Ndërtimet Pellazgjike, Dëshmitarët e Heshtur të Origjinës Tone të Mohuar (VI)

Ndërtimet Pellazgjike, Dëshmitarët e Heshtur të Origjinës Tone të Mohuar (VI)

Nga Besnik Imeri, Vlorë 9 Korrik 2021

Një autor më i hershëm, Jovan Adami, lidhur me Gajtanin na thotë: “Muret e kalasë së Gajtanit, që vendasit e quajnë “qytet” e që janë akoma në këmbë, kanë një lartësi prej 1.50 m dhe një gjatësi prej më se 100 m…Muret në fjalë janë ndërtuar pa llaç e pa lidhje balte…duke qënë se gurët e përdorur janë të pagdhendur dhe të vendosur njeri mbi tjetrin, ashtu siç ishin këputur nga shkëmbi, vetvetiu do të krijonin boshllëqe ndërmjet shtresave. Boshllëqet mbusheshin me gurë të vegjël për të mbajtur një nivelim më të mirë. Gurët e mëdhenj të mureve janë vendosur në një mënyrë të tillë që formojnë dy mure paralele, të cilat duke u mbushur me gurë më të vegjël, krijojnë një mur të plotë me 3,50 m trashësi…Teknika e mureve të Kalasë së Gajtanit ndryshon krejtësisht nga ajo e mureve të qytetit të Lezhës, dhe të Apolonisë. Këtu kemi të bëjmë me mure ilire të një periudhë të hershme”. [1]

Gjithashtu  Edvin Zhakes tregon për teknologjinë e ndërtimit të mureve pellazgjikë: “Gajtani: Muret ishin ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj, të vendosur njeri mbi tjetrin pa llaç, kurse hapësirat midis tyre ishin mbushur me gurë të vegjël ose mesatarë. Muri ishte rreth 3 m i trashë. Kishte dy porta, ku më e madhja ishte 2 m e gjërë dhe e përforcuar me gurë të mëdhenj.”[2]

Në vazhdim Jovan Adami tregon: “…Në fshatin Dorës (Fig,nr.3), 20 km në jugperëndim të Tiranës, u zbuluan mure antikë, me gurë të mëdhenj dhe mesatarë, të palatuar dhe pa llaç. Ata nuk kanë ndonjë lidhje konstruktive të caktuar kështu që shpesh herë blloqet mbushen me gurë të vegjël…Një pjesë është me gurë të mëdhenj të papunuar, por që lidhen mirë me njeri tjetrin…Qyteza e Marshenjit ka po ato karakteristika si muret e Gajtanit. Përbëhet nga gurë të mëdhenj të shkëputur prej shkëmbit, të mbushur me gurë më të vegjël…” [3]

Por Edvin Zhakes na befason kur na thotë: “Akropoli i Trojës  në kodër me mure 7 metra të lartë, me gurë të palatuar; Ana e jashtëme ishte më e rregullt dhe më e lëmuar,  me gurë të vegjël që mbushnin hapësirat midis tyre (Rrëfim i Shlimanit). Shumë nga këta gurë e kalonin metrin në gjërësi dhe gjatësi.” [4]

Pra, në Mikenë, Tirint, Trojë, Vetulonia të Toskanës, Gajtan të Shkodrës, Dorëz të Tiranës dhe Marshej kemi të njëtin tip muresh. Duam apo nuk duam jemi para një fakti që nuk e ndryshojmë dot. Këtu atëhere, siç e them edhe në një vend tjetër, mund të kemi diferenca në kohë, por jo me mijëra vjet. Diferencat mund të jenë, e shumta, me një qind, dyqind, apo e shumta treqind vjet dhe kjo për faktin, se kjo është koha që i duhet “valës” së qytetërimeve të shpërndahet nga L në P, ose JL në VP, ose nga J në V.

Fig.nr.8. Mur prehistorik pellazgjik. Mikenë (Greqi).

Fig.nr.8/1. Mur prehistorik. Akropoli – Tirintit.(Greqi).

Fig.Nr.8/2. Mur prehistorik (Etrusk) Vetulonia në Toskanë. 

Mureve të qëndrave të banuara në Epir, të cilat quhen mure aiakide, nuk mund t’u mohohet një lashtësi më e madhe, e cila mund të datohet qysh nga fillimi i mijëvjeçarit të dytë p.e.s. dhe ndoshta edhe më herët. Shikojmë edhe një  rast tjetër ku një trakt muri prehistorik i Kalivosë, pothuajse, nuk ka  asnjë ndryshim nga një trakt muri prehistorik i Mikenës

Këto mendime po i ilustroj edhe me fotot e mëposhtëme Nr.9 dhe Nr.9/1, ku i pari, është muri i Kalivosë (Sarandë), datohet nga arkeologët tanë, Gjerak Karaiskaj në periudhen 700-500 p.e.s; ndërsa i dyti është mur në rrethinat e Mikenës, i cili datohet nga arkeologët e huaj në shekujt e XVI-XV p.e.s. Por, ndoshta edhe më herët. Pra diferenca në kohë është rreth 800-1000 vjet. Ky fakt, vështirë se  mund të pranohet, pasi teknika arkaike e njëjtë e ndërtimit të tyre; e   bën këtë diferencë të ndërtimit të tyre të dyshimtë. Shih fotot më poshtë.

Nëqoftëse do të pranojmë ekzistencën e Herkulit mitologjik; ekzistencën e Geronit si mbret i stërlashtë i Thesprotisë; ardhjen e Herkulit tek mbreti Ajdoneu dhe lirimin e Tezeut (të cilat që na i tregon dhe i njeh historia, duam apo nuk duam ne); atëhere duhet të pranojmë që muret e Kalivosë dhe ato të Mikenës janë të ndërtuara nga ciklopët ose gjigandët.

Fig.Nr.9. Mur prehistorik pellazgjik, Kalivo

Fig.Nr.9/1 Mur prehistorik pellazgjik, Mikenë.

Mur pellazgjik. Porta e Luanit. Mikenë, Greqi.

Shikojmë foton e hyrjes për në fortifikimin pellazgjik të Mikenës, i cili, pa kundërshtim është pranuar botërisht, të paktën, si i shek.XIV apo XV p.e.s. Nga fotua duke krahasuar përmasat njerëzore me ato të gurëve, padyshim, pranojmë që ndodhemi para gurëve megalitikë apo ciklopikë, të cilët për nga përmasat barazohen me gurët ciklopikë të Foinikes tonë. Por qëllimi ynë në këtë rast ka tjetër drejtim, atë të mënyrës së përpunimit të gurëve për ndërtimet e fortifikimeve prehistorike.

Disa nga arkeologët tanë, për t’u orientuar me kronologjinë e ndërtimeve të tilla nisen nga mënyra e përpunimit të gurëve; kur ata janë të papërpunuar i quajnë arkaikë apo prehistorikë, duke menduar se bëjnë një sakrilegj po t’i quajnë pellazgjikë, dhe i vendosin në fundin e periudhës së bronzit dhe fillimin e hekurit. Kur tek ata gurë që ndërhyn dora e njeriut duke i përpunuar, pra duke i sheshuar deri diku faqet e tyre mbështetëse, dhe më tej akoma, duke e ndërtuar murin me ta në rreshta; ata, moshës së tyre, nuk i japin më shumë se shekulli VI p.e.s. Shtrojmë pyetjen: është e saktë  kjo?!

Vendosim përpara tyre këta  gurë të vendosur në murin e hyrjes së Portës së Luanit në Mikenë, të cilët janë të punuar nga dora e njeriut, dhe i pyesim: të kujt shekulli janë këto mure  dhe kjo portë? A do të kenë guximin ata,  t’i quajnë të  shekullit të VI, V, IV apo të III p.e.s., siç quajnë muret e kalave të Foiniks, Lisit, Buthrotit, Nikaies, Olimpes, Amanties, të cilat edhe ato, përjashto trakte të veçanta, të akropolit apo themelit, apo  dhee të veçanta, që janë me gurë të papunuar, gurët e mureve të tjerë i kanë me gurë të punuar nga dora e njeriut etj?!

Të njëjtën pyetje do të bënim duke parë traktet e mureve ciklopikë me  gurë të punuar, madje të vendosur dhe në rreshta në mur, në Toskanë, Umbria, Siçili të Italisë; ato të Greqisë, Osanikut dhe Stolacit në Bosnjë-Hercegovinë, Tripoli, etj; të cilët arkeologët dhe historianët e vendeve të  tyre i quajnë mure ciklopikë, pra pellazgjikë, dhe, në asnjë rast nuk i vendosin në kohë rreth mesit të mijëvjeçarit të parë p.e.s. Me gurë të punuar nga dora  njeriut është ndërtuar edhe bazamenti i tempullit të Zeusit në Balbiek të Libanit, ku një gurë prej tyre peshon deri në 1000 ton, atëhere, në cilin shekull do ta vendosim ndërtimin e këtij bazamenti?

Dua të përmend edhe një tip tjetër ndërtimi muresh, me prerje dhe kllapa apo me “dhëmbë”, ku gurët futen dhe ngecin tek njeri tjetri si në kllapë. Shikojmë me vërejtje muret në figurat lart Nr.10 dhe poshtë Nr.10/1. Muret janë të njëjtë dhe me të njëjtën teknollogji ndërtimi me gurë të punuar, të prerë ose me kllapa. Aty shikojmë dy elementë identike: Gurë të prerë në kënde për t’ju përshtatur një guri tjetër dhe kanalet e shkarkimit të ujrave të hapur brenda një guri. Ndërkohë, që një mur i takon Çukës së Ajtojit në Kaoni; dhe tjetri qytetit të Argolidës në kodrat e Helenikonit 10 km në veriperëndim të Lernës antike (Por lugje për shkarkimin ee ujrave kemi edhe në muret antike të Lisit dhe ato të Amanties). Në datimin e tyre, përsëri kemi një diferencë prej rreth 1000 vjetësh, pasi muret e Çukës së Ajtojit janë datuar nga S.Islami rreth shekullit të V p.e.s.

Për mure me kllapa flet edhe studiusi Jovan Adami (të cilat i kemi përmendur më parë), i cili identifikon të ndërtuar me teknikë të tillë në Shqipërinë veriore muret e  Gajtanit dhe të Zgërdheshit. Por të tillë tip muresh nga arkeologët emërtohen edhe si mure trapezoidalë ose poligonalë. Ky është një emërtim i përgjithshëm i  këtij tipi muresh, të cilët edhe ata janë të prerë;  por nuk janë si muret poligonalë apo trapezoidalë, për të cilët po flasim, të cilët janë të veçantë, pasi veç prerjeve të drejta kanë edhe ndërfutje në formë ‘dhëmbësh’ apo kllapash.

Tipe të tillë muresh tregon Gjerak Karaiskaj në disa trakte muresh të Lisit të lashtë, Amanties (Ploçë të Vlorës), akropol të Butrintit, Çukës së Ajtoit që ai i quan mure trapezoidal-poligonal. Por ne shikojmë aty kllapa të ndërfutura dhe ‘dhëmbë’ gurësh që futen tek njëri tjetri.

Fig.nr.10. Mur prehistorik. Çuka e Ajtojit. Sarandë.

Tempulli i Zeusit në tokën e Kananit (Balbiek Liban)  

Fig.nr.10/1. Mur prehistorik. Helenikon-Argolidë (Greqi).

Vazhdojmë më tej dhe shikojmë tani trakte muresh pellazgjikë të këtij tipi në; vendbanimin pellazg të të Nikaies, Klos-Mallakastër; të Amantias (Ploçë-Vlorë), Kaonia Antike;  të Çukës së Ajtojit (Sarandë); të Buthrotit antik; të Kasopesë në Epir; trakte muri pellazgjik etrusk të Alatrit, Toskanë Itali;  trakt muri etrusk, pellazgjik të Orbetellos, Toskanë-Itali;  trakt muri pellazgjik  Athinë-Greqi; dhe trakt muri me kllapa dhe “dhëmb”, Lisi Antik.

Po t’i krahasojmë të gjitha këto trakte muresh prehistorikë, do të vërejmë njëjtësinë e ndërtimit të tyre, me të njëjtën teknikë të përmendur më lart, me gurë të punuar me shkallë, me prerje trekëndëshi, prerje të tjera, ‘dhëmbë’ dhe përshtatje të tjera për puthitjen e tyre me njëri tjetrin (me kllapa). Mënyra e ndërtimit të tyre dhe e paraqitjes së tyre në mur nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Ku është ndryshimi në teknikën e ndërtimit të mureve midis atyre të Matohasanajt, Amantias në Kaoninë antike dhe Nikaies, nga njëra anë; dhe atyre etruske, Orbetellos me Alatrin në Toskanë të Italisë, nga ana tjetër?!!!

Trakte muri me kllapa (dhëmbë), Nikaia, Klos-Mallakastër.

Trakt muri pellazgjik me kllapa (dhëmbë) Amantia, Kaonia antike.

Trakt muri pellazgjik me kllapa (dhëmbë) Çuka e Ajtoit.

Trakt muri prehistorik me kllapa (dhëmbë): Buthroti Antik. Kaonia.

Trakte muri pellazgjik me kllapa (dhëmbë), Kasope-Thesproti-Epir.

Alatri la città dei ciclopi Trakt muri me kllapa në Alatri – Toskanë.

Trakt muri me kllapa (dhëmbë) etrusk Orbetello – Toskanë (Itali).

Trakti muri etrusk me kllapa (dhëmbë). Toskanë-Itali

Trakti muri etrusk me kllapa (dhëmbë). Kortona-Toskanë-Itali

Trakti muri pellazg me kllapa (dhëmbë). Athinë-Greqi.

Trak muri me kllapa dhe “dhëmb”, Lisi Antik.

Ju lutem, ndaluni pak dhe shikoni në foton poshtë  traktin e murit të Kortonës etruske dhe traktin e murit të paraqitur, më poshtë tij, të Olimpes në Kaoninë antike që sot ndodhet në fshatin Mavrovë të Vlorës; nuk ka asnjë ndryshim. Duket sikur i ka ndërtuar një dorë dhe janë ndërtuar në të njëjtin vend. Madje këto mure kanë ngjashmëri të madhe edhe me murin pellazg të Foinikes.

Trakt muri pellazgjik, Etrusk në Kortona,Toskanë (Itali)

Trakt muri pellazgjik në Olimpe-Mavrovë. Kaonia Antike.

Trakt muri pellazgjik me gurë të punuar dhe me rreshta në Tripoli.

Pra po të shikosh në përgjithësi traktet e mureve pellazgjik, për të cilat folëm më lart,  në Epir, Ilirinë e Jugut, Ilirinë e Veriut në Bosnje-Hercegovinë, Itali, Greqi, dhe në Anatoli, Turqi, ato janë të njëjta, i njëjti stil, me rreshta, gurë pak të skalitur dhe të lidhur në të thatë, madje afërsisht janë përdorur gurë të së njëjtës madhësi. Atëherë, a nuk mund të themi për këto ndërtime pellazgjike, Epir, Iliri, Toskanë, Greqi, Turqi se: Ndërtimet janë NJË, kultura dhe qytetërimi është NJË.        

Në mbështetje të këtij mendimi na vjen edhe një pohim i Martin Bernal në lidhje me zbulimet arkeologjike në brigjet e Mesdheut:  “…shumë objekte Siriane dhe Egjiptiane të periudhës së viteve 3000 p.e.s janë gjetur në Kretë dhe në pjesë të tjera të Egjeut…ashtu si dhe në Lindjen e Afërme…këtu poçet e qeramikës nisën të prodhoheshin me anë të rrotullave, dhe gjejmë ngjashmëri të spikatuar midis sistemeve të fortifikimit të Cikladës dhe atyre të gjetura në Palestinë. Profesori i Arkeologjisë Peter Varren në Bristol dhe Colin Renfreu në Kembrixh, besojnë se këto zbulime kanë ndodhur në mënyrë të pavarur…Do të qe më korrekte të thuhej se zhvillimet në Egje ndodhën si rezultat i kontakteve të sjella nga tregtia me Lindjen…” [5]Kananët dhe Filistinët (Peleshtët) në Lindjen e Afërme si popuj pellazgjik janë dalluar për ndërtimet e tyre madhështore. Një prej tyre është tempulli i Zeusit në Balbiek të Libanit, të cilin e përmendëm edhe më lart.

Gurët pellazgjik që janë vendosur në bazamentin e tempullit të Zeusit të ndërtuar nga Filistinët (Peleshtët) në tokën e Kananit (Balbiek të Libanit të sotëm) kanë përmasa 20 m X 5 m X 4 m dhe peshë nga 8000 – 1000 ton. Të tilla përmasa madhështore kanë ndërtimet pellazgjike në Mesdhe. Madje edhe tempullin e Solomonit, me porosi të vet Solomonit, e ka projektuar dhe ndërtuar Fenikasi apo Kananiti Hiram.[6] Pra e ka ndërtuar një pellazg, me ndihmën e teknikëve dhe ustallarëve kananë dhe peleshtë, të së njëjtës racë me të, të racës pellazge, ashtu si pellazgët Jebusianë ndërtuan muret pellazgjike të kalasë së Jebusias, të cilin hebrejtë dhe Davidi pasi e pushtuan i ndërruan emrin nga Jebusia në Jeruzalem. Sot, ato gurë të mëdhenj të themeleve të kalasë antike në Jeruzalem, që vizitohen nga miliona turistë, nuk janë vendosur nga hebrenjtë, por nga pellazgët e Jebusias.

Në mbështetje të idesë se, ndërtimet pellazgjike kanë filluar të paktën në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, na vjen edhe një informatë interesante nga dy autorë seriozë të fundit të shekullit të XIX, Patrick Colquhoum dhe Pashko Vasa në librin e tyre “Pellazgët”: “Pellazgët ishin një popull ndërtimtar…Rrënojat e strukturave të tyre të madhërishme, që quhen ciklopike ose gjigande, gjenden në të gjithë Epirin, Itakën, madje dhe në Itali. Ndonëse nga tempujt e bukur, të ndërtuar 3000 vjet më vonë nga e njëjta racë kur u bë e civilizuar, kanë mbetur vetëm rrënojat që kanë mahnitur arkitektet pasardhës të të gjitha kombeve, edhe rrënojat më pak të sofistikuara ciklopike të një periudhe më të hershme, i kanë sfiduar kohërat.” [7]         

Madje këta autorë ndërtimin e tempujve e vendosin 3000 vjet më vonë se ndërtimi i fortifikimeve ciklopike. Me këtë përcaktim del se, nëqoftëse ndërtimin e tempujve e vendosim në mijëvjeçarin parë p.e.s, atëhere i bie që muret pellazgjike të kalave pellazge të jenë ndërtuar në mijëvjeçarin e katërt p.e.s. Këtu shtrohet një pyetje e thjeshtë: Ku jemi ne shqiptarët me datimin e mureve pellazge të kalave tona?!!!Nisur nga sa sipër, meqënëse pellaz

gët janë bërë të dukshëm me ndërtimet e tyre qysh në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, atëhere pa mëdyshje mund të flasim edhe për një qytetërim pellazg në trojet shqiptare 5000 vjeçar të ndërtimit të qëndrave të banuara, fortifikimeve dhe ledheve mbrojtëse.        

Kush janë faktet e tjera të këtij qytetërimi:

Dodona, orakulli më i lashtë dhe i vetmi i pellazgëve, sipas të dhënave të  të lashtëve.

-Amfiteatri i Dodonës, më i madhi i botës antike. Dh.Pilika thotë se amfiteatri i Dodonës kishte 22.000 vende, diametri 135 m në bazë dhe me 55 shkallë; ndërkohë që amfiteatri i Dionizit në Athinë kishte 17.000 vende, dhe ai Epidaurit në Argos 14.000 vende.[8] Ndërsa sipas arkeologut grek Nikos Papahaxhis, Epidauri në shkallaret e tij mban 12.300 spektatorë.

-Qyteti i Foinikes, më i madhi nga të gjitha qytetet helene. Me një sipërfaqe brenda mureve prej 57 ha (Neritan Ceka “Ilirët”, faqe 78), dhe me një gjatësi muri rrethues prej rreth rreth 5 km, i cili është 500 m më i gjatë se muri rrethues i Apollonisë në kohën e lulëzimit të saj. Gjerak Karaiskaj duke ju referuar C.Praschhniker thotë: “Muret mbrojtëse të Apollonisë me gjatësi 4500 rrethonin një sipërfaqe prej 130 ha.” [9]

-Dhimitër Pilika dhe Edvin Zhake thonë se muret e Foinikes rrethonin dikur një akropol shtatë herë më të madh se ai i akropolit të Athinës. Vetëm një nga sternat e Foinikes mbante një milion e gjysëm litra ujë.[10]

Amfiteatri Antik pellazg i Dodnës. 

Në lidhje me Foiniken, ndoshta, mund të mendojmë, se është një nga qytetet me të vjetra dhe me gurët ciklopikë më të mëdhenj në pellgun e Mesdheut, dhe, i krahasueshëm vetëm me disa mure ciklopike, hitite në Anatoli dhe etruske në Itali.

Në lidhje me Foiniken Polibi (II, 11, 7) ka thënë: “Foinike është qyteti më i pasur, më i fuqishmi dhe më i fortifikuari i Epirit[11]

-Nga burime të qëmoçme, tani vonë u hetua se kryeqyteti i Pirro Mollosit, Ambrakia, pat arritur një ngritje të tillë kulturore sa ishte stolisur, ndër të tjera, përveçse me dy teatro dhe nëntë muze të zbukuruar me statuja të shumta, por edhe me plot 1015 shtatore të ndryshme, numër ky mahnitës për cilindo metropol të rruzullit tokësor deri më sot. Mjerisht, të gjitha këto thesare u zhvatën me dhunë dhe shërbyen për të zbukuruar pallatet, sheshet dhe lulishtet e Romës.[12]

Ndërsa sipas Karl Patsh, muret e Lisit kishin një periferi aq të gjërë sa asnjë ndër qytetet e shumta greke në Evropë, Azi e Afrikë.[13]

-Shëtitorja e Antigonesë së Pirros ishte 6 metra e gjerë dhe 1 km e gjatë. “…Me sipërfaqen prej 47 ha dhe gjatësinë e mureve prej 2000 m, ai ishte një nga qytetet më të mëdha të ilirisë së Jugut dhe të Epirit…Një rrugë me gjatësi 900m (3000 këmbë epirote) dhe gjërësi 4,80 m përbënte aksin urbanistik të qytetit nga lindja në perëndim duke lidhur të dy portat kryesore të  tij. Në drejtim të kundërt e priste atë një tjetër Plateia – rrugë kryesore me gjërësi 6,80 m, që lidhte dy hyrje të tjera kryesore dhe përshkonte agoranë…”[14] Vetëm një popull i qytetëruar mund të shëtiste në një shëtitore 1 km të gjatë 2300 vjet më parë.

Përmendim edhe disa fakte për Teatrot, stadiumet dhe amfiteatrot të treguara nga Edvin Zhake: “Apolonia- 8000 vende, Bylis-9000 vende, Butrinti-1500 vende, Nikaia-1000 vende dhe stadiumi i Amanties-3000 vende.”[15]  Të bie në sy këtu, që Bylisi, një qytet ilir, apo edhe epirot, e kishte amfiteatrin më të madh se Apolonia, që mbahet për koloni greke. Pra, ilirët, kanë qënë më të fuqishëm, dhe më me kulturë se këta kolonë grekë, pasi kanë ngritur një teatër më të madh. Dhe, bëhet fjalë, pikërisht për atë teatër, që një farë Zgarboje, e quan teatër grek.      

Kjo kulturë dhe ky qytetërim i Epirit dhe i Ilirisë është ndërprerë në mënyrë të dhunshme nga pushtimi romak, i cili për nga pasojat nuk ka ndonjë ndryshim nga barbaria e fiseve gote dhe visigote, që shkatëruan për herë të dytë Epirin në mesin e mijëvjeçarit të parë të erës sonë. Straboni (VII,7) duke treguar situatën pas shkatërimeve romake në Epir dhe Iliri, shprehet se: “Gjithë Epiri dhe Iliria dikur ishin të pasura, kurse tani një pjesë e madhe e tyre është shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra dhe gërmadha të braktisura.”[16]

        Kush ka qënë Epiri në shekullin e III p.e.s, pra në kohën e paqes romake, e tregon Xhorxh.F.Uilljams: “Në Epirin e sotëm (1914) ku jetojnë në mjerim 600.000 njerëz, në kohën e paqes romake banonin 4.000.000 veta dhe në begati. Siç do ta shohim më poshtë nuk është natyra, por veprimet djallëzore, të cilat e kanë rrokullisur këtë vend nga lartësitë e lavdisë së lashtë në një shkretëtirë të vajtueshme.”[17]

Sipas Livit (XLV,34) Paul Emili…u dha urdhër ushtarëve dhe oficerëve për të grabitur qytetet e Epirit. Plaçka ishte kaq e madhe sa çdo kalorësi i  ranë nga katërqind denare, këmbësorëve nga dyqind dhe numri i skllevërve arriti 150.000. Pastaj u rënuan muret e qyteteve të grabitura, numri i të cilave ishte afro shtatëdhjetë…”[18]

Po kaq rënues ishtë shkatërrimi dhe grabitja që ju bë Ilirisë nga konsulli tjetër Luc Anici, i cili shpuri në Romë sipas T.Livit (XLV, 43)…njëzet e shtatë ponde ari, nëntëmbëdhjetë ponde argjendi, trembëdhjetëmijë denarë dhe njëqindenjëzetmijë monedha ilire argjendi…Antias thotë se nga shitja e plackës u nxorrën miliona sesterce, pa numuruar arin dhe argjendin që u derdhën në thesarin publik…Nga plaçka që u zu në Iliri kishte edhe 220 anije… [19]

Plini (Plaku), tregon me përpikëri se staujat e famshme të nëntë muzeve në Ambrakinë pellazge u vodhën nga romakët.

Polibi tregon: “…Marku (Fulb Nobilori, më 189 p.e.s) hyri në Ambraki…rrëmbeu shtatoret dhe pikturat që ishin në një numër të madh, pasi Ambrakia kishte qënë selia e Pirros. Përveç kësaj atij i dhururan një kurorë ari prej njëqind e pesëdhjetë talentesh…” [20]

 Plutarku shënon këto hollësi për  pritjen triumfale që ju bë Paul Emilit kur u kthye nga porti i Orikut në Romë: “…parakalimi zgjati tri ditë me rradhë; dita e parë mezi mjaftoi që të shiheshin statujat, tablotë dhe figurat kolosale, të cilat të ngarkuara në mbi dyqindepesëdhjetë karoca, paraqitnin një pamje imponente…i veshur me një robë të kuqe, të qëndisur në ar Paul Emili shtërngonte në dorë një degë ulliri…3000 burra mbanin 750 vazo të mbushura  secila me 4 talente (104,8 kg) argjënd dhe që çdonjëra prej tyre e ngritur në krahë prej katër burrash, 57 vazo plot ar me nga 3 talente (62,6 kg) secila, një kupë e artë që nxinte 10 talente (362 kg), si dhe shporta të mëdha me gurë të çmuar…”.[21] Pra gjithësejt rreth 75 ton argjend dhe rreth 5 ton ar i grabitur.

 Për shkatërrimet, djegiet e qyteteve dhe të banesave, rrëmbimin e gjithë pasurisë monetare dhe të gjësë së gjallë, vrasjet e popullsisë civile dhe marrjen si skllevër të 150.000 banorëve të Epirit nga konsujt romakë kanë shkruar Ciceroni, Tit Livi, Apiani, Polibi dhe Plutarku.

Tit Livi flet për sjelljen e konsullit romak Sulpic Galba në vitin 200 p.e.s në qytetin e lashtë të Antipatreas: “…dhe pasi i vrau të gjithë nga gjashtëmbëdhjetë vjeç e lart, e lëshoi ushtrinë në plaçkë, i prishi muret dhe i vuri zjarr qytetit…” [22]

Rrjedhojë e kësaj është fakti, që, sot e kësaj dite, arkeologët nuk e gjejnë dot këtë qytet se ku ka qënë. Por nuk është vetëm Antipatrea, por edhe Damastioni, Pelioni, etj qytete të tjera të lashtësisë që janë zhdukur nga faqja e dheut nga pushtuesit romakë.

Por humbja më e madhe për historinë tonë është shkatërrimi i Dodonës. Faktet e kësaj humbje të madhe i tregon Dhimitër Pilika:

“…Dodona njohu një lulëzim dhjetra shekullor deri në  shekullin e XIII p.e.s, periudhë kur filloi rënia e mbretërisë pellazge, që vazhdoi deri në rrafshimin e saj në vitin 219 p.e.s prej gjeneralit etolas, Dorimahut.

Vijmë në kohë më të reja, në mesjetë, në periudhën e perandorisë Bizantine, kur perandorët bizantinë Androniku dhe Kantakuzeni sjellin turqit selxhukë në Shqipëri, që vrasin, djegin dhe plaçkisin.

Por pas këtyre fakteve tronditëse cili është reagimi dhe pasqyrimi në to i historisë së shkruar sot në kohët moderne? Nisemi që nga historigrafia jonë, pa përmendur historigrafinë europiane, që nuk thotë gjë për këtë genocid të ushtruar ndaj racës tonë para 22 shekujsh e në vazhdim; por as për genocidin sllavo-helen të këtyre 150 vjetëve të fundit.  Ndërkohë që historigrafia jonë, akoma nuk ka arritur të gjejë hallkat në zinxhirin e këputur (siç shprehet Dhimitër Pilika) të etnogjenezës, pra të origjinës së popullit tonë; të cilën fatkeqësisht krahas groposjes së qyteteve, vendbanimeve dhe popullsisë së zhdukur, pushtuesit e fshinë me zjarr dhe hekur dhe e groposën edhe atë, memorjen historike të popullit tonë.

“…sot e kësaj dite, historigrafia e shumicës së vendeve europiane i përshkruan “bëmat” e sundimtarëve romakë dhe lavdinë e Romës pa mbajtur aspak qëndrim ndaj gjenocideve dhe plaçkitjeve të vazhdueshme që përbënin bazën e kësaj lavdie…krye aristokrati romak Paul Emili do të mbetet si njeri më mizorët kriminelë lufte që ka njohur historia e gjithë kohëve dhe vendeve…pasojat e asaj kërdie të pashëmbullt në rrafsh planetar, që u krye ndaj Epirit, ndihen akoma edhe sot; pas shkatërrimit me zjarr dhe hekur të Dodonës dhe 70 qëndrave urbane, kryesisht molose, u zhduken shumë unaza themeltare në zinxhirin historik dhe u pengua me shekuj zgjidhja e etnogjezës së shqiptarëve…”.[23]         

  Pushtimit një mijëvjeçar të Bizantit dhe stuhive barbare të gotëve, hunëve dhe sllavëve ju përmbyll pushtimi osman në mesin e mijëvjeçarit të dytë të erës sonë, i treti për nga barbaria, ndërprerja dhe kthimi mbrapa i gjithë qyteterimit europian të shqiptarëve, ishte dora e fundit që ju dha këtij shkatërimi. Por Epirotët, Ilirët, Dardanët, Paionët, Maqedonët, të parët e shqiptarëve, mbijetuan nga këto shkatërime dhe tragjedi gati biblike duke rezatuar kulturën dhe civilizimin e tyre të stërlashtë, i cili ka mbrritur  deri në ditët e sotme me një  shkëlqim të veçantë.

 Vetë ekzistenca monumentale e Beratit dhe Gjirokastrës, tregon se Aiaku është gjallë edhe si gurgdhëndës i këtyre qyteteve, mjeshtëri që është trasmetuar me skrupulozitet tek stërnipërit e tij. Këto dy qytete janë si dy margaritarë, që rrezatojnë shkelqimin e tyre në të gjitha trevat ballkanike dhe më gjërë; shkëlqim i cili është njohur dhe legalizuar edhe nga UNESKO, si një protuberancë verbuese e kulturës dhe civilizimit mijëravjeçar të banorëve të Epirit pellazg.

Tentativat e sotshme qeveritare duke lejuar dëmtimin dhe shkatërrimin e vlerave monumentale të trashëgimisë kulturore identitare në parqet arkeologjike të Butrintit, Foinikes, Amanties, Lisit, Orikut, Nikaies, Bylisit, Apollonisë, Dimalit, etj qytete të lashtësisë dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi; dhe akoma më keq, përpjekjet për ndryshimin, modifikimin dhe devijimin e këtyre vlerave origjinale identitare; bëjnë pjesë në ato synime të kahershme dashakeqe të mbulimit, mohimit, ndryshimit, dëmtimit dhe devijimit të historisë dhe kulturës mijëravjeçare të shqiptarëve.

Në mbyllje të këtij hulumtimi mund të themi se, ashtu si tek njerzit, edhe tek popujt dhe shtetet, ekziston një ndjenjë zilie dhe cmire për popuj dhe vende të tjera. Pas një ndjenje përbuzje të pashpallur të “perëndimit” për ne shqiptarët, ekziston dhe zilia dhe cmira për qytetërimin dhe civilizimin tonë mijëravjeçar, në veçanti, dhe për atë të vendeve dhe popujve me origjinë pellazgjike të Mesdheut, në përgjithësi. Por ajo që është më e rëndësishmja, që ata i bën ose duhet t’i bëjë ziliqarë, është fakti që ne shqiptarët zotërojmë margaritarin më të çmueshëm dhe më të bukur në botë: Gjuhën Shqipe.

 Mund të thoni ju pse? Sepse ne, popujt e vendeve mesdhetare, që nga malet e Kaukazit dhe deri tek “Shtyllat e Herkulit” (Gjibraltar), jemi trashëguesit e kulturës peellazgjike, një nga kulturat më të shkëlqyera të njerëzimit në agun e lindjes së saj. Meqënëse jemi tek ndërtimet pellazgjike, po qëndrojmë vetëm tek ky fakt. A keni parë në  vendet perëndimore, përjashto ato që lagen nga ujrat e Mesdheut, fortifikime apo kala megalitike? Nuk kini si t’i shikoni, për faktin e thjeshtë se ato nuk ekzistojnë. Por jo që nuk ekzistojnë sot, por që nuk kanë  ekzistuar as para njëmijë, dymijë apo trimijë  vjetësh. Nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Nuk ka të tilla në Europën Qëndrore dhe atë veriore, si në Austri, Gjermani, Hollandë, Belgjikë, Danimarkë, Angli, Skoci, Irlandë, Çeki, Sllovaki,etj, etj.

Në këto vende, po të shikoni me vëmendje, ka vetëm fortifikime mesjetare, fillesat e të cilave nuk e e kalojnë për më tutje, shekullin e XII të erës sonë apo mbas Krishtit, siç ata kanë qejf të shprehen. Përse mund të pyesi ju? Sepse kur “Lindja” dhe vendet mesdhetare shkëlqenin nga qytetërimi, ata ishin popuj “barbarë”. Pas njëmijë vjetësh errësire mesjetare të sjellë edhe nga krishtërimi, ata filluan të futen në rrugën e qytetërimit. Ishte Italia e para, kjo hyjneshë e qytetëruar, që i mësoi ata se çfarë do të thotë qytetërim; mësim ky që filloi qysh me Danten, vazhdoi me Leonardo Da Vinçin dhe përfundoi rreth shekujve të XVIII-XIX me poetët, skulptorët, muzikantët dhe piktorët më të shkëlqyer të njerëzimit.

Por as këto fortifikime mesjetare në këto vende nuk do të  ishin bërë, nëqoftëse nuk do të bëheshin sebep kryqëzatat, të cilat edhe ato, çuditërisht, filluan në shekullin e XII. Kryqtarët që shkuan në Lindje, dhe veçanërisht tempullarët, përveç se grabitën pasuritë e popujve të Lindjes, duke filluar nga Ballkani, Kostandinopoja dhe deri në Turqi, Siri, Liban, Irak, Kurdistan, Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji etj, etj; por ata morën me vete dhe gjithë arritjet e kulturës njerëzore dhe dituritë pellazgjike që nga fillimi i shoqërisë njerëzore, dhe i sollën ato në Europë.

Pikërisht, në sajë të këtyre diturive kozmike, që fillonin qysh me Thotin e Atlantës, pellazgët egjyptianë, kaukazianë dhe anatolianë, hititët, etruskët, shkëlqimin greko-romak, dhe vazhdonin me magët, persianët dhe arabët; të sjella nga templlarët, por edhe nga të tjerë të pashfaqur dhe të paidentifikuar nga historigrafia, bënë që Europa të ringjallej, lulëzonte dhe të bëhej ajo që është sot. Provë për këtë janë edhe imitimet në disa fusha: atë të  ndërtimeve antike egjiptiane dhe greko-romake, në Angli, Gjermani, Francë dhe deri në Amerikë; të filozofisë, shkencës, fesë, artit dhe ekonomisë.

Një pjesë e kësaj kulture që ata përfituan, është edhe kultura materiale, ose ajo në fushën e ndërtimit. Menjëherë pas kthimit të tyre, filluan të ngrihen nga princër dhe mbretër, si kërpudhat pas shiut, fortifikimet mesjetare në Europë. Pyesni gjithë ciceronët e këtyre kështjellave mesjetare, që sot janë shpallur muze, se kur janë ndërtuar ato; dhe në përgjigjet e tyre, nuk do të gjeni një kohë më të hershme se shekulli i dymbëdhjetë. Madje, po t’i referoheni edhe kronologjisë së ndërtimeve të mëdha në Europë, si për shembull katedralet, ato nuk e kalojnë shekullin e dymbëdhjetë. Por jo vetëm kaq, por edhe universitetet e para në këto vende janë krijuar pas shekullit të XII. Pikërisht atëhere, kur dijet erdhën nga Lindja dhe ndriçuan Perëndimin, pra këto vende.

Vazhdojmë me temën dhe vendin tonë. Nga mjaft studiues nuk kuptohet rëndësia e këtij qytetërimi shqiptar që rrjedh nga kjo kulturë materiale e trashëguar, dhe për bindje,  po i drejtohemi një dashamirësi të shqiptarëve dhe të kulturës së tyre të trashëguar,  Justin Godart. Ja se çfarë na thotë ai, një shekull para, në vitin e largët 1921:

“Pa u vonuar, Shqipëria duhet të inventarizojë dhe klasifikojë trashëgiminë e saj historike dhe artistike. Gërmime metodike do të nxjerrin në dritë qytete të rrënuara…Dhe ka fort të ngjarë që parahistoria do të gjente, në këtë vend kaq të vjetër, dokumente interesantë të origjinës së njerëzimit.”[24]

Përfundim brilant. Po është e vërtetë. Jo vetëm që do të gjëndej origjina pellazgjike e racës së bardhë, por nepërmjet gjuhës së shqiptarëve, vazhduese e drejtëpërdrejtë e pellazgjishtes, do të gjëndej kodi për t’u futur në misteret e diturisë njerëzore dhjetra mijë vjet më parë.

 Në këtë kumt jam përpjekur që, duke evokuar cilesitë, virtutet, kulturën dhe qytetërimin shkëlqimtar verbues të të parëve tanë, pellazgëve hyjnorë; të tregoj se këto cilësi, ky qytetërim brilant ndihet real tek ne, pasardhësit e pellazgëve; që pellazgët mos t’i shikojmë thjesht si një popull që i takon historisë dhe qe ka jetuar në parahistori dhe antikitet; por që jetojnë sot e kësaj dite tek ne, pasardhësit e tyre, ata janë në mishin dhe gjakun tonë me të gjitha cilësitë, virtutet, kulturën dhe qytetërimin brilant, pa asnjë ndryshim. Dhe këtë fakt duhet t’ia tregojmë botës së qytetëruar sot, vetë ne shqiptarët, nëqoftëse ata nuk arrijnë ta shikojnë, ne t’ua nxjerrim para syve. Kjo nuk është mburrje, është thjesht e vërteta, pasi kanë mbi dymijë vjet, që na marrin nëpërkëmbë. T’u tregojmë se kush jemi dhe me kë kanë të bëjnë. Këtë ta dinë mirë: armiqtë, por edhe miqtë.

___________________________  

Referenca:

42.  J.Adami,“Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”,Bot.“8 NËNTORI”-1983,f.133-134

 43. Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 27

 44. J.Adami,“Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”,Bot.“8 NËNTORI”-1983,f.133-134

  45. Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 14

 46. Martin Bernak,“Athina e Zezë”,Bot.55-2009,Përk.Dritan Thomollari-Iliriana Angoni, f.45

 47. Martin Bernak,“Athina e Zezë”,Bot.55-2009, Përk.Dritan Thomollari-Iliriana Angoni, f.213

 48. Patrick Colquhoum & Pashko Vasa, Pellazgët, Bot.Artini, Prishtinë-2017, Përkth.Angl.Majlinda Nishku, Përgatiti për botim Bejtullah Destani, f. 153

 49. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 346

 50. Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 50

 51. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 324

  52. Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në prehistori dhe antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 106

  53. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 351

 54.  Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 347

 55.  Neritan Cekaj, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f, 100-101

 56.  Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996,Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 114

  57. Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në prehistori dhe antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 86

 58.  George Fred Uiliams,“Shqiptarët”,Bot.Argeta-LMG,Tiranë-2003,Përkth.Angl.Akil Bubësi f.12

59.  Neritan Cekaj, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f. 120-121

  60. Neritan Cekaj, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f. 121

  61. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.351

 62. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.354

 63. Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.352

64.  Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.355-356

65.  Justin Godart, “L’Albanie en 1921”,PUF/Humensis, Paris 1921, “Shqipëria në vitin 1921”, Bot.shqip.FAN NOLI-2019, Përkth.Frëngj, Fation Peni, f. 219

  • FUND –

*** 

Ndërtimet Pellazgjike, Dëshmitarët e Heshtur të Origjinës Tone të Mohuar (V)

___________________

Besnik Imeri

(Marrë nga studimi “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)


[1] J.Adami,“Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”,Bot.“8 NËNTORI”-1983,f.133-134

[2] Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 27

[3] J.Adami,“Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”,Bot.“8 NËNTORI”-1983,f.133-134

[4] Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 14

[5] Martin Bernak,“Athina e Zezë”,Bot.55-2009,Përk.Dritan Thomollari-Iliriana Angoni, f.45

[6] Martin Bernak,“Athina e Zezë”,Bot.55-2009, Përk.Dritan Thomollari-Iliriana Angoni, f.213

[7] Patrick Colquhoum & Pashko Vasa, Pellazgët, Bot.Artini, Prishtinë-2017, Përkth.Angl.Majlinda Nishku, Përgatiti për botim Bejtullah Destani, f. 153

[8] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 346

[9] Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 50

[10] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 324

[11] Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në prehistori dhe antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 106

[12] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 351

[13] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 347

[14] Neritan Cekaj, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f, 100-101

[15] Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996,Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 114

[16] Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në prehistori dhe antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 86

[17] George Fred Uiliams,“Shqiptarët”,Bot.Argeta-LMG,Tiranë-2003,Përkth.Angl.Akil Bubësi f.12

[18] Neritan Cekaj, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f. 120-121

[19] Neritan Cekaj, Ilirët, Bot.ILAR-2001, f. 121

[20] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.351

[21] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.354

[22] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.352

[23] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f.355-356

[24] Justin Godart, “L’Albanie en 1921”,PUF/Humensis, Paris 1921, “Shqipëria në vitin 1921”, Bot.shqip.FAN NOLI-2019, Përkth.Frëngj, Fation Peni, f. 219

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura