MAJLINDA SINANI LULAJ(*): ARNIMI I REALITETIT DHE KOHA

Prishtinë, 23. 04. 2013 – (…kur të veshurit me autoritet dhe pushtet shfaqin ekzaltimin e madhështisë e fuqisë, është tregues se udha e ndjekur është një tunel pa dalje. Gjithsesi, kundrejt relacioneve njerëzore e shoqërore, vendimeve politike dhe ekonomike, koha është një gjykatës që nuk ka si zhvlerësohet. Xhiroja e atyre që sillen në zingjirin e politikëbërjes e vendimarrjes së shtetit i nënshtrohen gjithëpushtetshmërisë së kohës, e cila na zhbën, përderisa bëhet vetë. Në këtë bërje – zhbërje, koha skicon gjykimin e saj. Përbuzshëm e mospërfillëse ajo kalon kah ata që mjaftohen vetëm të marrin frymë. Fryma s’na është dhënë thjesht për ta harxhuar kohën, e cila po nuk e vlerësuam, do të tund kokën përbuzshëm e do të ikë me pergamenët e vendimeve të mëdha, pa na dhënë firmën e saj.)
* * *
Sfondi i realitetit që po e jetojmë është një cohë e arnuar dhe shenjat e qepjes i vërehen nga larg. Si e tillë, s’është nga ato lloj veshjesh të cilat krijojnë rehatinë e lirshmërisë së sjelljes, pa frikën se do shqepet kund!
Ky realitet ngërthen në vete prurjet nga e kaluara: një mentalitet i pjekur përgjatë 50 viteve nën regjimin komunist jugosllav, që shtypte vullnetin e lirë e kurajon qytetare;
– individ që e kishin besuar njëmend atë sistem;
– të tjerë që kishin pasur dyshime;
– soji tjetër që kishin pasur përfitime;
– pjesa tjetër që ishin përbiruar nëpër vrimë gjilpëre e kishin ngritur krye përballë asaj që qartazi ishte robëri – janë përbërësit e brumit me të cilin gatuhet e sotmja.
Ajo qëndron e vendosur mbi skeletin kohor të ngrehinës komplekse të paradokseve (qoftë edhe historike), e vijëzuar nëpër periudha kohore që kanë lindur e tërhequr njëra tjetrën. Një sistem që degradonte dinjitetin njerëzor dhe kombëtar të shqiptarëve, u pasua nga një periudhë dhune të hapur e robërimi klasik, ku liria ishte vetëm ëndërr për ata që kishin guximin ta mendonin.
E gjithë kjo shpërtheu në terror e gjenocid të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, e jo vetëm brenda saj, që u përmblodh e u përmbyll me luftë, e cila mban vulën e ngadhënjimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kapërcimi në çlirim solli periudhën e tranzicionit dhe një realitet të ri, gjithashtu. Ky realitet hapi portat e mundësive, pa shtruar e shenjëzuar rrugën që ishte e duhura, por duke na vënë përpara shtigje të shumta, e neve lirinë të zgjidhnim se cilat prej tyre do të ndiqnim.
Vetëm për vetëm, është pak e rëndësishme se ç’rrugë marrim, e ç’fat kemi, por nuk ka si të jetë i parëndësishëm fati i përgjithshëm i kombit dhe vendit dhe rruga që ndiqet. Në këtë kontekst, ata që janë të veshur me autoritet e pushtet, e kanë përgjegjësinë dhe detyrimin për të ndjekur ato udhë që nuk çojnë andej kah daljet janë qorre. Natyra njerëzore legjitimon faktin se secili mendon ndryshe dhe s’mund të ketë një rend a normë juridike që do të kënaqte qëllimet e secilit, shpeshherë kundërthënëse në thelb. Çelësi i funksionimit të shoqërive dhe shteteve është që të vihen ekuilibra mes qëllimeve dhe interesave dhe të krijohet baraspesha me hapin e kohës dhe sendërtimin e synimeve të përgjithshme.
* * *
Në njërën nga esetë e tij të filozofisë historike dhe politike, Immanuel Kant flet për principet e krijimit të shtetit. Mes tjerash, ai bën krahasimin mes një qeverie atërore (imperium paternale), e cila sillet me nënshtetasit sikur me fëmijë që nuk dijnë ç’është e favorshme për lumturinë e tyre, e mbeten në pritje të vullnetit miradashës të udhëheqjes së shtetit, gjë të cilën Kanti e quan shfuqizim të çdo lirie dhe të drejte. Kësaj qeverie atërore, Kanti i vë përballë një qeveri patriotike (imperium non paternale sed patrioticum).
Qeveria patriotike ka të bëjë me mënyrën e të menduarit, ku secili në shtet (përfshirë dhe udhëheqjen e shtetit) e sheh vendin si prehër nëne a si dheun atëror, prej të cilit ai përparon, e që duhet ta lërë pas vetes, si një amanet të shtrenjtë. Në një mënyrë të tillë të të menduarit, sipas Kantit, secili e sheh veten të autorizuar të mbroj të drejtat e vendit nëpërmjet ligjeve të dala nga vullneti i përbashkët, por jo ta përdorojë vendin e ta vërë atë nën prangat e kënaqësive të veta. (Immanuel Kant “Ese në filozofinë historike dhe politike”)
Gërshetimi i lirisë së individit si qenie njerëzore, i bashkëpjesëmarrjes së individit si qytetar në procesin e krijimit dhe ndërtimit të rendit shoqëror e ligjor, si dhe barazvlerëshmëria e secilit nënshtetas brenda rendit të krijuar e të pranuar, do të duhej të ishin parimet bazë kur merren vendimet e mëdha, me qëllim zvogëlimin e hendeqeve tashmë mjaftueshëm të frikshme mes nesh. Natyrisht një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme vetëm teoritikisht. Ajo duhet të ndodhë në mënyrë konsistente në funskionimin praktik të shtetit në të gjitha hallkat e tij.
Në të kundërtën, kur të veshurit me autoritet dhe pushtet shfaqin ekzaltimin e madhështisë e fuqisë, është tregues se udha e ndjekur është një tunel pa dalje. Gjithsesi, kundrejt relacioneve njerëzore e shoqërore, vendimeve politike dhe ekonomike, koha është një gjykatës që nuk ka si zhvlerësohet. Xhiroja e atyre që sillen në zingjirin e politikëbërjes e vendimarrjes së shtetit i nënshtrohen gjithëpushtetshmërisë së kohës, e cila na zhbën, përderisa bëhet vetë.
Në këtë bërje – zhbërje, koha skicon gjykimin e saj. Përbuzshëm e mospërfillëse ajo kalon kah ata që mjaftohen vetëm të marrin frymë. Fryma s’na është dhënë thjesht për ta harxhuar kohën, e cila po nuk e vlerësuam, do të tund kokën përbuzshëm e do të ikë me pergamenët e vendimeve të mëdha, pa na dhënë firmën e saj.
*) Autorja është e diplomuar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1997 dhe ka gradën Master në Studime Profesionale për Administratë Publike, “Rochester Institute of Technology” në Universitetin Amerikan në Kosovë.

============================

– MAJLINDA SINANI LULAJ – 
NJË E ARDHME NDRYSHE NGA E DJESHMJA DHE E SOTMJA
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1480

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura
Read More

TRIUMFI I KOMBIT

“TRIUMFI I KOMBIT”, KAPITULLI: ”DETYRA JONË, KONSOLIDIMI I PAVARËSISË DHE DEMOKRACISË QË PËRSHPEJTOJNË BASHKIMIN E KOMBIT (V.  2014)…