LUFTËTARI I KATANDISUR NË KUFINJTË E MJERIMIT DHE MËSHIRËS!

Rrënimi i invalidit të luftës

LUFTËTARI I KATANDISUR NË KUFINJTË E MJERIMIT DHE MËSHIRËS!

Nga Besim R CENGU, Tiranë 25 Nëntor 2021

Qe vjeshta e vitit 2003.

Kishte rreth katër vjet pas luftës së Kosovës. Po shkonim në Kamenicë me dy miqtë e mi të ngushtë që mjerisht nuk jetojnë më, Sylë Zhitinë dhe Idriz Isufin. Të dy veprimtarë të dalluar të lëvizjes për çlirim dhe atdhetarë të dëshmuar.

Sapo kaluam Gjilanin rrugës në drejtim të Kamenicës, s’më kujtohet se për çfarë arsye ndaluam. Ndërkohë na afrohet një burrë me patericë që i mungonte njëra këmbë.

U interesuam për të. Ai na tregoi hallin e vet, që në fakt ishte edhe yni, i gjithë shoqërisë. Kishte qenë pjesëmarrës në formacionet luftarake të UÇK-së në vitin 1999 në Kosovë si dhe kish vijuar kontributin edhe në rradhët e UÇPMB-së pak më pas. Ishte plagosur dhe si përfundim nuk ishte më si të gjithë të tjerët.

Lufta u krye dhe liria erdhi, por etja për pushtet po të ndryshoka karakterin. Askush nuk ishte kujtuar më për të, për shëndetin e tij, për familjen dhe fëmijët.

Kishte rënë në varfëri të thellë duke u katandisur deri në kufinjtë e mjerimit dhe mëshirës. Idrizi i afroi 100 franga. Ai hezitoi, por ne e lutëm që t’i merrte se, helbete do t’i duheshin për të mbyllur ndonjë nga problemet e shumtë.

Sa e sa të tillë janë në Kosovë…!

Ikëm të trishtuar dhe me ndërgjegje të vrarë.

Bukur një copë rrugë të gjatë e bëmë në heshtje. Një heshtje që flet. Heshtje-protestë kundër harresës së vetëdijshme dhe të qëllimshme.

Kësaj i thonë të vrasësh ëndrrën, ëndrrën dhe shpresën bashkë. Ti biesh mu në lule të ballit.

Vijuam rrugën… ndërsa luftëtarin e lamë pas në hallin e tij, krejtësisht në rrjedhën e lirë të fatit dhe nën hijen e rëndë të indiferencës dhe mosmirënjohjes së pashpirt.

Sa keq…!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura