Tiranë, 02. 03. 2014 – Duke rrëmuar si zakonisht në bibliotekën e babait tim, gjeta një libër që studiuesi dhe shkrimtari ynë Moikom Zeqo, ia kish dhuruar atij me mbishkrimin: “Lasgush Poradeci, lirikut të madh, me dashuri, Moikomi 20. II. 1981 Durrës”. Kjo, nuk ka ndonjë rëndësi sepse babait tim i janë dhuruar edhe libra të tjerë me poezi, me prozë e studime nga shkrimtarë të rinj e të vjetër që e kanë patur për zemër, por më ngacmuan shënimet që ai ka bërë në tre faqet e para të librit.
Si fillim, Lasgushi pasi ka lexuar librin lë përshtypjet për Moikomin:
“Moikomi është me ndjenja të brendshme, shumë fantastike, dhe me shprehje të shkëlqyeshme artistike. Pa këtë zotësi shprehjeje artistike (d.m.th. poetike) s’ka shkrimtar, as poet. Lasgush”.
Ky libër, me skica dhe tregime titullohej “Pedagogu i Kopernikut”. Me një kujdes dhe dashuri të veçantë prej studiuesi babai im ka nxjerrë në faqe të parë shprehjet dhe figurat letrare që i kanë pëlqyer dhe e kanë tërhequr më shumë.
Lasgush Poradeci (1899 – 1987)
Lasgush Poradeci dhe Selman Riza
Kështu p.sh.:
Fq 88-9. Bogdani qëllonte me shkronjat e gjuhës arbëre (lexo prapë fq 88-89 Shpella e Bogdanit)
F. 53: “si e nemitur”. (verë re “si”-në)
F. 82-3: “2 zjarre shkëndijonin”.
F.93: “Buzuku mori kopjet e librit t’i çojë në Arbërinë e pushtuar nga osmanët” (Duhet thënë nga turku meqë arbërit theshin turku jo osmanët”.
Fq 92-93 “Buzukut iu duk sikur tërë konstelacionet lëviznin për të shtypur fjalët shqipe të librit të tij, si një shtypshkronjë fantastike… Sikur në tërë hapsirat e qiellit qenë përhapur gërmat për tingujt e pavdekshëm të gjuhës shqipe. Ay e dinte se ky libër do të rronte e gjuha shqipe s’do të pengohej kurrë, aq sa mund të pengoheshin konstelacionet që përfaqësonin tingujt e përhershëm të gjuhës së heronjve, të mallit e të kulturës shqiptare: “n’së dashunës botës sanë”.
F.122: “Ajo ishte shpata e një trimi të lirisë, ajo kurrë nuk do të ndryshkej as do të thyhej e shtrembërohej, po e drejtë, e mprehtë do të reflektonte në tehun e saj shkëlqimin e kohrave betejat e këngën e historisë”.
F. 9126, 127-8 “Lulëkuqet shqiptare të kopshteve të Taxh Mahallit ruajtën në ngjyrën e tyre gjakun që rrodhi nga sytë e duart e usta Mehmetit, mjeshtrit të madh shqiptar”. “Vërtetë duart ia prenë, por ato duar ishin kudo ku bëheshin ndërtime në botë, në veprat e mëdha të arkitekturës botërore, që ishin bërë e që do të bëheshin, se ato ishin duart e një mjeshtri e arkitekti shqiptar të përmendur, që do të mbetej e do të kujtohej brez pas brezi në historinë e ndërtimeve të botës, si një krenari e madhështi e forcave të njeriut”.
* * *
E të tjera si këto që im atë i ka nxjerrë të shkruara me stilograf në faqet e para të librit. Gjithkujt do t’i bënte përshtypje që ai ka qenë jo vetëm i kujdesshëm, i vëmendshëm por dhe me shumë respekt për njerëz të fushës së letërsisë e kulturës, do t’i bënte përshtypje skrupuloziteti i tij për të lexuar e ndjekur me kujdes gjithçka shkruhet e botohet si një kritik i vërtetë, dashamirës e i sinqertë. Ai kurrë nuk ka bërë një lexim për lexim, për t’i thënë një fjali dhuruesit të librit e për t’i bërë qejfin: librin e lexova, ishte shumë i bukur… dhe kaq!
Jo! Ai është një përsosmëri kritike dhe dashamirëse sa arrin të veçojë shprehje e fjalë aty ku autori arrin artin e vërtetë. Kushdo që do të tërheqë librin e tij nga biblioteka personale e tij është e pamundur mos bien në sy shënimet që ai ka lënë tek faqet e para të librit. Po t’i lexosh me kujdes këto shënime, po të shikosh rreshtat e nënvizuar gati në çdo skicë e tregim të librit do të kuptosh kritikën për librin dhe për vetë autorin. Ai ka nënvizuar përdorimin e figurave letrare, detajin artistik, shprehjet artistike që të lënë mbresë dhe të papërdorura më parë, nxjerr fantazinë e autorit që skicat e tregimet e tij nga e kaluara e lashtë e popullit tonë i sjell sot kaq domethënëse, shprehëse e të magjishme. Pra në këto shënime, Lasgushi përshkruan vlerat ideore e artistike të shkrimtarit, vlera që ai i ka patur shumë për zemër për këtë njeri të letrave.
Më duket sikur tregimi “Babai i krijesave prej mermeri” është shkruar enkas për babain tim. Për këtë tregim ai ka shënuar:
Fq 144 (9 rradhë simbolizonjëse shumë sugjestive).
Këto rradhë janë:
– Baba, merri këto lule; ti e di mirë se ç’janë ato. Aroma e tyre të ringjall. Të thashë se ti nuk vdes. Ke të fala nga kështjella e moçme dhe nga Kalorësi prej Bronzi. Ti ke bërë vepra po aq të shquara artistike.
– Baba hapi sytë të shohësh: nëpër gërmat “Durrsaku” që ke skalitur anë e kënd, mbijnë lule me ngjyrë dielli.
– Baba, ti s’vdes kurrë!
* * *
Nuk e teproj po të përsëris se kështu thonë edhe sot shkrimtarë, artistë e studiues për babain tim dhe kështu do të thonë për të gjithë ata që lenë një vepër pas e që u shërben brezave dhe kombit.
Unë e njoh Moikomin prej gati tridhjetë vjetësh. Ai hynte lirshëm në shtëpinë tonë dhe ishte ndër të paktit njerëz që na vizitonte. Ai e donte shumë artin dhe babain tim e kështu kishte arritur të fitonte zemrën e tij.
Por Moikomi kishte në shtëpinë tonë dhe një “status” tjetër që unë dua ta theksoj:
– Ai kish fituar edhe zemrën e mamasë time. Ajo e donte shumë por më dukej se e mbante pak me hatër sepse ai i kujtonte Durrësin, vendin e saj të lindjes, për të cilin e merrte shumë malli. Por kur bëhej fjalë për artin këto gjëra nuk kishin fare rëndësi.
Në gjykimin e tij ai nuk mbante njeri me “hatër”. Ai ishte shumë i kujdesshëm për gjithçka që lexonte. Me shënime të tilla janë të mbushura pothuajse të gjitha librat e bibliotekës së tij.
Këto shënime janë një pasuri dhe një mësim për t’i treguar brezave që vijnë se si duhet të jetë kritika letrare.
————————————-
FLET MARIE LASGUSH PORADECI :