MASAKRA E TUSUSIT NË PRIZREN, MË 26. 05. 1999 – GJENOCID I PANDËSHKUAR 

Gjenocidi i pandëshkuar!

MASAKRA E TUSUSIT NË PRIZREN, MË 26. 05. 1999 – GJENOCID I PANDËSHKUAR 

Nga Sheradin Berisha, Facerbook 13 nëntor 2022

HYRJE

Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rafshit të Dukagjinit, (e në jugperëndim të Kosovës). Tërësia territoriale e Komunës ka një sipërfaqe prej 640 km2 dhe paraqet 5.94 % teteritorit të Kosovës të ndarë në 76 vendbanime. Sipas regjistrimeve lokale rezulton se Komuna e Prizrenit në vitin 2002 kishte 220.776 banorë, nga të cilët në Prizren jetojnë rreth 110.000 banorë. (1) Në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999, në territorin e kësaj komune janë vrarë 325 banorë civilë (257 meshkuj dhe 68 femra), 125 banorë janë të pagjetur (121 meshkuj dhe 4 femra), ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 143 dëshmorë. Masakrat më të tmerrshme janë kryer në Krushë të Vogël (113), në Landovicë (23), në Lugishtë të Hasit (34), në Korishë (77) dhe në lagjen Tusus të Prizrenit (27) …

Autori me mbesën DUA në Kompleksin Memorial në Tusus të Prizrenit

***

Në raportin e Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren, datë 23. 02. 2009: “Pasojat e luftës në Komunën e Prizrenit” (3), theksohet se në korrik të vitit 1999 u gjetën tri varreza masive në fshatrat e Hasit: në Gorozhup dhe në Planejë, u zbuluan dy varreza masive me nga 12 kufoma, ndërsa në fshatin Mazrek, u gjetë një varrë tjetër me 10 kufoma. Të gjithë të vrarët ishin nga fshati Lubizhdë (Lugishtë) e Hasit të Prizrenit, të cilët ishin ekzekutuar nga 12 – 26 prill 1999.

Në qershor 2006 një varrezë masive me 20 të vrarë, është gjetur në mes të fshatrave Lubizhdë e Korishë. Të vrarët ishin nga Krusha e Vogël, të ekzekutuar më 26 mars 1999. Sipas shenimeve të KK – Prizren, dhe asociacioneve tjera, në Komunën e Prizrenit janë shkatërruar 3459 shtëpi shqiptare, 15 objekte shkollore, 2 zyrë të vendit, 1 shtëpi e Kulturës, 4 biblioteka shkollore, 8 objekte shëndetësore, 18 objekte fetare dhe rreth 2000 objekte afariste etj. (Krimet e Serbisë në Kosovë 1998 – 1999, Libri 2 – Prishtinë 2010, fq.174)

Me fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s, OSBE raportonte se, ushtria dhe policia serbe granatoi disa zona të qytetit dhe rrënoi vendndodhjen historike të “Lidhjes së Prizrenit”, një monument i rëndësishëm historik për shqiptarët…

Gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), Serbia angazhoi Armatën e tretë të ushtrisë, njësi paramilitare nën ombrellën e ushtrisë, dhe një superstrukturë të gjerë forcash policore, kundër popullit shqiptarë dhe UÇK-së, e cila në mars 1999 kulmoj me operacionin shfarosës, të koduar si Plani “Patkoi”.

Këto forca përbënin një kombinim të strukturave policore speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, njësive ushtarake speciale të Ushtrisë serbe, njësive të shumta paramilitare si dhe të një spektri forcash të tjera vullnetare që vinin nga vendet ish’sovjetike si nga: Rusia, Bjellorusia, Ukraina, pastaj Rumania etj.

Në raportin e tetorit 2001, organizata për hulumtimin e krimeve të kryera në Kosovë ”Human Rights Watch” shkruan: „Ushtria Jugosllave kishte komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Sipas ligjit, ajo kishte nën varësinë e saj policinë dhe forcat paraushtarake, megjithëse zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe ushtruan dukshëm një influencë të rëndësishme gjatë fushatës. Ushtria kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë duke koordinuar dhe lehtësuar kështu “spastrimin etnik” (në Kosovë).

Policia dhe forcat paraushtarake u përfshinë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në dëbimin e civilëve dhe shkatërrimin e fshatrave, për të cilën kishin mbështetjen e artilerisë së ushtrisë (serbe – Sh.B). Gjatë këtyre operacioneve burrat veçoheshin nga gratë dhe fëmijët për t’u marrë në pyetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe egzekutoheshin në vend.” – theksohet në raportin e saj “Human Rights Watch”.

Në një hulumtim që ka bërë “Human Rights Watch” pas luftës në Kosovë, ka konstatuar se, “Gjatë luftës, “Armata e Tretë e Ushtrisë Jugosllave, përgjegjëse për Kosovën, kishte një kazermë në Prizren dhe një numër dëshmitarësh mëtonin se ushtria ishte treguar tejet aktive në këtë komunë, duke bashkërenduar aksionet me policinë. Me qendër në Prizren ishte dhe Brigada e 549 e Motorizuar, e komanduar nga koloneli Bozhidar Deliç. Prizreni ishte gjithashtu edhe një nga shtatë bazat rajonale të policisë serbe në Kosovë, e njohur si Sekretarijat Unutrasnjih Poslova (Sekretariati për Punët e Brendshme) ose SUP.

SUP-i i Prizrenit mbulonte komunat e Prizrenit, Rrahovecit, Suharekës dhe Gorës. Komandanti i SUP-it për Prizrenin përgjatë gjithë vitit 1998 ishte koloneli Gradimir Zekavica, ndërsa nënkoloneli Millan Gjuriçiç ishte kryetari i seksionit të SUP-it të departamentit të policisë së Prizrenit. Në janar të vitit 1999 do të emërohej një kryetar i ri i SUP-it, koloneli Millosh Vojnoviç, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe zëvendës shef i departamentit të policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Më 7 qershor 1999, (vetëm 2 ditë para nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake në Kumanovë, ndërmejt NATO-s dhe Serbisë) kryekrimineli serb Sllobodan Millosheviç, u shprehu mirënjohje e mbështetje 911 pjestarëve të MUP-it dhe të UJ-së për siç thotë – “shtypjen e terrorizmit në Kosovë e për mbrojtjen e vendit nga agresioni“! Me këtë rast, ai me “Urdhërin e heroit Kombëtar” – i dekoroi Kolonel Bozhidar Deliç-Komandant i Brigadës 549 të motorizuar me seli në Prizren, si dhe oficerët e MUP-it serb në Prizren: Kolonel Gradimir R.Zekavica dhe Nënkolonel Millan S.Gjuriçiq, të cilët morën pjesë në planifikimin dhe organizimin e masakrave barbare në fshatrat e komunës së Prizrenit.

SI NDODHI MASAKRA NË LAGJEN TUSUS TË PRIZRENIT, MË 26 MAJ 1999

Lagjja e Trimave (ish-lagjja Tusus) shtrihet në pjesën jugore të Prizrenit rrëzë maleve të Cvilenit. Gjatë luftës, kjo lagje ishte baza kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe luajti një rol të rëndësishëm në masovizimin e radhëve të UÇK-së për zonën e Vërrinit, prandaj si e tillë ishte vënë nën vëzhgim të përhershëm nga forcat pushtuese serbe. Në muajt mars – maj 1999, në kohën kur forcat militare dhe paramilitare serbe me dhunë e shpërngulte popullatën shqiptare për në Shqipëri, Tususi ishte shndërruar në një çerdhe të fuqishme për UÇK-në, dhe prandaj shumica e banorëve të saj nuk i lëshuan shtëpitë e tyre, madje një kohë aty gjetën strehim edhe dhjetra familje të Vërrinit, Opojës dhe të fshatrave të Therandës e të Anadrinit.

* * *

Forcat kriminale serbe, gjatë kësaj periudhe disa herë kanë tentuar të stacionohen në Tusus, mirëpo gjithnjë kanë hasur në rezistencë të armatosur nga dy njësitet e UÇK-së, të Brigadës 125, të drejtuar nga komandantët:

– Samidin Xhezairi – Hoxha dhe

– Zafir Berisha.

Për të “sfiduar” këtë qëndresë të pathyeshme të UÇK-së, komanda ushtarake serbe në Prizren, më 24 prill 1999 mobilizon forca të mëdha ushtarake e policore dhe rrethon lagjen Tusus. Me këtë rast arrestohen 50 mashkuj dhe dërgohen në qendrën sportive ”Sezair Surroi”, e cila me fillimin e bobardimeve të NATO-s (24 mars ´99) ishte shndërruar në një “kamp të madh përqëndrimi” për qindra shqiptarë të zënë robë, nga anë të ndryshme të Kosovës, që deportoheshin për në Shqipëri.

Nga shumë dëshmitarë, mësohet se gjatë muajve prill-maj 1999, forcat militare e paramilitare serbe qindra shqiptarë të zënë robër i kanë detyruar të hapin istikame në disa vendbanime përreth kufirit, për t´u mbrojtur nga bombardimet e aleancës veriatlantike NATO-s.

Human Rights Watch ka intervistuar dy burra që ishin marrë nga shtëpitë më 24 prill, për të shërbyer në brigadat e punës. Fillimisht ata i kishin grumbulluar në qendrën sportive të Prizrenit, pranë kazermave të ushtrisë dhe aty iu kishin dhënë për të veshur uniforma të vjetra të ushtrisë. Paskëtaj i kishin dërguar në komunën e Dragashit, në jug të Prizrenit, ku kishin hapur llogore për një muaj me radhë. Banorë të tjerë të Prizrenit që e kishin braktisur qytetin në mes të prillit, thanë se ishin larguar pikërisht për të shpëtuar nga grumbullime të tilla…

Gjatë muajit maj 1999, njësitet e UÇK-së duke mbrojtur popullatën shqiptare, disa herë janë përballur me forcat pushtuese serbe në lagjen Tusus dhe në pjesët tjera – përgjatë maleve të Cvilenit dhe të Vërrinit. Ngjarja kulmore e të gjitha zhvillimeve luftarake të UҪK-së në këtë lagje të Prizrenit, ishte ajo e 26 majit 1999, ku njësitë e UҪK-së gjatë një aksioni vrasin dy policë të nëjsisë speciale serbe. Në raportin e Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren, datë 23. 02. 2009: “Pasojat e luftës në Komunën e Prizrenit”, shkruan: “Njësitet e UҪK-së më 26. 05. 1999 në ora 07:30 kanë sulmuar në befasi policinë serbe në Lagjen ‘Tusus’, pikërisht në kohën kur po bëhej ndërrimi, pasiqë një kohë ishin vëzhguar lëvizjet e forcave serbe në këtë lagje. Me atë rast, vriten dy policë. Vrasja e policëve ka ndodhur në rr. “Ramiz Sadiku” (tash Xhevat Berisha) të kësaj lagjeje. Policët e vrarë, kishin me vehte çanta me gjësende të plaçkitura nga shtëpitë e braktisura të qytetarëve shqiptarë.”

Në gjysmën e parë të muajit qershor 1999, “Human Rights Watch” ka intervistuar tre refugjatë në Shqipëri, si dëshmitarë okularë të asaj çka ndodhi në Tusus më 26 maj 1999. Ndërkaq, një hulumtues i Human Rights Watch, më 14 qershor, menjëherë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, vizitoi lagjen Tusus të Prizrenit. Me këtë rast ka fotografuar shkatërrimet e bëra nga forcat serbe dhe janë intervistuar katërmbëdhjetë banorë të Tususit. Dhuna në Tusus do të merrte zjarr pas vrasjes e të paktën dy oficerëve serbë të policisë në rrugën Ramiz Sadiku, bulevardi kryesor që e përshkon mes për mes gjithë zonën. Një numër dëshmitarësh i kanë thanë “Human Rights Watch” se, ata kishin dëgjuar rreth vrasjeve, ndërkohë që një dëshmitar tjetër, L.V., deklaroi se ai i kish parë kufomat, mëngjesin e datës 26 maj. “Njëri (nga policët) ishte shtrirë në shpinë,” shpjegoi L.V. “Ndërsa tjetri kishte rënë përmbys, me shpinën shoshë nga plumbat; kurrizi i tij ishte i llangosur me gjak.” Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar emrat dhe fotografitë e dy policëve të vrarë në Tusus më 26 maj: Millosav Rajkoviç (i lindur në vitin 1975), dhe Zllatomir Stankoviç (I lindur më 1957).

Forca të shumta ushtarake, militare e policore serbe, në pamundësi të shkatrrimit të bazave të njësive të UÇK-së, qysh në orët e para të paradites së 26 majit 1999, ndërmorën një ofensivë gjithëpërfshirëse me karakter hakmarrës mbi popullatën e pafajshme civile. “Në orën 9:30 ka nisur ofenziva e forcave serbe.” – shkruan QR e KMDLNJ-së në Prizren. Njësitë kriminale serbe me brutalitet u futën shtëpi më shtëpi, dhe në këtë operacion të furishëm, plaçkitën, dogjën e shkrumuan 245 shtëpi të kësaj lagjeje. Në këtë situatë njësitë kriminale serbe, i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët dhe pa mëshirë i ekzekutuan 25 meshkuj të moshave të ndryshme. Ky operacion me përmasa gjenocidi ka vazhduar deri në orët e pasdites.

Shumë dëshmitarë që mbijetuan këtë masakër, thonë se, në këtë operacion të përgjakshëm, janë përfshirë forcat speciale të policisë, në koordinim me formacione të përziera militare e paramilitare serbe, të cilat kishin të veshur uniforma kamuflazhi (të gjelbra), një pjesë e tyre mbanin maska në fytyr, ndërsa të tjerët kishin të lidhur shamia në kokë. Një 11 vjeçar i ka thënë hulumtuesit të “Human Rights Watch” se ata mbanin “kama të mëdhaja” dhe “tymosnin puro”. Një tjetër dëshmitar është shprehur për praninë e “grekëve dhe rusëve që s’flisnin as edhe një fjalë serbisht”.

Dëshmitari F. K., 33 vjeç, banor i Tususit, i ka thënë hulumtuesit të “Human Rights Watch” se ai dhe 16 anëtarët e familjes së tij – në paraditën e 26 majit, “kishin zënë vend në qilarin e shtëpisë dhe dëgjuan të shtëna të shumta.” Zjarri i armëve, ka thënë ai, “ishte i paprerë, fare afër, ndoshta rreth pesëdhjetë metra larg nga shtëpia ime. Pas gjysmë ore të shtënash të vazhdueshme, ata nisën të djegin dhe shembin shtëpitë në lagjen tonë. Rrënuan gjithçka.” Ai ka deklaruar se zjarri vazhdoi deri në pragmbrëmje, kur ai dhe familja e tij do të largoheshin duke kapërcyer murin e oborrit të shtëpisë dhe ecur mes për mes trarëve të djegur, për të mbërritur në rrugën që do t’i nxirrte nga lagja. Pjesëtarë të familjeve të tjera do të përshkruanin se si forcat serbe kishin hyrë në shtëpitë e tyre, herë për të vrarë, herë për të bërë kontroll. dëshmitari L. V. (një djalë 16 vjeç), i ka thënë hulumtuesit të “Human Rights Watch”: “Më shumë se pesëmbëdhjetë serbë erdhën në shtëpi. Ata na pyetën, “A ka UÇK këtu?” Kontrolluan në gjithë shtëpinë dhe ndenjën brenda për afro pesë minuta. Ishin trupa speciale të policisë dhe në krah mbanin shenjën e kuqe të flamurit serb. Mua më nxorën nga shtëpia dhe më thanë, “Do të vrasim. Shih për herë të fundit njerëzit e shtëpisë se ne do të vrasim.” Kur L. V.-në e nxorën nga shtëpia, një burrë, i cili sipas tij ishte komandanti i serbëve, iu tha të tjerëve ta lironin. E ëma e L. V.-së gjithashtu ishte keqtrajtuar; ajo tha se, ato çaste kish menduar se forcat e sigurimit kishin për të marrë me vete, por vetëm ulërima e vjehrrës e kishte shpëtuar. Shtëpinë e tyre do ta vizitonin më shumë se një herë, grupe të forcave të sigurimit serb, ngaqë ajo ndodhet mu në qendër të rrugës “Ramiz Sadiku”.

Aty ku përfundon rruga “Ramiz Sadiku” ndodhet shtëpia e familjes Abdylmexhidi, të cilës më 26 maj 1999 forcat kriminale serbe ia vranë e masakruan barbarisht gjashtë meshkuj të familjes. Dëshmitarja Jehona (Sami) Abdylmexhiti-Thaçi, (e lindur më 04. 12. 1980) atë ditë të tmerrshme e përshkruan si më poshtë:

“Më 26. 05. 1999, ka qenë ditë e mërkurë, isha në shtëpinë time në Prizren, rr.”Rugova”, nr.6, Lagja ‘Tusus’, bashkë me familjen, axhallarët dhe disa kusherinjë, gjithësejt ishim 15 vetë. Në mëngjes herët rrethë orës 8.30 ka filluar djegia e shtëpive në këtë lagje nga ana e forcave policore-ushtarake serbe. Reth orës 11.00 flaka i është afruar shtëpisë sonë. Ishim në panik dhe nuk dinim kah të shkonim, si të vepronim. Në një moment 6 meshkujt tanë janë nisur kah rruga kryesore (ish rr.Dedinja). Mirëpo ata ndalohen nga policia dhe ushtria serbe dhe i kthejnë përsëri në shtëpi. I kanë mbështet për muri të shtëpisë sonë, i kontrolluan dhe ju kërkuan të holla. Babën tim – Samiun e kanë futur brenda në shtëpi dhe në prezencë të nënës sime, Fejzijes, i kanë kërkuar të holla. Me këtë rast e kanë kërcënuar nënën: “nëse nuk jep para do ta vrasim burrin”. Nëna nga frika u ka dhënë 2000 DEM. Axhën tim Rafetin e kanë goditur me tytë automatiku dhe kanë kërkuar edhe nga ai të holla. E di që ju ka dhanë edhe dinar të Serbisë, por policët dhe ushtarët i kanë hudhur ato, ndërsa i kanë marrë markat. Krejt këtë situatë të rëndë dhe rrënqethëse e kanë parë 4 fëmijët e axhës, tri gra, gjyshi – Vaiti dhe gjyshja ime – Zymyle. Gjatë gjithë kohës na thonin ku është UҪK-ja, ku e keni Amerikën, do t’ju vrasim të gjithëve, e provokime të tjera. Pasi i kanë marrë parat nga nëna, babain e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë mbështetur për muri bashkë me axhën – Rafetin, dy vëllezërit (Shefikun e Beharin), kusheriun (Hyrmetin), djalin e dajës (Mirsadin), ndërsa nga shtëpia e Mirsadit, e cila është ngjitë me tonën, e kanë sjellur, burrin e tezes (Hesatin) dhe djalin e tezes (Bejanin), të cilët poashtu i kanë mbështetur për muri, gjithësejt 8 vetë. Ndërkohë kanë bastisur brenda në shtëpi, por nuk kanë gjetur armë. Pastaj neve gratë dhe fëmijët na kanë thënë të dalim jashtë. Jemi nisur kah rruga kryesore. Pas 3 – 4 min., kemi dëgjuar krisma armësh – në rafale. Nuk kemi guxuar të kthehemi. Në rrugë kishte shumë forca. Pasdite, gjyshja Zymyle, (nëna e babës tim) ka hy në shtëpi në kohën kur po digjej shtëpia, dhe ka parë gjurmë të gjakut dhe dokumente e gjësende tjera personale të shpërndara në tokë, por, nuk ka hasur në ndonjë kufomë. Na mbante shpresa se ndoshta ishin gjallë. Pas dy ditësh, babai i Bejanit (Xhevati) ka shkuar në polici dhe e ka kërkuar djalin, por i kanë thënë: “shko te zoti kërkojeni, …ik më shpejt se edhe ty do të vrasim”. Të premten më 28. 05. 1999 Xhevat Xhemshiti ka shkaur në morg dhe ka identifikuar: Bejanin dhe Hesatin, ndërsa po atë ditë nëna ime, Fejzia dhe halla Servete në morgun e spitalit kanë identifikuar: babën tim – Samiun, axhën tim – Rafetin, vëllezërit: Shefikun e Beharin, kusheriun – Hyrmetin dhe djalin e dajës – Mirsadin. Po atë ditë janë varrosur në varrezat e Prizrenit”. – përfundon dëshminë Jehona (Sami) Abdylmexhiti-Thaçi.

Hulumtuesi i “Human Rights Watch” ka intervistuar dy dëshmitarë që kishin marrë trupat e të vrarëve – nga morgu i spitalit të Prizrenit, në ditët e mëpasme. Dësmitari M. B. (65 vjeç) ka thënë se, “ai dhe capak miq të tij kishin marrë nga morgu atë ditë të premte nja dy dyzina trupash, duke përfshirë këtu edhe një grua tridhjetë e katër vjeçare të djegur krejt; ajo kishte pasë banuar në të njëjtën rrugë me të.” Atij i kujtohet, kur: “Doktori i morgut” – ju ka thënë – “se duhej të vendosnim: ose t’i merrnim e t’i varrosnim, përndryshe ata do t’i fusnin të gjithë në një varr të përbashkët. Unë mbarta një pjesë të trupave me karrocë.” Një dëshmitar tjetër 65 vjeçar, F.D., i ka thënë hulumtuesit të “Human Rights Watch”, se ka shkuar disa ditë me radhë në morg, duke marrë për çdo herë nga dy a tre kufoma. Ai ka marrë pjesë edhe në funeralin e një pjese të të vdekurve, një ditë të dielë, në varrezat pranë xhamisë së vendit. (4)

Banorët e lagjes që kishin përjetuar këtë masakër të tmershme, mbajnë mend se, forcat serbe nga Tususi janë larguar në orët e pasdites (të 26 majit), pa rënë terri i natës. Dhe, derisa po largoheshin trupat serbe, në Tusus ka arritur një kamion për të mbledhur kufomat e mashkujve të ekzekutuar, të cilat i kanë dërguar në morgun e spitalit të Prizrenit. Dëshmitarët i kanë thënë hulumutuesit të “Human Rights Watch” se, Grupi i njerëzve të kamionit përbëhej nga një shofer shqiptar, katër punonjës civilë serbë dhe katër rromë, që ishin marrë si hamenj për të ngarkuar kufomat. “Kamioni ishte plot e përplot me kufoma,” – ka thënë një dëshmitar. “Ai ishte i hapur nga mbrapa, kështu që shiheshin kollaj. Rromët shkonin shtëpi më shtëpi për të kërkuar kufomat. Ata i merrnin dhe i hidhnin në kamion sikur të ishin thasë.” Një dëshmitare tjetër, ka deklaruar, se kish parë një numër të madh kufomash të mbështjella me çarçafë të bardhë, në pjesën e mbrapme të kamionit, njëri nga punonjësit civilë mbante në dorë një kamera dhe me të xhironte të vrarët”. (4)

KUSH U EKZEKUTUA MË 26 MAJ 1999 NË LAGJEN TUSUS TË PRIZRENIT

Nga dëshmitë e mbledhura në këtë lagje, mësohet se më 26 maj, nëpër shtëpi dhe nëpër rrugët e Tususit u ekzekutuan mizorisht 25 civilë shqiptar, të paarmatosur:

1. Rafet Abdylmexhiti 1947,

2. Sami Abdylmexhiti 1951,

3. Shefik Abdylmexhiti 1978,

4. Behar Abdylmexhiti 1982,

5. Mirsat Osmani 1975,

6. Hyrmet Sylejmani 1964,

7. Hesat Xhemshiti 1937,

8. Bejan Xhemshiti 1975,

9. Bislim Qengaj 1921,

10. Selvinaze Qengaj 1923,

11. Salih Elshani 1936,

12. Ymer Thaqi 1945,

13. Avdi Berisha 1921,

14. Refki Berisha 1961,

15. Hajrim Arifi 1977,

16. Sani Bajrami 1968,

17. Neki Gashi 1935,

18. Selim Berisha 1932,

19. Feim Berisha 1927,

20. Xhemajli Poniku 1933,

21. Halil Poniku 1937,

22. Fazile Maqkaj 1968,

23. Rexhep Maqkaj 1923,

24. Nijazi Muja 1959, dhe

25. Fadil Ramadani.

SI U EKZEKUTUAN ENES E FATMIR MUHARREMI NË LAGJEN “BILBIDERE” TË PRIZRENIT

Në një lagje tjetër të Prizrenit, në “lagjen Bilbidere”, 10 ditë më herët, para se të ndodhte maskra e Tususit, saktësisht më 16 maj 1999 forcat paramilitare serbe kanë vrarë në shtëpinë e tyre: Enes dhe Fatmir Muharremin. Për ekzekutimin e Enesit dhe të Fatmirit, “Human Rights Watch” ka intervistuar anëtarë të familjes. Dëshmitarët kanë thënë se, aty nga fundprilli, pothuaj të gjithë banorët e lagjes u larguan për në Shqipëri, ndërkohë që aty mbeti familja e tyre dhe gjashtë familje të tjera. Tri javë kaluan pa kurrfarë incidenti, derisa një të dielë, më 16 maj, ia behu një grup policësh serbë, që zunë të kontrollonin në shtëpi për armë. Jo shumë kohë pasi ishin larguar policët, mbërriti një grup i madh paraushtarakësh. E. Muharremi, një grua 26 vjeçare, i kallzoi Human Rights Watch rreth asaj çka kish ngjarë: Njerëzit e Arkanit, afro njëqind vetë, erdhën rreth orës 9 të mëngjesit. I kujtohet mirë, se “në krye mbanin shami ngjyrë qielli dhe kishin veshur jelekë specialë që i mbanin të pakopsitur; kësisoj mund të shihje gjokset e tyre. Në qafë mbanin gjerdanë me kryqe dhe emblema të tjera. Pjesa më e madhe kishin rruar kokat; disa mbanin mjekra. Midis tyre ishte dhe një rus me mjekër; ai s’fliste as edhe një fjalë serbisht … Fytyrën dhe pjesën e nën syve e kishin lyer me bojë. Kishin veshur uniforma kamuflazhi në ngjyrë të gjelbër, si të ushtrisë, teksa një grup i vogël i kishin ngjyrë blu të errët … Ata nuk erdhën në shtëpinë tonë, por ishin shpërndarë gjithandej nëpër lagje. Na kishte hyrë frika në palcë.” E. Muharremi, mban mend se, paraushtarakët morën dy kunetërit e saj, Elez e Enes Muharremin, si dhe djalin e Enesit, Fatmir Muharremin. S’kish kaluar shumë nga koha kur ata i kishin marrë dhe anëtarët e familjes që kishin mbetur në shtëpi, dëgjuan breshëritë e armëve automatike. A. Muharremi, e ëma e dy vëllezërve vijoi të shpjegonte: “Dëgjova krismat e armëve. ‘Kam frikë se i vranë’ i thashë djalit tjetër … ishin breshëri të tëra zjarri nga një pushkë automatike.” Pasi paraushtarakët u larguan nga lagja, njerëzit e familjes i gjetën trupat e dy burrave në banjon e një shtëpie aty pranë.

Vëllai i mbijetuar i Enesit, i ka thënë “Human Rights Watch”: “Dëgjova ulërimën e grave që kishin gjetur trupat, kështu që ia dhashë vrapit në drejtim të tyre. Një fqinj më tha, “mos hyr brenda, s’ke për të qenë në gjendje ta durosh dot atë pamje”, ndaj dhe unë s’hyra. U nisa për në rajonin e policisë për të lajmëruar, por rrugës hasa tre prej tyre. Ata erdhën me mua te shtëpia ku gjendeshin trupat dhe ne hymë së bashku në banjë. Aty pamë kufomat, ishin plandosur në dysheme. Kudo të zinte syri gjak. Enesin e kishin qëlluar dy herë, në gjoks dhe në krah; Fatmirin e kishin qëlluar në gjoks dhe në këmbë. Policët nuk i morën trupat për t’i çuar në morg. (4)

MEMORIALI NË LAGJEN E TRIMAVE

Pas luftës Enesi dhe Fatmiri së bashku me 25 martirët e Tususit, prehen të qetë në varrezat e përbashkëta, në fund të lagjes së trimave (ish -Tusus).

***

“Amaneti ynë:

Punoni, duani dhe ndihmoni njëri tjetrin,

çmojeni këtë liri që ua solli gjaku ynë dhe

i mijëra të tjerëve, nëse nuk doni që t´u

përsëritet historia…

…Kosovë e larë me gjak ndër shekuj e mote,

gjaku ynë hallall të qoftë,

lamtumirë Prizren historik,

gjaku ynë t´u bëftë dritë…”, – kështu thuhet në mbishkrimin e përmendores së ngritur në lagjen Tusus (tani lagjja e trimave) në Prizren, ku janë të skalitur emrat e 27 shqiptarëve të vrarë e të masakruar barbarisht, më 16 e 26 maj 1999, nga forcat kriminale serbe.

Autosave-File vom d-lab2/3 der AgfaPhoto GmbH
Autosave-File vom d-lab2/3 der AgfaPhoto GmbH

PSE ASKUSH S’I NDJEK KRIMINELËT?!

Pas përfundimit të luftës, kur popullata e shpërngulur kthehet në Kosovë, ka gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi (shumë fotografi të kriminelëve serb janë gjetur edhe në lagjen Tusus të Prizrenit e në rrethinë), në të cilat shihen qartë militarët e paramilitarët serbë në aksione, duke buzëqeshur mistershëm me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapluar zjarri, shihen ata duke plaçkitur pasurinë e shqiptarëve. Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtare, dhe ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këta kriminelë. Ndërkohë që EULEX’i po i ndjek e arreston luftëtarët e lirisë, të cilët me armë në dorë e mbrojtën popullatën nga shfarosja! Kur kihen parasysh të gjitha këto fakte dhe mijëra të tjera si këto, natyrshëm bëhet përgjegjës, i gjithë lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për mosngritjen e një padie penale kundër shtetit serb, për gjenocidin dhe etnocidin e kryer në Kosovë.

***

Më 26 maj 1999 njësitë kriminale serbe pasi i plaçkitën, dogjën e shkrumuan 245 shtëpi të Lagjes Tusus! (Shikoni disa fotot të bëra nga veprimtarja Bajrame Tafallari)

Prizren, maj 2011

____________

Literatura:

1. Komuna e Prizrenit – http://kk./rks-gov.net//prizren/City-guide/Geography,aspx, dhe wikipedia.

2. Krimet e Serbisë në Kosovë 1998 – 1999, Libri 2 – Prishtinë 2010,

3. Raporti i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren, datë 23. 02. 2009 “Pasojat e luftës në Komunën e Prizrenit”. KMDLNJ – Krimet e Luftës në Kosovë 1998 – 1999 Monografi 1, Prishtinë 2010.

4. Nën pushtetin e urdhrave (Komuna e Prizrenit) – Krimet e luftës në Kosovë – tetor 2002 by Human Rights Watch (faqe 359 – 367)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura