LEOTRIM GASHI: KONTESTI GJYQËSOR NË MES FAMILJES BICAJ DHE KS ‘KOSOVA E RE’!

Prishtinë, 27 Korrik 2019: Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” ndikon që për herë të dytë të caktohet seanca në kontestin mes familjes Bicaj dhe kompanisë “Kosova e Re”
Raportimi i vazhdueshëm nga “Betimi për Drejtësi”, i kontestit gjyqësor në mes familjes Bicaj dhe kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, ka ndikuar që në dy raste të caktohen seancat gjyqësore, pasi ato nuk ishin caktuar për muaj më radhë.
Një aksident trafiku që kishte ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, më 27 janar të vitit 2016, kishte lënë Nushe Loxhaj-Bicajn të palëvizshme.
Për lëndimet e pësuara, ajo dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016 kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumën prej rreth një milion euro.
Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti, ishte e siguruar në këtë kompani.
Nga ky aksident, Nushe Loxhaj-Bicaj kishte marrë lëndime shumë të rënda, të cilat atë e kanë bërë të palëvizshme dhe se për këtë nuk ka mundur të gjej shërim as në vendet e rajonit, ndërsa për lëndimet që ajo kishte pësuar, asaj vazhdimisht i duhet përkujdesje mjekësore.
Edhe pse padia për kompensimin e dëmit ishte bërë në korrikun e vitit 2016, procedura gjyqësore në këtë rast është përcjellë me zvarritje të mëdha.
Ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”, në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, kishte hulumtuar këtë rast dhe kishte rapotuar se një vendim i kundërligjshëm nga gjykatësi i çështjes, Daut Demiraj, kishte bërë që gjykimi të pezullohet për më shumë se një vit.
Por pas këtij hulumtimi të “Betimit për Drejtësi”, gjykatësi Demiraj kishte bërë kërkesë te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, që të përjashtohet nga kjo çështje penale, me arsyetimin e mënjanimit të çfarëdo rrethane që mund të vejë në dyshim paanësinë e gjykatës dhe ruajtjes së objektivitetit në vendimmarrje.
Në këto rrethana, kjo lëndë i është ndarë gjykatësit Shemsedin Haxhijaj.
Por edhe pse gjykatësi Haxhijaj kishte mbajtur dy seanca gjyqësore, më 21 dhjetor 2018 dhe më 25 janar 2019, ky rast kishte mbetur pezull për shkak se gjykata kishte qenë në pritje të një super ekspertize të komunikacionit, e cila është dashur të përgatitet nga profesorët e Fakultetit Teknik, të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Betimi për Drejtësi” në vazhdimësi ka kontaktuar me gjykatësin Haxhijaj për të kuptuar nëse është caktuar ndonjë seancë gjyqësore por i njëjti ka pasur gjithmonë një përgjigje, se pa i arritur ekspertiza nuk mund të caktoi seancën.
“Betimi për Drejtësi”, më 4 korrik 2019, ka kontaktuar edhe njëherë me gjykatësin Haxhijaj dhe i njëjti ka thënë se ai ka kontaktuar me profesorin e Fakultetit Teknik, Naser Lajçi dhe i ka thënë atij që për shkak të urgjencës së rastit të përfundohet sa më shpejt kjo ekspertizë.
“Me vendimin e fundit kam vendos që vetëm sa i përket propozimit për nxjerrjen e provës me super ekspertizës nga lëmia e komunikacionit e kam aprovu e këto tjerat i kam refuzu. Kështu që e kam dërgu ne Fakultetin Teknik në Prishtinë edhe jam tu prit mu kthy qajo ekspertize edhe me caktu menjëherë seancën”, ka thënë gjykatësi Haxhijaj.
I njëjti deklaroi se ka rreth dy muaj që ekspertizën e ka dërguar te profesorët e Fakultetit Teknik.
“Ekspertizën e kam dergu, mos të gabohem i ka dy muaj edhe qetash i kam kontaku, personalisht e morra obligim edhe kontaktova me profesorin atje, ai tha oshtë vëllimi i madh i lëndëve dhe tha qe kemi me punu ekspertiza, edhe ju luta që për shkak të ndjeshmërisë të rastit, tu e marr parasysh rrethanën qysh është paditësja kërkova që me urgjencë me u trajtu. Ai më premtoi dhe tha personalisht e marr përsipër që mu kry shumë shpejt, e qashtu ka mbete, gjithçka tjetër është në rregull”, ka thënë gjykatësi Haxhijaj për “Betimi për Drejtësi”.
Në po të njëjtën ditë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me profesorin Naser Lajci.
Ky i fundit ka thënë se ekspertiza në fjalë është përfunduar më 1 korrik 2019, por se për këtë nuk ka mundur ta njoftoi gjykatën, as në numrin e gjykatës e as në atë të gjyqtarit.
“Po, po oshtë kry ajo ekspertizë. E ka lyp pak me urgjencë ai gjyqtari po qe tri-katër ditë s’po muj me marr në telefon. Duhet me ardh me marrë, tash është kry qe dy-tri ditë. Lënda eshë, ai s’ka faj gjyqtari, është e vërtetë që e kemi vonu, por është e kryme, kur të do mundet me marr”, kishte thënë profesori Lajçi.
Pas kësaj, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar përsëri me gjykatësin Shemsedin Haxhijaj dhe e ka njoftuar atë se ekspertiza është përgatitur por e njëjta ka mbetur në fakultet.

Ky i fundit deklaroi se profesorët, pas përfundimit të ekspertizës, është dashur që me postë ta dërgojnë këtë ekspertizë në gjykatë.
“Te hënën u kry a? Po ata duhet me ma kthy me post, po nejse. E dërgoj unë një shofer të gjykatës ekstra nesër, tu i marrë parasysh rrethanat. Tu e marrë parasysh rastin qe është i ndjeshëm e dërgoj një shofer me marrë ekstra atje edhe qashtu”, ka thënë gjykatësi Haxhijaj.
Pasi që ishte marrë kjo ekspertizë, gjykatësi Haxhijaj e ka informuar “Betimin për Drejtësi” se seanca e radhës e këtij kontesti gjyqësor është caktuar më 30 korrik 2019, në ora 13:00.
Ndryshe, është hera e dytë që pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog e cakton seancën gjyqësore të këtij rasti.
Pas transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, më 7 nëntor 2019, lidhur një vendim të kundërligjshëm të ish-gjykatësit të kësaj lënde, Daut Demiraj, si pasojë e të cilit ishte ndërprerë procedura e këtij rasti më 28 prill 2017 dhe e njëjta kishte mbetur në sirtarë afër 20 muaj, gjykata kishte caktuar seancën gjyqësore më 21 dhjetor 2018.
Historiku i procesit gjyqësor:
Për aksidentin e ndodhur më 27 janar të vitit 2016 dhe për lëndimet e pësuara nga ky aksident, Nushe Loxhaj-Bicaj dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016, kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumë prej rreth një milion euro.
Paraprakisht, para se të ushtronte padi për kompensimin e dëmeve lidhur me këtë rast, bashkëshorti i të dëmtuarës, Xhavit Bicaj ishte drejtuar në kompaninë “Kosova e Re”, mirëpo e njëjta kishte refuzuar ta kompensonte atë në shumën e kërkuar.
Ndërsa për shkak të këtij refuzimi, Bicaj, ishte udhëzuar që të drejtohet në gjykatë, duke ushtruar padi.
Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti, ishte e siguruar në këtë kompani, ndërsa lënda i ishte ndarë për ta gjykuar gjykatësit Daut Demiraj.
Ky rast është përshkuar me zvarritje dhe me shkelje ligjore e procedurale që nga koha kur është parashtruar kjo padi.
Fillimisht, ky proces gjyqësor kishte nisur më 13 janar të vitit 2017, në të cilën seancë, pala e paditur, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, kishte kërkuar që Dega e Istogut të shpallet jo-kompetente për të gjykuar këtë rast, me arsyetimin se paditësja nuk është me vendbanim në Istog, por në Prishtinë, kërkesë e cila ishte refuzuar nga gjykatësi Daut Demiraj.
Më pas, në seancën e 3 shkurtit 2017, paditësit kishin sjellë si provë një certifikatë të vendbanimit të Nushe Loxhaj-Bicaj, në të cilën evidentohej se ajo banon në fshatin Banjë të Istogut.
Gjatë së njëjtës seancë, e paditura kishte kërkuar përjashtimin e gjykatësit Demiraj nga gjykimi i këtij rasti me pretendimin për njëanshmëri.
Mirëpo, kërkesa në fjalë ishte refuzuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, me pretendimin se pala e paditur, kërkesën lidhur me çështjen e kompetencës është dashur ta kërkojë më së largu deri në momentin e përgjigjes në padi, të cilën gjë sipas tij, nuk e ka bërë e paditura.
Pasi ishin refuzuar këto kërkesa dhe procesi do të mund të vazhdohej me shqyrtim, në seancën e 28 marsit të vitit 2017, pas propozimeve të palëve, gjykata kishte vendosur që seancën gjyqësore ta caktojë për 8 maj 2017, në mënyrë që t’i dëgjojë ekspertët e angazhuar për zbardhjen e këtij rasti. Në atë seancë ishte paraparë që në pjesën e paradites të dëgjohej eksperti rrugor dhe ai i arkitekturës, ndërsa në pjesën e pasdites ekspertët mjekoligjorë.
Megjithatë seancë në fjalë nuk ishte mbajtur, kjo për shkak se gjykatësi Daut Demiraj, kishte ndërprerë procedurën në këtë lëndë, pasi pala e paditur, “Kosova e Re”, e kishte njoftuar atë se tashmë kishte filluar një hetim ndaj bashkëshortit të Nushe Loxhaj-Bicaj, Xhavit Bicaj, që ishte njëri nga paditësit, me pretendimin se ka kryer disa vepra penale, të cilat ndërlidhen me rastin kontestues që gjykohej nga ai.
Për ta marr një vendim të tillë, gjykatësit Demiraj i kishte mjaftuar njoftimi nga pala e paditur, pa kërkuar asnjë informacion nga instancat tjera, nëse një gjë e tillë ishte e vërtetë.
Përveç kësaj, vendimi për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor nuk ndërlidhej me çështjen kontestuese, e cila ishte objekt i shqyrtimit. Në këtë vendim të gjykatësit nuk përmendej asnjë provë, e cila do të arsyetonte kallëzimin penal, e për me tepër nuk sqarohej nëse për këtë është nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Xhavit Bicajt.
Sidoqoftë, ndaj këtij vendimi, pala paditëse kishte ushtruar ankesë në shkallën e dytë, me ç’rast Gjykata e Apelit, më 18 prill 2018, e kishte konsideruar me shkelje të dispozitave ligjore vendimin e shkallës së parë dhe kishte kërkuar nga gjykatësi që të bëjë verifikimin e kushteve për të thirrur seancë përgatitore ose shqyrtim kryesor të çështjes, pas të cilit, sipas tyre, do të merrej një vendim i ligjshëm.
Sipas instancës së dytë, gjykatësi nuk është siguruar fare nëse për këtë rast ka apo jo një aktvendim për fillimin e hetimeve.
“Në momentin kur gjykata ka nxjerrë aktvendimin e atakuar, për ndërprerje të procedurës pushimin e gjykimit, nuk e ka pasur të provuar asnjë nga faktet e theksuara më lartë siç përcaktohet me këto dispozita ligjore, nuk ka pasur të provuar faktin sa i përket kërkesës së të paditurës për ndërprerjen e procedurës kontestimore. Të njëjtës kërkesë nuk iu është bashkangjitur asnjë provë e vetme me të cilën do të provohen pretendimet e saja lidhur me ndërprerjen e procedurës, përkundër njoftimit, se kundër njërit nga paditësit Xhavit Bicaj ka kallëzim penal dhe në rastin konkret aktvendimi i atakuar mbështetet vetëm mbi bazën e njoftimit të së paditurës dhe se në shkresat e lëndës nuk ka prova se është marr vendim për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe si rezultat i kësaj, aktvendimi i atakuar është nxjerr me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragraf 2 pika i) e LPK-së, sepse me ndërprerjen e procedurës me aktvendimin e atakuar palës paditëse ju ka pa mundësuar shqyrtimi i çështjes së tyre në gjykatë”, thuhet në një pjesë të vendimit të Apelit.
Emisioni “Beteja për Drejtësi”:
Më 7 nëntor 2018 është publikuar emisioni “Betimi për Drejtësi” për historinë e zvarritjes së lëndës në fjalë, të titulluar “Beteja për Drejtësi”.
Gjatë emisionit ishin trajtuar çështje të ndryshme, përfshirë edhe faktin pse ishte pezulluar procedura gjyqësore dhe shkeljet që ishin bërë.
“Betimi për Drejtësi” fillimisht kishte kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëse ka aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xhavit Bicaj, me ç ‘rast zëvendësprokurori Ibrahim Berisha kishte konfirmuar se në këtë rast ka vetëm kallëzim penal, por jo edhe aktvendim për fillimin e hetimeve.
Për më tepër, sipas tij, edhe pse policia është autorizuar që të bëj grumbullimin e informatave, ajo ende nuk e ka informuar asgjë këtë prokurori.
Bashkëshorti i Nushe Loxhaj-Bicaj kishte thënë se procedura kontestimore në këtë rast ka filluar në mënyrë normale dhe efikase, por pas kallëzimit penal nga pala e paditur, vendimi për ndërprerjen e seancës gjyqësore, është i pakuptueshëm.
Ai po ashtu kishte thënë se nuk po e kuptonte se pse për kaq kohë që nga vendimi i Apelit, nuk është caktuar asnjë seancë në këtë rast, duke shpreh dyshimet e tij, se në këso situatash mund të bëhet fjalë edhe për korrupsion.
Ndërsa përfaqësuesi i familjes Bicaj, avokati Besnik Nikqi kishte thënë se kjo lëndë është pezulluar pikërisht atëherë kur kjo çështje gjyqësore pritej që të përfundonte.
“Betimi për Drejtësi” kishte intervistuar edhe drejtorin gjeneral të së paditurës, kompanisë “Kosova e Re”, Faton Hasani, i cili kishte mohuar pretendimet se kompania që ai drejton qëllimisht po tenton zvarritjen e këtij rasti.
Sipas tij, kjo kompani është munduar në vazhdimësi për të arritur deri te e vërteta, me pretendimin se në çdo kohë kanë qenë të gatshëm që të bëjnë kompensimin e nevojshëm, por që sipas tij, njëherë duhet të qartësohet çështja për të cilin ata kanë parashtruar një kallëzim penal.
Ekipi i “Betimit për Drejtësi”, para se të zhvillonte një intervistë me gjykatësin Daut Demiraj, kishte zhvilluar një bisedë paraprake në telefon, në të cilën gjykatësi Demiraj kishte thënë se nuk e din se çfarë të bëjë me këtë lëndë.
Ndërsa, në ditën që ishte aranzhuar intervista, gjykatësi Daut Demiraj kishte konfirmuar se e ka caktuar seancën e radhës në këtë rast me 21 dhjetor 2018, çka linte të kuptohej se seanca ishte caktuar vetëm pas hulumtimit që po i bënte këtij rasti emisioni “Betimi për Drejtësi”.
Ai kishte thënë se pas vendimit të Apelit, gjykatësi Daut Demiraj, për gjashtë muaj nuk kishte caktuar asnjë seancë gjyqësore, duke thënë se një gjë e tillë ishte e pamundur për shkak të rasteve të shumta gjyqësore që ka në punë.
“Betimi për Drejtësi”, për ta sqaruar edhe aspektin teoriko-praktik, të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore, në raport me ato të Kodit Penal dhe atë të procedurës Penale, kishte intervistuar ish-kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, njëherësh profesor në Fakultetin Juridik.
Hasani, lidhur me atë se kur mund të pezullohet një procedurë kontestimore në rastin kur paraqitet një kallëzim penal, kishte thënë se jo çdo kallëzim penal mund të ndikojë që të ndërpritet procedura civile.
Sipas tij, gjyqtari duhet që ta vlerësojë mirë se sa ka ndikim ai kallëzim penal në çështjen e cila gjykohet, pasi sipas tij kjo mund të ndikojë që në momentin kur njërës nga palët nuk i konvenon një provë e caktuar, të bëjë një kallëzim penal me qëllim të zvarritjes së procedurës.
Ndikimi i emisionit “Beteja për Drejtësi”:
Hulumtimi i ekipit të “Betimi për Drejtësi” kishte ndikuar që të caktohet një seancë gjyqësore pas afër 20 muajsh.
Pas transmetimit të emisionit “Beteja për Drejtësi”, kësaj lënde gjyqësore i ishte ndryshuar edhe gjykatësi i çështjes.
Në seancën e 21 dhjetorit 2018, palët kishin pritur që të gjykoheshin para gjykatësit Daut Demiraj, por atë ditë ata kuptuan se këtë rast do ta drejtonte një gjykatës tjetër, gjykatësi Shemsedin Haxhija.
Ky ndryshim i gjykatësit të çështjes ishte bërë pasi gjykatësi Demiraj ishte vetë përjashtuar nga gjykimi i këtij rasti, me arsyetimin se paditësi, Xhavit Bicaj, ka deklaruar në media se gjykatësi ka marrë para nga e paditura “Kosova e Re”.
Kërkesa e gjykatësit Demiraj, më 14 nëntor 208, ishte aprovuar nga ana e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, i cili kishte thënë se këtë po e bënë me qëllim të eliminimit të çfarëdo dyshimi për paanësinë e gjykatës.
“Më datë 8 nëntor 2018, gjyqtari Daut Demiraj ka parashtruar kërkesë për përjashtimin e tij si gjyqtar në këtë lëndë, për shkak të deklarimit të paditësit Xhavit Bicaj në media, kinse gjyqtari i çështjes nga e paditura, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, ka marrë të holla. Me këtë deklarim paditësi ka ndikuar në uljen e autoritetit, imazhit dhe kredibilitetin e tij si gjyqtar, andaj kërkon që të lirohet nga vendosja lidhur me këtë çështje”, thuhet në një pjesë vendimit të kryetarit Radoniqi.
Por edhe pse në arsyetim të këtij vendimi të kryetarit Radoniqi nuk është cekur se në cilën media ka thënë Bicaj se gjykatësi Demiraj ka marrë para, i padituri gjatë emisionit “Beteja për Drejtësi” nuk kishte deklaruar se një gjë të tillë.
“Me supozu, tash në ato raste njeri mund të i hy në hak edhe gjykatësit po unë në këtë rast si i dëmtuar muj veç me thanë që eventualisht është korroptu dikush këtu, e tash kush është aty unë s’muj me pohu qind për qind se fakte nuk kam”, ishte një pjesë e intervistës së Xhavi Bicajt, e dhënë për “Betimi për Drejtësi”.
Trajtimi i lëndës nga gjykatësi Shemsedin Haxhijaj:
Pasi ky kontest gjyqësor kishte kaluar te gjykatësi Shemsedin Haxhijaj, në seancën e parë të mbajtur nga ana e tij më 21 dhjetor 2018, lënda ishte dashur të filloi rishtas.
Në atë seancë, ishte vendosur që të ftohën ekspertët nga lëmia e mjekësisë, të cilët do të jepnin sqarime për ekspertizat e tyre, në lidhje me lëndimet e pësuara të Nushe Loxhaj-Bicaj.
Ndërsa, përveç ekspertëve mjekësorë, u vendos që të dëgjohen edhe ekspertët nga lëmia e komunikacionit, financiare dhe ajo e arkitekturës.
“Për seancën e radhës do të ftohen për sqarime të ekspertizave të dr.Armend Kërveshi, neurokirurg, dr.Kamber Zeqiraj, neurolog, eksperti financiar, Aziz Berisha, Naser Nimanaj, ekspert i komunikacionit rrugor dhe Albanina Taraku, arkitekte“, kishte deklaruar gjykatësi Haxhijaj.
Seanca tjetër e mbajtur nga ana e gjykatësit Haxhijaj, ishte ajo e 25 janarit 2019. Në atë seancë eksperti i neurokirurgjisë, Armend Kërveshi dhe neurologu, Kamber Zeqiri, kishin konstatuar se paditësja Nushe Bicaj-Loshaj ka lëndime të rënda trupore, të cilat manifestohen me pasoja të përhershme në sistemin nervor qendror.
Ata po ashtu kishin thënë se shkaku kryesor i gjendjes së rëndë të paditëses Loxhaj-Bicaj ishte trauma e kokës dhe qafës, si pasojë e së cilës, tek paditësja ishte shkaktuar infrakt në tru.
Ajo ishte seanca e fundit e mbajtur nga ana e gjykatësit Haxhijaj, pasi pas asaj seance gjykatësi kishte caktuar që Fakulteti i Ndertimtarisë i Universitetit të Prishtinës, të kryente një super ekspertizë, nga lëmia e komunikacionit.
Nga ajo kohë, nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër për këtë rast, mirëpo është caktuar seanca e radhës e cila pritet të mbahet më 30 korrik 2019. /Betimipërdrejtësi
___________________
BETIMI PËR DREJTËSI 07.11.2018
https://www.youtube.com/watch?v=zPMGv93HK2I

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura