MARCO TRAVAGLIO: PSE SHUMË GAZETARË I FSHEHIN APO I ZHDUKIN FAKTET?!

(Pashtriku.org, 15. 01. 2013) «Faktet të ndara nga opinionet » Ishte motoja e «Panoramës» mitike të Lamberto Sechit, krijues i gazetave të mëdha dhe gazetarëve të mëdhenj. Më vonë, me kohë, kjo moto ka rënë, duke u zëvendësuar nga një (moto) tjetër më e sofistikuar: «asnjë fakt, vetëm opinione». Të parat nuk duhet të shqetësojnë të dytat. Pa fakte, mund të ngulish këmbë për gjithshka dhe kundër gjithshkaje. Me faktet, jo.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse nuk i njeh, është i paditur, i pa përgatitur, i shkujdesur dhe nuk ka dëshirë të studiojë, të informohet, të njihet me faktet e ditës.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse për të gjetur lajmet, duhet të lodhesh dhe ka rezik të djerësitesh.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse nuk do telashe dhe përpiqet të shpëtoj duke notuar, duke manovruar, rrëshqitur.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse ka frikë prej padive, nga gjyqet, nga kërkesa milionëshe për dëmshpërblim në redaksi, që e rezikojnë rrogën dhe tërheqin rrufetë e botuesit të lodhur me pagesat e avokatëve për ndonjë trazovaç në redaksi.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse është i bindur, dhe bën tifozllëk për një parti apo koalicion, dhe nuk do të shqetësojë drejtuesin.

Gazetari i shquar italian Marco Travaglio.

…………………………………………………..

– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në të kundërt e sulmojnë, ndërkohë që ai dëshiron të jetojë në paqe
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në të kundërt nuk e ftojnë në disa sallone, ku gjithmonë takohen udhëheqës të së djathtës dhe të së majtës, kontrollues dhe të kontrolluarit, rojet dhe hajdutët, prostitutat dhe kardinalët, princët dhe revolucionarët, fashistët dhe luftëtarët e përjetshëm, ku të gjithë janë miq të të gjithëve, dhe ku e mira është të mos bësh të pakënaqur askënd.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse ngatëron barazlargësinë me barazafërsinë.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse thonë të kundërtën e linjës së gazetës.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse botuesi e dëshëron këtë.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse pret ngritjen në detyrë.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse së shpejti janë zgjedhjet.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse ata që ua tregojnë e pësojnë keq.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse disa gjëra nuk mund të thuhen.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse e ka parë se ç’fund pati Biagi dhe Santoro.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse politikisht është e gabuar të zhytish duart në llum, sepse rrezikon të shprishësh flokët dhe të dëmtosh ngjyrën e përftuar nga dielli, është shumë më mirë të qëndrosh politically correct.
-Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në të kundërt bëhet jo i besueshëm dhe i pakontrollueshëm dhe nuk e ftojnë në televizione.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse është më e këndshme kështu: paraqitet si antikonformist, i referohen atij, krijon „debatin“.
– Ka nga ata që i fsheh faktet edhe vetes sepse ka frikë se mos ndryshon mendimin.
– Ka nga ata që i fsheh faktet për solidaritet me Giuliano Ferraren, i cili nga që është shumë inteligjent për rrjedhojë do të ndihet i vetmuar.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse shërbimet sekrete e paguajnë për këtë qëllim.
– Ka nga ata që i fsheh faktet edhe pse nuk e paguajnë, por ndoshta një ditë do ta paguajnë edhe atë.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse nuk ka kush t’i jap kurajo.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse asnjëri akoma nuk ja ka kërkuar e ndoshta ndonjë ditë do t’ia kërkojnë.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në këtë mënyrë ndonjë do ta falenderojë.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse shpesh janë të trishtueshme, të papëlqyeshme, përvëluese, dhe nuk është e nevojshme të trembim shumë njerëz që duan të qeshin dhe të zbaviten.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në të kundërt i ndërpresin reklamat gazetës.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse përndryshe nuk e zgjedh (e merr) më askush.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në këtë mënyrë do të mund të fitojë ndonjë konsulencë me qeverinë apo RAI-in apo Këshillin Bashkiak apo të Rrethit apo Dhomën e Tregëtisë apo Shoqatën e Industrialistëve apo sindikatën apo Bankën pas qoshes se rrugicës.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse u detyrohet për gjithshka këtyre personave dhe nuk dëshiron t’i zhgënjej.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse në të kundërt do të jetë më e vështirë të kthesh këmbanën, kur fryn era.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse njerëzit do të kuptonin gjithshka.
– Ka nga ata që i fsheh faktet sepse ka lindur shërbëtor dhe siç thoshte Viktor Hugo „ka njerëz që janë gati të paguajnë, që të shiten“. (f.9)
* * *
…Gazetarët ndahen në dy kategori. Të djathtë e të majtë? As në ëndër. Luanë e lepuj? Jo more. Të televizionit dhe të shtypit? E kotë. Të aftë dhe analfabetë? As na shkon ndër ment. Të guximshëm apo të mekët? Ik tutje. Objektivë apo fraksionist? As kështu. Sot dallimi i vërtetë që i ndan kategoritë, është ajo e kurrizeve të drejta dhe kurrizeve të përkulura apo të lakueshëm.

Pse shumë gazetarë i zhdukin faktet?
Sepse nuk e duan mjaftueshëm profesionin e tyre, dmth lexuesit apo shikuesit e tyre. Sepse kur shkruajnë apo flasin, nuk mendojnë per atë që i lexon apo i dëgjon, por për të tjerët e për gjëra të tjera: për të fuqishmit e politikës e të ekonomisë, për botuesit e sotëm apo ndoshta të së nesërmes, për kolegët dhe rivalët, për rrogën e fund muajit, për pensionin apo për ndokënd që mund t’i ver re dhe t’i angazhojë në një profesion tjetër më me përgjegjsi. Siç shprehej Montanelli, ndryshimi midis atij që shkruan për lexuesit e tij dhe atij që shkruan për të tjerët, diktohet menjehëre: i pari flet qartë dhe e kuptojnë të gjithë, i dyti flet me kode dhe e kuptojnë vetëm ata që duhet ta kuptojnë.
Shpesh ngatërohet kuptimi midis objektivitetit, paanësisë dhe asnjanësisë … Objektivizmi është i pamundur; sejcili prej nesh lind me interesa të caktuara dhe pasione të veta, rritet i edukuar me vlera të caktuara. Këndvështrimi i tij mbi botën është origjinal e që dikton mënyrën e tij të të parit të gjërave dhe rjedhimisht të të gjykuarit.
Kur tre dëshimtarë të një ndodhie, thirren në Gjyq për të dëshmuar nën betim, ata tregojnë në tre mënyra të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se dy prej tyre gënjejnë. Që të tre tregojnë të vërtetën, të vërtetën e tyre; të njejtën ndodhi (fakt) i filtruar nga tre “kultura” të ndryshme. Nga e njejta ndodhi, sejcili vëren ose kujton një pamje të veçantë, një prekje, një emocion që vështirë të jetë i ngjashëm me ato të vërejtura apo të mbajtura mënd nga dy të tjerët
Asnjëri nuk mund të jetë objektiv dhe i paanshëm. Vetëm robotët janë objektiv dhe të vdekurit janë të paanshëm.
Nuk mund të pretendosh që të gjithë të shikojnë gjithshka në të njejtën mënyrë, me të njejtën shkallë të vlerësimit apo prioritetit. As që mund të imagjinohet që një qenie e gjallë të mos marrë pjesë me pasionin e tij në tregimin e një ngjarjeje.
* * *
… Duke u kthyer tek shembulli ynë i tre dëshimtarëve në gjyq, një gjë mund ose duhet që të pretendojmë: të tre versionet e së njejtës ngjarje (fakti) të respektojnë thelbin e tij.
Është rregulli i vjetër i gazetarisë anglosaksone, e ashtuquajtura „katër w“:
– Kush?,
– Ҫfarë?,
– Kur?
– Ku?
Kush e ka bërë, çfarë, kur dhe ku?
Me shtesën e domosdoshme – Përse?
Si të tre dëshimtarët gjatë procesit edhe tre gazetarët, të zotë e të përkushtuar, do t’a tregojnë të njejtën ndodhi, në mënyra të ndryshme në gazetat e tyre. Ndryshimi i paraqitjes në tre këndvështrime jo të njëjta, në rast se thelbi i ngjarjes (faktit) është respektuar, nuk përbën problem; kjo është një pasurim për lexuesin dhe vet ata, gazetarët. Ja përse është e rëndësishme që të ekzistojnë shumë gazeta dhe shumë TV, ku shumë gazetarë do të mundnin të përshkruajnë të njejtën ndodhi (fakt). Kjo quhet PLURALIZËM.
Ai që i përshkruan faktet me ndërgjegjje nuk është llafollog, por harmonik. Pastaj kemi edhe gazetarë të pa ndërgjegjshëm; ky është i bindur se të mirët janë të gjithë nga kjo anë dhe të gjithë të këqinjtë, nga ana tjetër.
Këtij i vjen për mbarë, për motive të interesit personal, për miqësi apo përkatësi partiake, për interesa biznesi, apo kariere, nga servilizmi, frika apo oportunizmi, apo urdhërat e shefave, të japë gjithëmonë të drejtë njerës palë e të dënojë tjetrën. Në këto raste, nëse gazetari i pasqyron gjërat në mënyrë të ndryshme nga kolegët e vet, nuk është se ai i shikon ashtu, por sepse DUHET ose DËSHIRON t’i tregojë kështu, megjithëse e di shumë mirë se po gënjen.
Ai duhet të heshtë mbi disa fakte të pakëndshme (për veten apo për të tjerët) duke arritur deri edhe në përmbysjen e thelbit të lajmit, sepse e çensurojnë ose bën autoçensurën.
Në këto raste, kronikat e tij nuk tregojnë pluralizëm, por një grumbull pa form gënjeshtrash dhe gjysëm të vërtetash. Duke bashkuar dy gjysëm të vërteta, nuk arrihet një e vërtetë. Arrihet një dopio gënjeshtër, e më keq akoma, duke bashkuar gënjeshtra të ndryshme, arrihet një gënjeshtër me fuqi të shumë fishuar.
Është shumë më e mirë mungesa totale e informacionit, se sa një shumicë e informacioneve gjysmake ose fallco. Në rast se një njeri nuk di asgjë, do të kërkojë të dijë diçka. Por në rast se do të dijë diçka, e kjo diçka është fallco, por ai nuk e di këtë, do të mendojë se e njeh të vërtetën dhe do ta regjistrojë atë (informacionin fallco) në mëndjen e tij, duke mospranuar informacione që dëshmojnë të kundërtën.
Të informosh për një ngjarje (fakt) atë që nuk di asgjë, është shumë më lehtë, se sa të informosh atë që është njohur më parë, me një lajm falls ose të manipuluar. Së pari duhet bindur se është mashtruar (rrethanë që është e vështirë të pranohet), t’ia heqësh nga mëndja lajmin falls dhe pastaj t’ia zëvëndësosh me lajmin e vërtetë.
…Gazetari i mirë duhet së pari të njohë themelet e zanatit të tij, për të ditur të dallojë burimet e besueshme nga ato të pabesueshme, për të verifikuar në mënyrë korekte, për të stërvitur syrin, që të dallojë thelbin e çdo fakti e të dijë ta tregojë në mënyrën më të kuptueshme dhe të plotë.
Së fundmi, ai është njerëzor, bagazhi i tij kulturor do t’a drejtojë për t’i kushtuar rëndësinë më të madhe këtij apo atij aspekti të faktit që po tregon, për të vërejtur njërën anë në vënd të tjetrës, zgjedhjen e ngjarjes simbas ideve të tij, e të marrë pjesë me emocionet e tij në disa ngjarje dhe fate të personazheve.
E gjithë kjo është normale dhe pozitive, në rast se bagazhi kulturor, ideor dhe emocional është i tij dhe jo i të tjerëve.
…Nuk ka asgjë të keqe të jesh i së majtës apo i së djathtës. Përkundrazi është normale dhe e drejtë. Sejcili ka idetë e tij, duhet të ketë idetë e tij, do të qe fatkeqësi po të mos i kishte. Në një vend ku mbizotërojnë dy pole, të paktën ditën e zgjedhjeve, qytetarët; duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët, gazetarët dhe juristët e kushtetutës, hedhin votën e tyre në favor të të majtëve, të djathtëve dhe një pakicë nuk voton për askënd.
Fatkeqsi është, kur një ide politike ose fushatë elektorale, ndot paanësinë e gjykatësit apo gazetarit në punën e tyre të përditshme profesionale.
Kundër gjyqtarëve të politizuar (shumë më të paktë se sa besohet) për vepra apo vendime të ndikuara ideologjikisht, ka mundësi të shumta për t’u ankuar në shkallë të tjera të gjykimit.

Kundër gazetarëve të politizuar (shumë më të shpeshtë se sa mendohet) në më të shumtën e rasteve nuk ka ilaç; nuk është e lehtë për lexuesin ta dallojë dhe akoma më e vështirë është kjo për telespektatorët.
Lexuesi ka mundësi të nderojë gazetën (megjithëse nuk është e lehtë, gazeta është një zakon), por teleshikuesi është i dënuar të vërdalloset ndërmjet kanaleve të ndryshëm vetëm në paraqitje e ku veprojnë pothuaj se vetëm gazetarë të politizuar, sepse në televizion komandon POLITIKA.
Për rrjedhojë na mbetet të mendojmë se të gjithë gazetarët kanë një mbështetës politik dhe nga njëra anë quhet fallco lajmi i papëlqyeshëm d.m.th. si jo i vertetë, nga ana tjetër diskretitohet dhe dilegjitimohet funksioni i kontrollit të lajmit. Pranohet që PUSHTETI të përdorë për qëllimet e veta, gazetarët miq e në të njejtën kohë të neutralizojë ata që janë të lirë dhe të paanshëm, të cilët për fat, akoma ekzistojnë, megjithëse gjithmonë e më të rrallë. (f.20 „La scomparsa die fatti“ 2006).

*  *  *

Marco Travaglio, është një nga përfaqësuesit më me zë të gazetarisë hetuese të ditëve tona. Është autor dhe bashkautor i shumë botimeve që kanë në qendër të tyre Mafien, Korupsionin dhe gjendjen e Medias së sotme italiane si „Montanelli dhe Kavalieri“, „Të paprekshmit“, „Berluskomike“, „Duart e pastra, historia e vërtetë“, “Duart e pista“, „Regjimi“etj. Për artikujt dhe librat e tij demaskues është bërë objekt sulmi nga gjyqësori. Për rolin e gazetarit M.Travaglio shprehet: “Gazetari ka për detyrë të tregojë faktet, mundësisht ato më flagrante që pushteti përpiqet t`i fsheh, pikërisht për ato që zëdhënësi ka për detyrë të hesht ose t`i mbajë të fshehur. Zëdhënësi bashkëjeton me pushtetin, zërin e së cilës përçon. Gazetari duhet të qëndrojë larg të fuqishmëve duke i shqetësuar dhe kontrolluar vazhdimisht”. Duke folur për rolin aktiv të shtypit amerikan, gazetari italian i quan gazetarinë “qen roje i popullit kundrejt pushtetit”. (Titulli i këtij artikulli është i pashtriku.org)

Përktheu: Fatbardha Demi – 06. 11. 2009

……………………………………………………

Marco Travaglio sulla trattativa Stato-Mafia e le intercettazioni di Napolitano (19Lug2012)

,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,

Politici e frequentazioni mafiose (Marco Travaglio Servizio Pubblico 24 maggio 2012)

……………………………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura