LIRIA KA EMËR – KA EDHE ZHGЁNJIM!

LIRIA KA EMËR – KA EDHE ZHGЁNJIM!

Gjatë luftës, dy të parët e UÇK-së nuk i ka njoftë kush pos rrethit të tyne të ngushtë. Gjatë ofensivave nuk janë pa afër vendeve ku janë zhvilluar ato, ndërsa mas hyrjes së NATO-s, çdo ditë na e stërpërsërisnin qysh kanë luftu… Ndërkaq lufta është diçka konkrete dhe e prekshme që ndodhë në vend dhe kohë të caktuar. Kur dikush deklaron se ka luftu, ai duhet ta qartësojë se në cilën anë ka luftu, në cilën betejë, në cilin vend dhe në cilën kohë, si dhe cilët janë dëshmitarët që kanë rezistu bashkë me ta. Çfarë arme, mjeti e detyre ka pasë dhe sa ka qenë efektiv në veprime? Si dhe në cilat territore ka operuar prej datës së fillimit të angazhimit e deri në fund?

Në emër të kësaj lufte, këta kanë ba pasuri e pushtet politik, ndërsa veteranët që nuk i kanë pasu këta në politikë, mas luftës kryesisht kanë mbetë pa punë ose janë detyru të merren me grumbullim të materialeve të riciklueshme nëpër rrugë apo edhe të punojnë në ndërtimtari në vende si Mali i Zi, Kroacia e vende tjera të BE-së. Ndërsa ata që janë rreshtuar në partinë e tyne politike i kanë punët ndryshe! Janë emëruar njerëz jokompetent në pozitat më të larta shtetërore dhe ne kemi pa shumë të tillë që fjalimet ua shkruan tjetërkush, ndaj edhe kanë vështirësi t’i kuptojnë dhe t’i lexojnë ato para publikut. Thuhet se mbi 50 veteranë kanë ba vetëvrasje mas luftës, të cilët NUK KANË EMËR e përmendore e as që përkujtohen në përvjetorët e vdekjes.

Me hyrjen e NATO-s, të përmendurit, kanë nisë seri të llojlloj rrenash e vetëlavdërimesh, të cilave tash edhe kanë nisë t’u bijnë pishman! Nëpër intervista kanë rrehë gjoks për veprime të cilat tani po i mohojnë në Gjykatën Speciale! Kanë ba çmos për me votu këtë gjykatë, ku sot krejt shqiptarët po poshtërohen dhe po vuajnë e pagujnë për këta vizionarë politikë…

Prej qershorit 1999 e deri sot, kujtdo që i teket, flet me lehtësi në emër të UÇK-së, kështuqë edhe numri i veteranëve është katërfishuar, në çka pa dallim kanë kontribuar të gjitha partitë politike. Ndërsa në vijë e frontit, luftëtarë ka pas aq pak sa janë njoftë me emna mes veti dhe kryesisht është ditë se në cilin mund të llogarisësh e cili njihet si jostabil.

Me vetëdije të plotë e kanë shkelë ligjin për veteranët i madh e i vogël nga çdo parti politike. Ligji i dallon veteranët pjesëtarë, pjesëmarrës dhe luftëtarë si dhe ata që konsiderohen si veteranë invalidë, statusi i të cilëve është rregulluar shumë vite më herët sesa statusi i tri kategorive tjera. Invalidët e UÇK-së kanë marrë pension ma të madh dhe ma herët se të tjerët, kështu që kemi pa politikanë që merren me sport, pastaj policë e ushtarë duke i marrë nga dy paga nga buxheti i shtetit!

Këta njerëz, njëkohësisht janë të aftë për punë e sport dhe të paaftë kur vjen data e pensionit! Shembujt më të turpshëm janë Ramush Haradinaj (invalid) dhe Albin Kurti (luftëtar) i cili sipas ligjit duhet të kategorizohet si pjesëtar (që e ka ndihmuar luftën) dhe pastaj si i burgosur politik, por erën e barutit dhe të djersës në uniformë ky nuk e ka shiju! Përveç disa personave nga estrada e politika, status veterani kanë fitu edhe personat që kanë ardhë në Shqipëri e lufta ka përfund gjatë kohës sa ata kanë qenë në stërvitje. Këta kanë foto në uniforma e me armë, e që kanë dalë në njësitet e tyne, por nuk mund të barazohen me ata që kanë luftu nga pranvera e vitit 1998, kur nuk është ditë se sa do të zgjasë lufta dhe si do të përfundojë ajo.

Nënçmimi dhe poshtërimi i veteranëve të vërtetë ka fillu menjëherë pas luftës nga vetë këta prijës të UÇK-së duke leju që shumëkush të flet në emër të saj, ndërsa ligji për veteranë nuk është miratuar për 15 vite me radhë! Domethënë derisa shumica ka pasë ndonjë beneficion si rezultat i luftës, për rininë që i kishte ndërpre studimet për me ju bashku luftës si vullnetarë, nuk pati as bursa për vazhdim të shkollimit! Sa për krahasim, një veteran i papunë sot me pensionin e tij mujor nuk mund ta ushqejë as veten gjatë tërë muajit e lere më ta mbajë familjen! Ndërsa Rojet e Urës, të cilët kanë ba krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë, janë amnistuar nga Kuvendi i Kosovës dhe janë rehatuar në vende pune si policë të uniformuar, armatosur e të pajisur me automjete. Këta, përveç rrogës kanë përfitu edhe prej kontrabanduesve të ndryshëm shqiptarë e serbë në veri të Kosovës deri në vitin 2023. Pra, Rojet e Urës janë amnistuar dhe respektuar më parë se sa veteranët e vërtetë të UÇK-së! Kjo është drejtësia në Kosovë!

Duke u paraqitë si veteranë menjëherë pas luftës shumë individë kanë ba probleme rrugëve të Kosovës, qoftë duke u shtyrë për parking, për përparësi kalimi me veturë e deri te uzurpimi i pronave publike e private, gjë që ka shkaktuar neveri te krejt popullata. Pa përfunduar viti 1999 shumica e njerëzve u zhgënjyn me UÇK-në për shkak të pamundësisë me e dallu se cili vërtetë kishte qenë luftëtar e cili jo. Kjo u pa edhe gjatë zgjedhjeve të para në nivel komunal dhe qendror, në vitin 2000 dhe 2001.

Gjatë këtij çerek-shekulli ka pasë shumë debate televizive për fryrjen e listave të veteranëve, por asnjë fytyrë publike nuk e ka sqaru se sa thjeshtë është që të zgjidhet kjo çështje teknikisht. Mjafton të publikohen listat e veteranëve edhe në nivel kompanie dhe të kuptohet se KU dhe SA veteranë të rrejshëm janë shtu. Databaza në OVL e mundëson këtë, por listat e veteranëve janë publiku vetëm në nivel brigade!

Por shpejt do t’vjen dita kur këta politikanë do të turpërohen para nipave e mbesave të tyre, kur ata do t’i pyesin se qysh ishte e mundur që brenda dy muajve të jenë dhunuar 20 mijë gra e vajza, nëse numri i luftëtarëve në Kosovë ka qenë mbi 60 mijë?! Brezat e ri nuk t’i përbijnë rrenat e pakuptimta. E nëse nuk shpaloset e vërteta për numrin e saktë të veteranëve në të ardhmen, askush më nuk do ta përmend UÇK-në me seriozitet!

Ndër skandalet e shumta të Hashim Thaçit po e veçoj përkuljen e tij në Staro Gracko në Lipjan para përmendorës ku në alfabet çirlik shkruan: “Viktimat e terroristëve shqiptarë”, ndërsa kryesit e asaj vrasjeje nuk janë zbuluar deri më sot. Pastaj deklarata e tij që “Veriu i Kosovës është dhuratë nga Rankoviqi!”. I njëjti person ka foto me Adem Jasharin kur ka qenë më i ri, ndërsa kur u bë kryetar i priu «Paradës së Krenarisë» në qendër të Prishtinës. Tash, cili është karakteri i këtij personi? Pas tij, në të njëjtën paradë mori pjesë edhe Albin Kurti, sikurse edhe pararëndësi i tij! Ndërsa politikanët e partive tjera tani po presin në radhë që ta bëjnë të njejtën gjë nëse fitojnë në zgjedhje. Këta politikanë nuk përfaqësojnë as vlerat kombëtare e as ato fetare të këtij populli!

——————-

 Një Veteran i Parëndësishëm

<[email protected]>, më 31 tetor 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura