Me rastin e 25 – vjetorit të vdekjes tragjike të Pashkë Junçaj në Shipshanik, afër Tuzit
Malësorja fisnike – viktimë e pafajshme e bombardimeve të NATO-s
Nga Gjekë Gjonaj
28 prilli i vitit 1999 për familjen e Mark Kolec Junçajt nga fshati Drume të Hotit ( Malësi e Madhe), ishte një ditë e trishtë. Atë mesditë bashkëshortja e tij Pashka u vra në moshën 61 vjeçare, në lagjen Shipshanik, në afërsi të një tuneli të atëhershëm të vjetër ushtarak për avionë luftarakë, afër Tuzit, nga sulmet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së atëhershme të përbërë nga Mali i Zi dhe Serbia, e cila kishte për qëllim të detyronte presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, t’i jepte fund represionit ( dhunës) të tij ushtarak ndaj popullsisë civile me shumicë shqiptare në Kosovë. Me këtë rast u plagos, afro 50 metra larg shtëpisë familjare djali i saj , Atoni, të cilin trauma e shkaktuar nga sulmi e përndjekë ende.
Rrëfimi i dhimbshëm i Lucë Junçajt
Lajmi i hidhur se Pashkë Junçaj humbi jetën tragjikisht, në momentin kur ajo me djalin e saj përdore , Antonin, u përpoqën të kalonin në panik gardhin me tela me gjemba në pronën e tyre, ndërsa avionët e NATO-s atë paradite të muajit prill zhurmonin në qiell më shumë se ditëve të mëparshme, trazoi zemrat e familjarëve, farefisit dhe të gjithë atyre që e kanë njohur këtë grua malësore, nënë dhe bashkëshorte vlerash të larta fisnike dhe bujare. Dy dekada e gjysmë më vonë nga kjo ngjarje tragjike Lucë Junçaj, kujton me dhimbje dhe trishtim të madh vdekjen e pafajshme, të papritur dhe të parakohshme të nënës së tij të dashur e të shtrenjtë.
“Më 28 prill 1999, babai Marku, nëna Pashka dhe vëllai Antoni, që nga mëngjesi kishin bërë punët e zakonshme, si çdo ditë në fermën e tyre modeste. Në kohën e bombardimeve atë mesditë, në shtëpi dhe në objektet përreth ndodheshin Pashka me djalin e saj, Antonin. Nga fillimi u vërejt se atë ditë bombardimet do të jenë më intensive dhe më afër shtëpive private. Ndërkohë filluan të bien objekte ndihmëse ( copëza predhash – granatash ) përreth, të cilat krijuan tym e pluhur. Në këtë situatë frike e paniku ata e thirrën njëri-tjetrin, u bënë bashkë dhe filluan të ikin ne drejtim të lagjes. Afro 50 metra larg shtëpisë sonë duhej kaluar një gardh me tela me gjemba, i cili ndante pronën tonë nga ato të komshiut. Derisa vëllai Antoni po mundohej t’i ndihmojë nënës Pashkë të kalojë gardhin , ajo goditet në kokë nga një pajisje metalike dhe mbetet e vdekur para djalit të saj , Antonit , 23 vjeç. Fatmirësisht, falë ndihmës së Zotit, Antoni mbetet i plagosur në këmbë dhe i mbijetoi këtij rasti tragjik. Këtë fat dhe këtë ndihmë nga Zoti do ta dëshironte çdo nënë për fëmijët e vet. Edhe nëna jonë e dashur tashmë e ndjerë Pashka, po të ishte pyetur se cili do të duhej të vdes atë ditë , do të kishte zgjedhur vetveten. Edhe sot e kësaj dite mendojmë se vetëm Zoti e shpëtoi vëllain tim që u plagos atë ditë”, thotë Luca, i vetëdijshëm se, siç thonë, koha shëron gjithçka, por disa nga këto plagë mbeten përgjithmonë.
Kush ishte Pashkë Junçaj?
Ajo u lind në vitin 1938, në Kojë ( Malësi) , në familjen Kolçaj. Ishte e bija e Prekë dhe Mri Kolçaj. Në vitin 1958 ajo u martua me Mark Kolec Juncaj nga Drumja e Hotit, një burrë bujar e punëtor, i devotshëm për familje dhe i dashur me shok. Çiftin Mark dhe Pashkë Junçaj Zoti e kishte bekuar e lumturuar me 6 fëmijë, tre djem dhe tri vajza. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, ata blenë një pronë modeste në fshatin Shipshanik, afër Tuzit, ku edhe u shpërngulen për një jetë më të lehtë në vitin 1991. Meqë 4 fëmijët e mëdhenj, Maruka, Gjergji, Lizja dhe Marija kishin krijuar familjet e veta ne Malësi e Diasporë, çifti bashkëshortor , Mark dhe Pashkë Junçaj, me dy djemtë e vegjël, Lucën dhe Antonin filluan një jetë te re ne Shipshanik, ku punonin në bujqësi dhe blegtori. Gjithçka , sipas rrëfimit të Lucë Junçajt, shkoi mirë, deri në vitin 1999, kur humbi jetën “ zemra” e kësaj familjeje atdhetare, Pashka, si pasojë e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe në ish -Jugosllavi. “ Edhe familja jonë , si çdo familje shqiptare, mendonte dhe shpresonte se intervenimi i NATO-s, do të ishte një shpëtim, një kthim dhe një shkëndijë e rendit për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mirëpo nga Zoti ishte shkruar që ky intervenim të ketë edhe viktima të pafajshme, në mesin e të cilave ishte edhe nëna jonë Pashka, të cilën do ta kujtojmë brez pas brezi”, tregon me dhimbje të thellë Junçaj.
Shpërngulja nga Drumja në Shipshanik
Junçaj më pas tregon për shpërnguljen e kësaj familjeje nga Drumja e Hotit në Shipshanik, afër Tuzit për arsye ekonomike . Prona jonë ndodhet rreth 800 metra nga , siç theksuam , reparti e atëhershëm ushtarak serb, një kodër ku tani ndodhet një bodrum i madh vere, më i madhi në Ballkanin Perëndimor dhe Plantacioni i mrekullueshëm “ 13 Korriku”, 9 kilometra nga kryeqyteti i Malit të Zi-Podgorica. Me fillimet e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, më 24 mars 1998, një pjesë e familjes sonë vendosi që mos të largohej nga prona e vet, sepse tek popullata shqiptare ishte përhapur lajmi i keq se forcat ushtarake dhe ato para ushtarake serbe do të shkatërrojnë dhe do të marrin çdo gjë që kishin përpara. Prandaj Marku me bashkëshorten Pashkën dhe djalin Antonin qëndruan dhe u përkujdesën për pronën e tyre gjithë kohën e bombardimeve prej 78 ditësh. Rreziku për banorët civilë të këtij lokaliteti shtohej nga dita në ditë, sepse forcat ushtarake serbe në Shipshanik , javëve të fundit të sulmeve ajrore të NATO-s. kishin maskuar mjetet e tyre ushtarake mu në afërsi të pronave private”, rrëfen Junçaj.
Grua e ndershme, fisnike e atdhetare
Me rastin e (për)kujtimit të kësaj viktime të pafajshme të bombardimeve të NATO)-s duhet theksuar se ajo njihej në Malësi si një grua fisnike e atdhetare dhe si një nënë e përkushtuar për familjen. Fatin e saj tragjik nuk mund ta imagjinonte askush. As ajo vet nuk kishte kohë të meditonte për fatin dhe për vitet e pleqërisë, sepse nuk e lejonin sfidat dhe vështirësitë e jetës së saj në fshat për të rritur dhe edukuar 6 fëmijët e saj në frymën e traditave shqiptare (malësore). Imagjinoni pak, sa punë fizike ka pasur Pashkë Junçaj gjatë jetës së saj, duke jetuar shumicën e viteve, si shumë gra të tjera malësore në fshatrat e Malësisë së Madhe, pa rrymë elektrike, me kandila vajguri, pa rrobalarëse, pa pampersa, me pak rroba, pa dush e pa ujë në çezme e shumëçka tjetër e nevojshme për një jetë normale.
Pavarësisht vështirësive të kohës, kur në disa familje fshatare malësore ndarja e produkteve ushqimore bëhej me racion për frymë, Pashka ia ka dalë të bëjë një punë të respektueshme, si bashkëshorte dhe si nënë, duke ruajtur nderin dhe krenarinë e familjes së saj dhe duke pritur e përcjellë mysafirë, që në malin e Hotit nuk mungonin kurrë. Të gjitha këto, Pashka i ka bërë me dinjitet e krenari, me fjalë pak e punë shumë, si më të mirat malësore. Malësorët do ta kujtojnë përherë këtë malësore të ndershme me respekt e mall të pashuar. ( Koha Javore)