KUR METODAT E ALEANCËS IZRAELITE UNIVERSALE MERRESHIN SI SHEMBULL NË KONGRESIN E ELBASANIT PËR PËRHAPJEN E GJUHËS SHQIPE (LETRA E MIT’HAT FRASHËRIT,1909)

Francë, 9 Nëntor 2018: “Journal de Salonique” ka botuar, të dielën e 12 shtatorit 1909, në ballinë, letrën e Mit’hat Frashërit, Nënkryetarit të Kongresit gjuhësor shqiptar të Elbasanit, dërguar asokohe Sam Lévy-t, drejtorit të po kësaj gazete, në lidhje me huazimin e metodave të Aleancës Izraelite Universale për përhapjen e gjuhës shqipe. Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë dokumentin ekskluziv për publikun shqiptar:
Elbasan, 8 shtator 1909.
I dashur drejtor,
Seancat e Kongresit vazhdojnë të jenë të rregullta dhe të qeta, pa devijuar nga linja e fiksuar në program. Por diçka do t’ju befasojë, ju që jeni shumë pak i befasuar nga ngjarjet sociologjike.
Që të kryejmë përhapjen e gjuhës shqipe dhe arsimimin në mesin e popujve tanë, organizata jonë ka nevojë për të ardhura dhe një plan të mirë-planifikuar. Kongresi vazhdoi me analogji, dhe pas një reflektimi të kujdesshëm, vendosi të marrë hua nga “Aleanca Izraelite Universale” metodat e saj të punës.
Ky institucion i fuqishëm, siç e dinë të gjithë, ka ndihmuar në nxjerrjen e hebrenjve spanjollë nga mjerimi moral që ishin para një gjysmë shekulli. Falë përpjekjeve të Aleancës, bashkësitë hebraike të Perandorisë Osmane po lulëzojnë në të gjitha këndvështrimet : intelektuale, morale dhe materiale.
Çfarë shembulli më të mirë mund të ndiqnin shqiptarët ? Veçanërisht pasi që këta shembuj i kemi nën sy dhe dorë. Një komision u emërua për të studiuar statutet e Aleancës Izraelite Universale, organizimin e saj shkollor dhe profesional, sistemet e saj të donacioneve dhe kontributeve, etj, etj.
E gjitha kjo është përkthyer në gjuhën shqipe dhe kongresi po përpiqet të përshtasë gjithçka sipas zakoneve të vendit tonë. Do të krijohen komitete lokale dhe rajonale për të rekrutuar anëtarë dhe për të bërë abonime periodike. Ideja e një komiteti qendror përgjegjës për drejtimin e gjithë organizatës financiarisht u miratua unanimisht.
Siç mund ta shihni, shqiptarët osmanë huazojnë nga izraelitët proçeset e tyre të punës. Kjo bashkësi idesh mund të sjellë vetëm avantazhe për të dy elementët që kanë një simpati të vërtetë për njëri-tjetrin. Kongresi nderon gjithashtu në mënyrë absolute Aleancën Izraelite Universale dhe shpreson që niveli i kulturës së shqiptarëve do të njohë të njëjtin sukses si ai i izraelitëve të Perandorisë Osmane, me të cilët ata ende duan të jetojnë në inteligjencë të përsosur.
***
Shfrytëzoj rastin t’ju jap disa shënime të shkurtra për qytetin e Elbasanit. Ne nuk mund të thuhet se është një vend shumë larg çdo qendre të civilizuar. Qyteti shtrihet në një zonë shumë të madhe dhe mund të strehojë dy herë e gjysmë më shumë se 15 mijë banorët që ka sot.
Shtëpitë janë mjaft të bukura dhe në brendësi të dekoruara me shije. Pjesa më e madhe e tyre janë të rehatshme. Rrugët janë mjaft të gjera, të shtruara mirë dhe të mirëmbajtura.Gjelbërimi është i bollshëm, sidomos pemët e manave.
Elbasani komandon në një zonë të madhe. Ai furnizon një numër të madh vendbanimesh. Burimet e tij kryesore janë mëndafshi (kultura e krimbit të mëndafshit) dhe duhani. Fushat që konvergjojnë në Elbasan janë të kultivuara me shumë kujdes, sepse shqiptarët janë fermerë të mirë.
Në këtë moment, dhe, them pa ekzagjeruar asgjë, nuk jemi të shqetësuar në rajonin e Elbasanit. Ne jemi këtu jashtë zonava në rrezik dhe më lejoni t’ju them se ky shqetësim ekziston më shumë në imagjinatën e njerëzve dhe gazetave sesa në realitet.
Nëse qetësia do të mbizotërojë në mënyrë të përhershme – dhe besoj se do të zgjasë përgjithmonë – bujqësia do të ketë një zhvillim të konsiderueshëm në rajonin tonë. Me bujqësinë në rritje, e gjithë pjesa tjetër do të shkojë mbarë dhe kështu do të shohim Shqipërinë të ecë së bashku me vendet më të lulëzuara të Perandorisë.
Gjëja më e sigurtë e progresit do të ishte përmirësimi i rrugëve, krijimi i punëve publike. Por kjo letër e dytë është tashmë e gjatë. Do të kthehem, në një të tretën, për këtë çështjen e punëve publike.
Mit’hati

Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura