LIBURN ALIU: HASHIM THAҪI, LE TË NA SQAROJË PËR RRETHANAT E VDEKJES SË DËSHMORIT BEHAJDIN ALLAQI

Prishtinë, 27. 06. 2013 – (Fjala e Liburn Aliut në seancën e sotme parlamentare) – Ajo më e ndjeshmja në tërë luftën tonë është çështja e dëshmorit Behajdin Allaqi. Të gjithë e dini se për çka po flas dhe Hashim Thaçi më së miri. Behajdin Hallaqi ka qenë njëri nga tre udhëheqësit e Lëvizjes në fund të viteve ’80 bashkë me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë, dhe kemi pasë rastin të shohim një dokumentar ku Hashim Thaçi flet për këtë dëshmor. Le të na sqarojë ky njeri për vdekjen e Behajdin Allaqit dhe tani shumë prej jush e dini mirë se çka konkretisht po pyes.
Të nderuar deputetë,
Po diskutojmë pra në lidhje me ratifikimin e asaj që po quhet marrëveshje historike për Kosovën, e ku unë po pajtohem se është historike pasi në historinë tonë nuk mbajmë mend të ketë marrëveshje më të turpshme.
Kjo marrëveshje po pritet të votohet nga ju të nderuar deputetë dhe unë jam i bindur që të gjithë ju, e kani mjaftë të qartë dëmin e saj. Dhe nga të gjitha grupet parlamentare, disa nga ju e kanë thënë këtë publikisht, disa nga ju na e kanë thënë intimisht e me disa nuk flasim fare.
Nga të gjitha grupet parlamentare, unë tek ju gjej veprimtarë që kanë vepruar e frymzuar të tjerë të cilët nuk kanë të bëjnë me këtë marrëveshje. Nuk ka të bëjnë as veprat e juaja në të shkuarën e as bindjet tuaja atëherë dhe sot. Marrëveshja nuk buron nga këtu, ajo është e sjellur përmes agjendave të huaja dhe ka gjetë hapsirën këtu. Kjo nuk është marrëveshje e juaja, kjo është marrëveshje e një njeriu, Hashim Thaçit.
Po vie puna që e tërë puna përgjatë një shekulli e njerëzve tanë, avancimi gradual me gjak përgjatë dekadave, në forma të ndryshme të degradojë në këtë marrëveshje nga ky njeri.

– Binomi Hashim Thaçi – Ivica Daçiq! – 

…………………………………………

Si u bë kjo, kush është ky njeri?
Ju e njihni mirë Hashim Thaçin por unë dua tu përkujtoj se, si figurë me ndikim në lëvizje atë e ka bërë fakti i të qenit në kontakt më faktorë të jashtëm. Pra ai ka qenë i aktivizuar ama faktor e bëri ky kontakt, lidhja e tij. Dhe ky kontakt pjesërisht i pranuar nga vetë ai ndonëse jo i qartësuar, i hapi rrugën atij.
Në vitet ’90, para se të fillonin aksionet më intenzive, në qarqet e Lëvizjes posaqërisht në diasporë dominonte ideja e krijimit të një fronti të përgjithshëm politik për Luftën kundër pushtuesve dhe ky front do të bashkonte në vete faktorë të ndryshëm politik, do të kishte program të qartë për kryengritjen dhe natyrisht do të kishte edhe ushtrinë si instrument.
Në lëvizjen në diasporë e posaqërisht tek pjesa në Gjermani, por edhe në Zvicër, ky koncept ishte tejet qendror. Ndiqej modeli i Kroacisë, përpjekjet dhe përvojat e saja në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit. Ky koncept nënkuptonte faktorin e brendshëm si parësor në realizim të luftës çlirimtare. Krijonte kushtet për një unitet politik në rrugë të qartë.
Por ja që u ndoq model tjetër, me koncepte tjera. Koncepti ku agjendat i vendosin të tjerët dhe ky koncept u vendos nga të tjerët.
Kemi dëgjuar edhe nga dokumentarë e edhe nga intervistat e shumë personave per lidhjet me shërbime të huaja dhe ku unë nuk dua të hyj se a janë franceze apo të tjera, sepse nuk ka rëndësi. Do të donim të dinim rolin e tyre në përcaktimin e agjendës së luftës sonë. Le të na flasë Hashim Thaçi për këtë. Nëse ishte kontakt informativ, nga kur dhe çka informonte.
* * *
Dua t’iu kujtoj në pranverë të vitit 1997, në këtë kohë pritej të vinte një grup i armatosur nga Gjermania dhe Zvicra. Adem Jashari në atë kohë i priste me padurim dhe kishte shprehur qartë bindjen për forcim të luftës dhe zgjerim të saj pas ardhjes së tyre. Në të njejtën kohë në Kosovë vijnë porositë nga Hashim Thaçi, i cili shprehte qartë “rrezikun” (në thonjëza) nga një grup që do të vinte dhe nuk do t’i sillte të mirë Kosovës.
Ky grup i të armatosurve nuk mundi të futej pasi ra në pritë dhe unë këtu nuk po dua të them që Hashim Thaçi kishte spiunuar, sepse nuk e di këtë, por pyetja ime e thjeshtë është:
– A e dinin kontaktet e tij të huaja për këtë?
– Ky koncepti i këtij grupi dhe i shume veprimtarëve atëherë a mund të ketë qenë në kundërshtim me këtë kontakt i të cilëve ishte Thaçi?
– A nuk u luftua këtu pikërisht koncepti i një fronti politik?
Dua t’iu përkujtoj se krahas propagandave të shumta gjatë qëndrimeve të kohëpaskohëshme në Kosovë me ç’rast më shumë fshihej nga Adem Jashari se sa nga pushtuesi asokohe, ky ndër të tjera nuk hezitonte as ta linte të dyshimtë qëndrimin e Adem Jasharit në Prekaz dhe lidhjet e tij me Serbinë e që aludime të tilla, asokohe ishin bërë të përditshme.
E tërë lufta përbrenda saj e ka pas këtë konflikt konceptesh dhe shumë nga këta që përfaqësonin këtë të frontit sot janë dëshmorë, së paku personalisht i di disa. Detajet i dini edhe vetë unë vetëm po iu përkujtoj dhe besoj që do të shtjellohen shpejtë më në hollësi për publikun.
Ajo më e ndjeshmja në tërë luftën tonë është çështja e dëshmorit Behajdin Allaqi. Të gjithë e dini se për çka po flas dhe Hashim Thaçi më së miri.
Behajdin Allaqi ka qenë njëri nga tre udhëheqësit e Lëvizjes në fund të viteve ’80 bashkë me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë, dhe kemi pasë rastin të shohim një dokumentar ku Hashim Thaçi flet për këtë dëshmor. Le të na sqarojë ky njeri për vdekjen e Behajdin Allaqit dhe tani shumë prej jush e dini mirë se çka konkretisht po pyes.

Krerët e Lëvizjes: Afrim Zhitia, Behajdin Allaqi dhe Fadil Vata.

Ujëmir, 04 tetor 1991: Behajdin Allaqi, duke folur në Mbledhjen e III’të të LPRK’së.

Prizren, 21. 06. 2001: Krerët e PDK-së Hashim Thaçi, Ramë Buja dhe Azem Syla, gjatë vizitës së parë dhe të fundit në shtëpinë e Behajdin Allaqit.

……………………………………………

Le të vijë e të na tregojë dhe le të tregojë për tërë rrugën e tij deri te kjo marrëveshje.
Le të tregojë se përse nuk kërkuat të jetë Ukshin Hoti pjesë e delegacionit në Rambuje, ai ishte faktor si për nga dija e edhe nga kontributi i tij, si morën guxim njerëzit të shkojnë atje dhe të injorojnë këtë njeri.
Le të na flasë këtu për dorëzimin e armatimit dhe çmilitarizimn e UҪK-së, me një lehtësi të pashoqe. Atë armatim që u sigurua me djersë dhe ishte aty për Kosovën dhe u soll me gjak, thjeshtë të dorëzohet, të shpartallohet organizimi dhe të ngelen vetëm shërbime informative në mbrojtje të të cilave sot ne e shesim UҪK-në dhe kësisoj të degradojmë deri në këtë gjendje ku agjendën politike për Kosovën e imponon Serbia ne Bruksel.
Le të flasë për rolin e tij në Luftën e UҪPMB-së dhe UҪK-së në Maqedoni e që përfunduan me marrëveshje të turpshme, ndonëse kishte potencial, vullnet dhe sukses sidomos kur bëhët fjalë për Maqedoninë. E kur bëhet fjalë për Maqedoninë edhe Ali Ahmetin ky njeri herë e shpallte tradhtar e herë bashkëpunonte me të.
Le të flasë për idenë e moratoriumit që e kishte për periudhën e pasluftës dhe a ndërlidhet gjendja e sotme me atë deklarim.
Le të flasë për përçarjet dhe nxitjet dhe intrigat, në mes të vetë udhëheqësve të luftës, përçarje këto që quan në armiqësira në mes të vetë ushtarëve dhe ku ai fitonte hapsirën, ndërsa të tjerët përfundojnë burgjeve pikërisht si pasojë e përçarjeve të krijuara.
Le të flasë për publikimet e Wikileaks, se si u ankua tek ambasada e SHBA kundër kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, duke e akuzuar atë se po do të bëjë Shqipërinë e Madhe dhe duke iu servilosur atyre me fjalët se ai e konsideron Kosovën si të pavarur dhe jo si pjesë të Shqipërisë si po do kryeministri shqiptar.
Le të flasë si i la të shpresonin udhëheqësit politik të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në takime të veçanta me ta dhe në ndërkohë takohej me Daçiqin dhe në ndërkohë Daçiqi hoqi lapiderin atje, poshtronte dhe dhunonte shqiptarët.
Le të flasë në lidhje me deklarimin e tij ditë më parë se nuk do të ketë Shqipëri të Madhe, çka konsideron ai Shqipëri të madhe dhe që ky pra po anagazhohet që ajo të mos jetë. Mos po medon për atë që është Shqipëri, përtej Republikës së sotme të Shqipërisë, bashkimi i së cilës ishte në betimin e UҪK-së. Apo e paska pasë fjalën diku tjetër.
Dhe paralelisht me këtë angazhim le të na flasë se si u bë që në fillim të negociatave të na thotë që këto negociata do të pëfundojnë me njohje nga Serbia e në fakt kjo turrë e negociatave po përfundon me faktin që zyrtarët shtetëror nuk duhet as ta përmendin njohjen. Në fillim të negociatave së paku përmendej njohja nga Serbia dhe tani nuk po guxuakan zyrtarët tanë as ta përmendin.
Ky zotëri duhet të na flasë, deri tash në vend se të na fliste, sillej me arrogancë, ndërsente policinë, kundrejt qytetarëve, në protestë e deri edhe nëpër varrime. Për lëshimet e bëra sot të cilat ia thonim në sy se do t’i bënte, fyente dhe e lozte veprimtarinë kombëtare. Edhe sot atë po bën. Dua t’i them se arrogancën ky vend ka dënuar herët a vonë.
Po ashtu për sot na keni dërguar fjalë dhe keni kërcënuar. Ne jemi po ata që kemi qenë, paqësor por të vendosur dhe gati. Këtu na keni.
* * *
Për ju të nderuar deputetë, kjo ishte ajo që ju pjesërisht apo tërësisht e dini andaj nuk do të duhej të ishit pjesë e agjendës së Hashim Thaçit që përherë ka qenë shkatërrimtarë për potencialin dhe mundësitë e shqiptarëve në Kosovë e edhe në viset përreth. Misioni i tij ishte çarmatosja dhe braktisja e konceptit andaj kjo nuk ka të bëjë me ju.
Nga ju kërkoj të mos votoni ratifikimin ndërsa kryeministrit i përkujtoj se ky është vetëm fillimi.
Prishtinë, 27 qershor 2013 – Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

……………………………………..

Shikoni fjalimin e Liburn Aliut në Youtube

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

VLERAT POLITIKE …

VLERAT POLITIKE NACIONAL-DEMOKRATIKE DHE NACIONAL-KOMUNISTE NË KOSOVËN E DEKADAVE TË FUNDIT Nga Xhevat Meha 05/06/2023 Vlerat politike që…