(Pashtriku.org, 15. 10. 2012) – Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, Shoqëria e Studentëve Shqiptarë të universitetit të Lausannës (AEAUL) dhe dega e Shoqërisë Bashkimi Shqiptar në Zvicër (Dega e Lausannës) më 12 tetor 2012, organizoj një konferencë shkencore me Dr. Aref Mathieun, me temën: “Pellazgët – në zanafillën e qytetërimit grek”. “Grekët nuk kanë ekzistuar para shekullit VIII (P.E.S), ata erdhën pas kësaj periudhe dhe morrën perenditë, mitet dhe alfabetin e tyre nga Pellazgët. I ashtuquajturi qytetërim Mikenianë (1200/-800 p.e.s) nuk ishte grek por pjesë e civilizimit Pellazgjik. Gjuha, veshjet dhe civilizimi i Greqisë së lashtë janë të përafërt me gjuhën, veshjet dhe kulturën e veriut të Shqipërisë dhe Shqipëtarëve në përgjithësi, pasaardhës të Pellazgo-ilirëve….” Këto janë shkurtimisht tezat e Dr.Aref Mathieut, të cilat u pranuan nga juria e Universitetit prestigjioz të Sorbonës (më 3 janar 2012) ku me këtë rast z.Aref mori titullin e doktorit. Në përfundim të konferencës, u zhvillua edhe një debat i gjerë nbi temën e Dr.Aref Methieut “Pellazgët – në zanafillën e qytetërimit grek”.
Në vijim ju ftojë të lexoni fjalimin e Labinot Bislimit, të mbajtur në këtë konferencë shkencore:
………………………………………………….
LABINOT BISLIMI: SHQIPTARËT APO FJALA E RIKTHYER
Zoti Arif MATI, Zonja dhe Zotërinjë,
Së pari, dua t’ju përshëndes të gjithëve që keni pasur vullnetin dhe keni gjetur kohën për të qenë pjesëmarrës në këtë konferencë që na bashkon në një interes të përbashkët, në një pikë dhe pikëpyetje të veçantë historike të popullit tonë që sot po merrë një përgjigje shkencore, vështirë të luhatshme nesër. Dua t’ju shpreh se kam nderin dhe kënaqësinë të ndodhem sonte në mesin tuaj. Kam nderin dhe kënaqësinë të ndodhem në një amfiteatër të Universitetit të Lozanës të mbushur me shqiptarë dhe me dashamirës të shqiptarëve. Kam nderin dhe kënaqësinë, sepse kjo konferencë, sepse ky amfiteatër, ky vend dhe kjo prani shqiptare dhe e dashamirësëve të tyre ka një kuptim të veçantë.
Labinot Bislimi, Dr.Mathieu Aref, Blerim Osmani
dhe Mehmet Elezi – Ambasador i Shqipërisë në Zvicër.
……………………………………………………
Paraardhësit tanë shpikës të amfiteatrove
Ndoshta nuk e dini, por këtu e 2400 vjet më parë paraardhësit tanë bënë amfiteatrot e parë, ku disa prej tyre arrinin mbi 9 mijë ulëse. Në atë kohë, paraardhësit e shqiptarëve kishin lirinë e tyre dhe vetqeveriseshin duke i dhënë botës për dy mijë vjet radhazi mësimin e demokracisë. Në atë kohë, ata shpikën foltoren dhe nga ajo ishin të parët që biseduan për çështjet publike. Në atë kohë, ata mblisheshin në amfiteatre ku me rend kalonin në foltore apo qëndronin në ulëset duke dëgjuar gjerësa trajtoheshin problemet e bashkësisë (kolektivitetit). Në atë kohë mblidheshin për të folur dhe për të dëgjuar të tjerët. Pra në atë kohë ishim nga ata popujt e rrallë që kishte çka për të thënë dhe që kishte kuptuar se është në interesin e tyre vital që të dëgjonin njëri-tjetrin.
Me kalimin e kohës dhe me pushtimet e njëpasnjëshme amfiteatrot na i prishën. Na i prishën sepse ato ishin simbol i civilizimit tonë dhe, si të tillë, e kundërta e civilizimeve të pushtuesëve tanë. Amfiteatret ishin themeli i civilizimit tonë. Ato ishin qendrat e diskutimeve, të mendimeve, të vendimeve dhe nga ku rridhte zanafilla e çdo organizimi shoqëror. Nga aty fillonin ndërmarrjet tona kolektive dhe atje përfundonin. Aty konsolidonte populli interesin privat me atë publik, aty konsolidohej botëkuptimi ynë, aty konsolidohej fryma jonë.
Mirëpo, shpesh “ndjenja e përbashkët na bënë që të kundërvëmë universin e fjalëve, të cilat i konsiderojmë si të pa dobishme, me ato të veprave të cilat transformojnë realitetin në terren ”. Por, për politikologët, efektet e fjalëve të shumëfishuara nga jehona janë pjesë integruese e veprimeve efikase. Me termin “fjalë”, ju ftoj që të kuptoni të gjitha llojet e shprehjeve të njohura qofshin ato gojore dhe jo gojore, të shkruara, të shenjave dhe tjera. Me këtë mund të kuptojmë se para çdo veprimi, gjatë çdo veprimi dhe pas çdo veprimi fjala luan rolin e saj kyç të mirëkuptimit, të ndërlidhjes dhe koordinimit në hapësirë dhe në kohë në mes njerëzëve të një gjuhe.
Pra, çdo veprim në shkallën shoqërore do të ishte i pamundur të organizohet po që se ajo shoqëri nuk do të kishte zhvilluar një sistem të të shprehurit dhe të të kuptuarit të përbashkët.
Zhdukja e amfiteatrove si fillim i zhdukjes së një populli
Këtë sistem ku fjala-gjuha luante rolin e saj kyç në gjetjen e mirëkuptimit, ndërlidhjes dhe bashkërendimit shoqëror, pushtuesit u munduan shekuj me rradhë të na i zhdukin. Pushtuesit do të na preferonin të heshtur. Të bëheshim si ata popujt e shkombëtarizuar të guvernave të Perandorisë Osmane dy, gjashtë dhe shtatë që përshkruan aq bukur Ismail Kadare tek romani Pashallëqet e Mëdha. Politikat e “kra-kra-së “ kishin bërë, përshkruan Ismajl Kadare, që :
[Këta njerëz s’kishin më gjuhë të vetën, zakone, ngjyra, valle, alfabet, histori, kalendare, kronika, apo gojëdhëna. Gjithçka kishte humbur. Kujtesa e tyre ishte lëmuar dalngadalë, çdo gjë ishte fshirë…]
[…Gjithë jeta e tyre dukej e mbështjellë çuditërisht nga ca elipse, që s’të çonin asgjëkund e njëkohësisht nuk të lëshonin kurrë. Këto elipse prej vitesh kishin shkaktuar tek ata humbjen e konceptit të kohës dhe hapësirës, një farë statizmi, një farë rrotullimi në vend, zhdukjen e gjithçkaje konkrete, vite, data, emra dhe zëvendësimin e tyre me një brum të përgjithshëme anonim, të butë dhe rrëshqitës, pa kënde dhe maja, por gjithëmonë me forma të rrumbullakuara, që treten larg.]
Populli ynë, për dallim nga “popujt e shkombëtarizuar”, edhe pse ishte i pushtuar, ai nuk do të pranonte nënshtrimin e tij. Përkundrazi, populli shqiptar do të kërkonte të gjitha rrugët dhe format e mundshme të qëndresës që të mbijetoj i pandryshyar si komb nëpër histori. Këtë vullnet të pashoq për të qëndruar dhe refuzimin kategorik të nënshtrimit e dëshmon më së miri Oda dhe Kulla shqiptare. E para, dëshmon sesi pasi pushtuesi i kishte zënë qendrat publike, duke i rrëmbyer foltoret me qëllim që të parandaloj çdo organizim dhe veprim shoqëror, populli shqiptar kishte gjetur rrugë dhe forma tjera të organizimit dhe të veprimit për qëndresë ndaj politikave shfarosëse.
Ai kishte refuzuar të jetë pjesëmarrës në qendrat publike të zëna nga pushtuesit dhe si kundërvënie ai kishte rindërtuar odën, e cila do të luante një rol të përafërt me amfiteatrot e vjetër. Kurse e dyta, Kulla, dëshmon se si shqiptarët kishin kaluar në një ekonomi dhe filozofi të luftës qëndruese. Pra, oda si vend pubik lunte rolin e mirëkuptimit, të ndërlidhjes dhe koordinimit shoqëror për organizimin e qëndresës dhe Kulla merrte simbolin e konkretizimit të kësaj filozofie qëndruese në jetën e përditshme të shqiptarit.
Fjala jonë, arma jonë
Fjala jonë pra, ishte arma më e rrezikshme për armiqët tanë. Ajo ishte pikënisja e çdo organizimi shoqëror, pikënisja e çdo pune. Dhe çdo punë e realizuar në terren i rikthente forcën asaj, i rikthente vendin asaj. Gjerësa të kishim gjuhën, ne kishim elementin kyç të kohezionit tonë shoqëror dhe kombëtar. Nga ajo gjithëçka mund të nisej, nga ajo gjithëçka mund të bëhej. Humbja e gjuhës, ishte humbja jonë.
Nga kjo që thash më lartë, disa mund të thonë : të gjitha pushtimet dhe e gjithë rezistenca e popullit tonë ndaj tyre paska qenë bërë vetëm për të ruajtur gjuhën dhe fuqinë e shprehjes së saj!? Ky paska qenë interesi final i pushtuesëve dhe anasjelltas, i yni ?! Jo, interesi final i popullit tonë është ruajtja e kushteve (territoreve, pasurive natyrore, ekonomike, kulturore…) pa të cilat ai nuk do të mund të konservonte veten e tij, nuk do të mund të zhvillonte mirëqenien e tij, nuk do të mund të realizonte vetveten e tij. Mirëpo, gjuha dhe fuqia e shprehjes së saj është pika më strategjike e një populli, sepse mungesa e saj është mungesa e vet kombit. Një komb pa gjuhë të përbashkët, nuk është më komb, është vetëm një grumbull apo një shpërndarje njerëzish nëpër një sipërfaqe të caktuar.
Më ftuan sonte në këtë foltore për të mbajt një fjalim dhe shpjeguar pak më tepër për shoqërinë “Bashkimi Shqiptar” dhe idetë e saj, duke qenë se dega e Lozanës sapo është formuar. Ju me të drejtë do të më pyesni : ç’patë lidhje fjalimi rreth amfiteatrove, foltoreve, gjuhës, fjalës dhe forcës së saj me Shoqërinë “Bashkimin Shqiptar”? Për të qenë i sinqertë, nuk e di a ndërlidhen amfiteatrot, foltoret, gjuha, fjala dhe forca e saj me shoqërinë “Bashkimi Shqiptar” apo, në të kundërtën, “Bashkimi Shqiptar” ndërlidhet me to. Mirëpo, që ka ndërlidhje, këtu nuk kam shumë dyshim.
Rikthimi i fjalës së rrëmbyer
Pas shekujsh pushtimesh dhe rrëmbimesh të qendrave tona publike, rrëmbimesh të foltoreve, rrëmbimesh të fjalës sonë dhe fal qëndresës sonë të patundur, ne sot jemi në prag të një shekulli që po bëhen që kur kemi rimarr qendrat e para publike dhe jemi rikthyer në foltoret tona, në amfiteatrot tona. Falë këtyre foltoreve, ne riorganizuam shoqërinë tonë në një shtet të pavarur shqiptar, i cili nuk humbi kurrë tendencën për të qenë shtet-komb shqiptar.
Më së fundmi, falë luftës së UCK-së, ne arritëm të rimarrim edhe disa qendra tjera shqiptare të mbetura nën pushtimin e huaj dhe populli shqiptar i Kosovës rimori fjalën që ia kishin ndaluar qe një shekull.
Sot, nga qendrat tona shqiptare dhe me ndërlidhjet e tyre, shqiptarët po mirëkuptohen dhe po koordinohen më mirë dhe po shkojnë drejt një bashkimi të tyre.
Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” përçuese e fjalës shqiptare
Sot, në një tjetër kohë dhe në një tjetër hapësirë, Shoqëria “Bashkimi Shqiptar”, duke u përkufizuar në mërgatën shqiptare, ka për qëllim që përmes organizimit të saj të jet përquese e fjalës shqiptare ndërmjet Atdheut dhe mërgatës shqiptare. Por, përveç këtij roli primar, Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” nuk është gjë tjetër përveç se një organizim, i cili tenton të çoj më përtej fjalën shqiptare duke kërkuar që ajo të ketë vendin e saj edhe nëpër qendrat botërore. Pra fjala shqiptare të mos mbetet e kufizuar vetëm ndër ne, por ajo të jehoj, përmes mërgatës shqiptare, në veshët e botës mbarë.
Puna jonë ka për qëllim që t’i jap fuqi fjalës shqiptare dhe fjala shqiptare ka për qëllim që ta përforcon punën tonë dhe së bashku të bëjnë, dita ditës, shqiptarin faktor të proceseve historike, të zhvillimeve ekonomike dhe kulturore evropiane dhe botërore. Këtu pra qëndroka ndërlidhja ndërmjet “Bashkimi-t Shqiptar” dhe fjalës, foltoreve dhe amfiteatrit.
(Kuptohet; që çdo secili që e gjenë veten në këto qëllime është i ftuar dhe i mirëpritur që t’i bashkangjitet “Bashkimi-t Shqiptar”. Paraardhësit tanë filluan historinë. Që pasardhësit e tyre të jenë në mbyllje të saj, ne duhet të jemi pjesë aktive e saj).
Përmbyllje
Këtë fjalim do ta përmbyll nga ana e prapme duke ju treguar në fund titullin e tij. Miku im Gilbert Gardes në konferencën e Arif Matit në Lion kishte titulluar fjalimin e tij Arif MATI apo memoria e rikthyer . Unë sonte, përmesë këtij fjalimi, përshëndeta Arif MATI-n dhe mbarë popullin shqiptar me këtë titull : Shqiptarët apo fjala e rikthyer .
Ju faleminderit
*Autori është nismëtar për themelimin e Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, Kryetar i Organizatës për periudhën 30 maj 2010 – 05 maj 2012, tash Drejtor i Financave.
…………………………………………..
DR.AREF MATHIEU NË LOZANË, MË 12 TETOR 2012
………………………………………
…………………………………………………………………………..
Konferenca e Mathieu Aref “Pellazgët, Greqia dhe Pellazgo-Shqiptarët” në Lion (Lyon)
………………………………………………………………..