VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (III)

VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (III)

Nga Ibrahim Kelmendi, 07 tetor 2021

Manifestimi i 28 nëntorit i shoqëruar me krime

Anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes u mobilizuan të organizojnë manifestim të madh, me moto Kosova Republikë. Zunë një sallë të madhe me 900 ulëse në periferi të Nju Jorkut. Shoqëritë folklorike të malësorëve nga Mali i Zi u mobilizuan të shfaqnin spektakël. Gjithandej përhapej fantazma kërcënuese nga kasnecët jeniçerë të UDB-së. Bashkatdhetarët tashmë nuk i merrnin për serioze kërcënimet, sepse disa krerëve të emigracionit politik kishin zënë t’u binin puplat.

UDB-ashi Osman Gashi (nga Ramuni i Pejës), i kamufluar si diplomat, nëse e kam mbajtur mend nëpërmjet Shaqir Gashit (në restorantin e të cilit kalonte shumë kohë), kishte pyetur nëse mund të merrte pjesë në manifestim. Disa bashkëveprimtarë ishin kundër. I bindëm se jo vetëm që mund të merrte pjesë por, po guxoj, edhe mund ta përshëndeste manifestimin dhe, pse jo, ta shpallte aty dezertimin nga UDB-a. Përndryshe, përse të mos informonte ai saktësisht për manifestimin, si një profesionist, por të keqinformonin spiunët injorantë?!

Kujdestarët ishin porosit, nëse do ta shihnin korrespondentin e “Rilindjes”, Avni Spahiun, të më informonin. Ndërkohë mora vesh se po rrinte në holl të sallës. Dola ta takoj. Kishim njohje e miqësi nga koha e studimeve në Prishtinë. U skajuam. E luta të dezertonte, duke i thënë se nuk ishte vetëm korrespondent i “Rilindjes”, por edhe informator i UDB-së, ashtu si kolegu i tij në Gjermani, Jusuf Buxhovi. Lutjen time e arsyetova me nevojën që kishim për kuadër intelektual. Ma ktheu: “Si nuk po mbush mend, më i dobishëm për Kosovën jam si korrespodent…”. Shkurt, i bie që biseduam për të mos gjetur mirëkuptim, por nuk u armiqësuam.

Kur dolëm nga manifestimi, që po vlerësohej si tejet i suksesshëm dhe po u qeshnin fytyrat pjesëmarrësve, u përballem me krim të organizuar: Rreth 35 automjete ishin demoluar rëndë nga kriminelët. Kujdestarët u qortuan pse nuk i kishin ruajtur gjithë kohën, por u arsyetuan se donin të merrnin pjesë sadopak në manifestim.

Avni Spahiu, Osman Gashi, bile edhe ata kriminelë ordinerë kanë ithtarë, prandaj nuk ia vlen tani të kemi konfrontime.

Kthimi nga SHBA-ja në Gjermani

Më 10 dhjetor (1982) vendosa të kthehem në Bruksel. Një oficer madhor i FBI-së, shqiptaro-amerikan, kishte informuar, më duket Gjergj Kalën, se do të kem probleme kur ta lëshoj Amerikën, sepse ishin deponuar shumë spiunime, se kam shkuar atje për ti propaganduar komunizmin, enverizmin, se më kishin dërguar shërbimet jugosllave e shqiptare për ta përçarë emigracionin. Gjergj Kala e kishte sqaruar, meqë kishin farefisni: “Ai edhe ne enveristëve na ka këshilluar të mos e përmendim Enverin, por të mobilizohemi vetëm për kërkesën Kosova Republikë, jashtë çdo politizimi e ideologjizimi”. I njëjti më shoqëroi në dalje dhe nuk më ndodhi ndonjë pengesë.

Enver Hadri, spiun i UDB-së dhe Sigurimit, në dukje i mjerë e fatkeq

Arsyet përse është arratisur Enver Hadri në Shqipëri dhe përse Sigurimi i atjeshëm e ka kthyer mbrapa, ende nuk janë ndriçuar, pasi nuk kemi njerëz me vullnet të mirë dhe studioz që ndriçojnë edhe “personalitete” kontroverse. Pastaj nuk dimë ende çfarë ka ndodhur kur ato organe ua kanë dorëzuar Enver Hadrin ushtarëve kufitarë të Jugosllavisë dhe çfarë qëndrimesh ka mbajtur UDB-a në Pejë për atë arratisje të tij, siç nuk dimë për biografinë e tij të pastajmë, derisa është “arratisur” në Belgjikë (në vitin 1974). Kishim (dez)informime se ka mbaruar shkollim profesional të UDB-së diku në ujdhesë bregdetare kroate, nuk kishte mbaruar studimet e arkitekturës në Beograd (siç na thoshte).

Bazuar në angazhimet e tij në Belgjikë dhe informatat e mbledhura nga bashkatdhetarët, na ka rezultuar se ai ka qenë spiun i dyfishtë: i Sigurimit shqiptar dhe UDB-së jugosllave. Sigurimin duhej ta informonte, mos ndokush po përgatiste sulme kundër përfaqësive diplomatike shqiptare, kurse për UDB-në, siç rezulton nga veprimtaria publike, të krijonte “prova”, ta zëmë se kundërrevolucionarët shqiptarë po përkrahen nga KGB-ja sovjetike (siç na e tha këto ditë Jusuf Buxhovi) etj.

Veprimtaria e tij e dukshme (e shkruar) është aq e mjerë dhe diletante sa të vjen keq për gjithë ata të painformuar që ia madhërojnë kot së koti. Nga veprimtaria e tij publicistike mund të flitet për gjithsej 7-8 shkrime të botuara në broshurën me titull “Zëri i Kosovës” (shumëzuar me fotokopjues, format A4, rreth 30 faqe, në dhjetëra ekzemplarë). Ato shkrime kanë nivel të atillë, sa nxënësi i klasës së parë të shkollës së mesme po ta shkruante, mund që mësuesi do ta notonte, e shumta me dysh. Përmbajtja e tyre është stereotip i shkrimeve të emigracionit të vjetër politik, që kritikonin vetëm diktaturën në Shqipëri, por nuk brengoseshin për pozitë pushtuese të Kosovës. I duhej ta mashtronte emigracionin politik shqiptar në Belgjikë, se ishte anti-komunist ekstrem. Në “organizatë” të tij (quhej më duket Rezistenca Shqiptare) e kishte vetëm një anëtar. E ai ishte Riza Budakova, një ish-zadrugar (shitës), i cili, për shkak se kishte vjedhur shitoren ku ishte punësuar, ishte “arratisur” në Bruksel. Ishte një analfabet i shkret, dukej sikur ishte korrieri ose truproja e Enverit. Edhe për këtë të shkret me patën (dez)informuar se ishte informator i UDB-së në Ferizaj(?).

Më 4 ose 5 prill 1981 Enveri jep intervistë në Bruksel, ku thotë se Kosova do të bëhet Republikë me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Më 6 prill 1981 Stane Dollanci mban konferencën e parë për shtyp për trazirat në Kosovë. Mes të tjerash, ai shpif se në organizim të kundërrevolucionit në Kosovë ka gisht edhe KGB-ja sovjetike. Kur një gazetar i huaj e pyet nëse ka argumente, Dollanci ia kthen: “Shihni çfarë ka thënë nacionalisti shqiptar Enver Hadri, i cili jeton në Bruksel…”. Ishte kjo koincidencë rastësore?! Pastaj, qe shpifur dhe shpifet, se kishte gisht KGB-ja në “kundërrevulicionin” e Kosovës.

Në demonstratën që kemi organizuar më 13 qershor 1981, prania e Enver Hadrit është toleruar, me kusht që ta ruajnë dy kujdestarë që të mos fliste para kamerave televizive belge, kurse Hasan Kadria (nga Presheva) është caktuar të japë shpjegime e intervista, meqë e zotëronte bukur gjuhën frënge.

Xhafer Shatri e angazhon Enver Hadrin në vitin 1983 për ta formuar Komitetin për mbrojtje të të drejtave të njeriut, por ai komitet nuk ka mundur të formojë asnjëherë ekip as prej 3 vetave dhe nuk ka bërë ndonjë punë serioze. Enver Hadri ka luajtur rolin, të them, të korrierit, për t’i shpërndarë në kutitë e parlamentarëve evropianë materialet që i përgatiste Lëvizja, meqë kishte një dashnore gjermane që ishte aty e punësuar.

Në vitin 1984 kryesia e Lëvizjes vendos të organizojë demonstratë në Bruksel dhe për ta paraqitur demonstratën u vendos të ngarkohej Këshilli i Lëvizjes në Bruksel. Kur ata shkojnë në polici, informohen se leja është dhënë, meqë e kishte kërkuar Enver Hadri në emër të një belgu. Shpejt informohemi se Xhafer Shatri i kishte dërguar letër Enver Hadrit dhe e kishte ngarkuar për ta lajmëruar demonstratën e Lëvizjes (pa qenë anëtar i Lëvizjes), edhe pse ndryshe ishte vendosur në Kryesi. Atë komplot e minimizuam si gabim teknik.

Natën e fundit para mbajtjes së demonstratës takohemi me Enverin në banesë të Reshat Sahitajt, për të biseduar për finalizimin e organizimit të demonstratës. Aty konstatojmë në mënyrë skandaloze, se leja për demonstratë ishte lëshuar në emër të një udhëheqësi të Partisë Komuniste Belge (pro Bashkimit Sovjetik), por Enver Hadri po përpiqej të na mashtronte me kopje të lejes së falsifikuar, ku në vend të komunistit belg ishte montuar emri i Enver Hadrit. Biseda u tensionua, meqë ishim kundër që demonstrata e Lëvizjes të identifikohej zyrtarisht me personin që i ishte lëshuar leja. Mundësia për ta anuluar demonstratën nuk ekzistonte, sepse tashmë autobusët me pjesëmarrës të demonstratës ishin nisur nga largësitë e mëdha. Sigurisht, u bindëm se Enver Hadri po na komplotonte ta implikonte Lëvizjen si pro sovjetike, edhe pse në broshurat e tij mjerane prezantohej si anti komunist.

Sapo u miratua rezoluta e parë nga Parlamentit Evropian, Enver Hadri, me të dëgjuar lajmet nga mediet elektronike, zë të gënjejë në mënyrën më skandaloze, se miratimi i saj ishte meritë e tij, për çka kishte harxhuar shumë mjete financiare. Nis aksionin për të mbledhë ndihma për t’i “kompensuar” shpenzimet e tij, shtyp e shpërndan formularë që bashkatdhetarët të binden e ta kenë më lehtë për t’ia bartur ndihmat nëpërmjet banke. Më pyesin bashkëveprimtarët e Lëvizjes nëse do të duhej ta ndihmonin. Skandalizohem. Shkoj në Bruksel, mblidhet Kryesia e Lëvizjes për Belgjikë, thërrasim Enver Hadrin të ishte i pranishëm.

“Përse gënjen kaq paturpësisht, – i drejtohem Enver Hadrit në atë takim, – ti ke dëgjuar nga mediet, si gjithë të tjerët, për miratim të rezolutës, përpara nuk ke ditur gjë. Merita fillestare i takon një vajze të zellshme, veprimtare në Gjermani, e cila ka gjetur lidhjet për të bindur një parlamentar gjerman të Parlamentit Evropian, që i takonte fraksionit të partive ekologjike. Atë vajzë e njohin shumica e shokëve të pranishëm. Atij parlamentari (emrin ia paskam harruar) i është dorëzuar një tekst. Ka premtuar se do të angazhohet ta bindë fraksionin e tij, pastaj fraksionet e tjera, duke shpjeguar se ai angazhim merr kohë të gjatë. Kjo është ecuria e miratimit të Rezolutës. Në këtë pozitë kaq të mjerë ke rënë, sa t’i mashtrosh bashkatdhetarët për të mbledhë ndihma që t’u dashkan për të financuar aventura e degjenerimin tënd!? A nuk je i vetëdijshëm se mund t’i nxisësh bandat e çetnikëve serbë në Bruksel ose doras të UDB-së, që të vrasin, nëse do të dëgjojnë se ti ia ke imponuar PE të miratohet Rezoluta për Kosovën. Këtu e tutje mos shpreso e kërko asnjë përkrahje e ndihmë nga Lëvizja…!”

Ai mori pozë të zuzarit, të kapur në flagrancë, filloi të bënë autokritikë e të kërkonte falje. E përzumë nga takimi.

Disa javë më vonë, më 25 shkurt 1990, vritet.

Megjithatë, masivizimin e pjesëmarrjes në varrimin e tij e organizoi Lëvizja, meqë donim ta shfrytëzonim vrasjen e tij për ta akuzuar Beogradin si vrasës të kundërshtarëve politikë.

Në tubimin komomerativ që u mbajt pas varrimit, sa mbaj mend në hotelin “Sheraton”, disa mjeranë që donin të afirmoheshin si bashkëveprimtarë të “dëshmorit” Enver Hadri, folën gjepura nga më të gënjeshtërta. Më lajmëruan mua të flisja në emër të Lëvizjes. Nuk e kisha ndërmend. Gjithë të pranishmit po prisnin, unë nuk po ngritesha nga vendi. Bashkëveprimtarët që i kisha ulur pranë m’u lutën të dilja. Dola, i thashë ca llafe të përçarta, por besoj se audienca e kuptoj se nuk isha pjesëtar i atij kori të gënjeshtarëve, që lavdëronin Enver Hadrin pa meritueshëm, përkundrazi.

***

Siç informova më herët, në vitin 2003 kam bërë një bashkëbisedim të gjatë me njërin nga ish-shefat e UDB-së, Shefqet Hashanin. Fare spontanisht më ka rrëfyer se pasi Kosova fitoi autonominë kushtetuese në vitin 1974, përkatësisht u riorganizua edhe UDB-a në KSA të Kosovës, duke dalë nga komandimi i deriatëhershëm i UDB-së republikane të Serbisë. Me atë rast duhet të ketë pasur një konflikt, kush duhej t’ia paguante rrogën Enver Hadrit. Udhëheqja e UDB-së së Kosovës ka kërkuar ndihmë nga kryetari i Komitetit Krahinor të LKK-së, Mahmut Bakalli, i cili ia ka arritur që atë pagë aty e tutje t’ia shkarkonte UDB-së federative. Këtë ma ka konfirmuar edhe Mahmut Bakalli.

Sigurisht, kjo paraqitje provokon e shokon, sepse turma e painformuar është mashtruar ta vlerësoj Enver Hadrin për hero. Sidoqoftë, Enver Hadri ende ka shumë ithtarë që e madhërojnë, ka përmendore, emra rrugësh e shkollash, prandaj nuk ia vlen të kemi konfrontime në këtë kohë, të pakohë, siç shprehet populli.

Unë ndjej keqardhje për atë viktimë mjerane, siç kam keqardhje për turma të injorantëve, që nga më pak se hiçi, ose nga kundërkombëtarët sajojnë heronj.

Hafiz Gagica, prototip tipik i organizimit “pacifist”

Hafiz Gagica është një nga prototipat më tipik të organizimit “pacifist”, “demokratik”, “legal”, në emigracion. Ai u emërua si kryetar i Degës së LDK-së nga Akademiku “Crni” më 6 maj 1990 dhe atë post e mbajti katër mandate, bile ishte edhe kryetar i kolegjit të kryetarëve të të gjitha degëve të LDK-së në gjithë emigracionin shqiptar. Për ata që nuk e dinë, akademiku “Crni” është prof. dr. Ali Aliu (që merr rrogë nga tre akademi), i cili duhet të jetë rekrutuar përdhunshëm nga UDB-a për t’u bërë dëshmitar në procesin gjyqësor kundër Adem Demaçit në vitin 1963 (shih librin “Dosja Demaçi”, autor prof. dr. Hakif Bajrami).

E njihte “Crni” Hafiz Gagicën përpara, apo ashtu e kishin urdhëruar!?

“Unë e themelova LDK-në”, tha para ca ditëve Jusuf Buxhovi. Deri tani askush nuk e demantoi dhe nuk e përmirësoi konstatimin e tij rrahagjoks. Meqë rezulton se JB ishte njeri i UDB-së, atëherë duket i logjikshëm konstatimi se UDB-a e ka formuar LDK-në. Dihet mirëfilli se pjesëtarët e shërbimeve sekrete nuk marrin vendime që bien në kundërshtim me përcaktimet e shërbimit punëdhënës. Por, gjatë debateve që pasuan, mbase u dëshmua se ai vërtet ishte pjesëtar profesional i atij shërbimi, si me paraqitjet që bëri vetë, si me dëshminë e Hysen Gegës, por akoma më flagrant është informimi i Shefqet Hashanit (ish-shef i UDB-së së Kosovës dhe sekretar i parë i Ambasadës jugosllave në Gjermaninë Perëndimore gjatë viteve 1978-1981), i cili pohon se Jusuf Buxhovi ka marrë pjesë aktive gjatë procesit hetimor kundër tij në Beograd; Z. Hashani është dënuar në Beograd me tetë vjet burgim në vitin 1981.

Cili është në të vërtetë Hafiz Gagica, meqë ai pretendon se ishte i përndjekur politik i regjimit të Beogradit (gjatë viteve 1980-1999)?

Në vitin 1979 ai erdhi në Gjermani, te babai i vet. Meqë ai jetonte në Ludwigsburg, ku ishte i angazhuar profesionalisht, si punëtor social, Bardhosh Gërvalla, u njohën mes tyre. Bardhoshi ishte përkujdesur shumë për babën e Hafizit, meqë në ato vite lëngonte nga sëmundja. Vetë babai i Hafizit e kishte lutur Bardhoshin të përkujdesej për djalin e tij. Edhe vetë e kam dëgjuar atë të ankohej se e kishte lazdruar djalin duke i dërguar para me tepri në vendlindje, prandaj nuk është interesuar të mësonte fare në shkollë. Me para i është dashur t’i blinte notat që të mos përsëriste klasën. Por të kota rezultuan përpjekjet e Bardhoshit dhe të Jusufit që ta edukonin Hafizin në rrugë të mbarë, të arsimohej në Gjermani. Ai as pas dhjetë vjetësh nuk u bë në gjendje të formulonte pa gabime një fjali të shkurt në gjuhën gjermane.

Meqë u gjend në atë mes, megjithatë asnjëherë nuk ishte konstruktiv, të paktën në sjellje dhe moralshëm. Pas vrasjes së Jusufit, Kadriut e Badhoshit ai u bë pjesëtar i bandës komplotiste, që komandohej nga Sabri Novosella. Në vitin 1985, kur Sabri Novosella dhe banda e tij pushoi veprimtarinë e dukshme, edhe Hafiz Gagica u bë i padukshëm. Tek më 6 maj 1990, kur Akademiku “Crni” e emëroi kryetar të Degës së LDK-së në Gjermani, ai u faktorizua, për të qenë në krye të pengesës së lëvizjes aktive patriotike e çlirimtare në emigracion.

Siç më ka (dez)informuar shërbimi inteligjent “populli”, demonstratën e parë që e thirri Hafizi në Stuttgart, për publikun shqiptar ishte në emër të LDK-së, zyrtarisht u bë në emër të një grupimi të mbetur dogmatik gjerman, i cili përpara kishte qenë pjesë e Partisë Komuniste të Gjermanisë Marksiste-Leniniste, sepse ai grup e kishte paraqitur në polici kërkesën për ta marrë lejen.

Në kthesën e madhe të organizimit “legal” pluralist (1990), edhe në emigracion shpërthyen entuziazmi dhe zallamahia. Edhe mua më përfshinë, prandaj u angazhova t’i shtyp Programin e Statutin dhe formularin për anëtarësim të LDK-së dhe i shpërndamë në demonstratë që organizoi Lëvizja në mars të vitit 1990 në kryeqytetin e Gjermanisë. Kështu doja që ata emigrantë, të cilët frikësoheshin të angazhohen në Lëvizje nga përndjekjet serbe, të paktën të angazhohen në LDK.

Të gjitha subjektet e organizuara në vitin 1991 vendosën të ndërmerrnin një aksion të ngutshëm, i cili qe quajtur “ndihmë Kosovës me një armë” (e çmimi orientues i armës u caktua 1 000 DM / 500 euro). Duhet të jenë mbledh shpejt e shpejt rreth 40 milionë DM. Ato u derdhën në xhirollogarinë e “fondit humanitar” në Aachen, të cilin e “menaxhonin” Marjan Tuna dhe Hafiz Gagica. Pos atyre dyve, nuk di një të 3-të që di se ku kanë përfunduar ato mjete (ndoshta di pjesërisht edhe Anton Kola).

Pas atij aksioni u themelua “Fondi i 3-përqindëshit”, të cilin e menaxhonte “qeveria në ekzil”.

Fillimisht u formua në marrëveshje me LPK-në, por meqë Bukoshi dhe stafi i tij rezultuan mashtrues, LPK u detyrua të tërhiqej nga marrëveshja. Edhe në xhirollogarinë e atij fondi kishte autorizim për të tërhequr mjete financiare Hafizi derisa, për arsyet që nuk i di, atë autorizim ia anuluan Bujar Bukoshi e Isa Mustafa.

I tepërt është informimi i takimeve në Stuttgart të Hafiz Gagicës në krye me UDB-ashin Selim Broshaj, sepse tashmë pothuajse të gjithë UDB-ashët ishin rreshtuar në LDK.

Ndoshta njëjtë, si dega në Gjermani, vepruan edhe degët e tjera të LDK-së në shtete të tjera.

Të gjithë individët që u përmendën këtu, në dukje të përndjekur nga regjimi neofashist serb, kanë ithtarë, prandaj konfrontimet janë të dëmshme në këtë kohë.

“Qeveria Bukoshi në ekzil”, sabotuese e veprimtarisë patriotike e çlirimtare në emigracion

Rëndom po zhurmohet shumë për t’i identifikuar UDB-ashët, oficerët, bashkëpunëtorët, informatorët e ish-UDB-së famëkeqe, por sikur qëllimisht po harrohet fakti se udhëheqësit kryesorë të UDB-së në Kosovë ishin funksionarët e Lidhjes Komuniste të Kosovës, sidomos anëtarët e Komitetit Krahinor të LKK-së dhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv (qeverisë). Ata funksionarë komunistë tashmë e kishin primatin udhëheqës në LDK. Po në “qeverinë Bukoshi në ekzil” kishte nga ata? Si nuk kishte!? Dihet mirëfilli se cilat funksione i kishin ushtruar disa ministra të kësaj “qeverie” deri në dhjetor 1989. Për momentin po më kujtohen emrat e Isa Mustafës dhe të Muhamet Bicaj. Po për Bujar Bukoshin, vërtet, dinim gjë atëherë? Pak, fare pak. Ai u afirmua vetëtimthi me një aksion spektakolar, i njohur si “kidnapim nga serbët me maska, duke i vënë thes në kokë” (?). Në disa takime me Bujarin nuk ngurruam të bënim edhe biseda “relaksuese”. Në njërën nga ato i pata bërë pyetje sugjestive: “Si nuk ke treguar asnjë foto të torturave që duhet të kenë bërë kidnapuesit serbë!?” Ose: “Si mund të arsyetohet që UDB-a ka rekrutuar spiunë zadrugarë (shitës) e mësues edhe në shitoret e shkollat në fshatrat më të thella të Kosovës dhe nuk paskësh qenë e interesuar të rekrutonte studentë shqiptarë që studionin në Beograd!?” etj. Në vend të përgjigjes, ai ma ktheu: “Për shkak të kësaj goje të keqe që ke, njerëzit të quajnë anarkistë, ekstremistë, armikë, prandaj të urrejnë e të luftojnë”.

Ajo “qeveri” caktoi “tatim” në emigracion prej 3 % në paga e fitime. Ajo “qeveri” mori në dorëzim mjetet financiare në aksionin gjithëpërfshirës “ta ndihmojnë shkollën shqipe” (isha anëtar i këshillit koordinues).

Ajo “qeveri” mori në dorëzim mjetet voluminoze të aksionit “Gjithçka për Drenicën” (mars-qershor 1998). Ajo “qeveri” nxori në shitje “bona” me vlerë prej 500 e 1 000 DM, me premtim se paratë e atyre “bonave” do të kthehen pas çlirimit të Kosovës. Etj.

Lëvizjes për rezistencë aktive dhe veprimtari çlirimtare, që përbëhej nga patriotët idealistë, iu mbeti ta përballojnë veprimtarinë e tyre me forca të veta. Masat e gjëra të emigrantëve ndihmat i derdhnin në fondin e Bukoshit e të Isa Mustafës.

Ajo “qeveri” themeloi shërbim inteligjent, nëse mund t’u zihet besë (dez) informimeve të Fadil Kajtazit, ndoshta për ta konkurruar shërbimin tjetër që kishte formuar “presidenti” Rugova, siç (dez)informoi Mehmet Loci.

Ajo “qeveri” themeloi FARK-un, edhe pse platformë përcaktuese LDK-ja, e cila kishte formuar “qeverinë”, kishte politikën “pacifiste” (por e themeloi që t’ia kundërvinte UÇK-së; ia dolën vetëm pjesërisht, meqë në ndërkohë e futem nën kontroll…).

Ajo “qeveri” simulonte qëndrimin më radikal, si alternativë për t’i zvarrit shpresat e të zhgënjyerve nga “politika pacifiste” e Rugovës etj.

Edhe këta individë çmohen si të përndjekur, edhe pse LDK-ja ishte “legalizuar” me regjistrimin e saj në Beograd, krerët e saj në Prishtinë i ruante policia dhe i favorizonte regjimi i Millosheviqit.

E pra, gjithë këta individë kanë shumë ithtarë, prandaj konfrontimet janë të dëmshme në këtë kohë.

Lëvizja dhe UÇK-ja nga cilat shërbime survejoheshin?

Kush duhet të ketë survejuar Lëvizjen (LPK) dhe UÇK-në gjatë viteve 1990-1999, respektivisht 1993-1999 dhe veprimtarët e tjerë patriotë e çlirimtarë, kur e gjithë struktura shqipfolëse e UDB-së ishte përfshirë në LDK!? Spiunë serbë nuk depërtonin dot në radhë tona, meqë i pengonte mosnjohja e gjuhës shqipe. Mund të thuhet, ato dy shërbime të sipërpërmendura na survejonin. Dhe kujt ia dorëzonin rezultatet, pos që bënin luftë speciale, intensivisht e më përkushtim, të paskrupullt, kundër LPK-së dhe UÇK-së!?

Kosova e çliruar dhe rikthimi në pushtet i ish-nomenklaturës komuniste nëpërmjet UNMIK-ut

Fatmirësisht ndodhi çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb por, fatkeqësisht, iu imponua protektorati ndërkombëtar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Enkas u formua UNMIK-u (Misioni i KN për Kosovën). Askush nuk është interesuar të bëjë studim, cilët njerëz e udhëhiqnin UNMIK-un. Nga informimet e përcipta që kam, sidomos në udhëheqje të tij operative, ishin pozicionuar ish-miq të Jugosllavisë (që kishin shërbyer si ambasadorë dhe personel diplomatik në Beograd).

Kë përzgjodhën nga shqiptarët vendorë që të angazhoheshin në strukturat policore, prokuroriale, gjyqësore, administrative? Mbase asnjërin nga ish-të përndjekur politikë. Listat e ish-kuislingëve ua servonte Beogradi dhe kryesisht ata punësoheshin në kreun e policisë, në prokurori, në gjyqësi, në administratë.

Kë angazhuan si përkthyes? Kryesisht ish-pjesëtarë të nomenklaturës ose fëmijët e tyre, meqë ata kishin qenë të privilegjuar ta mësonin anglishten, kurse të përndjekurit dhe fëmijët e tyre nuk i kanë pasur mundësitë ta mësojnë, edhe po ta dinin, nuk i angazhonin. Prandaj, si asnjëherë dhe në asnjë vend të botës, doli e fituar në zgjedhjet e para pas lufte ish-nomenklatura komuniste, e organizuar në LDK, e jo ata që e kishin bërë luftën, që e kishin mbajtur mbi supet e tyre pasojat kryesore të saj. Sigurisht, doli e fituar edhe për shkak të keqsjelljeve, abuzimeve e krimeve të disa pjesëtarëve që ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Demokracia është e zorshme

Edhe Aristoteli, para rreth 2300 vjetëve, duke analizuar e krahasuar mbi 160 kushtetuta të ish-qyteteve-shtete “greke”, ka shkruar se sa e zorshme është demokracia, fillimisht për ta përzgjedhur variantin më të mirë të saj, akoma më e zorshme për t’u praktikuar.

Do të mjaftonte argumentimi vetëm nëpërmjet një fakti, për të provuar se vërtet është e zorshme demokracia, nëse kemi parasysh rezultatin e zgjedhjeve të fundit: rritë numrin e votave partia që komandohet nga ish-funksionari komunist Isa Mustafa, i favorizuar si ministër-kuisling edhe nga regjimi neofashist i Millosheviqit.

Ky argument dëshmon pse Kuvendi i Kosovës nuk mund të miratojë ligj për lustracionin (siç po quhet, për të pamundësuar të konkurrojnë për t’u zgjedhur parlamentarë ish-pjesëtarët e nomenklaturës moniste). Praktika dhe përvoja e shteteve të tjera ka dëshmuar se nëpërmjet ligjit përkatës nuk po mund t’u pamundësohet konkurrimi i atyre pjesëtarëve të nomenklaturave moniste, sunduese.

Rastet e individëve, që me pa dëshirë i evidentova (në libra e kam bërë më gjerësisht), mbase dëshmojnë mjaftueshëm se nuk duhet të kemi konfrontime mes ish të përndjekurve dhe përndjekësve të tyre (pjesëtarë të nomenklaturës komuniste, përfshirë këtu edhe strukturat e UDB-së, policisë, prokurorisë, gjyqësisë), meqë populli është i dyzuar. Insistimi i sforcuar i të përndjekurve për t’i dënuar ato struktura dhe për t’ua pamundësuar atyre rikthimin në pushtet, përçanë e konfronton shoqërinë tonë. Kosovës së brishtë nuk i duhen përçarjet e konfrontimet, sepse sfilitin energjitë e shoqërisë sonë për shtetndërtim e konsolidim të shtetit tonë.

Insistimi për t’i hapur dosjet është sqarues dhe produktiv?

E para, cilat dosje, kush i ka bërë ato dhe kush i ka? E dyta, sa dhjetëra mijë dosje duhet të ketë (kur supozohet se strukturat e UDB-së duhet të kenë pasur rreth 80 mijë pjesëtarë).

E treta, thuhet se të gjitha dosjet e shërbimeve janë në Beograd, atëherë do t’i dorëzojë regjimi serb në origjinal, të paprekura (apo ndoshta do të na dorëzohen kopje “dosjesh”, si në rastin e Ali Ahmetit me bashkëveprimtarë, kur u fabrikuan “dosje” nga Bozhidar Spasiqi, ish-shef federativ dhe Isen Musliut, ish-shefi i UDB-së për gjithë Pollogun, me porosi e pagesë të Menduh Thaqit)!?

E katërta, çfarë traumash e konfliktesh do të shkaktoheshin kur ndonjë shok e bashkëveprimtar i deridjeshëm do të dekonspirohet si spiun, qoftë me “dosje” të falsifikuar, ose me dosje të saktë (siç më hidhërohen dhe armiqësohen me mua, kur diskreditoj “patriotët” për UDB-ash)!?

Këso pyetjesh për fantazmën “dosjet” mund të bëhen përplot, por ia vlen të harxhojmë kohë e energji për to, kur ato gjithsesi do të jenë vetëm kundërproduktive, irrituese, armiqësuese!? Në Kosovë dihen kush ishin UDB-ashët legalë, sepse atyre u paguhej rrogë e rregullt nga buxheti i KSA të Kosovës.

Përse qenkan interesant spiunët, që u kanë ofruar atyre (dez)informata, e të cilat ata UDB-ash i kanë operacionalizuar, duke udhëhequr hetimet fillestare, kundër të përndjekurve politikë, të shoqëruar me tortura barbare, antiligjore? Plaku i urtë do të thoshte, duke ditë ku është ujku, nuk ka nevojë të kërkohen gjurmët që të dërgojnë tek ai.

Gjithashtu, të pamoralshme janë kritikat e ish të përndjekurve dhe luftëtarëve të lirisë kundër angazhimit të ish-UDB-ashëve dhe pjellës së tyre në strukturat shtetërore, kur i votojnë e rivotojnë të njëjtit qeveritarë, të cilët ua mundësojnë atyre punësimin në strukturat e shtetit, bile edhe i privilegjojnë.

Në përmbyllje them se shoqëria jonë duhet të përcaktohet për catarsis, pajtim, paqe sociale, ose të paktën për “armëpushim”, duke u orientuar që vetëm nëpërmjet votimit të ndodhë seleksionimi, pse jo edhe ndëshkimi i ish-pjesëtarëve të nomenklaturës komuniste, rrjedhimisht edhe ish-UDB-shëve.

Votuesit kanë të drejtë t’i kushtëzojnë të votuarit e tyre që ta bëjnë seleksionimin, t’i mbajnë në punë vetëm ish-profesionalistët që zbatojnë ligjet. Kurse kundër ish-UDB-ashëve, që kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të përndjekurve politikë, në kundërshtim me ligjet e kohës, duhet të bëhen vetëm denoncime individuale, nëse individualisht nuk jemi në gjendje t’i falim.

Përfundimi

Besoj, kam ofruar informata e (ç)velësime edhe për individë, të cilët, për mendimin tim, u kanë shërbyer shërbimeve të Beogradit e të Prishtinës, por që vazhdojnë të vlerësohen si çlirimtarë e heronj. Edhe të tillët ende kanë shumë ithtarë të tyre, kurse kryeshefat e atyre strukturave të atëhershme në Kosovë (edhe të UDB-së) si, ta zëmë, Fadil Hoxha (që tashmë komuna e Gjakovës do t’i ngritë përmendore), Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Isa Musatafa etj., gjithashtu kanë shumë ithtarë.

Megjithatë, meqë radhita ca emra, do të duhej të bëhej vlerësim i diferencuar, për funksionarë titistë të viteve të ’70-ta, të cilët kontribuuan në zhvillim të hovshëm të Kosovës dhe në funksionarë kuislingë të Beogradit neofashist gjatë viteve 1981-1998. Nga këta të fundit do t’i veçoja Azem Vllasin e Isa Mustafë si më tipikë, por numri i votuesve të Isa Mustafës dëshmon tepër qartë se sa e dyzuar është shoqëria jonë, çfarë vetëdije të sfilitur kombëtare e politike kemi.

Hakmarrja më e vyer e më e çmuar kundër ish-nomenklaturës komuniste, kundër ish-UDB-ashëve, kundër ish-kuislingëve të regjimit të Millosheviqit etj., ka ndodhur me Çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe nga bashkësundimtarët e tyre. Meqë kjo është e vërtetë, jam i mendimit se nuk na duhet hakmarrja e revanshizmit kundër mbetjeve të atij sistemi, prandaj apeloj të mos ndodhin, për hir të përparimit të shoqërisë e shtetit tonë.

Uroj të mos keqkuptohem, por jam i bindur, më të dëmshëm se ish-UDB-ashët dhe ish-funksionarët kuislingë, janë gjithsesi ata që po e vjedhin tani shtetin tonë. Kundër këtyre të fundit duhet të mobilizohen të gjithë qytetarët, sidomos ish-veprimtarët çlirimtarë.

Në fund të fundit, populli ynë ka mbijetuar robëri mbi dy mijëvjeçare, fatkeqësisht gjithnjë duke u tkurrur, përse atëherë të mos mund ta durojë këtë fazë të tranzicionit, e cila është shpejt kalimtare, meqë edhe ligji biologjik do ta bëjë “seleksionimin”, më shpejt sesa dëshirojmë, duke na vdekur, si ish-pjesëtarët e nomenklaturës, por ashtu edhe ne ish të përndjekurve. Gjeneratat pasuese pastaj, po deshën, le të merren me analiza, kush çfarë ishte dhe çfarë (s)ka bërë, t’i seleksionojnë, uroj drejtësisht, bazuar në sistemin e vlerave që dalin nga arsyeja racionale.

  • FUND –  

___________________    

VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (II)

Nga Ibrahim Kelmendi, 07 tetor 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura