Tiranë, pavarësisht se do të ekzistonin dhe në Vlorë. Atë padrejtësi që do të bëhej në Tiranë në vitin 2012, e kanë bërë dhe në shekullin e XIX (1878), kur e vendosën Dodonën në jugperëndim të Janinës. Në qoftë se u veprua drejt që monumenti të mos vinte në vendin e gabuar, a nuk është po aq e drejtë që Dodona të mos qëndrojë në vendin e gabuar?
Po akademik Korkuti na nxjerr një anë tjetër të shqetësimit të tij: atë të etnisë që s`paska rëndësi se cilit popull i përket? Po pse kjo mungesë interesimi për etninë? A thua, ne shqiptarët jemi të përjashtuar që të kemi qenë themeluesit e Dodonës pellazgjike? Në
Ballkan dy janë popujt që kanë jetuar në kohën kur ekzistonte Dodona, sepse Dodona erdhi deri në shek. IV pas Krishtit si tempull pellazgjik dhe në shekujt V-VI pas Krishtit si qendër peshkopale e krishterimit. Në këtë periudhë, të dokumentuar mirë nga burimet romake, dy kanë qenë popujt që kanë jetuar në këtë hapësirë për të cilën bëhet fjalë: shqiptarët dhe grekët.
Për grekët kemi këto njohuri:
A. Nuk janë pasardhës të pellazgëve, sepse e dëshmojnë të gjithë autorët e antikitetit dhe nuk e pranojnë as vetë, por thonë jemi pasardhës të helenëve.
B. Gjatë gjithë periudhës historike deri në fillim të shekullit të kaluar, i gjithë Epiri është banuar nga shqiptarët dhe është konsideruar territor shqiptar. Derisa faltorja e Dodonës nuk është vepër e helenëve, mbetet të jetë e shqiptarëve. Po në kushtet kur studim për Dodonën (si i vetmi studim shqiptar) merret ai i Perikli Ikonomit, i vitit 1934, kuptohet pse grekët e pretendojnë si të tyren dhe po kështu si helene e njohin dhe të tjerët.
Po pse Akademia e Shkencave e Shqipërisë hesht, kur në dritë kanë dalë fakte të reja që e përmbysin gjithë mashtrimin e bërë deri tani? Nëse ky institucion nuk është dakord, pse nuk argumenton shkencërisht, por i shfaqet publikut në rolin e opinionistit? Akoma mbetet mister kundërshtimi i akademik Korkutit, megjithëse kanë kaluar 4 vjet. Një institucion shkencor e ka detyrë parësore zbulimin e së vërtetës, ndryshe e humbet funksionin për të cilin është krijuar. Nëse do t`i shikojmë me kujdes të katër citimet e z. Korkuti që unë sjell në këtë parashtrim, ato nuk i përkasin stilit shkencor, por atij politiko-shoqëror. Zhveshja e kostumit të shkencëtarit dhe veshja e atij të opinionistit, nuk i përshtatet as institucionit që ai drejton, në këtë rast Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, as vetë z. Korkuti.
Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante.
“Dodona është në rrënojat e Melemingosë që më vonë u provua se ishte faltorja e famshme e Dodonës”. Këto janë thënie të Ismail Qemalit. Gërmimet që bëri arkeologu Karapanos dhe studiues të tjerë më vonë provuan katërcipërisht se Dodona gjendet rreth 25 km në jugperëndim të Janinës. E përmenda këtë fakt historik, këtë të vërtetë, sepse sot në shekullin e 21-të në Tiranë botohen libra dhe shkruhen artikuj në shtypin e përditshëm se Dodona pellazgjike qenka në malin e Tomorit, një tjetër në Ulqin dhe nja një muaj më parë e kanë lëvizur dhe e kanë çuar në Këlcyrë të Përmetit”.4)
Dodonën e sjellin në veri të Epirit vetë autorët e antikitetit. Nuk gjendet qoftë dhe një dëshmi e vetme që të thotë se Dodona ndodhet në mes të Epirit. Ndaj historia duhet të shkruhet ashtu
sikundër është. Paaftësia e një institucioni shkencor nuk mund të fshihet pas një figure madhore si ajo e themeluesit të shtetit shqiptar.
Ç`do të thotë e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali?
Ç`do të thotë është shënuar në Albumin e Kristo Frashërit?
Mos do të thotë se z. Korkuti, tashmë në pozicionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nënkryetar i saj në vitin 2012, kur ka dhënë këtë përgjigje, nuk mund të flasë ndryshe, meqë këto dy figura e kanë pranuar Dodonën në luginën e Carakovistës? Nëse është i bindur se Dodona ndodhet në Janinë, përse gjithë ky shqetësim?
Ismail Qemali në “Kujtime” tregon se kishte shkuar për një vizitë tek pronat e një miku të tij në fshatin Melingus, fshat që është rrëzë malit Uliçka, rrëzë të cilit janë këto fshatra: Milingous, Alphochori,Tcharakovista, Dramechous dhe Plessa. Në këtë luginë ai kishte parë disa rrënoja për të cilat mendonte se ishin ato të Dodonës pellazgjike.
Kristo Frashëri, “Album Ismail Qemali”, Tiranë 2012
“Dhjetë vjet më vonë, një mision shkencor francez, që kishte ardhur në Janinë deklaroi se çdo kërkim për faltoren e Dodonës në këtë rajon, ishte i kotë. Unë atëherë ndodhesha në Vlorë, me një shokun tim të fëmijërisë, Kostandin Karapanon, të cilit i besova përshtypjet e mia lidhur me rrënojat e Melingosit. Karapanos që ishte plot iniciativë, filloi pak kohë më vonë gërmimet dhe zbuloi faltoren dhe një sasi thesaresh arkeologjik të një vlere të jashtëzakonshme”5).
Lexuesi me të drejtë mund të pyesë: Si është e mundur që një ekspeditë arkeologjike franceze thotë se Dodona nuk ekziston në rrethinat e Janinës dhe një institucion shkencor, po francez, e certifikon Dodonën në rrethinat e Janinës? Arsyeja duhet të kërkohet tek mundësia e ekspeditës arkeologjike dhe pamundësia e komisionit që bëri certifikimin e Dodonës.
Misioni arkeologjik francez i bëri kërkimet në terren dhe topografinë e Dodonës e kërkonte sipas përshkrimeve të autorëve të antikitetit, ndërsa komisioni e certifikoi në një zyrë parisiene, pa pasur njohuritë e nevojshme për Epirin.
Përveç hartave të Epirit të asaj kohe që ishin me mangësi dhe hartës që u serviri Karapanos, ata nuk kishin asnjë mundësi tjetër. Koha po vërteton se të drejtë kishte misioni arkeologjik francez. Sot, pas 138 vjetësh, bota shkencore ende vazhdon të jetë në kërkim të
vendndodhjes së saj. Shkuarja tek Dodona e vërtetë, vërtet që i tremb ata që e kanë manipuluar dhe ata që e mbështesin atë verbërisht, por në këto kohë moderne nuk mund të vazhdohet me manipulime. Duhet shkuar tek e vërteta historike. Kush përfiton nga mashtrimi? Asnjë. As fqinji ynë jugor që e “mban” kurorën e saj padrejtësisht. As ne shqiptarët, që pajtohemi me vendndodhjen e saj të gabuar.
I gënjen mendja ata që mendojnë se përfitojnë, kur mashtrimin e ka bërë dikush tjetër për llogari të tij. Dodona pellazge është a-ja e qytetërimit evropian. Zbardhja e saj do t`u bëjë mirë jo vetëm shqiptarëve, por edhe fqinjëve tanë. Jemi në një epokë, kur të vërtetat nuk mund të fshihen dhe ata që janë përgjegjës për zbardhjen e tyre, nuk mund të heshtin.
_____________________
Bibliografi
1- Muzafer Korkuti, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
2- Po aty, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
3- Po aty, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
4- Po aty, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
5- Kristo Frashëri, “Album Ismail Qemali”, Tiranë 2012, fq. 22.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura